Libra dhe Mësime
Kapitulli 36: Familja Mund të Jetë e Përjetshme


Kapitulli 36

Familja Mund të Jetë e Përjetshme

A Korean couple standing in front of the Seoul Korea Temple.  The father is holding their young daughter.

Rëndësia e Familjes

  • Përse Ati Qiellor na dërgoi në tokë si pjesëtarë familjesh?

“Martesa midis një burri dhe një gruaje është shuguruar nga Perëndia. … Familja është qendrore në planin e Krijuesit për destinacionin hyjnor të fëmijëve të Tij” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign, nëntor 1995, f. 102).

Pasi Ati Qiellor i bashkoi në martesë Adamin dhe Evën, Ai i urdhëroi ata të kishin fëmijë (shih Zanafilla 1:28). Ai ka zbuluar se një nga qëllimet e martesës është të sigurojë trupa fizikë për fëmijët e Tij shpirtërorë. Prindërit janë bashkëpjesëmarrës me Atin tonë Qiellor. Ai dëshiron që secili nga fëmijët e Tij shpirtërorë të marrë një trup fizik dhe të provojë jetën në tokë. Kur një burrë e një grua sjellin fëmijë në këtë botë, ata e ndihmojnë Atin tonë Qiellor ta përmbushë planin e Tij.

Çdo fëmijë i porsalindur duhet të mirëpritet në familje me gëzim. Secili prej tyre është një fëmijë i Perëndisë. Ne duhet të kalojmë kohë duke u kënaqur me fëmijët tanë, duke luajtur me ta dhe duke u dhënë mësim.

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei tha: “Me gjithë zemër besoj se vendi më i mirë për t’u përgatitur për … jetën e përjetshme është në shtëpi” (“Blueprint for Family Living,” Improvement Era, prill 1963, f. 252). Në shtëpi, me familjet tona, ne mund të mësojmë vetëkontrollin, sakrificën, besnikërinë dhe vlerën e punës. Ne mund të mësojmë t’i duam të tjerët, të ndajmë me ta dhe t’u shërbejmë.

Baballarët dhe nënat kanë përgjegjësinë për t’i mësuar fëmijët rreth Atit Qiellor. Ata duhet të tregojnë nëpërmjet shembullit se e duan Atë, sepse ata i mbajnë urdhërimet e Tij. Prindërit duhet gjithashtu t’u mësojnë fëmijëve të luten dhe t’u binden urdhërimeve (shih Fjalët e Urta 22:6).

  • Pse është shtëpia vendi më i mirë për t’u përgatitur për jetën e përjetshme?

  • Si mund ta ndihmojmë ne rininë e Kishës ta kuptojë shenjtërinë e familjes dhe të besëlidhjes së martesës?

Familja e Përjetshme

Familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë. Për ta gëzuar këtë bekim ne duhet të martohemi në tempull. Kur martohemi jashtë tempullit, martesa merr fund kur njëri nga bashkëshortët vdes. Kur jemi të martuar në tempull nëpërmjet autoritetit të Priftërisë Melkizedeke, atëherë jemi të martuar për këtë kohë e për gjithë përjetësinë. Nëse i mbajmë besëlidhjet tona me Zotin, familjet tona do të jenë së bashku përgjithmonë, si bashkëshort, bashkëshorte dhe fëmijë. Vdekja nuk mund të na ndajë.

Marrëdhënie të Dashura Familjare

  • Si mund të zhvillojmë harmoni më të madhe në shtëpitë tona?

Bashkëshortët e bashkëshortet duhet të jenë të kujdesshëm dhe të dashur me njëri-tjetrin. Ata kurrë nuk duhet të bëjnë apo të thonë ndonjë gjë që do të lëndonte ndjenjat e njëri-tjetrit. Ata duhet gjithashtu të përpiqen të bëjnë çdo gjë që munden për ta bërë të lumtur njëri-tjetrin.

Kur prindërit vijnë tek njohja e Perëndisë dhe përpiqen të bëhen si Ai, ata do t’u mësojnë fëmijëve ta duan njëri-tjetrin. Në Librin e Mormonit, Mbreti Beniamin shpjegoi:

“Dhe ju nuk do të lejoni fëmijët tuaj … të luftojnë dhe të grinden me njëri-tjetrin. …

Por, ju do t’u mësoni atyre të ecin në udhët e së vërtetës dhe të maturisë; ju do t’u mësoni atyre të duan njëri-tjetrin dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrit” (Mosia 4:14–15).

Si anëtarë të familjes ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin të ndihemi të sigurt duke i dhënë nxitje dhe përgëzime të sinqerta. Secili fëmijë duhet të ndihet i rëndësishëm. Prindërit duhet të tregojnë se janë të interesuar për atë çfarë bëjnë fëmijët dhe të shprehin dashurinë e shqetësimin e tyre për fëmijët. Fëmijët gjithashtu duhet të tregojnë dashuri për prindërit e tyre. Ata duhet të jenë të bindur dhe të përpiqen të jetojnë atë lloj jete që do t’u sillte nder prindërve dhe emrit të familjes së tyre.

  • Çfarë mund të bëjnë prindërit që t’i nxitin bijtë e bijat e tyre të jenë miq të mirë me njëri-tjetrin? Çfarë mund të bëjnë vëllezërit e motrat për të ushqyer miqësinë e tyre me njëri-tjetrin?

  • Çfarë mund të bëjnë bashkëshortët e bashkëshortet që të ndihmojnë njëri-tjetrin të jenë të lumtur?

Si të Kemi një Familje të Suksesshme

  • Çfarë po bëni ju për të ndihmuar që ta forconi familjen tuaj dhe ta bëni atë të suksesshme?

Presidenti Harold B. Li na mësoi: “Puna më e rëndësishme e Zotit që ju do të bëni ndonjëherë do të jetë brenda mureve të vetë shtëpisë tuaj” (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 134).

Satani e di sa të rëndësishme janë familjet në planin e Atit tonë Qiellor. Ai kërkon t’i shkatërrojë ato duke mos na lejuar t’i afrohemi Zotit. Ai do të na tundojë të bëjmë gjëra që do t’i përçajnë familjet tona.

Presidencia e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve deklaruan: “Martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen me parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese” (Ensign, nëntor 1995, f. 102).

Të gjithë duam të kemi familje të lumtura e të suksesshme. Gjërat e mëposhtme do të na ndihmojnë ta arrijmë këtë:

  1. Zhvilloni lutje familjare çdo mbrëmje dhe mëngjes (shih 3 Nefi 18:21). Lutuni së bashku si bashkëshort e bashkëshorte.

  2. Jepuni mësim ungjillin fëmijëve çdo javë në mbrëmje familjare në shtëpi.

  3. Studioni rregullisht si familje shkrimet e shenjta.

  4. Bëni gjëra së bashku si familje, të tilla si projekte pune, ekskursione dhe marrje vendimesh.

  5. Mësoni të jeni të dashur, të duruar, tolerantë dhe plot dashuri hyjnore (shih Moroni 7:45–48).

  6. Merrni pjesë rregullisht në mbledhjet e Kishës (shih DeB 59:9–10).

  7. Zbatoni këshillën e Zotit tek DeB 88:119: “Organizoni veten tuaj; përgatisni çdo gjë të nevojshme; dhe ngrini një shtëpi, madje një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, një shtëpi mësimi, një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli, një shtëpi të Perëndisë.”

  8. Mbani një histori familjare, kryeni punë tempulli së bashku dhe merrni ordinancat vulosëse të tempullit.

Familja është njësia më e rëndësishme në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kisha ekziston për t’i ndihmuar familjet të fitojnë bekime të përjetshme dhe ekzaltim. Organizatat dhe programet brenda Kishës janë hartuar për të na forcuar ne individualisht dhe për të na ndihmuar të jetojmë si familje përgjithmonë.

  • Çfarë mund të bëjnë familjet për të zgjidhur momentet e vështira?

  • Çfarë provash keni parë ju se përpjekje të tilla si lutja familjare, studimi familjar i shkrimit të shenjtë, këshillat familjare, vaktet familjare dhe mbrëmja familjare në shtëpi sjellin ndryshim?

Shkrime të Shenjta të Tjera dhe Burime të Tjera

  • Moisiu 2:27–28 (burri dhe gruaja krijohen dhe bekohen)

  • Zanafilla 2:24 (burri duhet të bashkohet me gruan e tij)

  • DeB 49:15–16 (Perëndia shuguroi martesën)

  • Efesianëve 6:4 (i edukoni fëmijët në drejtësi)

  • DeB 132:15–21 (martesa e përjetshme)

  • DeB 88:119–26 (udhëzime për një familje të suksesshme)

  • DeB 93:40–50 (Zoti i urdhëron prindërit t’i rrisin fëmijët e tyre në dritë e të vërtetë)

  • “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” (e disponueshme tek LDS.org dhe në shumë botime të Kishës, përfshirë Ensign, nëntor 1995, faqe 102; Për Forcën e Rinisë: Të Përmbushim Detyrën Tonë ndaj Perëndisë [artikulli numër 36550], faqe 44; dhe True to the Faith: A Gospel Reference [artikulli numër 36863], faqet 59–61)