Mësime të Presidentëve
Kapitulli 29: Jetesa Bashkë me të Tjerët në Paqe dhe Harmoni


Kapitulli 29

Jetesa Bashkë me të Tjerët në Paqe dhe Harmoni

“Ne duam të jetojmë në paqe me gjithë njerëzit.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Një nga dëshirat e shenjtorëve të hershëm të ditëve të mëvonshme ishte që thjesht t’i lejonin ta jetonin në paqe fenë e tyre. Por kudo që shkuan, paqja iu largua atyre. Në vitin 1833, vetëm dy vjet pas përkushtimit të një vendi mbledhjeje në Misuri, turmat i detyruan shenjtorët ta linin kontenë Xhekson të Misurit (shih faqe 299). Anëtarët e Kishës gjetën strehim të përkohshëm në kontenë Klej të Misurit dhe pastaj, në vitin 1836, filluan të zhvendosen në Misurin Verior. Shumica e tyre u vendosën në kontenë Kollduell, një kontè e re e organizuar nga organet ligjvënëse shtetërore për të strehuar shenjtorët. Far-Uesti, që shërbente si qendra e kontesë, shpejt u bë një koloni e lulëzuar e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.

Profeti Jozef Smith kishte vazhduar të jetonte në Kirtland të Ohajos, por në janar 1838 ai u detyrua të largohej, duke u trembur për jetën e tij. Bashkë me familjen e tij, ai i përshkoi të 1.448 kilometrat deri në Far-Uest, ku u bashkua me shenjtorët që jetonin atje. Më vonë po në vitin 1838, shumica e shenjtorëve të Kirtlandit i shitën ose i braktisën shtëpitë e tyre dhe e ndoqën Profetin për në Misuri. Për të strehuar anëtarët e Kishës që po derdheshin në zonë, Profeti caktoi zona pranë Far-Uestit ku mund të vendoseshin shenjtorët. Në korrik 1838, u përkushtuan gurëthemelet për një tempull në Far-Uest, duke u dhënë shpresë shenjtorëve se ata mund të ngrinin një koloni të përhershme ku të mund të gëzonin mirëqenie dhe paqe. Fatkeqësisht, presione të ngjashme me ato të provuara në kontenë Xhekson shpejt i ndanë ata prej kolonëve të vendit dhe, në vjeshtën e 1838-ës, turmat dhe milicia edhe njëherë filluan të trazojnë e sulmojnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme.

Një ditë, Profeti ishte për vizitë në shtëpinë e prindërve të tij në Far-Uest, kur një grup milicësh të armatosur hynë brenda dhe shpallën se kishin ardhur që ta vrisnin atë për një krim të hamendësuar. Lusi Mak Smith, nëna e Profetit, përshkroi dhuntinë e tij për të bërë paqe:

“[Jozefi] i vështroi ata me një buzëqeshje shumë të këndshme dhe, duke shkuar tek ata, i dha dorën secilit prej tyre në një mënyrë që i bindi ata se ai nuk ishte as një kriminel fajtor dhe as një hipokrit që po strukej. Ata ndaluan dhe e vështruan ngultas sikur një fantazmë t’u kishte dalë përpara.

Jozefi u ul dhe hyri në bisedë me ta, dhe u shpjegoi atyre pikëpamjet e ndjenjat e njerëzve të quajtur mormonë, dhe cili kishte qenë drejtimi i tyre, si edhe trajtimin që kishin pësuar prej armiqve të tyre që nga fillimi i Kishës. Ai u tha atyre se keqdashja dhe shpifja i kishin ndjekur që kur hynë në Misuri, por se ata ishin njerëz që nuk i kishin shkelur kurrë ligjet, me aq sa dinte ai. Por nëse e kishin bërë, ata ishin gati të gjykoheshin sipas ligjit. …

Pas kësaj ai u ngrit dhe tha: ‘Nënë, besoj se do të shkoj në shtëpi. Ema do të jetë duke më pritur.’ Dy prej burrave brofën në këmbë, duke thënë: ‘Ti nuk do të shkosh vetëm, sepse nuk ka siguri. Ne do të vijmë me ty dhe do të të ruajmë.’ Jozefi i falënderoi dhe ata shkuan me të.

Ushtarakët e tjerë qëndruan pranë derës ndërkohë që këta ishin brenda dhe mua më kapi veshi bisedën që vijon mes tyre:

Ushtaraku i parë: ‘A nuk u ndiet ndryshe kur Smithi ju shtrëngoi dorën? Asnjëherë nuk jam ndier kështu në jetën time.’

Ushtaraku i dytë: ‘Unë u ndjeva sikur nuk mund të lëvizja. Nuk do t’i prekja atij njeriu asnjë fije floku, edhe sikur të më falnin tërë botën.’

Ushtaraku i tretë: ‘Kjo është hera e fundit që do të më shihni duke ardhur për të vrarë Xho Smithin apo mormonët gjithashtu’. …

Ata burra që shkuan me birin tim, premtuan ta shpërndanin milicinë që varej prej tyre dhe të shkonin në shtëpi, dhe thanë se, nëse atij do t’i duheshin ndonjëherë, ata do të ktheheshin dhe do ta ndiqnin atë kudo.”1

Duke e thënë të vërtetën në një mënyrë të sjellshme, të hapur, Jozef Smithi kapërceu paragjykimin e armiqësinë dhe bëri paqe me shumë prej atyre që kishin qenë armiqtë e tij.

Mësime të Jozef Smithit

Duke u përpjekur të jemi paqebërës, ne mund të jetojmë në harmoni dhe dashuri më të madhe me të tjerët.

“Jezusi tha: ‘Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë’. [Mateu 5:9.] Prandaj, nëse kombi, një shtet i vetëm, një komunitet, ose një familje duhet të jenë mirënjohës për ndonjë gjë, kjo është paqja.

Paqja, bij të këndshëm të qiellit! – Paqja, ashtu si drita nga i njëjti prind i madhërishëm, e përmbush, gjallëron e lumturon të drejtin e të padrejtin dhe është vetë thelbi i lumturisë në tokë e haresë në qiell.

Ai që nuk përpiqet me të gjitha fuqitë e tij të trupit dhe mendjes, me gjithë ndikimin e tij në shtëpi e jashtë – dhe nuk bën që edhe të tjerët të bëjnë po kështu – që të kërkojë paqe dhe ta mbajë atë për vetë dobinë e rehatinë e tij, si dhe për nderin e shtetit, kombit e vendit të tij, nuk ka pretendim për përdëllimin [mëshirën] e njeriut; as nuk ka të drejtë për miqësi gruaje apo mbrojtjen e qeverisë.

Ai është vemja që prish pemë për të brejtur organet e tij jetësore; dhe huti për të bërë pre vetë trupin e tij; dhe ai është, për sa i përket perspektivave dhe mirëqenies së vet në jetë, një [shkatërrues] i vetë kënaqësisë së vet.

Një bashkim qeniesh të tilla nuk është larg prej ferrit në tokë dhe duhet të lihet mënjanë si i papërshtatshëm për miratimin e të lirëve ose lavdërimin e trimave.

Por paqebërësi, O, vërjani veshin atij! Sepse fjalët e gojës së tij dhe doktrina e tij zbresin si shiu dhe pikojnë si vesa. Ato janë si mjegulla e butë mbi barishte dhe si shiu i imët mbi bar.

Gjallëria, virtyti, dashuria, përmbajtja, bamirësia, mirëdashja, dhembshuria, humanizmi dhe miqësia e shndërrojnë jetën në hare: dhe njerëzit, pak më të ulët se engjëjt, duke ushtruar fuqitë, privilegjet dhe dijen e tyre sipas rendit, rregullave dhe normave të zbulesës, nga Jezu Krishti, banojnë së bashku në unitet; dhe aroma e ëmbël që përhapet nga fryma e gëzimit dhe kënaqësisë prej shoqërimit të tyre të drejtë është si parfumi i çmuar nga vaji i shenjtëruar që u derdh mbi kokën e Aaronit, ose si aroma joshëse që ngrihet nga fusha e erëzave arabe. Po, për më tepër, zëri i paqebërësit –

Është si muzika e trupave qiellorë –

Shpirtrat na magjeps dhe frikërat na qetëson;

E kthen botën në një Parajsë,

Dhe njerëzve mendjen tek perlat me vlerë më të madhe.”2

“Vëllezër të dashur, vazhdoni me dashuri vëllazërore, jetoni me butësi, jini vigjilentë në lutje, që të mos mposhteni. Ndiqni paqen, ashtu si tha vëllai ynë i dashur Pali, që ju të mund të jeni fëmijët e Atit tonë Qiellor [shih Romakëve 14:19].”3

“Mirësia kundrejt të gjithëve, arsyeja dhe finesa për të përforcuar virtytin dhe bërja e së mirës në përgjigje të së keqes janë … përcaktuar shqueshëm që kurojnë më shumë çrregullimet e shoqërisë sesa një thirrje për të rrëmbyer armët, apo madje debati inatçor me miqtëu…. Motoja jonë, pra, është Paqe me të gjithë! Nëse kemi gëzim në dashurinë e Perëndisë, le të përpiqemi të japim një arsye të atij gëzimi, të cilin e gjithë bota nuk mund ta kundërshtojë apo t’i rezistojë.”4

“Ne duam të jetojmë në paqe me gjithë njerëzit.”5

Ne mund ta kultivojmë paqen duke e nderuar njëri-tjetrin dhe duke mos pranuar të gjejmë të meta.

“Ne [shpresojmë që] vëllezërit tanë do të jenë të kujdesshëm ndaj ndjenjave të njëri-tjetrit dhe do të jetojnë me dashuri, duke nderuar njëri-tjetrin më shumë se veten, ashtu siç kërkohet nga Zoti.”6

“Për njeriun që dëshiron të bëjë mirë, ne duhet të lavdërojmë virtytet e tij dhe të mos flasim për të metat e tij pas shpinës.”7

“Tani, në këtë botë, njerëzit janë nga natyra egoistë, ambiciozë dhe që përpiqen të shkëlqejnë njëri mbi tjetrin; ende disa janë të gatshëm të ngrenë moralisht të tjerët, si edhe veten.”8

“Të Dymbëdhjetët dhe gjithë shenjtorët le të jenë të gatshëm të rrëfejnë gjithë mëkatet e tyre dhe të mos e fshehin një pjesë të tyre; dhe le të jenë [ata] të përulur, dhe të mos lavdërohen, dhe të ruhen nga krenaria, dhe të mos kërkojnë të shkëlqejnë njëri mbi tjetrin, por të veprojnë për të mirën e njëri-tjetrit, dhe të luten për njëri-tjetrin, dhe ta nderojnë vëllain tonë apo ta përmendin me nderim emrin e tij, dhe të mos flasin pas shpine e shkatërrojnë vëllain tonë.”9

“Nëse do ta shkulni nga gjiri juaj gjithë të folurin dashakeqës, të folurin pas shpine dhe mendimet e ndjenjat zemërngushta: përuluni dhe kultivoni çdo parim virtyti dhe dashurie, atëherë bekimet e Jehovait do të qëndrojnë mbi ju dhe ju ende do të shihni ditë të mira e të lavdishme; paqja do të jetë brenda portave tuaja dhe mirëqenia brenda kufijve tuaj.”10

Ne mund të kultivojmë harmoninë në komunitetet tona duke respektuar lirinë e të gjithë njerëzve për të besuar sipas ndërgjegjes së tyre.

Nenet e Besimit 1:11: “Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin.”11

“Ne jemi të mendimit se ai është një parim i drejtë dhe i tillë që, domethënia e të cilit, besojmë ne, duhet të merret parasysh siç duhet nga çdo individ, se të gjithë njerëzit u krijuan të barabartë, dhe se të gjithë kanë privilegjin që të mendojnë për vete mbi të gjitha çështjet e lidhura me ndërgjegjen. Rrjedhimisht, atëherë, edhe po ta kishim pushtetin, ne nuk jemi të prirur që t’ia mohojmë askujt ushtrimin e asaj pavarësie të lirë të mendjes të cilën qielli ia ka dhuruar me kaq dashamirësi familjes njerëzore si një prej dhuratave të tij më të përzgjedhura.”12

“Unë kam mendimet më bujare dhe ndjenjat e dashurisë hyjnore kundrejt gjithë sekteve, partive dhe feve; dhe të drejtat e liritë e ndërgjegjes i mbaj si më të shenjtat e të shtrenjtat, dhe nuk përçmoj asnjë njeri sepse ndryshon prej meje në çështje opinioni.”13

“Shenjtorët mund të dëshmojnë nëse unë jam i gatshëm që të jap jetën time për vëllezërit e mi. Nëse është treguar se unë kam qenë i gatshëm të vdes për një ‘mormon’, nuk trembem të deklaroj përpara Qiellit se jam po aq i gatshëm që të vdes në mbrojtje të të drejtave të një presbiteriani, baptisti, ose një njeriu të mirë të cilësdo feje tjetër; sepse i njëjti parim që do të nëpërkëmbte të drejtat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme do të nëpërkëmbte të drejtat e katolikëve romanë, ose të çfarëdo feje tjetër, që mund të jetë e panjohur dhe tepër e dobët për të mbrojtur veten.

Është dashuria për lirinë që frymëzon shpirtin tim – liria civile dhe fetare për të gjithë racën njerëzore. Dashuria për lirinë u përhap në shpirtin tim prej gjyshërve të mi, ndërsa më përkundnin në gjunjët e tyre. …

Nëse vlerësoj që njerëzimi është në gabim, a do të turrem unë mbi ta? Jo. Unë do t’i ngre ata dhe gjithashtu në udhën e tyre, nëse nuk ua mbush mendjen që udha ime është më e mirë; dhe nuk do të kërkoj të shtrëngoj asnjë njeri që të besojë si unë, përveçse me forcën e arsyetimit, sepse e vërteta do të çajë udhën e saj.”14

“Duhet të jemi gjithmonë të vetëdijshëm për ato paragjykime të cilat paraqiten kaq çuditshëm nganjëherë dhe që janë kaq të zakonshme për natyrën njerëzore, kundër miqve, fqinjëve dhe vëllezërve tanë të botës, që zgjedhin të jenë ndryshe prej nesh në opinion dhe në çështjet e besimit. Feja jonë është midis nesh dhe Perëndisë sonë. Feja e tyre është midis tyre dhe Perëndisë së tyre.”15

“Kur shohim cilësi të virtytshme tek njerëzit, gjithmonë duhet t’i pranojmë ato, pavarësisht se cili mund të jetë kuptimi i tyre në lidhje me kredot dhe doktrinën; sepse të gjithë njerëzit, duke qenë se zotërojnë të drejta të patjetërsueshme dhe cilësitë e larta e fisnike të ligjeve të natyrës dhe të vetëruajtjes, janë ose duhet të jenë të lirë për të menduar dhe vepruar, dhe folur si u pëlqen, ndërsa mbajnë respektin e duhur për të drejtat dhe privilegjet e të gjithë krijesave të tjera, pa nëpërkëmbur asnjërin. Këtë doktrinë unë e mbështes dhe e praktikoj me gjithë zemër.”16

“Të gjithë personat kanë të drejtën e lirisë së tyre të zgjedhjes, pasi kështu e ka shuguruar atë Perëndia. Ai i ka krijuar njerëzit si agjentë moralë dhe u ka dhënë fuqi të zgjedhin të mirën ose të ligën; të kërkojnë atë që është e mirë, duke ndjekur shtegun e shenjtërisë në këtë jetë, që sjell paqe të mendjes dhe gëzim në Frymën e Shenjtë këtu, dhe një plotësi të gëzimit dhe lumturisë në anën e Tij të djathtë në jetën e përjetshme; ose të ndjekin një drejtim të lig, duke vazhduar në mëkat dhe rebelim kundër Perëndisë, duke sjellë në këtë mënyrë dënim për shpirtrat e tyre në këtë jetë dhe një humbje të përjetshme në botën që do të vijë. Përderisa Perëndia e qiellit ia ka lënë këto gjëra jo të detyrueshme secilit individ, ne nuk dëshirojmë që t’ua mohojmë atë. Ne vetëm dëshirojmë të luajmë rolin e sogjetarit besnik, në përputhje me fjalën e Zotit drejtuar Ezekielit, profetit, (Ezekieli kap. 33, vargjet 2, 3, 4, 5) dhe ua lëmë të tjerëve të bëjnë si t’u duket mirë.”17

“Është një nga parimet e para të jetës sime dhe që unë e kam kultivuar që nga fëmijëria, pasi ma ka mësuar ati im, që t’i lejoj secilit lirinë e ndërgjegjesu…. Në ndjenjat e mia unë jam gjithmonë gati të vdes për mbrojtjen e të dobëtëve dhe të të shtypurve në të drejtat e tyre të sakta.”18

“Mos u përzieni me asnjë njeri për fenë e tij: të gjitha qeveritë duhet t’i lejojnë çdo njeriu që ta gëzojë lirisht fenë e tij. Asnjë njeri nuk është i autorizuar të marrë jetë si pasojë e ndryshimit të fesë, që të gjitha ligjet dhe qeveritë duhet ta tolerojnë dhe mbrojnë, e drejtë apo e gabuar.”19

“Ne do të … kultivojmë paqe dhe miqësi me të gjithë, të merremi me punët tona dhe të jemi shumë të suksesshëm, të respektuar, sepse, duke respektuar të tjerët, ne respektojmë veten.”20

“Ndonëse kurrë nuk e ndiej që t’ia detyroj doktrinën time ndonjë personi, unë gëzohem kur shoh paragjykimin t’i hapë udhë të vërtetës dhe traditat e njerëzve të shpërbëhen prej parimeve të kulluara të Ungjillit të Jezu Krishtit.”21

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni ndodhinë e Jozef Smithit duke folur me anëtarë të milicisë (faqet 363–365). Si mendoni ju, përse Profeti qe në gjendje të mbetej i qetë në këtë situatë? Mendoni për shembuj të tjerë, që keni parë, të njerëzve që mbeten të qetë dhe paqësorë në situata të vështira. Cili qe rezultati i veprimeve të këtyre njerëzve?

  • Rishihni faqet 365–367, duke kërkuar fjalë dhe fraza që përdori Profeti për të përshkruar paqen dhe paqebërësit. Çfarë karakteristikash mund të na ndihmojnë të jemi paqebërës në shtëpitë dhe komunitetet tona?

  • Lexoni paragrafin e katërt në faqen 367. Si ndiheni kur kërkoni të meta tek të tjerët? Si ndiheni kur kërkoni cilësi të virtytshme tek të tjerët? Si mendoni ju, si ndihen njerëzit e tjerë kur ju shpenzoni kohë për të njohur cilësitë e tyre të virtytshme?

  • Lexoni paragrafin e pestë në faqen 367. Në çfarë mënyrash mund ta ngremë ne moralisht njëri-tjetrin? Çfarë kanë bërë njerëz të tjerë për t’ju ngritur juve moralisht? Në çfarë mënyrash veprime të tilla çojnë në paqe?

  • Rishihni faqet 368–370, duke kërkuar mësimet e Profetit mbi mënyrën se si duhet t’i trajtojmë njerëzit, besimet fetare të të cilëve ndryshojnë nga tonat. Cilat janë mënyrat se si ne mund të respektojmë të drejtat e të tjerëve që “të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin”?

  • Lexoni paragrafin e katërt në faqen 370. Si mund ta ndajmë ungjillin e rivendosur me të tjerët duke treguar gjithashtu respekt për besimet e tyre?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Efesianëve 4:31–32; Mosia 4:9–16; 4 Nefi 1:15–16; DeB 134:2–4, 7

Shënime

  1. Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1844–1845 manuscript, book 15, f. 8–10, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. History of the Church, 6:245–246; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika; nga “A Friendly Hint to Missouri”, një artikull i shkruar nën drejtimin e Joseph Smith-it, 8 mars 1844, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 mars 1844, f. 473.

  3. Letër nga Joseph Smith dhe të tjerë drejtuar anëtarëve të Kishës në Thompson, Ohio, 6 shkurt 1833, Kirtland, Ohio; Letter Book 1, 1829–1835, f. 26, Joseph Smith, Collection, Arkivat e Kishës.

  4. History of the Church, 6:219–220; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “Pacific Innuendo”, një artikull i shkruar nën drejtimin e Joseph Smith-it, 17 shkurt 1844, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 shkurt 1844, f. 443; ky numër i Times and Seasons u botua me vonesë.

  5. History of the Church, 2:122; nga një letër e Joseph Smith dhe të tjerëve drejtuar John Lincoln-it dhe të tjerëve, 21 qershor 1834, Clay County, Missouri, botuar në Evening and Morning Star, korrik 1834, f. 176.

  6. History of the Church, 1:368; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë drejtuar William W. Phelps dhe vëllezërve në Missouri, 25 qershor 1833, Kirtland, Ohio.

  7. History of the Church, 1:444; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 19 nëntor 1833, Kirtland, Ohio.

  8. History of the Church, 5:388; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 14 maj 1843, në Yelrome, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff.

  9. History of the Church, 3:383–384; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 2 korrik 1839, në Montrose, Iowa; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  10. History of the Church, 4:226; nga një letër e Joseph Smith-it dhe Hyrum Smith-it drejtuar shenjtorëve në Kirtland, Ohio, 19 tetor 1840, Nauvoo, Illinois.

  11. Nenet e Besimit 1:11.

  12. History of the Church, 2:6–7; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, shkurt 1834, f. 135.

  13. Letër nga Joseph Smith drejtuar Isaac Galland, 22 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri, botuar në Times and Seasons, shkurt 1840, f. 55–56.

  14. History of the Church, 5:498–499; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 korrik 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  15. History of the Church, 3:303–304; nga një letër e Joseph Smith dhe të tjerëve drejtuar Edward Partridge dhe Kishës, 20 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri.

  16. History of the Church, 5:156; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar James Arlington Bennet, 8 shtator 1842, Nauvoo, Illinois; mbiemri i James Bennet shkruhet pasaktësisht “Bennett” në History of the Church.

  17. History of the Church, 4:45, shënim në fund të faqes; janë modernizuar shenjat e pikësimit dhe gramatika; nga një letër e Presidencës së Parë dhe këshillit të lartë drejtuar shenjtorëve që jetonin në perëndim të Kirtland-it, Ohio, 8 dhjetor 1839, Commerce, Illinois, botuar në Times and Seasons, dhjetor 1839, f. 29.

  18. History of the Church, 6:56–57; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 15 tetor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  19. History of the Church, 6:304; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  20. History of the Church, 6:221; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar botuesit të Nauvoo Neighbor, 10 shkurt 1844, Nauvoo, Illinois, botuar në Nauvoo Neighbor, 21 shkurt 1844; kjo letër është datuar pasaktësisht 19 shkurt 1844 në History of the Church.

  21. History of the Church, 6:213; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Joseph L. Heywood, 13 shkurt 1844, Nauvoo, Illinois.

Joseph with militiamen

Në Far-Uest të Misurit, kur një grup milicësh të armatosur erdhën që ta arrestonin Jozef Smithin, ai “i vështroi ata me një buzëqeshje shumë të këndshme dhe, duke shkuar tek ata, i dha dorën secilit prej tyre”.

Sermon on the Mount

Në Predikimin në Mal, Shpëtimtari na mësoi: “Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë”.