Mësoni – Koha Maksimale: 45 Minuta
Pikat për Buxhetin dhe Shpenzimet
-
Lexoni:Shqyrtoni dhe përditësoni buxhetin tuaj. Çfarë po shkon mirë? Cilat kategori keni nevojë të rregulloni, nëse keni ndonjë? A mund të shpenzoni më pak në disa kategori që të kurseni më shpejt për fondin tuaj për raste të ngutshme, që të çliroheni nga borxhi ose që të kurseni për të ardhmen? Një nga zotimet tuaja të kësaj jave do të jetë të diskutoni për veprimtarinë vijuese gjatë këshillit familjar.
-
Përsiatni:Çfarë do të bëni nëse hasni një krizë financiare? Çfarë krize financiare keni përjetuar në të kaluarën?
-
Lexoni:Te Dhiata e Vjetër, Jozefi e paralajmëroi Faraonin për shtatë vite bollëku, të pasuar me shtatë vite zie buke. Menjëherë, Faraoni caktoi mbikëqyrës për të vendosur mënjanë [prodhime] shtesë nga vitet e begata që të përgatitej për vitet e këqija (shih Zanafilla 41:1–37). Ndonëse mund të mos kemi gjithmonë një profeci të qartë se kur do të vijnë kohët e begata dhe të këqija, profetët sot na kanë nxitur që të përgatitemi për kohë krize, veçanërisht kur gjërat po shkojnë mirë.
Në këtë kapitull, ne do të mësojmë se çfarë të bëjmë kur hasim një krizë financiare dhe si të përgatitemi për kohë krizash përpara se ato të ndodhin.
-
Diskutoni:Çfarë lloj krizash financiare mund të hasni? Hidhni në letër më poshtë idetë e grupit.
1. Mësoni t’i Përballoni Krizat Financiare
-
Lexoni:Ashtu si një plan për raste të ngutshme apo largim në rast zjarri, në rastin e një krize financiare ju duhet të keni një rrjedhë veprimi që është e lehtë për ta ndjekur. Rreth përballimit të sprovave, Plaku Marvin J. Ashton pyeti: “A mund të uleni qetësisht, të shqyrtoni faktet dhe të renditni të gjitha rrjedhat e mundshme të veprimit? A mund t’i identifikoni shkaqet dhe ta përcaktoni rrugëdaljen? Të menduarit të thellë në qetësi mund t’i zgjidhë problemet më shpejt sesa vrulli i tërbuar” (“Give with Wisdom That They May Receive with Dignity”, Ensign, nëntor 1981, f. 88). Përcaktimi se si t’iu bëjmë ballë krizave financiare që më përpara, do t’ju lejojë që të jeni të përgatitur emocionalisht dhe financiarisht kur vështirësitë të godasin dhe mund t’ju ndihmojë që t’i parandaloni disa kriza në të ardhmen. Përballimi i një krize financiare kërkon dy hapa: vlerësimin e situatës dhe ndërmarrjen e veprimit të duhur.
-
Diskutoni:Përse është e rëndësishme që të vendosni tani se si ta përballoni një krizë financiare? Si ju kanë ndihmuar Shpirti që t’iu bëni ballë krizave në të kaluarën?
Vlerësoni Situatën
-
Lexoni:Për ta vlerësuar një krizë të mundshme financiare, ju mund të doni të bëni pyetjet në vijim:
-
A jeni besnik në pagimin e së dhjetës dhe ofertave tuaja? A po e jetoni jetën tuaj në një mënyrë të tillë që të jeni të denjë për bekimet e Perëndisë?
-
Çfarë masash paraprake për raste të ngutshme keni tashmë në zbatim që do t’ju ndihmojnë të përballeni me sfidën aktuale? A keni rezerva ushqimore dhe uji? një fond për raste të ngutshme? sigurimin e duhur?
-
Ku ju çalojnë përgatitjet për rastet e ngutshme?
-
Cilat polica për sigurimet keni që mund të mbulojnë një pjesë ose të gjithë pjesën e kësaj sfide?
-
Për sa kohë do të jeni në gjendje të mbështeteni te fondi juaj për raste të ngutshme?
-
A ka vend në buxhetin tuaj dhe në planin për eliminimin e borxhit për rregullime të përkohshme, nëse është e nevojshme?
-
-
Diskutoni:Përse është e rëndësishme që ta vlerësoni plotësisht një situatë përpara se të veproni?
Veproni
-
Lexoni:Në varësi të llojit dhe gjendjes së krizës suaj financiare, ka veprime të ndryshme që mund të jeni në gjendje t’i ndërmerrni që t’ju ndihmojnë për t’i kapërcyer sfidat tuaja financiare. Ndonëse këto veprime mund të mos kenë kuptim për të gjitha situatat, hapat vijues duhet t’ju japin një ide të asaj se ç’mund të bëhet në rastin e një krize financiare.
Telefononi Kompaninë Tuaj të Sigurimeve
-
Lexoni:Disa kriza financiare mund të përfshijnë një rast të ngutshëm shëndetësor, një aksident automobilistik, riparime për shtëpinë ose humbjen e punës. Për situata të tilla, përpara se t’ju zërë paniku ose të ndërmerrni veprime të tjera, merreni në telefon kompaninë tuaj të sigurimeve që t’ju kontrollojë pjesën e mbulimit. Bërja e pyetjeve për mbulimin nuk do të thotë që po paraqitni një kërkesë. Por nëse në situatën tuaj jeni të mbuluar, duhet të jeni në gjendje të kuptoni disi se sa do të jenë shpenzimet tuaja vetjake.
-
Diskutoni:Cilat kriza financiare ia vlen të mbulohen nga kompania juaj e sigurimeve?
Përdorni Fondin Tuaj për Raste të Ngutshme
-
Lexoni:Qëllimi i fondit tuaj për raste të ngutshme është t’ju ndihmojë të dilni nga krizat financiare. Mos u ndieni fajtor që i përdorni ato për këto situata. Ju mund ta përdorni fondin tuaj për raste të ngutshme për çfarëdo gjëje që iu nevojitet – nga shpenzimet e jetesës deri te sigurimet me përqindje të zbritura. Tregohuni të zgjuar që ta përdorni atë për gjërat e duhura në kohën e duhur. Rimbusheni fondin tuaj për raste të ngutshme sa më shpejt të jetë e mundur nëse ju duhet të përdorni para nga ai.
Paguani së Pari Shpenzimet dhe Faturat Tuaja më të Rëndësishme
-
Lexoni:Shqyrtojini mirë të gjitha shpenzimet dhe faturat tuaja dhe përcaktoni se cilën duhet të paguani menjëherë dhe cilën mund ta shtyni për një periudhë të shkurtër kohe pa gjobë të madhe. Mund të jetë e nevojshme të telefononi faturuesit tuaj për të parë nëse ka periudha të përkohshme që nuk kërkojnë pagesa [gjatë rasteve të ngutshme], mundësi skemash për pagesa pa interes ose zgjatje të afatit përfundimtar. Tregohuni të zgjuar se cilat shpenzime të paguani së pari dhe shqyrtoni pasojat e pafavorshme për shtyrjen e pagesave të faturave të tjera përpara se ta bëni këtë. Do t’ju nevojitet të ndaloni së bëri shpenzime të panevojshme për një periudhë, nëse është e mundur. Përqendrohuni tek ushqimi, strehimi, shërbimet komunale dhe transportimi i nevojshëm përpara se të bëni shpenzime të tjera.
-
Diskutoni:Përse do të ishte më e rëndësishme që të paguani së pari shpenzimet e renditura?
Telefononi Kreditorët Tuaj
-
Lexoni:Në rrethana ekstreme, mund të jetë gjë me mend të telefononi kreditorët tuaj dhe t’u shpjegoni situatën tuaj aktuale. Në varësi të krizës, ju mund të doni t’i kërkoni:
-
Shtyrje të përkohshme ose zvogëlim të pagesave.
-
Zgjatje të huas ose ndryshim të përkohshëm për kriteret e saj.
Ndonëse kjo mund të jetë mundësia e vetme e arsyeshme në rastet ekstreme, kini kujdes se shtyrja e pagesave ose ndryshimi i kritereve për huan tuaj mund t’ju çojë në taksa shtesë dhe ta bëjë huan më të shtrenjtë gjatë kohëzgjatjes.
-
Përcaktojini Burimet e Tjera që Mund të Vijnë në Ndihmë
-
Lexoni:Përgjegjësia jonë është të sigurojmë për veten dhe familjen tonë. Sidoqoftë, do të ketë raste kur do të na duhet të mbështetemi te të tjerët përkohësisht. Ndërsa kërkoni burime të tjera, jini të kujdesshëm që të mos bëheni të varur te ndihma për një kohë të gjatë – një varësi e tillë do të pengojë përparimin tuaj shpirtëror dhe material. Teksa lexojmë te kapitulli 2, Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim se ka katër nivele të ndihmës materiale tek të cilat mund të drejtohemi:
-
Vetvetja: Së pari ju duhet të bëni gjithçka që mund ta bëni vetë për të siguruar për familjen tuaj dhe për ta lehtësuar kërcënimin e menjëhershëm.
-
Familja: Nëse nuk jeni në gjendje t’i plotësoni vetë nevojat financiare bazë pasi keni bërë gjithçka që ju vetë mundeni, ju duhet t’i drejtoheni një pjesëtari të ngushtë ose të afërm të familjes, nëse është e nevojshme, për mbështetje financiare të përkohshme, qoftë për strehim, ushqim ose nevoja të tjera.
-
Kisha: Pasi keni bërë gjithçka që mund ta bëni vetë dhe pasi të kërkoni ndihmë nga familja, mund të keni nevojë të takoheni me udhëheqësit tuaj të Kishës (peshkopin, presidentin e degës ose presidenten e Shoqatës së Ndihmës) për të shqyrtuar mundësi shtesë. Kujtoni se udhëheqësit tuaj të Kishës janë udhëzuar me urtësi që t’i ndihmojnë njerëzit ta përkrahin jetën kur është e nevojshme, jo stilin e jetesës.
-
Komuniteti: Programe përkrahëse të ndryshme komunitare ose shtetërore mund të jenë në dispozicion për ju që të mund t’ju ofrojnë ndihmë në formë këshillimi financiar ose për punësimin, ndihmë për strehimin, përkrahje për ushqimin e të porsalindurve dhe kujdesin për nënat shtatzëna, e të tjerë. Kujtoni se këto programe janë përcaktuar për të dhënë ndihmë afatshkurtër. Mos u mbështetni tek ata për një kohë të gjatë.
-
-
Diskutoni:Përse duhet të kërkojmë ndihmë nga familja jonë përpara se të kërkojmë ndihmë nga Kisha dhe komuniteti? Çfarë burimesh që përcaktoi grupi juaj janë në dispozicion në zonën tuaj për t’ju ndihmuar në kapërcimin e krizave?
2. Shtoni Përgatitjet Tuaja për Rastet e Ngutshme
-
Lexoni:Ju duhet të keni ose duhet të jeni duke punuar për të mbledhur një fond njëmujor për raste të ngutshme. Përgatitjet tuaja nuk duhet të përfundojnë aty! Punoni për t’u çliruar nga borxhi konsumator dhe që më pas të mblidhni një fond tre deri gjashtë mujor për raste të ngutshme dhe të kërkoni sigurime për të mbrojtur të ardhurat tuaja.
Mblidhni një Fond Tre deri Gjashtë Mujor për Raste të Ngutshme
-
Lexoni:Pasi ta keni shlyer të gjithë borxhin tuaj konsumator, hapi tjetër është ta shtoni fondin tuaj njëmujor për raste të ngutshme në një fond tre deri gjashtë mujor për raste të ngutshme. Kujtoni që t’i ruani paratë për fondin tuaj për raste të ngutshme në një vend të sigurt që të mund t’i merrni pa paguar gjobë. Shtojeni këtë fond sa më shpejt të jetë e mundur që të jeni më mirë të përgatitur për krizat financiare. Një nga zotimet tuaja të kësaj jave do të jetë ta vlerësoni fondin tuaj për raste të ngutshme dhe të vazhdoni t’i shlyeni borxhet tuaja konsumatore.
Kërkoni Sigurime të Përshtatshme për Të Ardhurat
Shënim: Ky informacion mund të mos zbatohet për rajonin ose zonën tuaj.
-
Lexoni:Një nga pasuritë tuaja më të rëndësishme janë të ardhurat tuaja. Kërkoni për polica të besueshme sigurimi për paaftësinë fizike dhe për jetën në zonën tuaj dhe merrni mbulimin e përshtatshëm sa më shpejt të jetë e mundur.
Diskutoni rreth Përgatitjes për Krizat Financiare në Këshillin Tuaj Familjar
-
Lexoni:Një nga zotimet tuaja këtë javë do të jetë të diskutoni për përgjigjet tuaja për “Pikat për Buxhetin dhe Shpenzimet” (shih faqen 147) dhe për përgatitjet tuaja për krizat financiare. Diskutoni për rastet e ngutshme që mund të vijnë në familjen tuaj, si mund të përgatiteni për to, çfarë sigurimi mund t’ju nevojitet të merrni që t’ju ndihmojë ta mbroni veten dhe planet për t’u telefonuar faturuesve dhe kreditorëve nëse e kërkon nevoja. Ju mund të doni të përdorni përvijimin më poshtë “Model Diskutimi Në Këshillin Familjar”. Kujtoni, nëse nuk jeni i/e martuar, këshilli juaj familjar mund të përfshijë një shok/shoqe të dhomës, mik/mikeshë, pjesëtar/e të familjes ose këshillues/e.