Mësoni – Koha Maksimale: 45 Minuta
1. Kuptojeni Borxhin
-
Lexoni:Borxhi është të marrësh hua para që nuk janë të tuat. Zakonisht vjen me një çmim, i njohur si interes. Interesi është një përqindje e shumës së marrë borxh. Ju përfundoni duke paguar më tepër nga ajo që keni marrë hua, ndonjëherë shumë më shumë. Borxhet vijnë me pagesa që priten dhe me një pritshmëri të përgjithshme për t’i kthyer të gjitha paratë që keni marrë hua plus interesin.
-
Diskutoni:Përse marrin njerëzit para hua?
-
Lexoni:Profetët na kanë këshilluar gjithnjë që ta shmangim borxhin. Presidenti Hiber J. Grant dha mësim: “Nëse ka ndonjë gjë që do të sjellë paqe dhe ngazëllim në zemrën njerëzore, dhe në familje, është të jetojmë brenda mundësive tona. E nëse ka ndonjë gjë që është gërryese, shkurajuese dhe dëshpëruese, është të kemi borxhe dhe detyrime që nuk mund t’i paguajmë” (Gospel Standards: Sermons and Writings of Heber J. Grant, përmb. G. Homer Durham [1941], f. 111).
Gjatë dy kapitujve të radhës ju do të mësoni të ndiqni këshillën e profetit për të dalë nga borxhi.
-
Përsiatni:Harxhoni dy minuta për të shqyrtuar vendimet financiare që keni marrë, të cilat kanë shkuar për keq. Cilat ishin pasojat? Për sa kohë ia ndiet ndikimin? Si ndikoi borxhi te ju, te martesa ose te familja juaj dhe tek aftësia juaj për t’u shërbyer të tjerëve?
Shmangeni Borxhin
-
Lexoni:Profetët kanë këshilluar se ka shumë pak arsye të justifikueshme për të hyrë në borxh dhe se kur ju e merrni borxhin, duhet ta shlyeni sa më shpejt të jetë e mundur. Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim se “një borxh i arsyeshëm për blerjen e një shtëpie që mund ta përballoni dhe ndoshta për disa gjëra të tjera të nevojshme është i pranueshëm. Por nisur nga pozicioni im, unë shoh në një mënyrë kaq të qartë tragjeditë e tmerrshme të shumë njerëzve që pa u menduar mirë kanë marrë hua para për gjëra që nuk i kanë të nevojshme” (“I Believe”, Ensign, gusht 1992, f. 6).
Në varësi të rrethanave, borxhi mund të jetë i pranueshëm për shpenzimet vijuese:
-
Një shtëpi të thjeshtë, të përballueshme
-
Shpenzime të arsyeshme për arsimimin që do t’ju çojnë në një punë më të mirë
-
Mjet të thjeshtë, transporti (vetëm nëse është e nevojshme)
Mundësisht ju duhet ta shmangni futjen në borxh për gjëra të tjera nga këto. Në vend të kësaj, kurseni për shpenzimet.
-
-
Përsiatni:Harxhoni dy minuta për të menduar rreth pyetjes vijuese dhe shkruani mendimet tuaja: Çfarë ndjesie është të jesh i çliruar nga borxhi?
Dilni nga Borxhi
-
Lexoni:Ju mund të dilni nga borxhi! Përqendrimi te shlyerja e borxhit do të kërkojë sakrificë të konsiderueshme, por ju mund ta bëni atë. Më poshtë janë pesë parime të rëndësishme për të dalë nga borxhi. Ne do të trajtojmë tre parimet e para në këtë kapitull.
-
Kuptojeni situatën e vërtetë të borxhit tuaj
-
Kini dëshirën për të dalë nga borxhi
-
Mposhtini prirjet e njeriut të natyrshëm që çojnë drejt borxhit
-
Reshtni së marri borxh
-
Shlyejini borxhet tuaja
-
-
Diskutoni:Çfarë mendimesh apo mbresash keni pasi i lexuat këto pesë parime?
2. Kuptojeni Situatën e Vërtetë të Borxhit Tuaj
-
Lexoni:Sa para borxh keni? Sa janë normat e interesit? Sa janë pagesat? Sa kohë do të duhet për ta shlyer borxhin dhe sa interes do t’ju kushtojë? Është e rëndësishme t’i dini këto gjëra ndërsa punoni për të dalë nga borxhi. Për ta bërë këtë, ju do të krijoni një inventar për borxhin. Më poshtë është një shembull për tabelën e inventarit të borxhit.
Përshkrimi
Bilanci
Norma e Interesit
Pagesa Mujore
Karta nr. 1 e kreditit
4 000
17%
97
Karta nr. 2 e kreditit
6 500
19%
168
Makina
5 000
3,00%
145
Huaja studentore
18 000
5,50%
300
Kredia
170 000
4,50%
1 050
Në këshillin tuaj familjar këtë javë, do të krijoni një tabelë të ngjashme. Sigurohuni që ta hidhni të gjithë informacionin për çdo borxh.
3. Kijeni Dëshirën për të Dalë nga Borxhi
-
Lexoni:Me qëllim që të bëni diçka të vështirë, përfshirë daljen nga borxhi, dëshira juaj duhet të jetë më e fortë sesa pengesat. Plaku Dallin H. Ouks dha mësim: “Kur kemi një përfytyrim të asaj që mund të bëhemi, dëshira jonë dhe fuqia jonë për të vepruar rriten jashtëzakonisht” (“Dëshirë”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 44). Për të gjetur sukses, përqendrohuni te synimi juaj për të dalë nga borxhi dhe përfytyroni se si do të jetë jeta kur të jeni të lirë nga barra e borxhit. Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Ajo çfarë dëshirojmë me ngulm, me kalimin e kohës, është ajo çka do të bëhemi përfundimisht” (“According to the Desire of [Our] Hearts”, Ensign, nëntor 1996, f. 21).
-
Diskutoni:Përse dëshironi të çliroheni nga borxhi? Çfarë do të jeni në gjendje të bëni atëherë, që nuk jeni në gjendje ta bëni sot?
4. Mposhteni “Njeriu[n e] Natyrshëm”
-
Lexoni:Në Librin e Mormonit, mbreti Beniamin dha mësim: “Pasi njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe nuk bëhet si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri” (Mosia 3:19). Për ta zhveshur njeriun e natyrshëm, ne duhet të kujtojmë parimet që mësuam nga kapitulli 4 rreth ruajtjes së një këndvështrimi afatgjatë. Ashtu si fëmijët tek eksperimenti me bonbone, ne duhet të mësojmë që t’i mënjanojmë kënaqësitë afatshkurtra me qëllim që të arrijmë synime afatgjata.
Prirjet e “njeriu[t të] natyrshëm” përfshijnë:
-
Shpenzimin e rrëmbyer dhe nga emocioni.
-
Shpërfilljen ose shkujdesjen rreth situatës sonë financiare.
-
Lakminë dhe krahasimin e vetvetes me të tjerët.
Dorëzimi ndaj njeriut të natyrshëm ka mundësi që të na çojë drejt borxhit dhe stresit financiar. Nga ana tjetër, ndërsa kërkojmë t’i ndjekim “thirrjet e Frymës së Shenjtë”, ne do të na jepet mundësia që nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes të bëhemi të fortë përballë vështirësive.
-
-
Diskutoni:Çfarë do të thotë ta zhvishni njeriun e natyrshëm?
-
Lexoni:Le të shohim më nga afër disa nga këto prirje të njeriut të natyrshëm në kontekstin e mbështetjes te vetja.
Shpenzimi i Rrëmbyer dhe nga Emocioni
-
Përsiatni:Harxhoni një minutë kohë për të menduar rreth pyetjeve vijuese dhe shkruajini përgjigjet tuaja më poshtë: Kur ka qenë hera e fundit që keni bërë një blerje të shtrenjtë e të rrëmbyer? Çfarë bletë? Si mund t’i kishit përdorur ato para me më efektshmëri për diçka tjetër?
-
Lexoni:Të gjithë ne me siguri kemi bërë një blerje të rrëmbyer ose nga emocioni. Nganjëherë ne shpenzojmë para kur ndihemi të shkurajuar ose të zemëruar. Nganjëherë ne shpenzojmë para ngaqë mendojmë se kemi të drejtë ta shpërblejmë veten. Nganjëherë një shitje ose reklamë na josh që të besojmë se kemi nevojë për diçka, kur në të vërtetë nuk kemi. Ka shumë arsye se përse ne shpenzojmë para për gjëra që nuk i kemi të nevojshme në vend që të paguajmë për gjëra që kanë më shumë rëndësi. Veprimtaria vijuese do të na ndihmojë ta kuptojmë arsyen përse ne bëjmë blerje të rrëmbyera.
-
Diskutoni:Si mund t’i mposhtim prirjet për të bërë blerje të rrëmbyera? Çfarë keni bërë në të kaluarën për t’i mposhtur të tilla sjellje të rrëmbyera?
Shpërfillja ose Shkujdesja rreth Situatës Sonë Financiare
-
Lexoni:Në Librin e Mormonit, Nefi e qorton Lamanin dhe Lemuelin që kishin “humbur ndjesinë” dhe nuk ishin në gjendje ta ndienin Shpirtin që të punonte brenda tyre (shih 1 Nefi 17:45). Zgjedhjet tona shpesh mund të na e ngurtësojnë zemrën, duke e bërë të vështirë për t’i ndier nxitjet e Shpirtit kur na duhet të ndryshojmë. Ndonjëherë “humb[ja e] ndjesi[s]ë” mund të bëjë që ne të zgjedhim ta shpërfillim realitetin e situatës sonë. Ne mund të duam ta shmangim kontrollimin e shpenzimeve ose këqyrjen e llogarive tona bankare. Nëse përdorim karta krediti ose kredi të tjera konsumatore, kjo shkujdesje mund të na çojë me të shpejtë në borxh.
Ndonjëherë njëri ose të dy partnerët në martesë do të shpenzojnë pa kujdes, duke hamendësuar se partneri tjetër është përgjegjës për situatën financiare të familjes. Kujtoni, të dy bashkëshortët janë njëtrajtësisht përgjegjës për financat e familjes së tyre dhe shpërfillja ose zhvendosja e përgjegjësisë sonë do të na shtyjë akoma më shumë drejt shqetësimeve financiare.
-
Diskutoni:Përse disa janë gati për ta shpërfillur realitetin e situatës së tyre? Si mund ta mposhtni “humb[jen e] ndjesi[s]ë” rreth situatës suaj financiare, nëse është e nevojshme?
Lakmia ndaj të Tjerëve dhe Krahasimi i Vetes me Ata
-
Lexoni:Për njerëzit është e natyrshme që ta krahasojnë veten me të tjerët dhe ne jemi të bombarduar me mesazhe dhe reklama që na nxitin të blejmë gjëra që nuk na nevojiten. Nganjëherë mendojmë se kemi të drejtën të kemi gjëra që nuk mund t’i përballojmë ose që nuk na nevojiten vërtet. Dhënia ndaj lakmisë mund të na çojë shumë shpejt që të bëjmë blerje të pamenduara mirë.
-
Diskutoni:Si mund ta mposhtim prirjen për ta krahasuar veten me të tjerët?
Diskutoni për Përparësitë Financiare në Këshillin tuaj Familjar
-
Lexoni:Gjatë këshillit tuaj familjar këtë javë, ju do të diskutoni për mënyra sipas të cilave mund ta mposhtni veten dhe ta mbroni veten nga prirjet e “njeriu[t të] natyrshëm”. Së bashku, diskutoni për borxhet tuaja aktuale dhe krijoni një “inventar për borxhin” (shih fletën bosh të inventarit për borxhin në faqen 123). Ju mund të merrni parasysh të përdorni përvijimin më poshtë “Model Diskutimi Në Këshillin Familjar” për të udhërrëfyer në këshillin tuaj. Ndërsa i përcaktoni së bashku borxhet dhe teksa zhvilloni mënyra për t’i mposhtur prirjet e “njeriu[t] [të] natyrshëm”, ju do të merrni ndihmën e Zotit për t’i eliminuar borxhet tuaja.