Libra dhe Mësime
Kapitulli 26: Sakrifica


Kapitulli 26

Sakrifica

Jesus Christ depicted in red and black robes. Christ is talking to a rich young man. Christ has His arms extended as He gestures toward a poorly dressed man and woman. The painting depicts the event wherein Christ was approached by a young man who inquired of Christ what he should do to gain eternal life. Christ instructed him to obey the commandments and to give his wealth to the poor and follow Him. The young man was unable to part with his wealth and went away sorrowfully. (Matthew 19:16-26) (Mark 10:17-27) (Luke 18:18-27)

Kuptimi i Sakrificës

Sakrificë do të thotë t’i japim Zotit çfarëdo që Ai kërkon nga koha jonë, të mirat tona tokësore dhe energjitë tona për ta çuar përpara punën e Tij. Zoti urdhëroi: “Para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij” (Mateu 6:33). Gatishmëria jonë për të sakrifikuar është një tregues i përkushtimit tonë ndaj Perëndisë. Njerëzit janë vënë gjithmonë në provë për të parë nëse do të vendosnin në jetë në fillim gjërat e Perëndisë.

  • Përse është e rëndësishme të sakrifikojmë ashtu si kërkon Zoti pa pritur ndonjë gjë në këmbim?

Ligji i Sakrificës Praktikohej në Lashtësi

  • Cila ishte domethënia e sakrificës së kryer nga populli i besëlidhjes së Zotit në lashtësi?

Që nga koha e Adamit dhe e Evës e deri në kohën e Jezu Krishtit, populli i Zotit praktikoi ligjin e sakrificës. Ata ishin urdhëruar të ofronin si sakrifica të parëlindurit e tufave të tyre. Këto kafshë duhet të ishin të përkryera, pa asnjë të metë. Kjo ordinancë u dha për ta kujtuar popullin se Jezu Krishti, i Parëlinduri i Atit, do të vinte në botë. Ai do të ishte i përkryer në çdo gjë dhe do të ofrohej si fli për mëkatet tona. (Shih Moisiu 5:5–8.)

Jezusi erdhi vërtet dhe e ofroi veten si një fli, pikërisht ashtu siç u qe mësuar njerëzve më parë. Për shkak të sakrificës së Tij, të gjithë do të shpëtohen nga vdekja fizike nëpërmjet Ringjalljes dhe të gjithë mund të shpëtohen prej mëkateve të tyre nëpërmjet besimit tek Jezu Krishti (shih kapitullin 12 në këtë libër).

Sakrifica shlyese e Krishtit shënoi mbarimin e sakrificës me derdhje gjaku. Një sakrificë e tillë e jashtme u zëvendësua me ordinancën e sakramentit. Ordinanca e sakramentit u dha për të na kujtuar për sakrificën e madhe të Shpëtimtarit. Ne duhet ta marrim sakramentin shpesh. Emblemat e bukës dhe të ujit na kujtojnë trupin e Shpëtimtarit dhe gjakun e Tij, që derdhi për ne (shih kapitullin 23 në këtë libër).

  • Përse Shlyerja konsiderohet si sakrifica e madhe dhe e fundit?

Ne Ende Duhet të Sakrifikojmë

  • Si e zbatojmë ligjin e sakrificës sot?

Megjithëse sakrifica me derdhjen e gjakut mori fund, Zoti ende kërkon që ne të sakrifikojmë. Por tani Ai kërkon një lloj tjetër flijimi. Ai tha: “Dhe ju nuk do të më ofroni më derdhje gjaku; … dhe olokaustet tuaja do të marrin fund. … Dhe ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar” (3 Nefi 9:19–20). Një “zemër [e] thyer dhe një shpirt [i] penduar” do të thotë se ne ofrojmë trishtim të thellë për mëkatet tona ndërsa përulemi e pendohemi për to.

Ne Duhet të Jemi të Gatshëm të Sakrifikojmë Çdo Gjë që Kemi për Zotin

  • Përse njerëzit janë të gatshëm të bëjnë sakrifica?

Apostulli Pal shkroi se ne duhet të bëhemi fli të gjallë, të shenjtëruar e të pëlqyer për Perëndinë (shih Romakëve 12:1).

Nëse duam të jemi fli të gjallë, ne duhet të jemi të gatshëm të japim çdo gjë që kemi për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë mbi tokë dhe për të punuar për ta sjellë në dritë Sionin (shih 1 Nefi 13:37).

Një i ri i pasur nga krerët e pyeti Shpëtimtarin: “Ç’duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?” Jezusi iu përgjigj: “Ti i njeh urdhërimet: ‘Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde.’” I riu pasanik i tha: “‘Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia.’ Si e dëgjoi, Jezusi i tha: ‘Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq.’” Kur i riu pasanik dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë. Ai ishte shumë i pasur dhe zemrën e kishte vënë mbi pasuritë e tij. (Shih Lluka 18:18–23; shih gjithashtu figurën në këtë kapitull.)

I riu pasanik ishte një njeri i mirë. Por kur u vu në provë, ai nuk qe i gatshëm të sakrifikonte pasuritë e tij tokësore. Nga ana tjetër, dishepujt e Zotit Pjetri dhe Andrea qenë të gatshëm të sakrifikonin çdo gjë për hir të mbretërisë së Perëndisë. Kur Jezusi u tha: “‘Ndiqmëni’ … ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën” (Mateu 4:19–20).

Ashtu si dishepujt, ne mund të ofrojmë aktivitetet tona të përditshme si sakrificë për Zotin. Ne mund të themi: “U bëftë vullneti yt.” Abrahami veproi kështu. Ai jetoi në tokë para Krishtit, në kohën kur kërkoheshin sakrificat dhe olokaustet. Si provë e besimit të Abrahamit, Zoti e urdhëroi atë të ofronte birin e tij Isakun si fli. Isaku ishte i vetmi bir i Abrahamit dhe Sarës. Urdhëri për ta ofruar atë si sakrificë ishte tepër i dhimbshëm për Abrahamin.

Megjithatë, ai dhe Isaku e kryen udhëtimin e gjatë deri në vendin e Moriahve, ku do të bëhej flijimi. Ata udhëtuan për tre ditë. Përfytyroni mendimet e Abrahamit dhe dhimbjen e tij. Biri i tij do t’i flijohej Zotit. Kur arritën në vendin e Moriahve, Isaku mbarti drutë dhe Abrahami mbarti zjarrin e thikën drejt vendit ku do të ndërtonin altarin. Isaku tha: “‘Ati im! … ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për sakrificën?’ Abrahami u përgjigj: ‘Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën.’” Më pas Abrahami ndërtoi një altar dhe vendosi drutë mbi të. Ai e lidhi Isakun dhe e vendosi mbi altar sipër druve. Pastaj mori thikën për ta vrarë Isakun. Në atë çast një engjëll i Zotit e ndaloi duke i thënë: “Abraham … mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke.” (Shih Zanafilla 22:1–14.)

Abrahami duhet të ish mbushur me gëzim kur nuk iu kërkua më të sakrifikonte të birin. Por ai e donte Zotin aq shumë sa ishte i gatshëm të bënte çdo gjë që Zoti kërkonte.

  • Çfarë shembujsh sakrifice keni parë ju në jetën e njerëzve që njihni? Çfarë shembujsh sakrifice keni parë në jetën e paraardhësve tuaj, në jetën e anëtarëve të hershëm të Kishës, në jetën e njerëzve në shkrimet e shenjta? Çfarë keni mësuar nga këta shembuj?

Sakrifica na Ndihmon për të na Përgatitur të Jetojmë në Prani të Perëndisë

Vetëm nëpërmjet sakrificës mund të bëhemi të denjë të jetojmë në prani të Perëndisë. Vetëm nëpërmjet sakrificës mund të gëzojmë jetën e përjetshme. Shumë nga ata që kanë jetuar para nesh kanë sakrifikuar çdo gjë që kishin. Ne duhet të jemi të gatshëm të bëjmë të njëjtën gjë nëse duam të fitojmë shpërblimin e çmuar që ata gëzojnë.

Nga ne mund të mos kërkohet të sakrifikojmë çdo gjë. Por ashtu si Abrahami, ne duhet të jemi të gatshëm të sakrifikojmë çdo gjë që të bëhemi të denjë të jetojmë në praninë e Zotit.

Populli i Zotit gjithmonë ka sakrifikuar shumë dhe në mënyra të ndryshme. Disa kanë vuajtur vështirësi dhe tallje për hir të ungjillit. Disa prej të porsakthyerve në besim janë përjashtuar prej familjeve të tyre. Miqtë e vjetër janë larguar. Disa anëtarë kanë humbur punën; disa madje edhe jetën. Por Zoti i vë re sakrificat tona; Ai premton: “Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme” (Mateu 19:29).

Ndërsa dëshmitë tona për ungjillin rriten, ne bëhemi më të gatshëm për të bërë sakrifica edhe më të mëdha për Zotin. Vini re sakrificat e bëra në këta shembuj të vërtetë:

Një anëtar i Kishës në Gjermani ruajti të dhjetën e tij për vite me radhë derisa dikush me autoritetin e priftërisë të mund të vinte për ta pranuar atë.

Një mësuese e vizitave në Shoqatën e Ndihmës shërbeu për 30 vjet duke mos lënë asnjë detyrë pa plotësuar.

Një grup shenjtorësh në Afrikën e Jugut udhëtoi për tre ditë, duke qëndruar në këmbë, për të dëgjuar dhe parë profetin e Zotit.

Në një konferencë zone në Meksikë, anëtarët e Kishës fjetën përtokë dhe agjëruan gjatë ditëve të konferencës. Ata i kishin përdorur të gjitha paratë e tyre që të shkonin në konferencë dhe nuk u kishte mbetur asgjë për ushqim dhe strehim.

Një familje shiti makinën për të siguruar paratë që donin t’i derdhnin në fondin e ndërtimit të një tempulli.

Një familje tjetër shiti shtëpinë për të siguruar paratë për të shkuar në tempull.

Shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme kanë fare pak të ardhura për të jetuar e megjithatë ata paguajnë të dhjetat e ofertat e tyre.

Një vëlla sakrifikoi punën e tij, sepse nuk pranoi të punonte të dielën.

Në një degë, të rinjtë dhuruan me dëshirë nga koha e tyre për t’u kujdesur për fëmijët, prindërit e të cilëve ndihmonin në ndërtimin e godinës së Kishës.

Të rinj e të reja refuzojnë apo shtyjnë mundësi të mira për punë, arsimim ose sporte për të shërbyer si misionarë.

Ka edhe shumë shembuj të tjerë të atyre që sakrifikojnë për Zotin. E megjithatë një vend në mbretërinë e Atit tonë Qiellor ja vlen çdo sakrificë që na duhet të bëjmë nga koha, talentet, energjitë, paratë dhe jeta jonë. Nëpërmjet sakrificës mund të marrim njohuri nga Zoti se jemi të pranueshëm për Të (shih DeB 97:8).

  • Si mendoni ju, përse gatishmëria jonë për të sakrifikuar është e lidhur me qenien tonë gati për të jetuar në prani të Perëndisë?

Shkrime të Shenjta të Tjera

  • Lluka 12:16–34 (aty ku është thesari, aty është dhe zemra)

  • Lluka 9:57–62 (sakrifikoni që të jeni të përshtatshëm për mbretërinë)

  • DeB 64:23; 97:12 (sot është një ditë sakrifice)

  • DeB 98:13–15 (ata që e humbasin jetën për Zotin do ta gjejnë atë)

  • Alma 24 (populli i Amonit sakrifikoi jetën në vend që të thyente betimin që i kishte bërë Zotit)