Mësime të Presidentëve
Kapitulli 22: Fitimi i Diturisë për të Vërtetat e Përjetshme


Kapitulli 22

Fitimi i Diturisë për të Vërtetat e Përjetshme

“Është e pamundur për një njeri të shpëtohet në padituri.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Profetit Jozef Smith “i pëlqente shumë të mësonte” shkroi Xhorxh Q. Kanon. “Ai e donte diturinë për fuqinë që rrjedh nga përdorimi i drejtë i saj. Përmes vuajtjeve që e kishin rrethuar atë që nga dita kur i bëri së pari të ditur një bote mosbesuese lidhjen e tij me qiejt, ai gjithmonë përparonte në përvetësimin e inteligjencës. Zoti e kishte urdhëruar atë të studionte dhe ai po bindej. … Mendja e tij, e nxitur nga Shpirti i Shenjtë, i rrokte me gatishmëri gjithë parimet e vërteta dhe, një e nga një, ai i zotëroi këto degë të diturisë dhe u bë mësues në to.”1

Në vitin 1833, Profeti dhe një grup i shenjtorëve të Kirtlandit patën një mundësi unike për të studiuar ungjillin. Në janar të atij viti, në përputhje me urdhrin e Zotit (shih DeB 88:127–141), Profeti organizoi shkollën e profetëve për t’i mësuar mbajtësit e priftërisë për punën e tyre në shërbesë dhe për t’i përgatitur ata që të predikonin ungjillin. Shkolla u mbajt në një dhomë në kat të dytë në dyqanin e Njuël K. Uitnit, ku jetonte Profeti. Morën pjesë rreth 25 vëllezër, disa udhëtonin qindra kilometra për të pasur privilegjin që të studionin ungjillin në një dhomë me përmasa jo më të mëdha se 3,35 me 4,27 metra. Shumë nga këta burra më vonë u bënë Apostuj, të Shtatëdhjetë dhe udhëheqës të tjerë të Kishës. Ndonëse Profeti dhe vëllezërit e tjerë me raste studiuan gjuhë, ata u përqendruan së pari në mësimin e doktrinave të ungjillit, duke vazhduar me zell studimet e tyre nga mëngjesi herët deri pasdite vonë. Kjo shkollë zgjati katër muaj dhe shkolla të ngjashme u mbajtën më vonë në Kirtland dhe gjithashtu në Misuri, në të cilat morën pjesë qindra njerëz.

Në mbledhjen e shkollës që u mbajt më 27 shkurt 1833, Profeti mori një zbulesë të rëndësishme. Në ditët e hershme të Kishës, përdorimi i alkoolit, duhanit, kafesë dhe çajit ishte i zakonshëm në shoqëri dhe midis anëtarëve të Kishës. Ndërsa Profeti shihte vëllezërit që përdornin duhan në shkollë, ai u shqetësua. Brigam Jangu kujtoi: “Kur ata mblidheshin së bashku në këtë dhomë pas mëngjesit, gjëja e parë që bënin ishte të ndiznin llullat dhe ndërkohë që pinin duhan, flisnin për gjërat e mëdha të mbretërisë…. Shpesh kur Profeti hynte në dhomë për të dhënë udhëzime për shkollën, ai e gjente veten në një re tymi duhani. Kjo dhe ankimet e bashkëshortes së tij, së cilës i duhej të pastronte një dysheme kaq të pistë [nga përtypja e duhanit], e bënë Profetin të mendonte për këtë çështje dhe ai i kërkoi Zotit në lidhje me sjelljen e pleqve për përdorimin e duhanit dhe zbulesa e njohur si Fjala e Urtësisë ishte rezultati i kërkesës së tij.”2

Miliona njerëz e kanë ndjekur këshillën e kësaj zbulese dhe kanë marrë bekime trupore dhe shpirtërore, përfshirë “urtësi dhe thesare të mëdha diturie” që u premtohen atyre që ecin me bindje ndaj urdhërimeve të Perëndisë (DeB 89:19).

Thesare të diturisë shpirtërore u derdhën mbi vëllezërit që merrnin pjesë në Shkollën e Profetëve dhe ata bënë përparime të mëdha në kuptimin e tyre për ungjillin. Në mbledhjen e shkollës që u mbajt më 18 mars 1833, Sidni Rigdon dhe Frederik G. Uilliams u veçuan si këshilltarët e Profetit në Presidencën e Parë. Pastaj, Profeti “i nxiti vëllezërit për besnikëri dhe zell në mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë dhe dha shumë udhëzim për përfitimin e shenjtorëve, me premtimin se të pastrit në zemër do të shihnin një vegim qiellor; dhe pasi ndenji për një kohë të shkurtër në një lutje pa zë, premtimi u vërtetua; pasi shumë prej të pranishmëve iu hapën sytë e të kuptuarit të tyre nga Shpirti i Perëndisë, që të mund të shihnin shumë gjëra…. Shumë nga vëllezërit panë një vegim qiellor të Shpëtimtarit dhe një mori të panumërt engjëjsh, dhe shumë gjëra të tjera”3.

Profeti shpjegoi: “Përmbushje dhe gëzim i madh shfaqeshin vazhdimisht në paraqitjen e Shkollës së Profetëve dhe të shenjtorëve, për shkak të gjërave të zbuluara dhe përparimit tonë në diturinë e Perëndisë”4.

Mësime të Jozef Smithit

Ungjilli i Jezu Krishtit përmban gjithë të vërtetën; besnikët pranojnë të vërtetat që ka zbuluar Perëndia dhe lënë mënjanë traditat e rreme.

“Mormonizmi është e vërtetë; dhe çdo njeri që e përqafon atë e ndien veten të lirë të përqafojë çdo të vërtetë: si rrjedhim vargonjtë e paragjykimit, fanatizmit, paditurisë dhe intrigës së priftërinjve, bien menjëherë nga qafa e tij; dhe sytë e tij hapen për të parë të vërtetën dhe e vërteta triumfon shumë mbi intrigën e priftërinjve. …

… Mormonizmi është e vërtetë, me fjalë të tjera, doktrina e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme është e vërtetë. … Parimi i parë dhe themelor i fesë sonë të shenjtë është që besojmë se ne kemi të drejtë të përqafojmë të tërën dhe çdo pjesë të së vërtetës, pa kufizim ose pa u ngushtuar apo ndaluar nga kredot apo idetë paragjykuese të njerëzve, ose nga mbizotërimet e njëri-tjetrit, kur ajo e vërtetë paraqitet qartë në mendjet tona dhe ne kemi shkallën më të lartë të provës së saj.”5

Në janar 1843, Jozef Smithi pati një bisedë me disa njerëz që nuk ishin anëtarë të Kishës: “Unë deklarova se dallimi më i spikatur në mendim midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe sektarëve ishte që këta të fundit të gjithë ngushtoheshin nga ndonjë kredo e veçantë, e cila u hiqte anëtarëve të saj privilegjin që të besonin ndonjë gjë që nuk përmbahej atje, ndërsa shenjtorët e ditëve të mëvonshme … janë gati të besojnë gjithë parimet e vërteta që ekzistojnë, kur ato shfaqen herë pas here”6.

“Unë nuk mund t’i besoj asnjërës prej kredove të feve të ndryshme, sepse të gjitha ato kanë diçka në to të cilën unë nuk mund ta pranoj, ndonëse të gjitha ato kanë diçka të vërtetë. Unë dua të ngjitem në praninë e Perëndisë dhe të mësoj të gjitha gjërat; por kredot ngrenë hunj [caqe] dhe thonë: ‘Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje’ [Jobi 38:11]; të cilën unë nuk mund ta pranoj.”7

“Unë ju them të gjithëve atyre që janë të prirur të ngrenë hunj për të Plotfuqishmin: ‘Ju nuk do t’ia dilni të arrini lavdinë e Perëndisë. Për t’u bërë një bashkëtrashëgimtar i trashëgimisë së Birit, gjithkush duhet të lërë mënjanë gjithë traditat e tij të rreme.’”8

“Gjëja e madhe që duhet të dimë ne është të kuptojmë se çfarë krijoi Perëndia përpara themelimit të botës. Cili e di atë? Nxitja e brendshme e njerëzimit është të ngrejë hunj dhe të vendosë kufij për punët dhe mënyrat e të Plotfuqishmit. … Ajo që ka qenë fshehur që përpara themelimit të botës, iu zbulohet foshnjave dhe të vegjëlve në ditët e fundit [shih DeB 128:18].”9

“Kur njerëzit e hapin gojën kundër [së vërtetës] ata nuk më dëmtojnë mua, por dëmtojnë vetveten. … Kur gjërat që kanë rëndësinë më të madhe lihen mënjanë nga njerëz mendje-shkurtër madje pa e menduar fare, unë dua të shoh të vërtetën, gjithë pasojat e saj të vendosura dhe ta përqafoj në kraharorin tim. Unë besoj gjithçka që ka zbuluar Perëndia kurdoherë dhe kurrë nuk kam dëgjuar që një njeri të dënohet sepse ka besuar tepër; por ata janë dënuar sepse nuk kanë besuar.”10

“Kur Perëndia i ofron një bekim apo dituri një njeriu dhe ai kundërshton ta marrë atë, ai do të dënohet. Izraelitët u lutën që Perëndia t’i fliste Moisiut dhe jo atyre; si pasojë e së cilës ai i mallkoi ata me ligjin e urdhërimeve të mishit.”11

“Unë gjithmonë kam pasur kënaqësinë të shoh të vërtetën të triumfojë mbi gabimin dhe errësirën të sprapset para dritës.”12

Fitimi i diturisë për të vërtetat e përjetshme është thelbësor për të marrë shpëtim.

“Dituria është e nevojshme për jetën dhe perëndishmërinë. Mjerë ju priftërinj dhe klerikë që predikoni se dituria nuk është e nevojshme për jetën dhe shpëtimin. Hiqini Apostujt etj., hiqni diturinë dhe ju do ta gjeni veten të denjë për dënimin e ferrit. Dituria është zbulesë. Dëgjoni, të gjithë ju vëllezër, këtë çelës të madhërishëm: dituria është fuqia e Perëndisë për shpëtimin.”13

“Dituria i heq errësirën, pasigurinë dhe dyshimin; sepse këto nuk mund të ekzistojnë aty ku është dituria. … Në diturinë ka fuqi. Perëndia ka më shumë fuqi se gjithë qeniet e tjera, sepse Ai ka dituri më të madhe; dhe prandaj Ai di si t’i nënshtrojë gjithë qeniet e tjera ndaj Vetes. Ai ka fuqi mbi gjithçka.”14

“Për aq sa zvetënohemi prej Perëndisë, ne zbresim tek djalli dhe humbasim dituri dhe pa dituri ne nuk mund të shpëtohemi, dhe ndërkohë që zemrat tona mbushen me të ligën, dhe ne studiojmë të ligën, në zemrat tona nuk ka vend për të mirën, ose për të studiuar të mirën. A nuk është Perëndia i mirë? Atëherë dhe ju të jeni të mirë; nëse Ai është besnik, atëherë dhe ju të jeni besnikë. T’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë, dhe kërkoni çdo gjë të mirë [shih 2 Pjetri 1:5].

… Është e pamundur për një njeri të shpëtohet në padituri, sepse nëse ai nuk merr dituri, ai do të merret në robëri nga ndonjë fuqi e ligë në botën tjetër, pasi shpirtrat e ligj do të kenë më shumë dituri dhe si pasojë më shumë fuqi se shumë njerëz që janë në tokë. Prandaj është e nevojshme zbulesa për të na ndihmuar dhe për të na dhënë dituri për gjërat e Perëndisë.”15

Jozef Smithi dha mësim sa vijon në prill 1843, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 130:18–19: “Çfarëdo parimi inteligjence që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihet me ne në ringjallje. Dhe në qoftë se një njeri fiton më shumë dije dhe inteligjencë në këtë jetë, nëpërmjet zellit dhe bindjes, sesa një tjetër, ai do të ketë po aq më shumë përparësi në botën që vjen.”16

Profeti Jozef Smith dha mësim sa vijon në maj 1843, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 131:6: “Është e pamundur për një njeri të shpëtohet në padituri”17.

Ne pajisemi me dituri për të vërtetat e përjetshme përmes studimit dhe lutjes së zellshme.

Xhorxh A. Smith, ndërsa shërbente në Presidencën e Parë, raportoi: “Jozef Smithi dha mësim se çdo burrë dhe grua duhet t’i kërkojë Zotit urtësi, që ata të mund të marrin dituri prej Tij që është burimi i diturisë; dhe premtimet e ungjillit, siç është zbuluar, na lejojnë të besojmë se, duke ndjekur këtë drejtim, ne do ta arrijmë qëllimin e kërkimit tonë, diturinë”18.

Profeti Jozef Smith i shkroi sa më poshtë një burri që ishte bashkuar kohët e fundit me Kishën: “Juve ju kujtohet dëshmia që dhashë në emrin e Zotit Jezus, në lidhje me veprën e madhe që ka sjellë Ai në ditët e fundit. Ju e njihni mënyrën time të komunikimit, se si me dobësi dhe thjeshtësi, unë ju deklarova juve atë që më ka sjellë Zoti, me anë të shërbesës së engjëjve të Tij të shenjtë, për këtë brez. Unë lutem që Zoti t’jua bëjë të mundur t’i ruani këto gjëra si thesar në mendjen tuaj, sepse unë e di që Shpirti i Tij do t’u japë dëshmi të gjithë atyre që kërkojnë me zell dituri prej Tij.”19

Profeti Jozef Smith i shkroi sa më poshtë një burri që dëshironte të mësonte më shumë për Kishën: “Studioni Biblën dhe sa më shumë prej librave tanë që mund të gjeni; lutjuni Atit në emrin e Jezu Krishtit, kini besim në premtimet që iu bënë etërve dhe mendja juaj do të udhëhiqet drejt së vërtetës”20.

“Gjërat e Perëndisë kanë rëndësi të madhe; dhe koha e përvoja si dhe mendimet e kujdesshme e përsiatëse dhe solemne munden veç t’i gjejnë ato. Mendja jote, or njeri, nëse ti do të udhëheqësh një shpirt në shpëtim, duhet të shtrihet aq lart sa qiejt më të lartë dhe të kërkojë e të sodisë humnerën më të errët dhe hapësirën e gjerë të përjetësisë – ti duhet të bashkëbisedosh me Perëndinë. Sa më shumë dinjitoze dhe fisnike janë mendimet e Perëndisë, sesa përfytyrimet e kota të zemrës njerëzore! …

… Ndershmëria, dhe vetëpërmbajtja, dhe çiltërsia, dhe solemniteti, dhe virtyti, dhe dëlirësia, dhe butësia, dhe thjeshtësia le të kurorëzojnë kokën tonë në çdo vend; dhe në fund, le të bëhemi si fëmijë të vegjël, pa ligësi, dredhi apo hipokrizi. Dhe tani, vëllezër, pas fatkeqësive tuaja, nëse ju i bëni këto gjëra dhe ushtroni gjithmonë lutje të zjarrtë e besim në sytë e Perëndisë, Ai do t’ju japë juve dituri me anë të Shpirtit të Tij të Shenjtë, po, me anë të dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë [shih DeB 121:26].”21

Ne e fitojmë diturinë për të vërtetat e përjetshme pak e nga pak; ne mund t’i mësojmë të gjitha gjërat aq shpejt sa jemi në gjendje t’i mbajmë ato.

“Nuk është e urtë që ne duhet të na paraqitet menjëherë e gjithë dituria para nesh; por ne duhet ta marrim pak e nga pak; atëherë ne mund ta kuptojmë atë.”22

“Kur ngjitni një shkallë, duhet të filloni nga fundi dhe të ngjiteni hap pas hapi derisa të arrini në majë; kështu është edhe me parimet e ungjillit – ju duhet të filloni në fillim dhe të vazhdoni derisa t’i mësoni të gjitha parimet e ekzaltimit. Por do të kalojë shumë kohë pasi të keni kaluar përtej velit [të keni vdekur] para se t’i mësoni ato. Jo çdo gjë kuptohet në këtë botë; do të duhet një punë e madhe për të mësuar mbi shpëtimin dhe ekzaltimin tonë madje edhe përtej varrit.”23

Jozef Smithi dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë iu dhanë udhëzimet e mëposhtme shenjtorëve që po mblidheshin në Navu: “Atyre që … mund të ndihmojnë në këtë punë madhështore, ne u themi, le të vijnë në këtë vend; duke e bërë këtë ata jo vetëm që do të ndihmojnë në përparimin e Mbretërisë, por do të jenë në një situatë ku mund të kenë përparësinë që të udhëzohen prej Presidencës dhe autoriteteve të tjera të Kishës, dhe të ngjiten lart e më lart në shkallën e inteligjencës derisa të mund ‘të [kuptojnë] me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta [njohin] dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri’. [Efesianëve 3:18–19.]”24

“Perëndia nuk i ka zbuluar Jozefit asgjë të cilën Ai nuk do t’ua bënte të njohur të Dymbëdhjetëve, e madje edhe shenjtori më i vogël mund t’i dijë të gjitha gjërat menjëherë sapo të jetë në gjendje që t’i durojë ato, pasi duhet të vijë dita kur asnjë njeri nuk do t’i thotë të afërmit të tij ‘Njihe Zotin’; sepse të gjithë do ta njohin Atë … që nga më i vogli e deri te më i madhi [shih Jeremia 31:34].”25

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Lexoni paragrafin e parë në faqen 281. Mendoni për zakone ose ide që mund “të [vendosin] kufij për punët dhe mënyrat e të Plotfuqishmit” në jetën tonë. Si mendoni ju, çfarë duhet të bëjmë ne që të përqafojmë gjithë të vërtetën që Zoti do të na japë?

  • Rishihni paragrafin e fundit të plotë të faqes 281. Kur ka ndodhur që dituria i ka nxjerrë jashtë jetës suaj errësirën dhe dyshimin? Si mendoni ju, përse fitimi i diturisë për të vërtetën është thelbësor për të marrë shpëtimin? (Për disa shembuj, shihni faqet 281–282.)

  • Prej mësimeve të Profetit Jozef, ne mund të shohim që Satani dëshiron që ne të humbasim dituri (faqet 281–282) dhe Zoti dëshiron të na japë dituri (faqet 282–284). Çfarë mund të mësojmë nga ky dallim i theksuar?

  • Çfarë mund të bëjmë që të rrisim diturinë tonë për të vërtetën? (Për disa shembuj, shihni faqet 277–279, 282–284.) Rishihni paragrafin e parë të faqes 284. Përzgjidhni disa nga karakteristikat e renditura në këtë paragraf. Si na përgatit secila prej këtyre karakteristikave që të marrim dituri?

  • Lexoni paragrafin e tretë në faqen 284. Çfarë mund të mësojmë nga krahasimi i mësimit të parimeve të ungjillit prej nesh me ngjitjen e një shkalle? Çfarë keni bërë ju që ta rritni vazhdimisht diturinë tuaj për ungjillin?

  • Cilat janë mendimet ose ndjenjat tuaja ndërsa meditoni paragrafin e fundit në këtë kapitull?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Fjalët e Urta 1:7; 1 Timoteut 2:3–4; 2 Nefi 28:29–31; Alma 5:45–47; DeB 88:118

Shënime

  1. George Q. Cannon, The Life of Joseph Smith, the Prophet (1888), f. 189.

  2. Brigham Young, Deseret News: Semi-Weekly, 25 shkurt 1868, f. 2; është modernizuar përdorimi i germës së madhe.

  3. History of the Church, 1:334–335; nga protokolli i një mbledhjeje të Shkollës së Profetëve mbajtur më 18 mars 1835, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Frederick G. Williams.

  4. History of the Church, 1:334; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 281, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  5. Letër nga Joseph Smith drejtuar Isaac Galland, 22 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri, botuar në Times and Seasons, shkurt 1840, f. 53–54; është modernizuar drejtshkrimi dhe gramatika.

  6. History of the Church, 5:215; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book D-1, f. 1433, Arkivat e Kishës.

  7. History of the Church, 6:57; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 15 tetor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  8. History of the Church, 5:554; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 27 gusht 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe William Clayton.

  9. History of the Church, 5:529–530; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 13 gusht 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  10. History of the Church, 6:477; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 16 qershor 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  11. History of the Church, 5:555; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 27 gusht 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe William Clayton.

  12. Letër nga Joseph Smith drejtuar Oliver Cowdery, 24 shtator 1834, Kirtland, Ohio, botuar në Evening and Morning Star, shtator 1834, f. 192.

  13. Cituar nga Martha Jane Knowlton Coray, që raporton për një fjalim të mbajtur nga Joseph Smith-i më 21 maj 1843, në Nauvoo, Illinois; Martha Jane Knowlton Coray, Notebook, Arkivat e Kishës.

  14. History of the Church, 5:340; është modernizuar përdorimi i germës së madhe; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 8 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe William Clayton.

  15. History of the Church, 4:588; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 10 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  16. Doktrina e Besëlidhje 130:18–19; udhëzime dhënë nga Joseph Smith-i më 2 prill 1843, në Ramus, Illinois.

  17. Doktrina e Besëlidhje 131:6; udhëzime dhënë nga Joseph Smith-i më 16 dhe 17 maj 1843, në Ramus, Illinois.

  18. George A. Smith, Deseret News: Semi-Weekly, 29 nëntor 1870, f. 2.

  19. History of the Church, 1:442; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Moses Nickerson, 19 nëntor 1833, Kirtland, Ohio.

  20. History of the Church, 6:459; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Washington Tucker, 12 qershor 1844, Nauvoo, Illinois.

  21. History of the Church, 3:295–296; është ndryshuar ndarja në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith-it dhe të tjerëve drejtuar Edward Partridge dhe Kishës, 20 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri; pjesë të kësaj letre u përfshinë më vonë në Doktrina e Besëlidhje si seksionet 121, 122 dhe 123.

  22. History of the Church, 5:387; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 14 maj 1843, në Yelrome, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  23. History of the Church, 6:306–307; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  24. History of the Church, 4:186; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë drejtuar shenjtorëve, shtator 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, tetor 1840, f. 179.

  25. History of the Church, 3:380; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 27 qershor 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

School of Prophets

Në një mbledhje të Shkollës së Profetëve më 27 shkurt 1833, Profeti mori zbulesën e njohur si Fjala e Urtësisë në praninë e disa vëllezërve. Ai pastaj shkoi në dhomën kryesore dhe ua lexoi zbulesën vëllezërve të mbledhur.

young woman

“Unë e di që Shpirti i Tij do t’u japë dëshmi të gjithë atyre që kërkojnë me zell dituri prej Tij.”