Mësime të Presidentëve
Kapitulli 16: Zbulesa dhe Profeti i Gjallë


Kapitulli 16

Zbulesa dhe Profeti i Gjallë

“Rregulli i madh i qiellit [është] që asgjë nuk duhet bërë ndonjëherë në tokë pa ua treguar sekretin shërbëtorëve të tij, profetëve.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në Kirtland të Ohajos, Profeti Jozef Smith mori një lumë zbulesash, duke e bërë këtë periudhë shumë të rëndësishme në ngritjen e doktrinës dhe qeverisjes së Kishës. Kur Profeti i mori këto zbulesa, shpesh ai qe në praninë e udhëheqësve të tjerë të Kishës, me dikë që regjistronte fjalët e tij ashtu si ai i mori nga Zoti. Zbulesat shpesh i erdhën atij në përgjigje të lutjes. Parli P. Prat, që më vonë u bë anëtar i Të Dymbëdhjetëve, qe i pranishëm kur Profeti mori zbulesën që tani është Doktrina e Besëlidhje 50. Plaku Prat kujtoi:

“Pasi u bashkuam në lutje në dhomën e tij të përkthimit, ai diktoi në praninë tonë zbulesën që vijon. Secila fjali u shqiptua ngadalë dhe shumë qartë, dhe me një pushim midis secilës, të gjatë mjaftueshëm sa të mbahej shënim e pashkurtuar, nga një shkrues i zakonshëm…. Nuk pati kurrë ndonjë ngurrim, rishikim, ose rilexim, në mënyrë që të ruhej vija e arsyetimit.”1

Ndonëse disa zbulesa qenë kopjuar me dorë për përdorim vetjak, anëtarët e Kishës në përgjithësi nuk i kishin ato. Jozef Smithi e dinte që zbulesat e Perëndisë kishin rëndësi të tillë saqë duhet të ruheshin me kujdes dhe të bëheshin të disponueshme për botën. Në nëntor 1831, në një konferencë të veçantë të mbajtur në Hiram të Ohajos, Profeti dhe udhëheqës të tjerë të Kishës vendosën të botonin një përzgjedhje të zbulesave që Profeti kishte marrë deri në atë kohë. Pasi u mor ky vendim, Profeti mori një komunikim hyjnor, që Zoti e quajti “parathënia ime për librin e urdhërimeve të mia” (DeB 1:6). Kjo zbulesë, që tani është seksioni 1 i Doktrinës e Besëlidhjeve, bëri të ditur miratimin e Zotit për botimin e zbulesave dhe shpjegoi qëllimet e Tij përse i dha ato. “I hetoni këto urdhërime”, shpalli Zoti, “sepse ato janë të vërteta e besnike dhe profecitë e premtimet që janë në to, të gjitha do të përmbushen” (DeB 1:37). Pasi e dëgjoi zbulesën t’i lexohej pasi qe shkruar, në ditën e dytë të konferencës, Profeti “u ngrit dhe shprehu ndjenjat dhe mirënjohjen e tij” për këtë shfaqje të miratimit të Zotit2.

Në vijim të kësaj konference, Profeti kujtoi: “koha ime qe shumë e zënë me rishikimin e urdhërimeve dhe qëndrimin në konferencë, për gati dy javë; sepse nga një deri më dymbëdhjetë nëntor ne mbajtëm katër konferenca të veçanta. Në të fundit … pjesëmarrësit në konferencë votuan që ata i çmonin zbulesat me vlerë sa … pasuritë e gjithë botës.” Konferenca deklaroi gjithashtu se zbulesat janë “themeli i Kishës në këto ditët e fundit dhe një dobi për botën, duke treguar që çelësat e të fshehtave të mbretërisë së Shpëtimtarit tonë i janë besuar përsëri njeriut; dhe se pasuritë e përjetësisë [janë] brenda sferës së arritshme të atyre që janë të gatshëm të jetojnë sipas çdo fjale që rrjedh nga goja e Perëndisë”3.

Kopje të shkruara me dorë të zbulesave iu dërguan Uilliam W. Felpsit në Misuri, që të botoheshin si Libri i Urdhërimeve. Vëllai Felps, që qe urdhëruar nga Zoti që të shkonte në Misuri dhe të bëhej tipograf për Kishën (shih DeB 57:11), shpejt filloi të radhiste librin. Megjithatë, më 20 korrik 1833, një turmë shkatërroi makinën e shtypit dhe shumicën e fletëve të shtypura. Disa nga fletët e pa lidhura u shpëtuan nga anëtarë të Kishës dhe u lidhën veçan, por libri nuk u botua kurrë zyrtarisht. Në vitin 1835, zbulesat e caktuara për Librin e Urdhërimeve, si edhe shumë zbulesa të tjera, u botuan në Kirtland si Doktrina e Besëlidhje. Me zbulesa të tjera që janë shtuar që nga viti 1835, ky libër qëndron si një dëshmi që Perëndia flet sot nëpërmjet profetit të Tij të gjallë, Presidentit të Kishës, për bekimin dhe udhëheqjen e Kishës së Tij.

Mësime të Jozef Smithit

Perëndia e ka udhëhequr gjithmonë popullin e Tij dhe Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës.

Nenet e Besimit 1:9: “Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë.”4

“Ne kurrë nuk mund të kuptojmë gjërat e Perëndisë dhe të qiellit, përveçse nëpërmjet zbulesës. Ne mund t’u japim formë shpirtërore dhe të shprehim pikëpamjet tona për gjithë përjetësinë; por kjo nuk përbën autoritet.”5

“Doktrina e zbulesës e tejkalon së tepërmi doktrinën se nuk ka zbulesë; sepse një e vërtetë e zbuluar nga qielli vlen sa të gjitha idetë sektare që ekzistojnë.”6

“Shpëtimi nuk mund të vijë pa zbulesë; është e kotë për këdo që të shërbejë pa të. … Asnjë njeri nuk mund të jetë një shërbestar i Jezu Krishtit, nëse nuk ka dëshminë e Jezusit; dhe kjo është fryma e profecisë [shih Zbulesa 19:10]. Kurdoherë që është administruar shpëtim, ai ka qenë nëpërmjet dëshmisë. Njerëzit e kohës së tanishme dëshmojnë për qiellin e ferrin dhe nuk e kanë parë kurrë asnjërin; dhe do të them se asnjë njeri nuk i di këto gjëra pa këtë.”7

“Jezusi në mësimet e Tij thotë: ‘Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.’ [Mateu 16:18.] Cilin shkëmb? Zbulesën.”8

“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u themelua sipas zbulesës së drejtpërdrejtë, ashtu si ka qenë gjithmonë Kisha e vërtetë e Perëndisë, sipas Shkrimeve të Shenjta (Amosi 3:7 dhe Veprat e Apostujve 1:2); dhe nëpërmjet vullnetit dhe bekimeve të Perëndisë, unë kam qenë një mjet në duart e Tij, deri tani, për ta çuar përpara kauzën e Sionit.”9

Profeti foli në një konferencë të Kishës në prill 1834: “Presidenti Jozef Smith i Riu lexoi kapitullin e dytë të profecisë së Joelit, u lut dhe iu drejtua konferencës si vijon: … ‘Ne jemi të pozicionuar ndryshe nga cilido popull tjetër që ka ekzistuar ndonjëherë mbi këtë tokë; si rrjedhim, ato zbulesa të mëparshme nuk mund të jenë të përshtatshme për kushtet tona; ato iu dhanë popujve të tjerë, që qenë përpara nesh; por në ditët e fundit, Perëndia do të thërriste një mbetje [të shtëpisë së Izraelit], te të cilët do të kishte shpëtim, si dhe në Jeruzalem dhe në Sion [shih Joeli 2:32]. Tani, nëse Perëndia nuk do të jepte më zbulesa, ku do ta gjejmë ne Sionin dhe këtë mbetje? …’

Presidenti pastaj dha një raport në lidhje me marrjen dhe përkthimin e Librit të Mormonit, zbulesën e Priftërisë së Aaronit, organizimin e Kishës në 1830-ën, zbulesën e Priftërisë së Lartë dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë që u derdh mbi Kishën, dhe tha: ‘Hiqni Librin e Mormonit e zbulesat dhe ku është besimi ynë? Ne nuk kemi asgjë.’”10

Presidenti i Kishës caktohet të marrë zbulesë prej Perëndisë për Kishën; individët mund të marrin zbulesë për përgjegjësitë e veta.

“Jezusi … vendosi në kishë së pari Apostuj dhe së dyti profetë, për veprën e shërbimit, përsosjen e shenjtorëve etj.; … rregulli i madh i qiellit [është] që asgjë nuk duhet bërë ndonjëherë në tokë pa ua treguar sekretin shërbëtorëve të tij, profetëve, sipas Amosit 3:7.”11

Në shtator 1830, Jozef dhe Ema Smithi u zhvendosën nga Harmonia e Pensilvanisë, për në Fajetë të Nju-Jorkut. Kur mbërritën, ata zbuluan që disa shenjtorë po mashtroheshin nga pretendime për zbulesa të rreme: “Për hidhërimin tonë të madh, … shpejt zbuluam që Satani kishte ndenjur në pritje për të mashtruar dhe duke kërkuar se cilin mund të përlante. Vëllai Hiram Pejxh kishte në zotërimin e tij njëfarë guri, me anë të të cilit ai kishte marrë disa ‘zbulesa’ në lidhje me ndërtimin e Sionit, rendin e Kishës etj., të cilat që të gjitha ishin tërësisht ndryshe nga rendi i shtëpisë së Perëndisë, siç parashtrohej në Dhiatën e Re, gjithashtu edhe në zbulesat tona të mëvonshme. Meqenëse një mbledhje konference ishte caktuar për ditën e 26 të shtatorit, mendova se ishte mençuri të mos bëja më shumë se të bisedoja me vëllezërit për këtë temë, derisa konferenca të mblidhej. Duke zbuluar, megjithatë, që shumë vetë, veçanërisht familja Uitmer dhe Oliver Kaudri, po besonin shumë në gjërat e paraqitura nga ky gur, ne menduam se ishte më mirë të kërkonim nga Zoti në lidhje me një çështje kaq të rëndësishme; dhe përpara se konferenca të mblidhej, ne morëm sa vijon:

Zbulesë drejtuar Oliver Kaudrit, dhënë në Fajetë të Nju-Jorkut, në shtator 1830.

‘ … Vër re, në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them, askush nuk do të caktohet të marrë urdhërime dhe zbulesa në këtë kishë përveç shërbëtorit tim Joseph Smith i Riu, sepse ai i merr ato, sikurse edhe Moisiu. Dhe ti duhet t’u bindesh këtyre gjërave që unë i jap atij. …

Dhe ti nuk do ta urdhërosh atë që është kreu yt dhe në krye të kishës; sepse unë i kam dhënë atij çelësat e mistereve dhe zbulesat që janë vulosur, derisa unë do t’u caktoj atyre një tjetër në vend të tij. …

Dhe përsëri, ti duhet ta marrësh vëllanë tënd, Hiram Page-n, vetëm për vetëm, dhe thuaji atij se ato gjëra që i ka shkruar nga ai gur, nuk janë prej meje dhe se Satani e mashtroi atë; sepse, vër re, këto gjëra nuk i janë caktuar atij, as nuk do t’i caktohet ndonjë gjë ndonjërit prej kësaj kishe në kundërshtim me besëlidhjet e kishës.

Pasi të gjitha gjërat duhet të bëhen me rregull dhe me miratimin e përbashkët në kishë, me anë të lutjes së besimit.’ [DeB 28:2–3, 6–7, 11–13.] …

Së fundi konferenca jonë u mblodh. U diskutua tema e gurit të përmendur më parë dhe, pas një shqyrtimi mjaft të madh, Vëllai Pejxh, si dhe të gjithë anëtarët e Kishës që qenë të pranishëm, hoqën dorë nga guri në fjalë dhe gjithë gjërat e lidhura me të, për kënaqësinë dhe lumturinë tonë të madhe të përbashkët.”12

“Presidentët apo Presidenca [e Parë] janë mbi Kishën; dhe zbulesat e mendjes dhe vullnetit të Perëndisë për Kishën, duhet të vijnë nëpërmjet Presidencës. Ky është rendi i qiellit dhe fuqia e privilegji i Priftërisë [Melkizedeke]. Është gjithashtu privilegji i çdo drejtuesi në këtë Kishë të marrë zbulesa, për aq sa ato lidhen me thirrjen dhe detyrën e tij të veçantë në Kishë.”13

“Ne nuk e quajmë veten të detyruar për të marrë ndonjë zbulesë prej cilitdo burri ose gruaje që nuk është zyrtarisht i/e caktuar dhe shuguruar në atë autoritet dhe pa dhënë provë të mjaftueshme për atë shugurim.

… Është në kundërshtim me rendin e Perëndisë që ndonjë anëtar i Kishës, ose cilido, të marrë udhëzime për ata që janë në autoritet, më të lartë se vetja; prandaj ju do ta shihni papërshtatshmërinë për t’ua vënë veshin atyre; por, nëse ndonjë person ka një vegim ose një vizitë nga një lajmëtar qiellor, kjo duhet të jetë për dobinë dhe udhëzimin e vet; sepse parimet themelore, qeverisja dhe doktrina e Kishës kontrollohen nga çelësat e mbretërisë.”14

Presidenti i Kishës na përçon neve fjalën e Perëndisë për kohën dhe brezin tonë.

Hiber C. Kimball, ndërsa shërbente si këshilltar për Presidentin Brigam Jang, raportoi: “Vëllai Jozef Smith, më se njëherë na tha Vëllait Brigam dhe mua, si dhe të tjerëve, që ai ishte një përfaqësues i Perëndisë për ne, për të na mësuar dhe drejtuar ne dhe për të qortuar bërësit e gabimeve”15.

Uillford Udraf, Presidenti i katërt i Kishës, raportoi: “Do t’i referohem njëfarë takimi ku mora pjesë në qytetin e Kirtlandit në fillimet e mia. Në atë mbledhje u bënë disa vërejtje … në lidhje me orakujt e gjallë dhe në lidhje me fjalën e shkruar të Perëndisë. … Një udhëheqës në Kishë u ngrit, diskutoi mbi këtë temë dhe tha: ‘Ju e keni fjalën e Perëndisë përpara jush këtu në Bibël, Librin e Mormonit dhe Doktrinën e Besëlidhjet; ju keni fjalën e shkruar të Perëndisë, dhe ju që jepni zbulesa duhet t’i jepni zbulesat sipas këtyre librave, pasi ajo që është shkruar në këta libra është fjala e Perëndisë. Ne duhet ta kufizojmë veten tek këta.’

Kur përfundoi ai, Vëllai Jozef u kthye nga Vëllai Brigam Jang dhe tha: ‘Vëllai Brigam, unë dua që të dalësh në foltore dhe të na thuash pikëpamjen tënde në lidhje me orakujt e gjallë dhe fjalën e shkruar të Perëndisë’. Vëllai Brigam shkoi në foltore dhe mori Biblën, dhe e la; ai mori Librin e Mormonit, dhe e la; dhe mori Librin e Doktrinës e Besëlidhjeve, dhe e la para tij, dhe tha: ‘Aty është fjala e shkruar e Perëndisë për ne, në lidhje me veprën e Perëndisë që nga fillimi i botës, thuajse, deri në kohën tonë. Dhe tani’, tha ai, ‘kur krahasohen me orakujt [e gjallë] këta libra nuk janë asgjë për mua; këta libra nuk e përçojnë fjalën e Perëndisë drejtpërsëdrejti tek ne tani, ashtu si e bëjnë fjalët e një Profeti ose të një burri që mban Priftërinë e Shenjtë në kohën dhe brezin tonë. Unë më tepër do të doja të kisha orakujt e gjallë sesa gjithë shkrimet në libra.’ Ky qe drejtimi që ndoqi ai. Kur ai mbaroi, Vëllai Jozef i tha kongregacionit: ‘Vëllai Brigam ju ka thënë fjalën e Zotit dhe ai ju ka thënë të vërtetën’.”16

Brigam Jang, Presidenti i dytë i Kishës, kujtoi: “Shumë vite më parë Profeti Jozef vërejti që, nëse njerëzit do të kishin marrë zbulesat që ai kishte në zotërim dhe do të kishin vepruar me mençuri sipas tyre, si të kishte urdhëruar Zoti, ata do të kishin qenë shumë më të përparuar në aftësinë për të vepruar dhe kuptuar sesa ishin realisht”17.

Ne i mbështesim Presidentin e Kishës dhe udhëheqës të tjerë të Kishës duke u lutur për ta dhe duke zbatuar këshillën e tyre.

Jozef Smithi raportoi se ndodhi sa vijon gjatë përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit më 27 mars 1836: “Pastaj unë mbajta një fjalim të shkurtër dhe u bëra thirrje kuorumeve të ndryshme dhe gjithë kongregacionit të shenjtorëve, që të pranonin Presidencën [e Parë] si Profetë e Shikues dhe t’i mbështetnin ata me anë të lutjeve të tyre. Ata të gjithë u besëlidhën ta bënin këtë, duke u ngritur.

Pastaj unë u bëra thirrje kuorumeve dhe kongregacionit të shenjtorëve që të pranonin të Dymbëdhjetë Apostujt, që qenë të pranishëm, si Profetë, Shikues, Zbulues dhe dëshmitarë të veçantë për të gjitha kombet e tokës, që mbajnë çelësat e mbretërisë, për ta shkyçur atë, ose për të bërë që kjo të kryhet, ndër ta, dhe që t’i mbështetnin ata me anë të lutjeve të tyre, gjë të cilën e miratuan duke u ngritur.

Pastaj u bëra thirrje kuorumeve dhe kongregacionit të shenjtorëve, që të pranonin presidentët e të Shtatëdhjetëve … dhe t’i mbështetnin ata me anë të lutjeve të tyre, gjë të cilën e bënë duke u ngritur. …

Votimi qe unanim në çdo rast dhe unë u profetizova të gjithëve, që për aq sa ata do të mbështetnin këta burra në pozicionet e tyre të ndryshme, … Zoti do t’i bekonte ata; po, në emrin e Krishtit, bekimet e qiellit do të ishin të tyret.”18

“Ashtu si ata që mbajtën duart e Moisiut [shih Eksodi 17:8–13], po ashtu dhe ne, le të mbajmë duart e atyre që janë caktuar të drejtojnë punët e Mbretërisë, që ata të mund të forcohen dhe të jenë në gjendje të ndjekin synimet e tyre të mëdha dhe të jenë të dobishëm për kryerjen e veprës së madhe të ditëve të fundit.”19

“Tani që njerëzit t’i bëjnë gjërat, thjesht sepse janë këshilluar t’i bëjnë ato, dhe përsëri të mërmëritin gjatë gjithë kohës që po i bëjnë, nuk ka fare vlerë; fare mirë ata mund të mos i bëjnë. Ka nga ata që pretendojnë se janë shenjtorë, që janë tepër të prirur të mërmëritin dhe të gjejnë gabime kur jepet ndonjë këshillë që bie në kundërshtim me ndjenjat e tyre, edhe kur ata vetë e kërkojnë këshillën; aq më tepër kur këshilla jepet e pakërkuar, e cila nuk përputhet me idenë e tyre të gjërave; por vëllezër, ne shpresojmë për gjëra më të mira nga shumica prej jush; ne besojmë se ju dëshironi këshillë, herë pas here, dhe se ju me gëzim do të pajtoheni me të, kurdoherë që e merrni nga një burim i përshtatshëm.”20

Eliza R. Snou shënoi: “[Jozef Smithi] tha, nëse Perëndia e ka caktuar atë dhe e ka zgjedhur si një vegël për të udhëhequr Kishën, përse të mos e lërë të udhëheqë deri në fund? Përse të pengohet kur ai është caktuar të bëjë një gjë? Cili e di mendjen e Perëndisë? A nuk i zbulon Ai gjërat ndryshe nga ç’e presim ne? [Profeti] vërejti se ai vazhdimisht po kapërcente, edhe pse gjithçka rëndonte mbi të, duke e penguar e duke e kundërshtuar; me gjithë këtë kundërshtim, ai gjithmonë ia del siç duhet në fund.…

Ai qortoi ata që qenë të gatshëm të gjenin gabime në drejtimin e punëve të Kishës, duke thënë se Perëndia e kishte thirrur të udhëhiqte Kishën, dhe se ai do ta udhëhiqte siç duhet; ata që marrin përsipër të ndërhyjnë do të turpërohen kur të bëhet e dukshme sjellja e tyre e pa mend.”21

Ata që kundërshtojnë profetin e gjallë nuk do të përparojnë dhe do të sjellin mbi vete gjykimet e Perëndisë.

“Pavarësisht se, në kuptimin e plotë të fjalës, e gjithë dija vjen nga Perëndia, përsëri kur ajo është zbuluar, të gjithë njerëzit nuk e kanë besuar atë si zbulesë në kohën kur u është dhënë. …

Noeu qe një burrë i përsosur dhe dijenia ose zbulesa e tij për atë që do të ndodhte mbi tokë i dha atij fuqi që të përgatitej dhe të shpëtonte veten dhe familjen nga shkatërrimi prej përmbytjes. Kjo dijeni, ose zbulesë … nuk u besua nga banorët e tokës. Ata e dinin se Adami ishte njeriu i parë, krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; se ai qe njeri i mirë; se Enoku eci me Perëndinë treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe u transferua në qiell pa e shijuar vdekjen. Por ata nuk mund ta duronin zbulesën e re: ‘Të vjetrat i besojmë sepse e bënë etërit tanë, por tutje zbulesat e reja’. Dhe përmbytja i fshiu ata. …

I njëjti parim … u shfaq dukshëm midis hebrenjve kur Shpëtimtari erdhi në mish. [Ata] krenoheshin me zbulesat e vjetra, zbukuronin varret e të vdekurve, jepnin të dhjetën e mendrës dhe koprës, bënin lutje të gjata për t’u shtirur dhe kapërcyen detin e tokën për të fituar të kthyer, por përsëri, kur zbulesa e re erdhi e freskët nga vetë goja e të madhit Unë Jam, ata nuk mundën ta duronin atë – ishte e tepërt. Ajo [zbulesa] tregoi prishjen e atij brezi, si dhe të tjerëve më parë, dhe ata bërtitën: ‘Largoje, kryqëzoje!’ …

Edhe një herë, e njëjta rrjedhë dhe gjuhë u përdor kur i erdhi Libri i Mormonit këtij brezi. ‘Zbulesa e vjetër, patriarkët, pelegrinët dhe apostujt e lashtë, qenë të bekuar. Ne besojmë tek ata, por me të rinjtë nuk mund të pajtohemi.’”22

“Bota gjithmonë i mori gabimisht profetët e rremë për të vërtetë dhe ata që u dërguan nga Perëndia i konsideruan profetë të rremë, dhe prandaj i vranë, i goditën me gurë, i dënuan dhe i burgosën profetët e vërtetë, dhe atyre iu desh të fshiheshin ‘nëpër shkretëtira, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut’ [shih Hebrenjve 11:38], dhe megjithëse qenë burrat më të nderuar të tokës, ata i dëbuan nga shoqëria e tyre si endacakë, ndërkohë që i deshën fort, i nderuan dhe i mbështetën batakçinjtë, vagabondët, hipokritët, mashtruesit dhe të keqin e të këqijve.”23

“Nuk kam as idenë më të vogël, nëse Krishti do të vinte në tokë dhe do të predikonte gjëra kaq të ashpra sa u predikoi hebrenjve, përveç që ky brez nuk do ta pranonte Atë meqenëse ishte kaq i ashpër. … Shumë njerëz do të thoshin: ‘Unë kurrë nuk do të braktis ty, por do të qëndroj pranë teje në të gjitha kohërat’. Por në çastin kur ti u mëson atyre disa nga misteret e mbretërisë së Perëndisë që mbahen në qiej dhe u zbulohen fëmijëve të njerëzve kur ata janë përgatitur për to, ata do të jenë të parët që do të të qëllojnë me gurë dhe do të të vrasin. Ishte i njëjti parim që kryqëzoi Zotin Jezu Krisht dhe do të bëjë që njerëzit të vrasin profetët në këtë brez.

Shumë gjëra janë [të pashpjegueshme] për fëmijët e njerëzve në ditët e fundit: për shembull, që Perëndia do të ngrejë të vdekurit; [ata harrojnë] që gjërat janë fshehur që përpara themelimit të botës, që do t’u zbulohen foshnjave në ditët e fundit.

Gjithashtu, ka shumë burra dhe gra të mençura në mesin tonë që janë tepër të mençur për të marrë mësim; prandaj ata duhet të vdesin në paditurinë e tyre dhe në ringjallje ata do ta kuptojnë gabimin e tyre. Shumë e mbyllin derën e qiellit duke thënë: ‘Për aq sa Perëndia do të zbulojë deri në këtë pikë, unë do të besoj’. …

Ka ndodhur gjithmonë që, kur një burrë është dërguar nga Perëndia me priftërinë dhe ai ka filluar të predikojë plotësinë e ungjillit, ai është flakur tej nga miqtë e tij, që janë gati ta therin nëse ai u mëson gjëra që ata i parafytyrojnë si të gabuara; dhe Jezusin e kryqëzuan sipas këtij parimi.”24

“Mjerë, mjerë ai njeri, ose grup njerëzish, që ngrenë dorën kundër Perëndisë dhe dëshmitarit të Tij në këto ditë të fundit: sepse ata thuajse mashtrojnë vetë të zgjedhurit!

… Kur një njeri shkon duke profetizuar dhe i urdhëron njerëzit t’u binden mësimeve të tij, ai duhet të jetë ose një profet i vërtetë, ose i rremë. Profetët e rremë gjithmonë ngrihen për të kundërshtuar profetët e vërtetë dhe ata do të profetizojnë aq afër të vërtetës sa thuajse do të mashtrojnë vetë të zgjedhurit.”25

“Si pasojë e mospranimit të Ungjillit të Jezu Krishtit dhe të Profetëve që Perëndia ka dërguar, gjykimet e Perëndisë kanë qëndruar mbi njerëz, qytete dhe kombe, në periudha të ndryshme të botës, siç qe rasti me qytetet e Sodomës dhe të Gomorës, që u shkatërruan sepse nuk pranuan Profetët.”26

Uilliam P. Mek-Intajër raportoi: “[Jozef Smithi] profetizoi se gjithë ata që i morën si të parëndësishme zbulesat që u dhanë, dhe atë dhe fjalët e tij, shpejt do të qanin e do të vajtonin, … duke thënë: ‘Ah, sikur t’ua kishim vënë veshin fjalëve të Perëndisë dhe zbulesave të dhëna’.”27

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni rrëfimet në faqet 201–202, duke vënë re se si u ndien anëtarët e hershëm të Kishës për zbulesat e marra nëpërmjet Jozef Smithit. Cilat janë ndjenjat tuaja për Doktrinën e Besëlidhjet?

  • Lexoni paragrafin e katërt në faqen 204. Si mendoni ju, përse “shpëtimi nuk mund të vijë pa zbulesë”?

  • Rishihni faqet 205–206. Si mendoni ju, përse nganjëherë njerëzit e lënë veten të mashtrohen, si në ndodhinë për Hiram Pejxhin? Çfarë mund të bëjmë që të shmangim mashtrimin nga profetë të rremë ose mësime të rreme?

  • Rishihni paragrafin e fundit në faqen 206 dhe dy paragrafët e parë në faqen 207. Si përfitojmë ne ngaqë kemi vetëm një burrë që mund të marrë zbulesa për të gjithë Kishën? Çfarë përvojash mund të ndani në të cilat Zoti ju ka udhëhequr në përgjegjësitë tuaja të veçanta?

  • Në faqet 207–208, lexoni se si u përgjigjën Jozef Smithi dhe Brigam Jangu kur një burrë tha se ne duhet të kufizohemi tek zbulesat e shkruara në shkrimet e shenjta. Çfarë do të mungonte në jetën tuaj nëse do ta kufizonit veten tek veprat standarde, pa dëgjuar fjalët e profetit të gjallë? Çfarë mund të bëjmë që të ndjekim shpirtin e këshillës së Brigam Jangut?

  • Çfarë mund të bëjmë ne për të mbështetur Presidentin e Kishës dhe udhëheqës të tjerë të Kishës? (Për disa shembuj, shih faqet 208–210.) Çfarë këshille dha Presidenti i Kishës në konferencën e përgjithshme të shkuar? Në çfarë mënyrash jeni bekuar ju kur keni ndjekur profetin dhe udhëheqës të tjerë të Kishës?

  • Cilat janë disa mënyra se si njerëzit nuk pranojnë profetët e Perëndisë? (Për disa shembuj, shih faqet 210–212.) Cilat janë disa pasoja të mundshme të zgjedhjes që të mos ndjekim këshillën e atyre që ka zgjedhur Zoti për të udhëhequr Kishën e Tij?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Fjalët e Urta 29:18; Jakobi 4:8; 3 Nefi 28:34; Mormoni 9:7–9; DeB 21:1–6

Shënime

  1. Parley P. Pratt, Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. (1938), f. 62; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  2. “The Conference Minutes and Record Book of Christ’s Church of Latter Day Saints 1838–1839; 1844”, shënim për datën 2 nëntor 1831, f. 16, raportuar nga John Whitmer, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah. Ky libër raportesh përmban raporte nga viti 1830 deri në vitin 1844.

  3. History of the Church, 1:235; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 172–173, Arkivat e Kishës.

  4. Nenet e Besimit 1:9.

  5. History of the Church, 5:344; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 8 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe William Clayton.

  6. History of the Church, 6:252; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 10 mars 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  7. History of the Church, 3:389–390; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i rreth korrikut 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  8. History of the Church, 5:258; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 22 janar 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  9. History of the Church, 6:9; nga Joseph Smith, “Latter Day Saints”, në I. Daniel Rupp, përmb., He Pasa Ekklesia [The Whole Church]: An Original History of the Religious Denominations at Present Existing in the United States (1844), f. 404.

  10. History of the Church, 2:52; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga protokolli i një konference të Kishës mbajtur më 21 prill 1834, në Norton, Ohio; raportuar nga Oliver Cowdery.

  11. “Baptism”, një kryeartikull i botuar në Times and Seasons, 1 shtator 1842, f. 905; është modernizuar gramatika; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  12. History of the Church, 1:109–111, 115; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 53–55, 58, Arkivat e Kishës; data e mbërritjes së Joseph-it dhe Emma-s në Fayette, pasaktësisht jepet si gusht 1830 në History of the Church.

  13. History of the Church, 2:477; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 6 prill 1837, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Messenger and Advocate, prill 1837, f. 487.

  14. History of the Church, 1:338; nga një letër e Joseph Smith dhe Frederick G. Williams drejtuar John S. Carter, 13 prill 1833, Kirtland, Ohio.

  15. Heber C. Kimball, Deseret News, 5 nëntor 1856, f. 274.

  16. Wilford Woodruff, në Conference Report, tetor 1897, f. 22–23; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  17. Brigham Young, Deseret News, 9 dhjetor 1857, f. 316.

  18. History of the Church, 2:417–418; nga një shënim ditari i Joseph Smithit, 27 mars 1836, Kirtland, Ohio; shih gjithashtu Messenger and Advocate, mars 1836, f. 277.

  19. History of the Church, 4:186; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë drejtuar shenjtorëve, shtator 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, tetor 1840, f. 178.

  20. History of the Church, 4:45, shënim në fund të faqes; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshillit të lartë drejtuar shenjtorëve që jetonin në perëndim të Kirtland-it, Ohio, 8 dhjetor 1839, Commerce, Illinois, botuar në Times and Seasons, dhjetor 1839, f. 29.

  21. History of the Church, 4:603–604; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  22. “Knowledge Is Power”, një kryeartikull i botuar në Times and Seasons, 15 gusht 1842, f. 889–890; është modernizuar drejtshkrimi, përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika; janë fshirë germat e pjerrëta; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  23. History of the Church, 4:574; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga “Try the Spirits”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 1 prill 1842, f. 744; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  24. History of the Church, 5:423–425; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; është ndryshuar ndarja në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 11 qershor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  25. History of the Church, 6:364; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  26. History of the Church, 5:256–257; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 22 janar 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  27. William P. McIntire, raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith-i nga fillimi i vitit 1841 në Nauvoo, Illinois; William Patterson McIntire, Notebook 1840–1845, Arkivat e Kishës.

Joseph receiving revelation

Kur Profeti Jozef Smith mori zbulesa, shpesh ai qe në praninë e udhëheqësve të tjerë të Kishës, me dikë që regjistronte fjalët e tij ashtu si ai i mori nga Zoti.

Heber C. Kimball

Hiber C. Kimball

Noah preaching

“Noeu qe një burrë i përsosur dhe dijenia ose zbulesa e tij për atë që do të ndodhte mbi tokë … nuk u besua nga banorët e tokës.”