Mësoni – Koha Maksimale: 45 Minuta
1. Punoni dhe Merrni Përgjegjësi
-
Lexoni:Kur Adamit dhe Evës iu kërkua të largoheshin nga Kopshti i Edenit, Perëndia tha: “Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe” (Zanafilla 3:19). Ndërkohë që Zoti dëshiron të na japë gjithçka që na nevojitet nga ana materiale, Ai pret prej nesh të punojmë fort dhe të mbajmë përgjegjësitë për vetë nevojat tona. Vëreni që një nga muret mbështetëse te Harta e Suksesit për Kujdestarinë Financiare (shih faqen 8) është “puna”. Për t’u bërë të mbështetur te vetja nga ana materiale kërkohet shumë punë dhe zell i vazhdueshëm.
Presidenti Diter F. Uhtdorf dha mësim: “Zoti nuk pret që të punojmë më shumë nga sa jemi në gjendje. Ai nuk i krahason përpjekjet tona me ato të të tjerëve (as ne nuk duhet). Ati ynë Qiellor kërkon vetëm që ne të bëjmë më të mirën që mundemi. … Puna është një kundërhelm për shqetësimin, një melhem për hidhërimin dhe një portë drejt mundësisë. … Kur karroja jonë ngec në baltë, Perëndia ka shumë më tepër gjasa të ndihmojë burrin që del jashtë për ta shtyrë sesa burrin që thjesht ngre zërin e tij në lutje – pavarësisht sa me gojëtari të jetë fjalimi” (“Dy Parime për Cilëndo Ekonomi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 56).
-
Diskutoni:Mendoni për shembuj të punëtorëve të palodhur në jetën tuaj. Çfarë tiparesh kanë të përbashkët këta njerëz?
Ne Duhet ta Eliminojmë Mbështetjen Tonë Materiale tek të Tjerët
-
Lexoni:Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim: “Përgjegjësia për mirëqenien shoqërore, emocionale, shpirtërore, fizike ose ekonomike të çdo personi bie së pari mbi atë vetë, së dyti mbi familjen e tij dhe së treti mbi Kishën nëse ai është anëtar besnik i saj. Asnjë shenjtor i vërtetë i ditëve të mëvonshme, ndërsa është i aftë fizikisht ose emocionalisht, nuk do ta kalojë vullnetarisht barrën e vetë mirëqenies së tij apo të familjes së tij te dikush tjetër. Për aq sa mundet, nën frymëzimin e Zotit dhe me vetë punët e tij, ai do t’i sigurojë vetes dhe familjes së tij gjërat e nevojshme shpirtërore dhe materiale të jetës” (Teachings of President Spencer W. Kimball [2006], f. 116).
Plaku Dejl G. Renland, duke cituar Plakun Uilford W. Andersen, dha mësim: “Sa më e madhe largësia midis dhënësit dhe marrësit, aq më shumë marrësi zhvillon ndjesinë se i takon ta marrë diçka” (“Që t’i Tërheq të Gjithë Njerëzit tek Unë”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 39). E drejta për të pasur diçka sepse të takon është kur mendon se meriton diçka pa e bërë dhe pa e përfunduar siç duhet veprimin që nevojitet për ta fituar atë. Kjo është e kundërta e përgjegjshmërisë. Kur ndieni se ju takojnë bekime materiale, Shpirti largohet nga jeta juaj. Ndërsa afroheni më shumë te Krishti, ndjenjat e përgjegjshmërisë për vetë mirëqenien tuaj do ta mbushin zemrën tuaj dhe ndjenjat se gjërat ju takojnë do të zhduken.
-
- Diskutoni:
-
Si mund ta kufizojë rritjen tonë vetjake varësia tek të tjerët?
-
Përse është e rëndësishme që t’i shmangim varësitë nga qeveritë apo programet shoqërore?
-
Çfarë rreziqesh të tjera e shoqërojnë mbështetjen tek të tjerët, duke përfshirë familjen, për nevojat tona vetjake?
-
2. Punoni së Bashku për t’i Administruar Paratë
-
Përsiatni:Si kanë ndikuar te ju shpirtërisht dhe emocionalisht financat?
-
Lexoni:Një nga faktorët më të përhapur dhe më të fuqishëm të Satanit për t’i shkatërruar familjet është pakujdesia financiare dhe stresi që e shoqëron atë. Për arsye se familjet janë thelbësore në planin e Atit Qiellor (shih Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës), është e rëndësishme që ta shmangim fajin, mosbesimin dhe zemërimin në shtëpitë tona. Qofshi të martuar ose beqarë, kujdestaria financiare me mençuri mund t’i sjellë ata që duam më pranë njëri-tjetrit dhe Perëndisë dhe mund të jetë një mbrojtje nga e liga; një qasje e unifikuar ndaj kujdestarisë financiare mund të sjellë pa dyshim mirënjohje, harmoni dhe paqe.
-
Diskutoni:Përse është e rëndësishme që bashkëshortët/et të jenë në një mendje për çështjet financiare?
-
Lexoni:Bashkëshortët/et shpesh vijnë nga kultura, ekonomi dhe nga besime të ndryshme fetare. Ata mund të kenë tradita, teknika të ndryshme se si i rritin fëmijët dhe zakone të ndryshme për shpenzimet. Një bashkëshorti/eje mund t’i vijë natyrshëm interesimi për t’i kontrolluar shpenzimet dhe për t’ju përmbajtur një buxheti dhe tjetrit/ës mund t’i duket e lodhshme dhe e mundimshme. Kjo mund të ndezë mosmarrëveshje. Gjithsesi, pranimi i ndryshimeve të njëri-tjetrit dhe dëgjimi me të vërtetë me dashuri dhe përulësi do të prodhojë një mjedis uniteti. Nëse jeni beqarë/e, është e rëndësishme të jeni të ndershëm/me me veten dhe ta përfshini Zotin në vendimet tuaja për kujdestarinë financiare.
Shumë çifte besojnë se zgjidhja për problemet e tyre financiare është rritja e të ardhurave të tyre. Sidoqoftë, një qasje e përçarë për t’i administruar paratë mund të jetë shumë më tepër dëmtuese për një marrëdhënie sesa të ardhurat e ulëta ose mungesa e burimeve financiare.
-
Diskutoni:Si mund të jenë mosmarrëveshjet financiare më shumë dëmtuese sesa të ardhurat e ulëta ose mungesa e burimeve financiare?
-
Lexoni:Plaku Marvin J. Ashton dha mësim: “Administrimi i financave familjare duhet të jetë i përbashkët ndërmjet bashkëshortit dhe bashkëshortes në një mënyrë transparente dhe të besueshme. Kontrolli i parave nga njëri bashkëshort si një burim fuqie dhe autoriteti shkakton pabarazi në martesë dhe është i papërshtatshëm. E anasjella, nëse një nga partnerët në martesë, me dëshirë e spraps veten krejtësisht nga administrimi financiar familjar, ajo është një dorëheqje nga përgjegjësia e nevojshme” (One for the Money: Guide to Family Finance [broshurë], 2006, f. 3).
-
Diskutoni:Si do ta ndryshojë jetën tuaj të qenit i bashkuar me bashkëshortin/en tuaj?
Kujdestaria Financiare me Mençuri Na Përgatit për Martesë
-
Lexoni:Ndonëse po përgatiteni për martesë apo jeni beqarë/e, të shkurorëzuar/a ose të ve/ja, kujdestaria financiare me mençuri mund t’ju ndihmojë të jeni gati për marrëdhënie të ardhshme. Shumë çifte të reja janë të rënduar me borxhe dhe me zakone për shpenzime pa kriter që i kanë sjellë në marrëdhënie, të cilat mund të shkaktojnë një fillim të vështirë në martesën e tyre. Përpjekja për të zhvilluar zakone të mira për shpenzime, mbledhje të fondeve për kursime dhe zvogëlimin ose eliminimin e borxhit, do ta ftojë Shpirtin në marrëdhënien tuaj dhe do të krijojë një themel për një martesë të suksesshme.
-
Diskutoni:Si mund t’ju ndihmojë të qenit një kujdestar financiar i mençur që të përgatiteni për të qenë një bashkëshort/e më i/e mirë në të ardhmen?
3. Zhvilloni Rregullisht Këshilla Familjarë
-
Lexoni:Javën e kaluar diskutuam për rëndësinë e këshillimit me Zotin. Ai dëshiron që ju t’ia dilni mbanë. Përveç këshillimit me Zotin, profetët kanë dhënë mësim për rëndësinë e zhvillimit rregullisht të këshillave familjarë.
-
Shihni:“Family Councils” [“Këshilla të Familjes]” në dispozicion te srs.lds.org/videos. (Nuk keni material filmik? Lexoni faqen 31.)
-
Diskutoni:Si mund të ketë dobi për ju dhe familjen tuaj zhvillimi i këshillave familjarë?
Diskutoni për Kujdestarinë Financiare në Këshillin Tuaj Familjar
-
Lexoni:Një këshill ekzekutiv i rregullt familjar ndërmjet bashkëshortit dhe bashkëshortes është mjedisi i përkryer për të diskutuar për kujdestarinë financiare. Nëse jeni beqarë, zgjidhni një prind ose një pjesëtar tjetër të familjes, shokun e dhomës, këshilluesin ose mikun tuaj dhe zhvilloni një këshill të rregullt dhe të ndershëm me personin për financat tuaja. Nëse jeni të martuar, me siguri do të keni nevojë të bëni diskutime të rëndësishme me bashkëshortin/en tuaj gjatë gjithë këtij kursi. Pas këtij kursi, zhvillimi i këshillave të rregullt familjarë do t’ju ndihmojë të vazhdoni të bëheni më të bashkuar dhe më të mbështetur te vetja.
Një nga zotimet tuaja të kësaj jave do të jetë të përcaktoni një kohë për të zhvilluar një këshill të rregullt familjar. Si pjesë të këshillit tuaj familjar, ju duhet të diskutoni për financat. Ju mund të doni të përdorni përvijimin “Model Diskutimi Në Këshillin Familjar” në faqen tjetër për t’ju udhërrëfyer te kjo pjesë e këshillit tuaj familjar.