Libra dhe Mësime
Kapitulli 9: Profetë të Perëndisë


Kapitulli 9

Profetë të Perëndisë

Profetët Janë Përfaqësues të Perëndisë në Tokë

  • Çfarë fuqish dhe dhuratash ka një profet?

“Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve” (Amosi 3:7).

Shumë njerëz jetojnë në errësirë, të pasigurt për vullnetin e Perëndisë. Ata besojnë se qiejt janë mbyllur dhe se njerëzit duhet t’i përballojnë të vetëm rreziqet e botës. Sa me fat janë shenjtorët e ditëve të mëvonshme! Ne e dimë se Perëndia komunikon me Kishën nëpërmjet profetit të Tij. Me zemra të mbushura me mirënjohje, shenjtorët në mbarë botën këndojnë himnin: “Të falemi, Zot, për profetin që rrugën ne sot na ndriçon” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve f. 36).

Një profet është një burrë që thirret nga Perëndia për të qenë përfaqësuesi i Tij në tokë. Kur një profet flet në emër të Perëndisë është sikur të na flasë vetë Perëndia (shih DeB 1:38). Një profet është gjithashtu një dëshmitar i veçantë për Krishtin, që dëshmon për hyjninë e Tij dhe jep mësim ungjillin e Tij. Profeti na mëson të vërtetën dhe interpreton fjalën e Perëndisë. Ai u bën thirrje të padrejtëve të pendohen. Ai merr zbulesa dhe orientime nga Zoti për të mirën tonë. Profeti mund të shikojë në të ardhmen dhe të parashikojë ngjarjet e ardhshme që bota të mund të paralajmërohet.

Një profet mund të vijë nga rrethana të ndryshme të jetës. Ai mund të jetë i ri ose i vjetër, tepër i shkolluar ose i pashkolluar. Ai mund të jetë fermer, avokat, ose mësues. Profetët e lashtë vishnin tunika dhe mbanin bastunë. Profetët modernë veshin kostume dhe mbajnë çanta dokumentesh. Çfarë e dallon atëherë një profet të vërtetë? Një profet i vërtetë zgjidhet gjithmonë nga Perëndia dhe thirret nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë (shih Nenet e Besimit 1:5).

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme i mbështesin Presidencinë e Parë dhe Dymbëdhjetë Apostujt si profetë. Megjithatë, kur flasim për “profetin e Kishës”, e kemi fjalën për Presidentin e Kishës, i cili është Presidenti i priftërisë së lartë.

Gjatë Gjithë Epokave Perëndia Ka Thirrur Profetë për të Udhëhequr Njerëzimin

  • Në çfarë mënyrash i kanë udhëhequr profetët fëmijët e Perëndisë në të shkuarën?

Ka pasur profetë në tokë që nga koha e Adamit. Përvojat e këtyre burrave të mëdhenj na emocionojnë dhe na frymëzojnë. Moisiu, një profet i Dhiatës së Vjetër, udhëhoqi mijëra njerëz të popullit të tij për të dalë nga Egjipti e skllavëria drejt tokës së premtuar. Ai shkroi pesë librat e parë të Dhiatës së Vjetër dhe regjistroi Dhjetë Urdhërimet. Nefi, një profet i Librit të Mormonit, udhëtoi nga Jeruzalemi në kontinentin amerikan rreth 600 vjet para lindjes së Krishtit. Ky udhëheqës dhe kolonizator i madh na dha shumë shkrime të rëndësishme në Librin e Mormonit. Gjon Pagëzori u zgjodh të përgatiste botën për ardhjen e Zotit Jezu Krisht. Nëpërmjet Jozef Smithit, një profet i ditëve të mëvonshme, Zoti rivendosi Kishën. Kur ishte i ri, Jozef Smithi gjithashtu përktheu Librin e Mormonit.

  • Çfarë keni mësuar ju nga jeta dhe mësimet e profetëve?

Ne Kemi një Profet të Gjallë Sot në Tokë

  • Përse na duhet sot një profet i gjallë?

Ne kemi një profet që jeton sot në tokë. Ky profet është Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai ka të drejtën e zbulesës për mbarë Kishën. Ai mban “çelësat e mbretërisë”, që do të thotë se ai ka autoritetin të drejtojë mbarë Kishën dhe mbretërinë e Perëndisë mbi tokë, përfshirë administrimin e ordinancave të priftërisë (shih Mateu 16:19). Askush tjetër përveç profetit dhe Presidentit të zgjedhur nuk mund të marrë vullnetin e Perëndisë për mbarë anëtarësinë e Kishës. Zoti tha: “Kurrë nuk ka përveçse një njeri mbi tokë gjatë një kohe, mbi të cilin kjo fuqi dhe çelësat e kësaj priftërie jepen” (DeB 132:7). Presidenti i Kishës ndihmohet nga këshilltarët e tij në Presidencinë e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, që janë gjithashtu profetë, shikues e zbulues.

Ne duhet të bëjmë ato gjëra që na thonë të bëjmë profetët. Presidenti Uillford Udraf tha se një profet kurrë nuk do të lejohet ta drejtojë Kishën në udhë të gabuar:

“Zoti kurrë nuk do të më lejojë mua apo cilindo tjetër që qëndron si President i kësaj Kishe, që t’ju drejtojë në udhë të gabuar. Kjo nuk bën pjesë në program. Nuk është në mendjen e Perëndisë. Nëse unë do të përpiqesha ta bëja këtë, Zoti do të më largonte nga kjo detyrë” (Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 199).

  • Në çfarë mënyrash profeti i gjallë ka ndikuar Kishën?

Ne Duhet ta Mbështesim Profetin e Zotit

  • Çfarë mund të bëjmë për të ndjekur dhe mbështetur profetin?

Shumë njerëz e kanë të lehtë të besojnë në profetët e së kaluarës. Por është shumë më mirë të besojmë dhe të ndjekim profetin e gjallë. Ne ngremë dorën për të mbështetur Presidentin e Kishës si profet, shikues dhe zbulues.

Si mund ta mbështesim profetin? Ne duhet të lutemi për të. Barrët e tij janë të rënda dhe ai ka nevojë të forcohet nga lutjet e shenjtorëve.

Ne duhet të studiojmë fjalët e tij. Mund të dëgjojmë bisedat e tij në konferencë. Ne gjithashtu mund të pajtohemi tek Ensign apo Liahona që të mund t’i lexojmë bisedat e tij të konferencës dhe mesazhe të tjera që jep.

Ne duhet t’i ndjekim plotësisht mësimet e tij të frymëzuara. Nuk duhet të zgjedhim të ndjekim vetëm një pjesë të këshillës së tij të frymëzuar dhe ta lëmë mënjanë atë që na duket e pakëndshme ose e vështirë. Zoti na urdhëroi të ndjekim mësimet e frymëzuara të profetit të Tij:

“Ju duhet t’u vini veshin fjalëve dhe urdhërimeve të tij [të profetit], që ai do t’jua japë ashtu siç i merr ato, duke ecur gjithë shenjtëri përpara meje;

Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim” (DeB 21:4–5).

Zoti kurrë nuk do ta lejojë Presidentin e Kishës të na drejtojë në udhë të gabuar.

  • Çfarë ka dhënë mësim apo theksuar kohët e fundit Presidenti i Kishës?

Bekime të Mëdha Vijnë nga Bindja ndaj Profetit

Në qoftë se bindemi, Zoti premton: “Portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush; po, dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit të tij” (DeB 21:6). Kur veprojmë ashtu siç na udhëzon profeti, bekimet derdhen mbi ne nga qielli.

Që të qëndrojë e fortë, Kisha e vërtetë duhet të “[ndërtohet] mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:20). Në këtë botë të pasigurt ne jemi të bekuar të kemi një profet nëpërmjet të cilit Zoti na bën të ditur vullnetin e Tij.

  • Çfarë përvojash keni patur kur i jeni bindur këshillës së profetit?

Shkrime të Shenjta të Tjera

  • Numrat 12:6 (Perëndia flet nëpërmjet profetëve)

  • 1 Samuelit 9:9 (profeti quhej shikues)

  • Amosi 3:7 (Perëndia ua zbulon sekretet e Tij profetëve)

  • Mosia 8:16–18 (një shikues mund të dijë gjërat e shkuara dhe gjërat që do të vijnë)

  • Lluka 1:70 (Perëndia flet nëpërmjet profetëve)

  • DeB 45:10, 15 (Perëndia flet sot po ashtu si në lashtësi)

  • 1 Nefi 22:2 (nëpërmjet Shpirtit gjërat u bëhen të ditura profetëve)

  • DeB 68:3–5 (kur shërbëtorët e Zotit flasin të prekur nga Fryma e Shenjtë, ajo që thonë është mendja, vullneti dhe zëri i Zotit)

  • DeB 107:65–67, 91–92 (detyrat e Presidentit të Kishës)

  • DeB 43:1–7 (vetëm profeti është i autorizuar të marrë zbulesa për Kishën)

Jozef Smith

Jozef Smith

Brigam Jang

Brigam Jang

Xhon Tejlor

Xhon Tejlor

Uillford Udraf

Uillford Udraf

Lorenco Snou

Lorenco Snou

Jozef F. Smith

Jozef F. Smith

Hiber J. Grant

Hiber J. Grant

Xhorxh Albert Smith

Xhorxh Albert Smith

Dejvid O. Mek-Kei

Dejvid O. Mek-Kei

Jozef Filding Smith

Jozef Filding Smith

Harold B. Li

Harold B. Li

Spenser W. Kimball

Spenser W. Kimball

Ezra Taft Benson

Ezra Taft Benson

Hauard W. Hanter

Hauard W. Hanter

Gordon B. Hinkli

Gordon B. Hinkli

Tomas S. Monson

Tomas S. Monson