Mësime të Presidentëve
Kapitulli 12: I Shpall Lajme të Mira të Gjithë Botës


Kapitulli 12

I Shpall Lajme të Mira të Gjithë Botës

“Shpirtërat janë po aq të çmueshëm në sytë e Perëndisë sa kanë qenë gjithmonë; dhe Pleqtë [duhet] … t’u mbushin mendjen dhe të ftojnë gjithë njerëzit kudo të pendohen, që ata të mund të bëhen trashëgimtarë të shpëtimit.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Pasi Kisha u organizua më 6 prill 1830, Jozef Smithi vazhdoi të shpallë lajmet e mira të ungjillit. Gjatë muajit prill, ai udhëtoi për në Kolesvil të Nju-Jorkut, për të vizituar mikun e tij Jozef Najt Plakun që së bashku me familjen e tij ishin interesuar për ungjillin. Profeti mbajti mbledhje në mëhallë dhe “shumë vetë filluan t’i luten me zjarr Perëndisë së Plotfuqishëm, që Ai t’u jepte urtësi për të kuptuar të vërtetën”1. Rreth dy muaj më vonë, në një vizitë të dytë në Kolesvil, Profeti konstatoi se një numër njerëzish që kishin dëgjuar ungjillin, tani dëshironin të pagëzoheshin. Për këta të kthyer të rinj në besim, pranimi i ungjillit kërkoi besim dhe kurajë, siç shënoi Profeti:

“Ne caktuam një mbledhje për në Shabat dhe, pasditen e së shtunës, ngritëm një pendë përmes një rryme uji, që ishte aty pranë, me qëllimin për të kryer atje ordinancën e pagëzimit; por gjatë natës një turmë u mblodh dhe e shkuli pendën tonë, gjë që na pengoi të kryenim pagëzimin në Shabat. … Të hënën herët në mëngjes ne qemë aktivë dhe përpara se armiqtë tanë të ishin në dijeni të veprimeve tona, e riparuam pendën dhe trembëdhjetë personat e mëposhtëm u pagëzuan nga Oliver Kaudri, pikërisht: Ema Smith; Hezekia Pek dhe e shoqja; Jozef Najt Plaku dhe e shoqja; Uilliam Stringam dhe e shoqja; Jozef Najt i Riu; Aaron Kulver dhe e shoqja; Levi [Hall]; Poli Najt; dhe Xhulia Stringam.”2

Atë vjeshtë, Zoti i zbuloi Jozef Smithit se Oliver Kaudri, Piter Uitmer i Riu, Parli P. Prat dhe Ziba Peterson duhet të “[shkonin] te Lamanitët dhe t’u [predikonin] atyre ungjillin [e Tij]” (DeB 28:8; 30:5–6; 32:1–3). Ata misionarë udhëtuan afërsisht 2.400 kilometra, duke predikuar shkurtimisht ndërmjet fiseve të ndryshme indiane, përfshirë senekat në Nju-Jork, uajandotët në Ohajo dhe delauerët e shejuniët në territorin indian. Megjithatë, suksesi më i madh i misionarëve erdhi kur ata ndaluan në zonën e Kirtlandit të Ohajos. Atje ata pagëzuan rreth 130 të kthyer në besim, kryesisht ndërmjet kongregacioneve të baptistëve të reformuar të Sidni Rigdonit, duke hapur atë që do të bëhej një vend mbledhjeje për qindra anëtarë të Kishës në vitin pasues. Misionarët gjetën gjithashtu disa të kthyer në besim midis kolonëve në Kontenë Xhekson të Misurit, ku do të themelohej më vonë qyteti i Sionit.

Qoftë nëse po u predikonte njerëzve përreth, apo po dërgonte misionarë në botë, Profeti Jozef Smith e donte punën misionare. Plaku Parli P. Prat shënoi përvojën e mëposhtme që ndodhi në 1839-ën: “Ndërkohë që ishim në një vizitë bashkë me Vëllanë Jozef në Filadelfia, [Pensilvani], një kishë shumë e madhe u hap që ai të predikonte në to dhe rreth tre mijë njerëz u mblodhën për ta dëgjuar. Vëllai Rigdon foli i pari dhe foli mbi Ungjillin, duke e ilustruar doktrinën e tij me anë të Biblës. Kur ai mbaroi, Vëllai Jozef u ngrit si një luan gati për të gjëmuar; dhe duke qenë plot me Frymën e Shenjtë, foli me fuqi të madhe, duke dhënë dëshmi për vegimet që kishte parë, shërbesën e engjëjve që kishte gëzuar; dhe se si ai kishte gjetur fletët e Librit të Mormonit dhe i kishte përkthyer ato nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Ai filloi duke thënë: ‘Nëse askush tjetër nuk pati kurajën të dëshmonte për një mesazh kaq të lavdishëm nga Qielli dhe për gjetjen e një anali kaq të lavdishëm, ai ndjente ta bënte atë me drejtësi ndaj njerëzve dhe ta linte ngjarjen me Perëndinë’.

I gjithë kongregacioni ishte shtangur; të elektrifikuar, ashtu si ishin, dhe të pushtuar nga ndjenja e së vërtetës dhe fuqisë me anë të së cilës foli ai, dhe për mrekullitë që tregoi. Një mbresë e qëndrueshme u krijua; shumë shpirtra u mblodhën në grigjë. Dhe unë jap dëshmi se ai, me dëshminë e tij besnike e të fuqishme, i pastroi rrobat e tij nga gjaku i tyre. Shumë vetë u pagëzuan në Filadelfia dhe në zonën përreth.”3

Mësime të Jozef Smithit

Meqenëse bota është në errësirë shpirtërore, ne duhet të jemi të zellshëm në predikimin e ungjillit.

Në vitin 1834, Jozef Smithi dhe pleq të tjerë të Kishës në Kirtland i dërguan letrën e mëposhtme vëllezërve në zona të tjera: “Ndonëse komunikimet tona për ju mund të jenë të shpeshta, prapëseprapë ne besojmë se ju do t’i prisni me ndjenja vëllazërore; dhe se prej nesh vëllezërit tuaj të padenjë, ju do të lejoni një fjalë këshille të zerë vend në zemrat tuaja, ndërsa shihni shtrirjen e madhe të pushtetit dhe sundimit të princit të errësirës, dhe kuptoni sa i madh është numri i atyre që i janë drejtuar vdekjes pa ia vënë veshin asnjëherë tingullit të gëzuar të Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht.

Merrni parasysh për një çast, vëllezër, plotësimin e fjalëve të profetit; sepse ne vëmë re se terri mbulon tokën dhe një errësirë e dendur mendjet e banorëve të saj [shih Isaia 60:2], se krime të çdo lloji po shtohen midis njerëzve; po praktikohen vese ndyrësie të madhe; brezi i ri po rritet plot krenari dhe arrogancë; të moshuarit po humbasin bindjet që kanë pasur dikur dhe me sa duket po humbasin çdo mendim për një ditë të gjykimit ose besim tek ajo ditë; mospërmbajtja, imoraliteti, teprimet, krenaria, verbëria e zemrës, idhujtaria, humbja e dashurisë së natyrshme, dashuria për këtë botë dhe mospërfillja kundrejt gjërave të përjetësisë po rriten ndërmjet atyre që shprehin besim në fenë e qiellit, dhe mosbesimi po përhapet si pasojë e kësaj; njerëzit i lejojnë vetes të kryejnë veprime nga më të parregulltat dhe veprime nga më të zezat, duke blasfemuar, mashtruar, dëmtuar emrin e fqinjëve, duke vjedhur, grabitur, vrarë, duke mbrojtur gabimin dhe duke kundërshtuar të vërtetën, duke braktisur besëlidhjen e qiellit dhe duke mohuar besimin e Jezusit – dhe në mes të gjithë kësaj, dita e drekës së Zotit po afrohet kur askush, përveç atyre që kanë veshur rrobë dasme, nuk do të lejohet të hajë dhe të pijë në prani të Dhëndrit, Princit të Paqes!

Me mbresën e të vërtetës së këtyre fakteve, cilat mund të jenë ndjenjat e atyre që kanë qenë pjestarë të dhuratës qiellore dhe kanë shijuar fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrekullitë e jetës së ardhshme? [Shih Hebrenjve 6:4–5.] Kush përveç atyre që mund të shohin humnerën e tmerrshme ku qëndron bota e njerëzve në këtë brez, mund të punojnë në vreshtin e Zotit pa pasur një ndjenjë të gjendjes së vajtueshme të botës? Kush përveç atyre që kanë mbajtur parasysh siç duhet denjimin e Atit të shpirtrave tanë duke siguruar një sakrificë për krijesat e Tij – një plan shëlbimi, një fuqi shlyerjeje, një skemë shpëtimi, që kanë si qëllimin e tyre të madh, kthimin e njerëzve në praninë e Mbretit të qiellit, kurorëzimin e tyre në lavdinë çelestiale dhe bërjen e tyre trashëgimtarë bashkë me Birin të asaj trashëgimie që është e paprishshme, e panjollë dhe e pafishkur [shih 1 Pjetri 1:4] – kush përveç të tillëve mund të kuptojë rëndësinë e një sjelljeje të përsosur para gjithë njerëzve dhe një zelli për të thirrur gjithë njerëzit të marrin pjesë nga këto bekime? Sa papërshkrueshmërisht të lavdishme janë këto gjëra për njerëzimin! Vërtet ato mund të konsiderohen lajme gëzimi të madh për të gjithë popullin; dhe lajme, gjithashtu, që duhet të mbushin tokën dhe të gëzojnë zemrat e gjithkujt kur i dëgjon ato.”4

“Engjëlli shkatërrues do të fillojë të vrasë banorët e tokës përpara se shërbëtorët e Perëndisë t’u kenë predikuar paralajmërim gjithë kombeve të johebrenjve dhe ashtu si ka thënë profeti, ‘do të jetë një tmerr i vërtetë të dëgjosh vetëm të ta rrëfejnë’. [Shih Isaia 28:19.] Unë flas kështu sepse kujdesem për bashkënjerëzit e mi; e bëj në emër të Zotit, i nxitur nga Fryma e Shenjtë. Oh, sikur të mund t’i shpëtoj nga vorbulla e mjerimit, në të cilën i shoh të zhyten nga mëkatet e tyre; që të mundem t’i paralajmëroj me zërin tim, të jem një mjet që t’i sjell ata në pendesë të sinqertë, që ata të mund të kenë besim të rezistojnë në ditën e mbrapshtë!”5

“Perëndia na e bëftë të mundur të kryejmë zotimet dhe besëlidhjet me njëri-tjetrin, me gjithë besnikëri dhe drejtësi para Tij, që ndikimi ynë të mund të ndihet midis kombeve të tokës, me fuqi të madhe, madje të shkatërrojë mbretëritë e errësirës, dhe të triumfojë mbi intrigën e priftërinjve dhe frymërat e mbrapshta në vendet qiellore, dhe të thyejë në copa gjithë mbretëritë që kundërshtojnë mbretërinë e Krishtit, dhe të përhapë dritën e të vërtetën e Ungjillit të përjetshëm nga lumenjtë deri në skajet e tokës.”6

Uillford Udraf, Presidenti i katërt i Kishës, kujtoi fjalët e mëposhtme të Profetit Jozef Smith: “Bota është plot me terr. Mëkati dhe ligësia po pushtojnë botën ashtu si ujërat mbulojnë detin. Djalli sundon botën në një shtrirje të madhe. Bota do të luftojë kundër jush; djalli do të luftojë, toka do të luftojë dhe ferri do të luftojë. Por … ju duhet të predikoni Ungjillin, bëni detyrën tuaj dhe Zoti do të jetë me ju. Toka dhe ferri nuk do të triumfojnë mbi ju.”7

Detyra jonë është të ftojmë të gjithë njerëzit të pendohen, të pagëzohen, të marrin Frymën e Shenjtë dhe të bëhen trashëgimtarë të shpëtimit.

“Kjo besojmë se është detyra jonë – t’i mësojmë gjithë njerëzimit doktrinën e pendimit, të cilën do të përpiqemi ta tregojmë nga citimet e mëposhtme:

‘Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet, dhe u tha atyre: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi”’ [Lluka 24:45–47].

Nga kjo mësojmë se ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të kryqëzohej, dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, me qëllimin e caktuar që pendimi dhe heqja e mëkateve t’u predikohen gjithë popujve.

‘Atëherë Pjetri u tha atyre: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë”’[Veprat e Apostujve 2:38–39].

Nga kjo mësojmë se premtimi i Frymës së Shenjtë i jepet kujtdo që do t’i predikohej doktrina e pendimit, që ishte gjithë popujve. … Prandaj ne besojmë në predikimin e doktrinës së pendimit në të gjithë botën, të moshuarve dhe të rinjve, të pasurve dhe të varfërve, skllevërve dhe të lirëve.”8

“Shpirtrat janë po aq të çmueshëm në sytë e Perëndisë sa kanë qenë gjithmonë; dhe Pleqtë asnjëherë nuk u thirrën që të çojnë dikë poshtë në ferr, por që t’u mbushin mendjen dhe të ftojnë gjithë njerëzit kudo të pendohen, që ata të mund të bëhen trashëgimtarë të shpëtimit. Është viti i hirit të Zotit: Çlironi ata që janë në robëri që ata të mund të këndojnë hosana [shih Isaia 61:1–2].”9

“Duhet të jetë detyra e Pleqve që të qëndrojnë me guxim për kauzën e Krishtit dhe të paralajmërojnë njerëzit me marrëveshje unanime që të pendohen dhe të pagëzohen për heqjen e mëkateve dhe për Frymën e Shenjtë.”10

“Unë do të vazhdoj duke ju treguar atë që Zoti kërkon nga të gjithë njerëzit, me gjendje të lartë shoqërore apo të ulët, të pasur dhe të varfër, meshkuj dhe femra, shërbestarë dhe njerëz, besues të fesë dhe jo besues, në mënyrë që ata të mund të gëzojnë Shpirtin e Shenjtë të Perëndisë në plotësi dhe t’u shpëtojnë gjykimeve të Perëndisë, që janë pothuajse gati të shpërthejnë mbi popujt e tokës. Pendohuni për gjithë mëkatet tuaja dhe pagëzohuni në ujë për heqjen e tyre, në emrin e Atit, dhe të Birit, dhe të Frymës së Shenjtë; dhe merrni ordinancën e vënies së duarve prej atij që është shuguruar dhe vulosur në këtë fuqi, që ju të mund të merrni Shpirtin e Shenjtë të Perëndisë; dhe kjo është sipas Shkrimeve të Shenjta dhe Librit të Mormonit; dhe mënyra e vetme se si një njeri mund të hyjë në mbretërinë çelestiale. Këto janë kërkesat e besëlidhjes së re apo parimet e para të Ungjillit të Krishtit.”11

“U kërkohet të gjithë njerëzve, të kenë besim në Zotin Jezu Krisht; të pendohen për gjithë mëkatet e tyre dhe të pagëzohen (nga dikush me autoritet) në emrin e Jezu Krishtit për heqjen e mëkateve, dhe që t’u vendosen duart për dhuratën e Frymës së Shenjtë, që të bëhen anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”12

Shërbëtorët e Zotit shkojnë kudo në botë për të gjetur ata që janë të gatshëm të pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit.

“Dërgoni dikë në Amerikën Qendrore dhe në gjithë Amerikën Latine; dhe mos lejoni që asnjë kënd i tokës të mbetet pa një mision.”13

“Ne nuk i kërkojmë askujt të hedhë poshtë ndonjë të mirë që kanë; ne vetëm u kërkojnë atyre të vijnë dhe të marrin edhe më. Po sikur e gjithë bota të përqafonte Ungjillin? Ata atëherë do të shihnin sy më sy dhe bekimet e Perëndisë do të derdheshin mbi njerëzit, gjë që është dëshira e gjithë shpirtit tim.”14

“Mijëra vetë që e kanë dëgjuar Ungjillin, janë bërë të bindur ndaj tij dhe po gëzojnë dhuratat dhe bekimet e tij. Paragjykimi, me varganin e të ligave që e shoqërojnë, po lëshon udhë para forcës të së vërtetës, rrezet dashamirëse të së cilës po depërtojnë kombet e largëta. … Ka qenë një kohë kur ne na konsideronin si mashtrues dhe besohej se ‘mormonizmi’ shpejt do të zhdukej, do të prishej dhe do të harrohej. Por ka kaluar koha kur konsiderohej si një çështje e përkohshme, ose si një flluskë në valë dhe tani po kapet fort në zemrat e ndjenjat e të gjithë atyre që kanë mendje aq fisnike sa të lënë mënjanë paragjykimet që u kanë thënë dhe të hetojnë këtë çështje me çiltërsi dhe ndershmëri.”15

“Disa nga Të Dymbëdhjetët dhe të tjerë janë nisur tashmë për në Europë [në shtator 1839] dhe pjesa tjetër e atij misioni presim të niset brenda pak ditësh. … Puna e Zotit vazhdon në një mënyrë shumë të kënaqshme, si këtu edhe në vendin e vjetër. Në Angli kohët e fundit shumë qindra vetë u janë shtuar numrit tonë; por kështu, madje dhe kështu, duhet që ‘Efraimi [të] përzihet me popujt’ [Osea 7: 8]. Dhe Shpëtimtari ka thënë: ‘Delet e mia e dëgjojnë zërin tim’ [Gjoni 10:27]; dhe gjithashtu ‘Kush ju dëgjon, më dëgjon mua’ [Lluka 10:16]; dhe ‘Ja, unë po i kthej nga vendi i veriut dhe po i grumbulloj nga skajet e tokës’ [Jeremia 31:8]. Dhe kur Gjoni dëgjoi zërin që i thoshte ‘Dilni prej saj, o populli im’ [Zbulesa 18:4], po kështu e gjitha duhet të plotësohet; që njerëzit e Zotit të mund të jetojnë kur ‘ra, ra Babilona e madhja’ [Zbulesa 18:2].”16

Në një letër të shkruar nga Burgu i Libertisë në mars 1839, Profeti Jozef Smithi deklaroi sa vijon, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 123:12: “Sepse ka shumë vetë akoma mbi tokë, mes të gjitha sekteve, grupimeve dhe besimeve, të cilët janë të verbuar nga dinakëria e hollë e njerëzve, me anë të së cilës ata rrinë në pritje për të mashtruar, dhe të cilët mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”17.

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni paragrafin e dytë dhe të tretë në faqen 156. Përse nganjëherë duhet kurajë për të ndarë dëshmitë tona për Rivendosjen dhe Librin e Mormonit? Si mund ta zhvillojmë një kurajë të tillë?

  • Jozef Smithi përshkroi terrin shpirtëror të botës; pastaj ai dëshmoi për “lajme gëzimi të madh” në ungjillin e rivendosur (faqet 157–159). Si mundet këto dy mendime të na frymëzojnë që të hapim gojën dhe të ndajmë ungjillin?

  • Lexoni paragrafin e parë në faqen 159. Kur ka qenë Zoti pranë jush në përpjekjet tuaja misionare?

  • Meditoni mbi pjesët nga shkrimi i shenjtë që citoi Jozef Smithi për të na kujtuar për detyrën tonë që t’i mësojmë ungjillin gjithë njerëzimit (faqet 159–160). Mendoni ose diskutoni se çfarë mund të bëni ju dhe familja juaj për të ndarë ungjillin me të tjerët.

  • Lexoni paragrafin e katërt në faqen 160), në të cilin Profeti flet për punën misionare si një përpjekje për të çliruar ata që janë në robëri. Në cilat mënyra disa njerëz mund të konsiderohen në robëri? (Për disa shembuj, shihni faqet 157–159.) Në cilat mënyra mund t’i çlirojnë ata parimet dhe ordinancat e para të ungjillit?

  • Rishihni ftesën e Profetit në paragrafin e tretë në faqen 161. Si mundet kjo ftesë të nxitë njerëzit të mësojnë për ungjillin e rivendosur? Rishihni paragrafin e katërt në faqen 161 dhe paragrafin e fundit të kapitullit. Çfarë mund të bëjmë ne që të ndihmojmë njerëzit të “lënë mënjanë paragjykimet [e tyre]” për Kishën? Si mundet veprimet tona të ndihmojnë njerëzit të dinë se ku ta gjejnë të vërtetën?

  • Çfarë bekimesh kanë ardhur në jetën tuaj si rezultat i përpjekjeve tuaja për të shpallur ungjillin?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Marku 16:15–20; 2 Nefi 2:8; Alma 26:1–9, 26–37; DeB 42:6–9, 11–14; 88:77–83

Shënime

  1. History of the Church, 1:81; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 39–40, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. History of the Church, 1:86–88; është modernizuar pikësimi; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 42–43, Arkivat e Kishës.

  3. Parley P. Pratt, Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. (1938), f. 298–299; është modernizuar përdorimi i germës së madhe.

  4. History of the Church, 2:5–6; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, shkurt 1834, f. 135.

  5. History of the Church, 2:263; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, nëntor 1835, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, nëntor 1835, f. 211.

  6. History of the Church, 2:375; nga protokolli i një mbledhjeje këshilli të Presidencës së Parë dhe Të Dymbëdhjetëve mbajtur më 16 janar 1836, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Warren Parrish.

  7. Cituar nga Wilford Woodruff, Deseret News, 30 korrik 1884, f. 434.

  8. History of the Church, 2:255–256; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, shtator 1835, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, shtator 1835, f. 180–181.

  9. History of the Church, 2:229; shënim në fund të faqes; nga “To the Saints Scattered Abroad”, Messenger and Advocate, qershor 1835, f. 138.

  10. History of the Church, 2:263; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, nëntor 1835, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, nëntor 1835, f. 211.

  11. History of the Church, 1:314–315; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar N. C. Saxton, 4 janar 1833, Kirtland, Ohio; emri i z.Saxton jepet pasaktësisht si “N. E. Seaton” në History of the Church.

  12. Përgjigje e botuesit për një letër nga Richard Savary, Times and Seasons,15 mars 1842, f. 732; është modernizuar përdorimi i germës së madhe; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  13. History of the Church, 5:368; nga udhëzime të dhëna nga Joseph Smith më 19 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  14. History of the Church, 5:259; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 22 janar 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  15. History of the Church, 4:336–337; është modernizuar drejtshkrimi; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një raport i Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë, 7 prill 1841, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 prill 1841, f. 384.

  16. History of the Church, 4:8–9; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Isaac Galland, 11 shtator 1839, Commerce, Illinois.

  17. Doktrina e Besëlidhje 123:12; një letër e Joseph Smith dhe të tjerëve drejtuar Edward Partridge dhe Kishës, 20 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri.

Pamja
Joseph preaching

Qoftë nëse po u predikonte njerëzve përreth, apo po dërgonte misionarë në botë, Profeti Jozef Smith e donte punën misionare.

Pamja
missionaries teaching

Profeti Jozef Smith i këshilloi shenjtorët të thërrisnin gjithë njerëzit që të merrnin nga bekimet e ungjillit. “Sa papërshkrueshmërisht të lavdishme janë këto gjëra për njerëzimin!”

Shtyp në Letër