Mësoni – Koha Maksimale: 45 Minuta
-
Lexoni:Në kapitullin e mëparshëm, ne mësuam se investimi është të japësh kohën, përpjekjen ose paratë në diçka dhe të presësh një lloj fitimi. Një nga arsyet që ne mund të investojmë para është që të kemi mjaftueshëm para kur të dalim në pension.
Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim: “Teksa shkoni përpara në jetë drejt daljes në pension dhe dhjetëvjeçarëve që pasojnë, ne i ftojmë të gjithë … që të planifikojnë duke kursyer për vitet që pasojnë punën me kohë të plotë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 219–220). Mund të ketë programe shtetërore ose sociale që janë në dispozicion për t’ju ndihmuar gjatë pensionit, por me gjasë ju do të keni nevojë t’i shtoni paratë që keni në dispozicion nga këto programe me vetë kursimet ose investimet tuaja. Nëse nuk do t’ia dilni që të planifikoni tani, ju mund të mos keni mjaftueshëm të ardhura ose kursime për të qenë i/e mbështetur te vetja pasi të dilni në pension.
-
Diskutoni:Çfarë do të ndodhë nëse nuk keni mjaftueshëm para për të jetuar të qetë gjatë pensionit?
1. Vendosni një Synim për Pensionin
-
Lexoni:Përpara se të filloni të kurseni për pensionin, është e dobishme që të përllogaritni se sa para do t’ju nevojiten. Kjo formulë e thjeshtë mund t’ju ndihmojë që të filloni:
Ju nuk mund ta parashikoni saktësisht sa gjatë do të jetoni, por mund të parashikoni se kur do të donit të dilnit në pension dhe ju mund të planifikoni mundësisht se sa gjatë do të jetoni pas asaj kohe. Në mbarë botën, shumica e njerëzve dalin në pension rreth moshës 60 dhe 70 vjeç. Ju mund të jetoni edhe 20 deri 30 vjet të tjera pas daljes në pension.
Shënim: Ju mund të mos keni nevojë për këtë shumë të plotë kur të dilni në pension, ndërsa investimet tuaja mund të vazhdojnë të rriten gjatë gjithë pensionit, por marrja parasysh e këtij numri është një pikë e mirë për të filluar.
2. Kuptojeni Interesin e Përbërë
-
Lexoni:Interesi i përbërë mund të jetë një nga çelësat për të pasur mjaftueshëm para për pensionin. Interesi i përbërë është të fitosh interes shtesë nga interesi dhe në mënyrë tipike përfaqësohet si një përqindje ose normë fitimi. Sapo të keni fituar pagesën tuaj të parë me interes, ajo shtohet te bilanci i shumës themelore. Më pas ai bilanc më i madh vazhdon të rritet.
-
Lexoni:Investimi në mënyra që sigurojnë një normë të mirë fitimi shpesh i ndihmon njerëzit të kenë kursyer mjaftueshëm para për pensionin. Shumicës së njerëzve u duket më e lehtë të investojnë shuma të vogla parash vazhdimisht me kalimin e kohës, të tilla si shuma të caktuara çdo muaj ose nga çdo pagë, në vend të shumave të mëdha periodike. Shembulli më poshtë tregon vlerën totale të investimit prej 100 dollarësh në muaj për 30 vjet me norma të ndryshme fitimi. Kjo është fuqia e interesit të përbërë.
-
Diskutoni:Si mund të ketë ndikim koha dhe norma e fitimit në vlerën totale të një investimi?
3. Kuptojeni Marrëdhënien ndërmjet Rrezikut dhe Fitimit
-
Lexoni:Siç e kemi parë, norma e fitimit mund të jetë shumë e madhe. Mund të duket mjaft e thjeshtë që ajo çka të gjithë ne kemi nevojë të bëjmë, pra, është t’i investojmë paratë tona në diçka me normën më të lartë të fitimit. Por nuk është aq e thjeshtë. Siç e tregon grafiku i mëposhtëm, të gjitha investimet mbartin një marrëdhënie rreziku dhe fitimi. Në mënyrë tipike, sa më e ulët të jetë norma e fitimit, aq më pak rrezik do të ketë të humbni paratë në atë investim. E kundërta, sa më i lartë të jetë fitimi i mundshëm, aq më i lartë do të jetë rreziku i mundshëm që të humbisni paratë.
4. Merrni Parasysh Investime të Mundshme
-
Lexoni:Kur merrni parasysh investime të mundshme, është e dobishme të dini disa gjëra bazë. Pothuajse të gjitha investimet mund të ndahen në dy kategori: ato me normë të pandryshueshme fitimi dhe ato me normë të ndryshueshme fitimi.
Një normë e pandryshueshme do të thotë që norma juaj nuk do të ngrihet apo ulet por do të mbetet fikse ose e pandryshueshme. Shembuj kursimesh ose investimesh me norma të pandryshueshme përfshijnë llogari kursimesh, vërtetime depozitash (VD) dhe bonde. Investimet me normë të pandryshueshme shpesh kanë një normë të ulët fitimi dhe mund të konsiderohen më pak të rrezikshme sesa investimet me normë të ndryshueshme.
Një normë e ndryshueshme do të thotë që fitimi juaj mund të ngrihet ose të ulet, duke nënkuptuar që mund të fitoni ose të humbisni para. Shembuj të investimeve me normë të ndryshueshme përfshijnë aksione, shumë fonde të ndërsjella, biznese dhe pasuri të paluajtshme. Në mënyrë tipike, investimet me normë të ndryshueshme konsiderohen më të rrezikshme sesa investimet me normë të pandryshueshme, por ato mund të mbartin edhe mundësinë për fitime më të larta.
Larmishmëri do të thotë të përhapësh paratë e tua nëpër investimeve të shumta. Investimi në shumë investime ose shumë lloje investimesh mund të ndihmojë që ta ulë rrezikun tuaj.
Për më shumë informacion për lloje të ndryshme investimesh, lexoni pjesën “Burimet” në fund të këtij kapitulli këtë javë në mënyrë të pavarur.
-
Diskutoni:Si grup, shqyrtojini konceptet vijuese derisa çdokush të ndihet që i kupton.
-
Interesi i përbërë
-
Rreziku kundrejt fitimit
-
Norma e pandryshueshme e fitimit
-
Norma e ndryshueshme e fitimit
-
Larmishmëria
-
5. Bëni Kërkime për Llogari të Mundshme për Pensionin
-
Lexoni:Në mënyrë tipike juve do t’ju nevojitet të paguani disa lloje taksash për investimet tuaja. Në fakt, taksat mund të jenë një nga shpenzimet më të mëdha për t’u marrë parasysh kur investoni. Për fat të mirë, shumë qeveri lejojnë llogari për pensionin që kanë përfitime të veçanta në taksa që do të doni t’i kuptoni. Këto llogari investimi mund të jenë të financuara nga punëdhënësi ose individualisht dhe brenda këtyre llogarive ju mund të investoni në aksione, bonde, fonde të ndërsjella dhe më tej. Llogaritë hapen në emra të ndryshëm në varësi të zonës ku jetoni, por përparësitë e taksës bazë janë të ngjashme dhe përgjithësisht i takojnë dy kategorive: Me taksë të shtyrë dhe pa taksë.
Me taksë të shtyrë: Kontributet te llogaritë me taksë të shtyrë janë në mënyrë tipike taksa që zbriten vitin e derdhjes së kontributeve, ndërkohë që tërheqjet gjatë pensionit taksohen me çfarëdo norme takse që vendoset nga të ardhurat tuaja në atë kohë. Nëse investimi juaj nuk ka gjasa të rritet ndjeshëm, qoftë për shkak të një norme të ulët fitimi apo për shkak se ka pak kohë që po rritet, ju mund të kurseni më shumë para në taksa duke e shtyrë pagesën e taksave të të ardhurave për ato para deri ditën e daljes në pension, kur paratë mund të taksohen me një normë të ulët.
Pa taksë: Kontributet te llogaritë pa taksë nuk japin përparësi për taksën fillestare. Për këto llogari, paratë që derdhni taksohen në vitin që janë fituar. Gjithsesi, të gjitha fitimet dhe tërheqjet në të ardhmen janë pa taksë. Nëse investimi juaj ka gjasa të rritet ndjeshëm, qoftë për shkak të një norme më të lartë fitimi apo për shkak se ka më shumë kohë për t’u rritur, ju me gjasë do të paguani më pak taksa duke përdorur një llogari pa taksë.
Siç mund ta shihni, bazuar në llojin e llogarisë që zgjidhni, ju ose do të paguani taksa në sportel ose kur bëni tërheqjen te [bankomati]. Në varësi nga rrethanat tuaja, një model mund të jetë më dobiprurës për ju sesa tjetri.
6. Filloni të Kurseni për Pensionin sa më Parë të Jetë e Mundur
-
Lexoni:Sapo të keni krijuar një fond për raste të ngutshme dhe ta keni shlyer borxhin konsumator, ju duhet të filloni të kurseni për pensionin sa më parë të jetë e mundur. Sa më parë të filloni të kurseni për pensionin, aq më shumë do të rriten paratë tuaja në kohëzgjatje dhe me gjasë do të keni më shumë para në dispozicion për pensionin.
Një mënyrë e shkëlqyer për të filluar kursimin për pensionin është nëpërmjet një plani pensioni të financuar nga punëdhënësi. Nëse punëdhënësi juaj ju ofron një lloj llogarie për pensionin ku përputhet disi me atë që kontribuoni, përfitoni prej saj! Përputhja e tyre është si bonus ose rritje për ju, vetëm se derdhni kontribute për kursimet tuaja.
Veprimtaria vijuese ndihmon për të ilustruar fuqinë e investimit në mënyrë të rregullt për një periudhë më të gjatë kohe.
Diskutoni rreth Përgatitjes për Pensionin në Këshillin Tuaj Familjar
-
Lexoni:Gjatë këshillit tuaj familjar këtë javë, diskutoni për planet tuaja për pensionin. Përllogaritni se sa do t’ju nevojitet, kur do të donit të dilnit në pension dhe cila mund të jetë situata juaj financiare në atë kohë. Hidhni në letër shumën që do të donit të kursenit dhe përcaktoni një shumë që mund ta përballoni për ta vënë mënjanë çdo muaj për pensionin. Kujtoni, edhe pse është e rëndësishme që të filloni të kurseni për pensionin sa më parë të jetë e mundur, është më urgjente që të mblidhni fondin tuaj për raste të ngutshme dhe të eliminoni së pari borxhin konsumator. Gjatë diskutimit tuaj, ju mund të doni të përdorni përvijimin që pason “Model Diskutimi Në Këshillin Familjar”.