Thirrjet në Mision
Kapitulli 3: Mësimi 3 – Ungjilli i Jezu Krishtit


“Kapitulli 3: Mësimi 3 – Ungjilli i Jezu Krishtit”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit (2023)

“Kapitulli 3: Mësimi 3”, Predikoni Ungjillin Tim

Kapitulli 3: Mësimi 3

Ungjilli i Jezu Krishtit

The Second Coming [Ardhja e Dytë], nga Harry Anderson

Njerëzit Mund të Pyesin Veten

  • Kush është Jezu Krishti? Si mund të më ndihmojë Ai mua dhe familjen time?

  • Çfarë do të thotë që të keni besim te Jezu Krishti? Si mund ta bekojë jetën time pasja e besimit tek Ai?

  • Çfarë do të thotë të pendohesh?

  • Si mund ta ndiej paqen dhe faljen e Perëndisë pasi kam bërë zgjedhje të këqija?

  • Cili është qëllimi i pagëzimit?

  • Çfarë është dhurata e Frymës së Shenjtë?

  • Çfarë do të thotë të durosh deri në fund?

Ungjilli i Jezu Krishtit është mënyra se si vijmë te Krishti. Është aq i thjeshtë sa edhe një fëmijë mund ta kuptojë. Ky mësim përqendrohet tek ungjilli dhe doktrina e Krishtit, përfshirë besimin te Jezu Krishti, pendimin, pagëzimin, dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe durimin deri në fund. Ai përqendrohet edhe te mënyra se si ungjilli i bekon të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Fjala ungjill do të thotë “lajm i mirë”. Ungjilli i Jezu Krishtit është lajm i mirë sepse ai siguron doktrinën, të vërtetën e përjetshme, që na nevojitet për të ardhur tek Ai dhe për t’u shpëtuar (shihni te 1 Nefi 15:14). Ungjilli na mëson si të bëjmë një jetë të mirë e kuptimplotë. Lajmi i mirë i ungjillit siguron një mënyrë që ne të falemi për mëkatet, të shenjtërohemi dhe të kthehemi në praninë e Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Kjo pjesë siguron një shembull përvijimi për t’ju ndihmuar të përgatiteni për të dhënë mësim. Ajo përfshin edhe shembuj pyetjesh dhe ftesash që mund t’i përdorni.

Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh me lutje situatën dhe nevojat shpirtërore të çdo personi. Vendosni se çfarë do të jetë më e dobishme që të jepni mësim. Përgatituni të përkufizoni terma që njerëzit mund të mos i kuptojnë. Planifikoni sipas sasisë së kohës që keni, duke mbajtur mend që mësimet të jenë të shkurtra.

Përzgjidhni shkrimet e shenjta që do t’i përdorni ndërsa jepni mësim. Pjesa “Themeli Doktrinor” e mësimit përfshin shumë shkrime të shenjta të dobishme.

Merreni parasysh se cilat pyetje të bëni ndërsa jepni mësim. Planifikoni ftesa për t’i bërë që do ta nxitin çdo person të veprojë.

Theksojini bekimet e premtuara nga Perëndia dhe jepni dëshminë tuaj për atë që jepni mësim.

misionare duke i dhënë mësim një familjeje

Çfarë Mund t’u Mësoni Njerëzve Brenda 15–25 Minutash

Përzgjidhni një ose më shumë nga parimet vijuese që t’i jepni mësim. Themeli doktrinor për çdo parim jepet pas këtij përvijimi.

Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit

  • Perëndia e dërgoi në tokë Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, për të na shëlbuar nga mëkati dhe vdekja.

  • Për shkak të flijimit shlyes të Jezusit, ne mund të pastrohemi nga mëkatet tona dhe të shenjtërohemi ndërsa pendohemi.

  • Pasi Jezusin e kryqëzuan, Ai u ringjall. Për shkak të Ringjalljes së Tij, ne të gjithë do të ringjallemi pasi të vdesim. Kjo do të thotë se shpirti dhe trupi i çdo personi do të bashkohen dhe të gjithë ne do të jetojmë përgjithmonë në një trup të përsosur, të ringjallur.

Besimi te Jezu Krishti

  • Besimi është parimi i parë i ungjillit të Jezu Krishtit.

  • Besimi te Jezu Krishti përfshin pasjen e një sigurie se Ai është Biri i Perëndisë dhe mirëbesimin tek Ai si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.

  • Besimi te Jezu Krishti është një parim veprimi dhe fuqie.

  • Ne e forcojmë besimin tonë duke u lutur, duke studiuar shkrimet e shenjta dhe duke iu bindur urdhërimeve.

Pendimi

  • Besimi te Jezu Krishti na shtyn të pendohemi. Pendimi është procesi i drejtimit te Perëndia dhe i largimit prej mëkatit. Ndërsa pendohemi, veprimet, dëshirat dhe mendimet tona ndryshojnë për të qenë më tepër në harmoni me vullnetin e Perëndisë.

  • Kur pendohemi sinqerisht, Perëndia na fal. Falja është e mundur për shkak se Jezu Krishti shleu për mëkatet tona.

  • Kur pendohemi, ne ndiejmë paqe teksa faji dhe hidhërimi ynë shërohen.

  • Pendimi është një proces që zgjat gjithë jetën. Perëndia na mirëpret sa herë që pendohemi. Ai nuk do të heqë kurrë dorë nga ne.

Pagëzimi: Besëlidhja Jonë e Parë me Perëndinë

  • Pagëzimi është mënyra se si ne hyjmë fillimisht në një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë.

  • Pagëzimi ka dy pjesë: pagëzimin me ujë dhe me Shpirtin. Kur pagëzohemi dhe konfirmohemi, ne pastrohemi nga mëkatet tona, duke na dhënë një fillim të ri në jetë.

  • Ne pagëzohemi me anë të zhytjes, duke ndjekur shembullin e Jezusit.

  • Fëmijët nuk pagëzohen derisa të kenë moshën tetë vjeç. Fëmijët që vdesin para asaj moshe, shëlbohen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

  • Ne marrim sakramentin çdo javë në kujtim të flijimit të Jezusit dhe për të ripërtërirë besëlidhjet tona me Perëndinë.

Dhurata e Frymës së Shenjtë

  • Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut‑Perëndi.

  • Pasi pagëzohemi, ne marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë nëpërmjet ordinancës së konfirmimit.

  • Kur marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, ne mund të kemi shoqërimin e Tij gjatë gjithë jetës sonë nëse jemi besnikë.

  • Fryma e Shenjtë na shenjtëron, na udhërrëfen, na ngushëllon dhe na ndihmon të dimë të vërtetën.

Durimi deri në Fund

  • Durimi përfshin vazhdimin e ushtrimit të besimit te Krishti çdo ditë. Ne vazhdojmë t’i mbajmë besëlidhjet tona me Perëndinë, të pendohemi, të kërkojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe të marrim sakramentin.

  • Ndërsa kërkojmë me besnikëri ta ndjekim Jezu Krishtin, Perëndia premton se ne do të kemi jetë të përjetshme.

Ungjilli i Jezu Krishtit i Bekon të Gjithë Fëmijët e Perëndisë

  • Të jetuarit e ungjillit i thellon gëzimet tona, i frymëzon veprimet tona dhe i pasuron marrëdhëniet tona.

  • Ka më tepër gjasë që ne të jemi të lumtur, edhe si individë edhe si familje, kur jetojmë sipas mësimeve të Jezu Krishtit.

  • Nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit, familjet bekohen në këtë jetë dhe mund të bashkohen në përjetësi dhe të jetojnë në praninë e Perëndisë.

Pyetjet që Mund t’u Bëni Njerëzve

Pyetjet vijuese janë shembuj se çfarë mund t’i pyetni njerëzit. Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të bëni bashkëbisedime kuptimplota dhe të kuptoni nevojat dhe këndvështrimin e një personi.

  • Çfarë dini rreth Jezu Krishtit?

  • Çfarë do të thotë për ju të keni besim te Jezu Krishti?

  • Çfarë ndryshimesh dëshironi të bëni në jetën tuaj?

  • Si e kuptoni pendimin?

  • Si e kuptoni pagëzimin? Çfarë mund të bëni tani për t’u përgatitur për pagëzimin?

  • Si mund t’ju ndihmojë Fryma e Shenjtë në rrugëtimin tuaj për t’u kthyer në praninë e Perëndisë?

  • Cila është një sfidë me të cilën po përballeni ju ose familja juaj? A mund t’ju tregojmë disa mënyra se si mund të ndihmojë ungjilli i Jezu Krishtit?

Ftesat që Mund të Bëni

  • A do t’i kërkoni Perëndisë në lutje që t’ju ndihmojë të dini se ajo që ju kemi mësuar, është e vërtetë? (Shihni tek “Ide për Mësimdhënie: Lutja” në pjesën e fundit të mësimit 1.)

  • A do ta frekuentoni kishën këtë të diel për të mësuar më shumë rreth asaj që kemi dhënë mësim?

  • A do ta lexoni Librin e Mormonit dhe të luteni për të ditur që ai është fjala e Perëndisë? (Ju mund të sugjeroni kapituj ose vargje të caktuara.)

  • A do ta ndiqni shembullin e Jezusit dhe të pagëzoheni? (Shihni te “Ftesa për t’u Pagëzuar dhe Konfirmuar”, e cila gjendet pikërisht përpara mësimit 1.)

  • A mund të lëmë një orar për vizitën tonë të radhës?

Themeli Doktrinor

Kjo pjesë siguron doktrinën dhe shkrime të shenjta që ju t’i studioni për të forcuar njohurinë dhe dëshminë tuaj për ungjillin dhe për t’ju ndihmuar të jepni mësim.

These Twelve Jesus Sent Forth [Këta të Dymbëdhjetë i Dërgoi Jezusi], nga Walter Rane

Misioni Hyjnor i Jezu Krishtit

Ati Qiellor dërgoi në tokë Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, për të na e bërë të mundur të gjithëve të përjetojmë gëzim në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që do të vijë. “Dhe ky është ungjilli, lajmet e mira, … se [Jezu Krishti] erdhi në botë … të merrte mëkatet e botës, dhe ta shenjtëronte botën, dhe ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia; [që] nëpërmjet tij të gjithë mund të shpëtohen” (Doktrina e Besëlidhje 76:40–42).

Si [qenie] të vdekshme, ne të gjithë mëkatojmë dhe të gjithë vdesim. Mëkati dhe vdekja do të na pengonin të kishim jetë të përjetshme me Perëndinë nëse nuk do të kishim një Shëlbues (shihni te 2 Nefi 9). Përpara se të krijohej bota, Ati Qiellor zgjodhi Jezu Krishtin që të na shëlbonte. Si shprehje madhështore dashurie, Jezusi erdhi në tokë dhe e përmbushi këtë mision hyjnor. Ai na e bëri të mundur që të shëlboheshim nga mëkatet tona dhe na siguroi që të gjithë do të ringjallemi pasi të vdesim.

Jezusi jetoi një jetë të pamëkatë. Në fund të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Ai mori mbi Vete mëkatet tona me anë të vuajtjes së Tij në Gjetseman dhe kur e kryqëzuan (shihni te 1 Nefi 11:33). Vuajtja e Jezusit qe aq e madhe sa e bëri Atë “të dridhe[j] për shkak të dhembjes e [t’i] … dalë gjak nga çdo por” (Doktrina e Besëlidhje 19:18). Pas Kryqëzimit të Tij, Jezusi u ringjall, duke korrur fitore mbi vdekjen. Së bashku, këto ngjarje janë Shlyerja e Jezu Krishtit.

Mëkatet tona na bëjnë të papastër shpirtërisht dhe “asgjë e papastër nuk mund të jetojë me Perëndinë” (1 Nefi 10:21). Përveç kësaj, ligji i drejtësisë kërkon një pasojë për mëkatet tona.

Flijimi shlyes i Jezusit siguron një mënyrë që ne të pastrohemi nga mëkati dhe të shenjtërohemi kur pendohemi. Ai siguron edhe mënyrën për të kënaqur kërkesat e drejtësisë (shihni tek Alma 42:15, 23–24). Shpëtimtari tha: “Unë … i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen; por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë” (Doktrina e Besëlidhje 19:16–17). Po të mos ishte për Jezu Krishtin, mëkati do t’u jepte fund të gjitha shpresave për një ekzistencë të ardhshme me Atin Qiellor.

Duke e ofruar Veten si një flijim për ne, Jezusi nuk e përjashtoi përgjegjësinë tonë vetjake. Nevojitet që të kemi besim tek Ai, të pendohemi dhe të përpiqemi fort për t’iu bindur urdhërimeve. Teksa pendohemi, Jezusi do të pretendojë në emrin tonë të drejtat e Tij të mëshirës së Atit të Tij (shihni te Moroni 7:27–28). Për shkak të ndërmjetësimit të Shpëtimtarit, Ati Qiellor na fal, duke na lehtësuar nga barra dhe faji i mëkateve tona (shihni te Mosia 15:7–9). Ne pastrohemi shpirtërisht dhe mund të mirëpritemi përfundimisht në praninë e Perëndisë.

Misioni hyjnor i Jezusit ishte edhe që të na shpëtonte nga vdekja. Për shkak Ai u ringjall, ne të gjithë do të ringjallemi pasi të vdesim. Kjo do të thotë se shpirti dhe trupi i çdo personi do të bashkohen dhe të gjithë ne do të jetojmë përgjithmonë në një trup të përsosur, të ringjallur. Po të mos ishte për Jezu Krishtin, vdekja do t’u jepte fund të gjitha shpresave për një ekzistencë të ardhshme me Atin Qiellor.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Perëndia Dërgoi Birin e Tij

Shpëtimi nëpërmjet Jezu Krishtit

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Besimi te Jezu Krishti

Parimi i parë i ungjillit është besimi te Zoti Jezu Krisht. Besimi është themeli për të gjitha parimet e tjera të ungjillit.

Besimi te Jezu Krishti përfshin pasjen e sigurisë se Ai është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë. Ai përfshin mirëbesimin tek Ai si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, se Ai është e vetmja mënyrë për t’u rikthyer në praninë e Perëndisë (shihni te Veprat e Apostujve 4:10–12; Mosia 3:17; 4:6–8). Ne na ftojnë të ushtrojmë “besim të patundur në të, duke u mbështetur tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë” (2 Nefi 31:19).

Besimi te Jezu Krishti përfshin të besuarit se Ai vuajti për mëkatet tona në flijimin e Tij shlyes. Për shkak të flijimit të Tij, ne mund të pastrohemi dhe të shëlbohemi kur pendohemi. Ky pastrim na ndihmon të gjejmë paqe dhe shpresë në këtë jetë. Ai na lejon edhe të marrim plotësi të gëzimit pasi vdesim.

Besimi te Jezu Krishti përfshin mirëbesimin se, nëpërmjet Tij, të gjithë ne do të ringjallemi pasi të vdesim. Ky besim mund të na mbështetë dhe ngushëllojë në kohë humbjeje. Hidhërimi i vdekjes mund të davaritet me anë të premtimit për Ringjallje.

Besimi te Jezu Krishti përfshin të besuarit dhe mirëbesimin se Ai mori mbi Vete mundimet dhe pafuqitë tona (shihni tek Isaia 53:3–5). Ai e di nga përvoja e Tij se si të na përkrahë me mëshirë gjatë sfidave të jetës (shihni tek Alma 7:11–12; Doktrina e Besëlidhje 122:8). Ndërsa ushtrojmë besim, Ai na ndihmon të shkojmë përpara përmes vështirësive.

Nëpërmjet besimit tonë tek Ai, Jezusi mund të na shërojë fizikisht dhe shpirtërisht. Ai është gjithmonë i gatshëm të na ndihmojë kur e mbajmë mend ftesën e Tij: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë” (Doktrina e Besëlidhje 6:36).

Një Parim Veprimi dhe Fuqie

Besimi te Jezu Krishti të çon në veprim. Ne shprehim besimin tonë duke iu bindur urdhërimeve dhe duke bërë mirë çdo ditë. Ne pendohemi për mëkatet tona. Ne jemi besnikë ndaj Tij. Ne përpiqemi fort që të bëhemi më shumë si Ai.

Ndërsa ushtrojmë besim, mund të përjetojmë fuqinë e Jezusit në jetën tonë të përditshme. Ai do t’i lartësojë përpjekjet tona më të mira. Ai do të na ndihmojë të rritemi dhe t’i rezistojmë tundimit.

Forcimi i Besimit Tonë

Profeti Alma dha mësim se ndërtimi i besimit mund të fillojë thjesht me një “dëshir[ë që] të besoni” (Alma 32:27). Pastaj, që besimi ynë te Jezu Krishti të rritet, nevojitet ta ushqejmë atë duke mësuar fjalët e Tij, duke i zbatuar mësimet e Tij dhe duke iu bindur urdhërimeve të Tij. Alma dha mësim se ndërsa me durim dhe me zell e ushqejmë fjalën e Perëndisë në zemrën tonë, ajo “do të lëshojë rrënjë; dhe [do të bëhet] një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme” duke na e forcuar kështu besimin (Alma 32:41; shihni vargjet 26–43).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Besimi, Fuqia dhe Shpëtimi

Doktrina e Besimit

Shembuj Besimi

Veprat dhe Bindja

Besim deri në Pendim

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Pendimi

Çfarë Është Pendimi?

Pendimi është parimi i dytë i ungjillit. Besimi te Jezu Krishti dhe dashuria jonë për Të na bëjnë që të pendohemi (shihni te Helamani 14:13). Pendimi është procesi i drejtimit te Perëndia dhe i largimit prej mëkatit. Ndërsa pendohemi, veprimet, dëshirat dhe mendimet tona ndryshojnë për të qenë më tepër në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Falja e mëkatit bëhet e mundur nëpërmjet Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij shlyes.

Pendimi është më shumë se ushtrimi i vullnetit për ta ndryshuar një sjellje ose për ta kapërcyer një dobësi. Pendimi është kthimi me sinqeritet te Krishti, i cili na jep fuqinë për të përjetuar një “ndryshim [të] madh” të zemrës (Alma 5:12–14). Ndërsa e përjetojmë këtë ndryshim të zemrës, ne rilindim shpirtërisht (shihni te Mosia 27:24–26).

Nëpërmjet pendimit, ne zhvillojmë një pikëpamje të re për Perëndinë, veten dhe botën. Ne e ndiejmë nga e para dashurinë e Perëndisë për ne si fëmijët e Tij dhe dashurinë e Shpëtimtarit tonë për ne. Mundësia për t’u penduar është një nga bekimet më të mëdha që Perëndia na ka dhënë nëpërmjet Birit të Tij.

Procesi i Pendimit

Kur pendohemi, ne i pranojmë mëkatet tona dhe ndiejmë brejtje të çiltër të ndërgjegjes. Ne ia rrëfejmë mëkatet tona Perëndisë dhe kërkojmë faljen e Tij. Ne gjithashtu ua rrëfejmë mëkatet shumë serioze udhëheqësve të autorizuar të Kishës, të cilët do të na përkrahin ndërsa pendohemi. Ne bëjmë të pamundurën për t’i shlyer dëmet, gjë që do të thotë të përpiqemi për t’i ndrequr problemet që mund të kenë shkaktuar veprimet tona. Pendimi i çiltër dëftohet më mirë me anë të veprimeve të drejta gjatë një periudhe kohore.

Pendimi është proces i përditshëm gjatë gjithë jetës sonë. “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Ne duhet të pendohemi vazhdimisht, duke mbajtur mend se “mund të bëj[më] gjithçka me anë të Krishtit që [na] forcon” (Filipianëve 4:13). Zoti na ka siguruar se “kurdo që njerëzit e mi pendohen, unë do t’ua fal shkeljet që kanë bërë kundër meje” (Mosia 26:30).

Bekimet e Pendimit

Pendimi është një parim pozitiv që sjell gëzim dhe paqe. Ai na sjell “në fuqinë e Shëlbuesit, në shpëtimin e shpirtrave … t[anë]” (Helamani 5:11).

Kur pendohemi, faji dhe hidhërimi ynë shërohen me kalimin e kohës. Ne e ndiejmë ndikimin e Shpirtit me një bollëk më të madh. Dëshira jonë për ta ndjekur Perëndinë bëhet më e madhe.

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Shumë njerëz e konsiderojnë pendimin si ndëshkim – diçka që duhet shmangur. … Por kjo ndjenjë e të qenit i ndëshkuar shkaktohet nga Satani. Ai përpiqet të na e pengojë vështrimin drejt Jezu Krishtit, i cili qëndron krahëhapur, duke shpresuar dhe i gatshëm të na shërojë, falë, pastrojë, forcojë, të na bëjë të kulluar dhe të na shenjtërojë” (Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Pendimi

Shëlbimi dhe Falja

Mëshirë për Ata që Pendohen

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

e re duke u pagëzuar

Pagëzimi: Besëlidhja Jonë e Parë me Perëndinë

Besimi te Jezu Krishti dhe pendimi na përgatitin për ordinancat e pagëzimit dhe konfirmimit. Pagëzimi është ordinanca e parë shpëtuese e ungjillit të Jezu Krishtit. Kur e marrim këtë ordinancë të gëzueshme të shpresës, ne bëjmë besëlidhjen tonë të parë me Perëndinë.

Një ordinancë është një akt ose ceremoni e shenjtë që kryhet me anë të autoritetit të priftërisë. Disa ordinanca, si pagëzimi, janë thelbësore për shpëtimin tonë.

Nëpërmjet ordinancave, ne bëjmë besëlidhje me Perëndinë. Këto besëlidhje janë premtime të shenjta mes nesh dhe Perëndisë. Ai premton të na bekojë ndërsa i mbajmë premtimet që i kemi bërë Atij. Ne duhet të kemi një zotim të fortë për t’i mbajtur premtimet që i kemi bërë Perëndisë.

Perëndia ka siguruar ordinanca dhe besëlidhje për të na ndihmuar të vijmë tek Ai dhe të kemi jetë të përjetshme. Ndërsa i marrim ordinancat e priftërisë dhe i mbajmë besëlidhjet që i shoqërojnë ato, mund të përjetojmë “fuqi[në] e perëndishmërisë” (Doktrina e Besëlidhje 84:20).

Besëlidhja e Pagëzimit

Shpëtimtari dha mësim se pagëzimi është i domosdoshëm që ne të hyjmë në mbretërinë e qiellit (shihni te Gjoni 3:5). Është gjithashtu i domosdoshëm që ne të bëhemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit. Shpëtimtari ynë dha shembullin duke u pagëzuar (shihni te Mateu 3:13–17).

Kur pagëzohemi dhe e mbajmë besëlidhjen tonë, Perëndia premton të na i falë mëkatet tona (shihni te Veprat e Apostujve 22:16; 3 Nefi 12:1–2). Ky bekim i madh bëhet i mundur nëpërmjet flijimit shlyes të Jezu Krishtit, i cili “na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij” (Zbulesa 1:6). Perëndia gjithashtu premton të na bekojë me shoqërimin e Frymës së Shenjtë në mënyrë që të mund të shenjtërohemi, të udhërrëfehemi dhe të ngushëllohemi.

Në pjesën tonë të besëlidhjes së pagëzimit, ne dëshmojmë se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Ne gjithashtu premtojmë se gjithmonë do ta kujtojmë Atë dhe do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Ne premtojmë t’i duam dhe t’u shërbejmë të tjerëve, të “vajto[jmë] me ata që vajtojnë; … të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9; shihni vargjet 8–10, 13). Ne shprehim një vendosmëri që t’i shërbejmë Jezu Krishtit deri në fund të jetës sonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:37; Mosia 2:17).

Zotimet e besëlidhjes sonë që lidhen me pagëzimin, janë një përgjegjësi e madhe. Ato janë gjithashtu frymëzuese dhe të gëzueshme. Ato krijojnë një marrëdhënie të veçantë mes nesh dhe Atit Qiellor nëpërmjet së cilës Ai përherë na zgjat dashurinë e Tij.

Pagëzimi me anë të Zhytjes

Jezusi dha mësim se ne kemi nevojë të pagëzohemi me anë të zhytjes për një heqje të mëkateve tona (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:72–74). Pagëzimi me anë të zhytjes është simbolikë për vdekjen, varrosjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit (shihni te Romakëve 6:3–6).

Pagëzimi me anë të zhytjes ka gjithashtu një simbolikë të fuqishme për ne personalisht. Ai përfaqëson vdekjen e jetës sonë të vjetër, varrimin e asaj jete dhe ngritjen tonë në rilindjen shpirtërore. Kur pagëzohemi, ne fillojmë procesin e rilindjes dhe të bërjes bij e bija shpirtërore të Krishtit (shihni te Mosia 5:7–8; Romakëve 8:14–17).

Fëmijët

Fëmijët nuk pagëzohen deri sa të arrijnë moshën e përgjegjshmërisë, e cila është tetë vjeç (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:27). Fëmijët që vdesin para asaj moshe, shëlbohen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (shihni te Moroni 8:4–24; Doktrina e Besëlidhje 137:10). Përpara se fëmijët të pagëzohen, atyre duhet t’u mësohet ungjilli në mënyrë që të jenë të përgatitur për këtë hap të rëndësishëm në jetën e tyre për të bërë një besëlidhje me Perëndinë.

Sakramenti

Ati ynë Qiellor do që ne të jemi besnikë ndaj besëlidhjeve që bëjmë me Të. Për të na ndihmuar ta bëjmë këtë, Ai na ka urdhëruar të mblidhemi së bashku shpesh për të marrë sakramentin. Sakramenti është një ordinancë priftërie që Jezusi ua paraqiti Apostujve të Tij pikërisht përpara Shlyerjes së Tij.

Marrja e sakramentit është qëllimi qendror i mbledhjes së sakramentit çdo javë. Buka dhe uji bekohen dhe i shpërndahen bashkësisë. Buka përfaqëson flijimin e trupit të Shpëtimtarit për ne. Uji përfaqëson gjakun e Tij, të cilin Ai e derdhi për ne.

Ne i marrim këto emblema në kujtim të flijimit të Shpëtimtarit dhe për të ripërtërirë besëlidhjet tona me Perëndinë. Neve na premtohet edhe një herë se Shpirti do të jetë me ne.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Shembulli i Krishtit

Besëlidhja e Pagëzimit

Kualifikimet për Pagëzimin

Bekimet e Premtuara të Pagëzimit

Domosdoshmëria e Autoritetit

Jezusi Vendosi Sakramentin

Lutjet e Sakramentit

Marrja e Sakramentit

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Krishti vendos duart mbi një grua

Dhurata e Frymës së Shenjtë

Marrja e Dhuratës së Frymës së Shenjtë

Pagëzimi ka dy pjesë. Jezusi dha mësim se nevojitet të kemi “lindur nga uji dhe nga Fryma”, që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë (Gjoni 3:5; theksimi i shtuar). Jozef Smithi dha mësim: “Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 99).

Pagëzimi me ujë duhet të pasohet nga pagëzimi me Shpirtin me qëllim që të jetë i plotë. Kur i bëjmë të dyja pagëzimet, pastrohemi nga mëkatet tona dhe rilindim shpirtërisht. Më pas ne fillojmë një jetë të re shpirtërore si dishepuj të Krishtit.

Ne e marrim pagëzimin me Shpirtin nëpërmjet një ordinance të quajtur konfirmim. Kjo ordinancë kryhet nga një ose më shumë mbajtës të priftërisë që vendosin duart e tyre mbi kokën tonë. Së pari, ata na konfirmojnë si një anëtar/e të Kishës dhe më pas na japin dhuratën e Frymës së Shenjtë. Kjo është e njëjta ordinancë që përmendet në Dhiatën e Re dhe Librin e Mormonit (shihni te Veprat e Apostujve 8:14–17; 3 Nefi 18:36–37).

Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut‑Perëndi. Ai bashkëvepron në unitet me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Kur marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, ne mund të kemi shoqërimin e Tij gjatë gjithë jetës sonë nëse jemi besnikë.

Si na Bekon Fryma e Shenjtë

Dhurata e Frymës së Shenjtë është një nga dhuratat më të madhërishme të Atit Qiellor. Fryma e Shenjtë na pastron dhe shenjtëron, duke na bërë më të shenjtë, më të plotë, më shumë si Perëndia (shihni te 3 Nefi 27:20). Ai na ndihmon të ndryshojmë dhe të rritemi shpirtërisht ndërsa përpiqemi të zbatojmë parimet e Perëndisë.

Fryma e Shenjtë na ndihmon të mësojmë dhe ta dallojmë të vërtetën (shihni te Moroni 10:5). Ai gjithashtu na e pohon të vërtetën në zemër dhe mendje. Krahas kësaj, Fryma e Shenjtë na ndihmon ta japim mësim të vërtetën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:14). Kur e mësojmë dhe e japim mësim të vërtetën me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, Ai na e çon atë në zemër (shihni te 2 Nefi 33:1).

Teksa kërkojmë drejtim përulësisht nga Fryma e Shenjtë, Ai do të na udhërrëfejë (shihni te 2 Nefi 32:5). Kjo përfshin nxitjen drejt mënyrave se si mund t’u shërbejmë të tjerëve.

Fryma e Shenjtë siguron forcë shpirtërore për të na ndihmuar ta kapërcejmë dobësinë. Ai na ndihmon t’i rezistojmë tundimit. Ai mund të na paralajmërojë për rrezikun shpirtëror dhe fizik.

Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë nëpër sfidat e jetës. Ai do të na ngushëllojë gjatë kohëve të sprovës ose hidhërimit, duke na mbushur me shpresë (shihni te Moroni 8:26). Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë për ne.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Natyra e Frymës së Shenjtë

Bekimet nga Fryma e Shenjtë dhe Ndikimi i Tij

Rëndësia e Dhuratës së Frymës së Shenjtë

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Jezusi duke mbajtur pranë fëmijë

Durimi deri në Fund

Kur pagëzohemi dhe konfirmohemi, ne hyjmë në një besëlidhje me Perëndinë. Mes të tjerash, ne premtojmë se do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe do t’i shërbejmë Atij gjatë pjesës së mbetur të jetës sonë (shihni te Mosia 18:8–10, 13; Doktrina e Besëlidhje 20:37).

Pasi të kemi hyrë në shtegun e ungjillit nëpërmjet pagëzimit dhe konfirmimit, ne bëjmë çdo përpjekje për të qëndruar në të. Kur dalim nga shtegu qoftë edhe paksa, ne ushtrojmë besim te Krishti për t’u penduar. Bekimi i pendimit na lejon të kthehemi në shtegun e ungjillit dhe t’i mbajmë bekimet e besëlidhjeve me Perëndinë. Kur pendohemi sinqerisht, Perëndia është gjithmonë i gatshëm të na falë dhe të na mirëpresë që të kthehemi.

Durimi deri në fund do të thotë të qëndrojmë besnikë ndaj Perëndisë deri në fund të jetës sonë, gjatë kohëve të mira dhe kohëve të vështira, gjatë begatisë dhe fatkeqësisë. Ne me përulësi i lejojmë Krishtit të na japë trajtë dhe të na bëjë më shumë si Ai. Ne shohim te Krishti me besim, mirëbesim dhe shpresë pavarësisht nga ajo që na vjen në jetë.

Durimi deri në fund nuk do të thotë që thjesht ta shtyjmë deri sa të vdesim. Përkundrazi, do të thotë t’i përqendrojmë jetën, mendimet dhe veprimet tona te Jezu Krishti. Ai përfshin vazhdimin e të ushtruarit të besimit te Krishti çdo ditë. Ne gjithashtu vazhdojmë të pendohemi, t’i mbajmë besëlidhjet tona me Perëndinë dhe të kërkojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë.

Durimi deri në fund përfshin “shk[uarjen] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”. Ati ynë Qiellor premton se ndërsa durojmë deri në fund, ne “do të ke[m]i jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20).

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Durimi deri në Fund

Bekimet për Ata që Durojnë

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

  • Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta: “Duroj”, “Mjerim

një familje duke buzëqeshur

Ungjilli i Jezu Krishtit i Bekon të Gjithë Fëmijët e Perëndisë

Ungjilli i Jezu Krishtit është për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Shkrimet e shenjta na mësojnë se “të gjithë janë njësoj para Perëndisë” pavarësisht nga formimi ose situata jonë. Ai i fton “të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai” (2 Nefi 26:33).

Ungjilli na bekon gjatë gjithë jetës sonë në vdekshmëri dhe gjatë gjithë përjetësisë. Ka më tepër gjasë që ne të jemi të lumtur, edhe si individë edhe si familje, kur jetojmë sipas mësimeve të Jezu Krishtit (shihni te Mosia 2:41; “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Të jetuarit e ungjillit i thellon gëzimet tona, i frymëzon veprimet tona dhe i pasuron marrëdhëniet tona.

Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit mund edhe të na mbrojë nga bërja e zgjedhjeve që do të na dëmtonin fizikisht apo shpirtërisht. Kjo na ndihmon të gjejmë forcë dhe ngushëllim në kohë sprove dhe hidhërimi. Kjo na siguron udhën drejt një jete të gëzueshme e të përjetshme.

Një nga mesazhet e madhërishme të ungjillit të rivendosur është se ne jemi të gjithë pjesë e familjes së Perëndisë. Ne jemi bijtë dhe bijat e Tija të dashura. Pavarësisht nga situata jonë familjare në tokë, secili prej nesh është pjesëtar i familjes së Perëndisë.

Një pjesë tjetër e mrekullueshme e mesazhit tonë është që familjet mund të bashkohen për përjetësinë. Familja shugurohet nga Perëndia. Plani i Atit Qiellor për lumturinë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit. Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta të tempullit e bëjnë të mundur që familjet të jenë së bashku përgjithmonë.

Nëpërmjet dritës së ungjillit, familjet mund të zgjidhni keqkuptimet, grindjet dhe sfidat. Familjet e ndara nga mosmarrëveshjet mund të shërohen nëpërmjet pendimit, faljes dhe besimit te fuqia e Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Ungjilli i Jezu Krishtit na ndihmon të zhvillojmë marrëdhënie më të forta familjare. Shtëpia është vendi më i mirë për t’i dhënë mësim e për t’i mësuar parimet e ungjillit. Një shtëpi e vendosur mbi parimet e ungjillit do të jetë një vend strehimi dhe sigurie. Ajo do të jetë një vend ku Shpirti i Zotit mund të banojë.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Mësoni më Shumë për Këtë Parim

Përvijim i Shkurtër deri Mesatar për Mësimin

Përvijimi vijues është një model për atë që mund t’i mësoni dikujt nëse keni vetëm një sasi të shkurtër kohe. Kur ta përdorni këtë përvijim, përzgjidhni një ose më shumë parime për t’i dhënë mësim. Themeli doktrinor për secilin parim jepet më herët në mësim.

Ndërsa jepni mësim, bëni pyetje dhe mbani vesh. Bëni ftesa që do t’i ndihmojnë njerëzit të mësojnë se si të vijnë më pranë Perëndisë. Një ftesë e rëndësishme është që personi të takohet me ju sërish. Kohëzgjatja e mësimit do të varet nga pyetjet që bëni dhe mbajtja vesh nga ana juaj.

misionare duke u dhënë mësim grave

Çfarë Mund t’u Mësoni Njerëzve Brenda 3–10 Minutave

  • Perëndia e dërgoi në tokë Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, për të na shëlbuar nga mëkati dhe vdekja.

  • Besimi te Jezu Krishti është një parim veprimi dhe fuqie. Besimi na ndihmon të përjetojmë fuqinë forcuese të Shpëtimtarit në jetën tonë.

  • Besimi te Jezu Krishti na shtyn të pendohemi. Pendimi është procesi i drejtimit te Perëndia dhe i largimit prej mëkatit. Ndërsa pendohemi, veprimet, dëshirat dhe mendimet tona ndryshojnë për të qenë më tepër në harmoni me vullnetin e Perëndisë.

  • Kur pendohemi, Perëndia na fal. Falja është e mundur për shkak se Jezu Krishti shleu për mëkatet tona.

  • Pagëzimi ka dy pjesë: pagëzimin me ujë dhe me Shpirtin. Kur pagëzohemi dhe konfirmohemi, ne pastrohemi nga mëkatet tona, duke na dhënë një fillim të ri në jetë.

  • Pasi pagëzohemi me ujë, marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë nëpërmjet ordinancës së konfirmimit.

  • Ndërsa e ndjekim shtegun e ungjillit me besnikëri deri në fund të jetës, Perëndia premton se ne do të kemi jetë të përjetshme.