Libra dhe Mësime
Kapitulli 42: Mbledhja e Shtëpisë së Izraelit


Kapitulli 42

Mbledhja e Shtëpisë së Izraelit

The Old Testament prophet Israel (Jacob) with his sons gathered around him. One of the sons (Joseph) is kneeling before his father. Israel has his hand on the son's head as he prepares to give him a priesthood blessing.

Shtëpia e Izraelit është Populli i Besëlidhjes së Perëndisë

  • Çfarë përgjegjësish ka populli i besëlidhjes së Perëndisë kundrejt kombeve të botës?

Jakobi ishte një profet i madh që jetoi qindra vjet para kohës së Krishtit. Meqenëse Jakobi qe besnik, Zoti i dha atij emrin e veçantë Izrael, që do të thotë “dikush që triumfon me Perëndinë” ose “Perëndia le të triumfojë” (Bible Dictionary, “Israel,” f. 708). Jakobi pati dymbëdhjetë bij. Këta bij dhe familjet e tyre u bënë të njohur si dymbëdhjetë fiset e Izraelit, ose izraelitët (shih Zanafilla 49:28).

Jakobi ishte nip i Abrahamit. Zoti kishte bërë një besëlidhje të përjetshme me Abrahamin që u ripërtëri me Isakun dhe Jakobin e fëmijët e tij (shih kapitullin 15 në këtë libër; shih edhe figurën në këtë kapitull, që paraqet Jakobin duke bekuar bijtë e tij). Perëndia premtoi se izraelitët do të ishin populli i besëlidhjes së Tij për aq kohë sa do t’u bindeshin urdhërimeve të Tij (shih Ligji i Përtërirë 28:9–10). Ata do të ishin një bekim për të gjitha kombet e botës duke ua çuar atyre ungjillin dhe priftërinë (shih Abrahami 2:9–11). Në këtë mënyrë, ata do të mbanin besëlidhjen e tyre me Zotin dhe Ai do të mbante besëlidhjen e Tij me ta.

Shtëpia e Izraelit u Shpërnda

Profetët e Zotit e paralajmëruan vazhdimisht shtëpinë e Izraelit për ato që do t’u ndodhnin nëse do të ishin të ligj. Moisiu profetizoi: “Zoti do të të shpërndajë midis tërë popujve, nga njeri skaj i tokës në tjetrin” (Ligji i Përtërirë 28:64).

Me gjithë këtë paralajmërim, izraelitët i thyen vazhdimisht urdhërimet e Perëndisë. Ata luftuan mes njëri-tjetrit dhe u ndanë në dy mbretëri: Mbretëria e Veriut, e quajtur mbretëria e Izraelit dhe Mbretëria e Jugut, e quajtur mbretëria e Judës. Dhjetë nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit jetonin në Mbretërinë Veriore. Gjatë një lufte ata u pushtuan nga armiqtë e tyre dhe u çuan në robëri. Më vonë disa prej tyre u arratisën në tokat e veriut duke humbur për pjesën tjetër të botës.

Rreth 100 vjet pas pushtimit të Mbretërisë Veriore, u pushtua edhe Mbretëria Jugore. Kryeqyteti Jeruzalem u shkatërrua në vitin 586 p.e.r., dhe shumë pjesëtarë të dy fiseve të mbetur të Izraelit u zunë rob. Më vonë, disa prej anëtarëve të këtyre fiseve u kthyen dhe rindërtuan Jeruzalemin. Fare pak kohë para se Jeruzalemi të shkatërrohej, Lehi dhe familja e tij, që qenë pjesëtarë të shtëpisë së Izraelit, u larguan nga qyteti dhe u vendosën në kontinentin amerikan.

Pas kohës së Krishtit, Jeruzalemi u shkatërrua përsëri, këtë radhë nga ushtarët romakë. Hebrenjtë u shpërndanë edhe më tepër nëpër botë. Sot izraelitët gjenden në të gjitha vendet e botës. Shumë prej këtyre njerëzve nuk e dinë se janë pasardhës nga shtëpia e lashtë e Izraelit.

  • Çfarë përfitimesh u kanë ardhur fëmijëve të Perëndisë sepse populli i besëlidhjes së Tij është shpërndarë në mbarë botën?

Shtëpia e Izraelit Duhet të Mblidhet

  • Përse Zoti do që populli i Tij të mblidhet?

  • Si do të mblidhet shtëpia e Izraelit?

Zoti premtoi se populli i besëlidhjes së Tij do të mblidhej një ditë: “Do të mbledh kusurin e deleve të mia nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë” (Jeremia 23:3).

Perëndia i mbledh fëmijët e Tij me anë të punës misionare. Kur njerëzit vijnë tek një njohuri e Jezu Krishtit, duke marrë ordinancat e shpëtimit dhe duke mbajtur besëlidhjet e shoqëruara me to, ata bëhen “fëmijët e besëlidhjes” (3 Nefi 20:26). Ai ka arsye të rëndësishme për mbledhjen e fëmijëve të Tij. Ai i mbledh ata që të mund të mësojnë mësimet e ungjillit dhe të përgatiten për ta takuar Shpëtimtarin kur Ai të vijë sërish. Ai i mbledh ata që të mund të ndërtojnë tempuj dhe të kryejnë ordinancat e shenjta për paraardhësit që kanë vdekur pa e pasur këtë mundësi. Ai i mbledh ata që të mund të forcojnë njëri-tjetrin dhe të bashkohen në ungjill, duke gjetur mbrojtje nga ndikimet mëkatare në botë. Ai i mbledh gjithashtu ata që të mund të përgatiten për të ndarë ungjillin me të tjerët.

Fuqia dhe autoriteti për të drejtuar punën e mbledhjes së shtëpisë së Izraelit iu dhanë Jozef Smithit me anë të profetit Moisi, i cili u shfaq në vitin 1836 në Tempullin e Kirtlandit (shih DeB 110:11). Që nga ajo kohë, çdo profet ka mbajtur çelësat për mbledhjen e shtëpisë së Izraelit dhe kjo mbledhje ka qenë një pjesë e rëndësishme e punës së Kishës. Populli i besëlidhjes tani po mblidhet ndërsa ata pranojnë ungjillin e rivendosur dhe i shërbejnë Perëndisë së Abrahamit, Isakut dhe Jakobit (shih Ligji i Përtërirë 30:1–5).

Izraelitët do të mblidhen në fillim shpirtërisht e më pas fizikisht. Ata mblidhen shpirtërisht kur bashkohen me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe bëjnë e mbajnë besëlidhjet e shenjta. Kjo mbledhje shpirtërore filloi gjatë kohës së Profetit Jozef Smith dhe vazhdon edhe sot në mbarë botën. Të kthyerit në besim në Kishë janë izraelitë ose nëpërmjet gjakut ose duke u adoptuar. Ata i përkasin familjes së Abrahamit dhe Jakobit (shih Abrahami 2:9–11; Galatasve 3:26–29).

Presidenti Jozef Filding Smith tha: “Ka shumë kombe të përfaqësuara në … Kishë. … Ata kanë ardhur sepse Shpirti i Zotit ka rënë mbi ta; … duke marrë shpirtin e mbledhjes, ata kanë lënë çdo gjë për hir të ungjillit” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:256; germat e pjerrëta në origjinal).

Mbledhja fizike e Izraelit do të thotë se njerëzit e popullit të besëlidhjes do të “mblidhen në shtëpi, në tokat e trashëgimit të tyre dhe do të vendosen në të gjitha tokat e tyre të premtimit” (shih 2 Nefi 9:2). Fiset e Efraimit dhe Manasës do të mblidhen në Amerikë. Fisi i Judës do të rikthehet në qytetin e Jeruzalemit dhe në territorin përreth tij. Dhjetë fiset e humbura do të marrin nga fisi i Efraimit bekimet e tyre të premtuara (shih DeB 133:26–34).

Kur Kisha u themelua në fillim, shenjtorët u udhëzuan të mblidheshin në Ohajo, më pas në Misuri e më vonë në Luginën e Solt-Lejkut. Megjithatë, sot profetët e kohës sonë na kanë mësuar se anëtarët e Kishës duhet të ndërtojnë mbretërinë e Perëndisë në vendet e tyre. Plaku Rasëll M. Nelson tha: “Zgjedhja për të ardhur tek Krishti nuk është një çështje vendndodhjeje fizike; ajo është një çështje angazhimi vetjak. Njerëzit mund të ‘sillen në njohurinë e Zotit’ [3 Nefi 20:13] pa u larguar nga vendlindja e tyre. Vërtet, në ditët e hershme të Kishës, kthimi në besim shpesh do të thoshte edhe emigrim. Por tani mbledhja ndodh në çdo komb. … Vendi i mbledhjes për shenjtorët brazilianë është në Brazil; vendi i mbledhjes për shenjtorët nigerianë është në Nigeri; vendi i mbledhjes për shenjtorët koreanë është në Kore; e kështu me radhë. Sioni është ‘të kulluarit në zemër’ [DeB 97:21]. Sioni është kudo ku janë shenjtorët e drejtë” (në Conference Report, tetor 2006, f. 85; ose Ensign, nëntor 2006, f. 81).

Mbledhja fizike e Izraelit nuk do të jetë përfunduar deri në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit dhe më tej në Mijëvjeçar (shih Joseph Smith – Mateu 1:37). Më pas premtimi i Zotit do të përmbushet:

“‘Prandaj ja, po vijnë ditët’, thotë Zoti, ‘në të cilat nuk do të thuhet më: ‘Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit,’

por: ‘Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i veriut dhe nga tërë vendet ku i kishte shpërndarë’. Dhe unë do t’i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të tyre’” (Jeremia 16:14–15).

  • Në çfarë mënyrash jeni mbledhur shpirtërisht si një njeri nga populli i besëlidhjes së Zotit?

  • Në çfarë mënyrash keni marrë pjesë në mbledhjen e të tjerëve?

Shkrime të Shenjta të Tjera