Mbështetjate Vetja
Burimet


Burimet

Sistemi me Zarf

Sistemi me zarfi për të hollat është i thjeshtë: menjëherë pasi jeni paguar, ju e vendosni shumën e parave që keni ndarë për ta shpenzuar në secilën kategori buxhetore brenda zarfit përkatës.

Për shembull, të themi që keni vënë 400 dollarë te kategoria “artikujt ushqimorë” këtë muaj. Kur ta merrni pagesën e muajit ose javëve të ardhshme, depozitojeni shumën (në të holla) brenda një zarfi të emërtuar “Artikujt Ushqimorë”. Asnjë lek – dhe kjo nënkupton që asnjë lek – nuk do të dalë nga ai zarf, përveçse për të paguar për ushqim. Nëse shkoni në dyqan dhe zbuloni se e keni lënë zarfin në shtëpi, shkoni në shtëpi dhe merreni zarfin! Mbani shënim (në një bllok të thjeshtë shënimesh) të gjitha shpenzimet, në mënyrë që më vonë ta shqyrtoni atë gjatë këshillit tuaj familjar, që të kujtoheni se për çfarë po i shpenzoni paratë.

Në një zarf tjetër, vendoseni shumën buxhetore për shpenzimet tuaja të transportit. Ju do të nxirrni nga ky zarf i dytë sa herë është e përshtatshme pjesën që ju nevojitet për ato kosto dhe kontrolloni çdo shpenzim në bllokun tuaj të shënimeve.

Ndajeni secilën nga kategoritë tuaja të buxhetit në mënyrë të njëjtë: qiranë ose pagesat e kredive në një zarf; shërbimet komunale në një tjetër; të dhjetën dhe ofertat e agjërimit në një tjetër; pjesën mjekësore, sigurimet dhe kështu me radhë – secilën në zarfin e vet.

Sa herë që paguheni, depozitojeni pjesën e përshtatshme të shumës suaj mujore buxhetore në secilin zarf, në mënyrë që shuma totale e vendosur në secilin zarf çdo muaj të jetë shuma e përcaktuar në buxhetin tuaj të shkruar.

Mos shpenzoni më tepër para nga ajo që keni caktuar. Kur zarfi të zbrazet, duhet të mbetet me kaq! Nëse shpenzoni më tepër në atë kategori, do t’ju duhet t’i nxirrni paratë nga një zarf tjetër. Për dy muajt e parë, kjo do të kërkojë rregullime. Brenda asaj periudhe kohore ju duhet të merrni një ide më të saktë nëse shifrat buxhetore fillestare janë të përshtatshme – ju do ta zbuloni shumën mesatare reale gjatë dy muajve.

Disa e përdorin sistemin me zarf për gjithçka. Të tjerët e përdorin këtë sistem vetëm me të holla për ato kategori që i tundojnë ata ta tejkalojnë shumën ose për atë që është e lehtë ta humbasësh pasjen nën kontroll, si për ushqimin, restorantet, zbavitjen, karburantin dhe veshjet. Çdo gjë që mbetet duhet të shkojë për përparësinë tuaj financiare.

Kthehuni te faqja 77.

Sistemet Dixhitale

Nëse pasja e të hollave shtesë ju tundon të shpenzoni më shumë nga ç’mund të shpenzonit, atëherë përdorimi i një karte debiti mund të jetë mundësia juaj më e mirë. Sikundër metoda e zarfit me të holla, një kartë debiti tërheq para tashmë nga llogaria juaj bankare.

Kur përdorni një kartë debiti, është e vështirë të kontrolloni shpenzimet tuaja sepse, ndryshe nga sistemi i zarfit me të holla, një kartë debiti nuk ju mundëson kufizime të rrepta për shumën ndërmjet kategorive buxhetore. Ju mund t’i shënoni shpenzimet tuaja me laps dhe letër ose në një celular apo program kompjuterik.

Programe të shumta për administrimin financiar janë në dispozicion për celularë ose pajisje të tjera kompjuterike. Këto programe kompjuterike mund ta ruajnë dhe ta organizojnë për ju informacionin dhe ju më pas mund të hyni nga kompjuteri juaj në shtëpi ose edhe nga pajisje të tjera kompjuterike.

Shpenzoni pak kohë këtë javë për të bërë kërkime për programet më të mira kompjuterike në dispozicion në gjuhën dhe rajonin tuaj, duke përdorur terma kërkimorë si: “administrimi i parave”, “mjete vetjake për financat” ose “programe buxhetore”. Shumë programe vërtet të mira janë falas ose kushtojnë shumë pak.

Kujtoni, që ta mbani të sigurt informacionin tuaj, hyni tek informacioni vetjak financiar vetëm nga pajisjet tuaja private kompjuterike, jo nga kompjuterat publikë.

Kthehuni te faqja 78.

Shënime

Shënime