Mësime të Presidentëve
Kapitulli 30: Të guximshëm në Kauzën e Krishtit


Kapitulli 30

Të guximshëm në Kauzën e Krishtit

“Jam një dashurues i kauzës së Krishtit.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në tetor të vitit 1838, konflikti midis shenjtorëve që jetonin në Misurin Verior dhe turmave lokale e milicisë arriti në një pikë kritike. Në datën 27 të atij muaji, guvernatori i Misurit, Lilburn W. Bogs, i lëshoi një urdhër të turpshëm një komandanti të milicisë së shtetit: “Mormonët duhet të trajtohen si armiq dhe duhet të shfarosen, ose të përzihen nga shteti, nëse është e nevojshme për të mirën e përgjithshme. Shkeljet e tyre janë përtej çdo përshkrimi.”1 Tre ditë më vonë, një grup i madh milicësh të armatosur ngritën kampin pranë Far-Uestit në Misuri, vendvendosja e selisë së Kishës, dhe u përgatitën të sulmonin qytetin.

Të shqetësuar seriozisht për sigurinë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës ranë dakord të takoheshin me oficerët e milicisë më 31 tetor për të zhvilluar bisedime për paqe. Megjithatë, ndërsa iu afruan kampit të milicëve, Profeti dhe shoqëruesit e tij u arrestuan befasisht. Ata pastaj i çuan në kamp, ku i detyruan të qëndronin gjithë natën në tokën e ftohtë në një stuhi shiu të akullt, ndërsa rojet u bërtisnin dhe i shanin. Kur oficerët vendosën që t’i çonin të burgosurit në Indipendens të Misurit, Jozefi dhe shoqëruesit e tij kërkuan të lejoheshin që të shihnin familjet e tyre.

“I gjeta gruan dhe fëmijët e mi duke qarë”, shkroi Profeti, “pasi ishin trembur se mos na kishin qëlluar ata që ishin betuar të na merrnin jetën, dhe se nuk do të na shihnin më. … Kush mund t’i kuptojë ndjenjat që provova në atë kohë, kur më shkulën ashtu prej shoqes sime dhe e lashë atë të rrethuar prej përbindëshave me formë njeriu, dhe fëmijët e mi gjithashtu, pa e ditur se si do të përmbusheshin nevojat e tyre; ndërkohë që mua do të më çonin larg prej tyre në mënyrë që armiqtë e mi të mund të më shkatërronin mua kur e mendonin me vend që ta bënin këtë. Gruaja ime qau, fëmijët e mi u kapën pas meje, derisa i shkulën prej meje me anë të shpatave të rojeve.”2

Pas një mbajtjeje të shkurtër në arrest në Indipendens, Profetin dhe disa udhëheqës të tjerë të Kishës i çuan në Riçmond të Misurit, ku i mbyllën në një shtëpi të vjetër prej trarësh, të lidhur së bashku, dhe i mbajtën të vëzhguar nga shumë roje. Profeti do të mbetej i burgosur në Riçmond për rreth tre javë përpara se të transferohej në burg në Liberti të Misurit. Ndonëse rrethanat ishin të zymta, Profeti i shkroi Emës pak pasi arriti në Riçmond: “Ne jemi të burgosur, në zinxhirë dhe nën shumë roja, për hir të Krishtit dhe jo për shkak tjetër…. Vëllai [Xhorxh W.] Robinson është i lidhur me zinxhirë ngjitur me mua; ai ka një zemër të vërtetë dhe një mendje të paepur. Vëllai [Liman] Uajt vjen pastaj, Vëllai [Sidni] Rigdon pastaj, Hajrëm [Smithi] pastaj, Parli [P. Prat] pastaj, Amasa [Liman] tjetri dhe kështu ne jemi të lidhur së bashku në zinxhirë si dhe me litarët e dashurisë së përjetshme. Ne jemi me gjendje të mirë shpirtërore dhe gëzohemi që llogaritemi të denjë që të përndiqemi për hir të Krishtit.”3

Gjatë një prej netëve të ftohta e të lodhshme, burrat ishin shtrirë në dysheme deri pas mesnatës, pa mundur të flinin sepse rojet po mburreshin për sulmet e tyre më të fundit mbi shenjtorët, përfshirë akte të plaçkitjeve, përdhunimeve dhe vrasjeve. Plaku Parli P. Prat rrëfeu: “Unë kisha dëgjuar derisa u neverita, u shokova, u lemerisa kaq shumë dhe u mbusha kaq shumë me shpirtin e drejtësisë së zemëruar saqë mezi munda të përmbahem që të mos ngrihesha në këmbë dhe të qortoja rojet; por nuk i thashë asgjë Jozefit, ose askujt tjetër, ndonëse isha shtrirë pranë tij dhe e dija që ai ishte zgjuar. Befas ai u ngrit në këmbë dhe foli me një zë bubullime, apo si luan gjëmues, duke shqiptuar, me aq sa kujtoj, fjalët e mëposhtme:

‘QETËSI.… Në emrin e Jezu Krishtit unë ju qortoj dhe ju urdhëroj të heshtni; unë nuk do të jetoj asnjë minutë tjetër dhe të dëgjoj fjalë të tilla. Ndërpriteni këtë të folur, ose unë ose ju do të vdesim KËTË ÇAST!’

Ai pushoi së foluri. Ai qëndroi drejt në këmbë me një madhështi të tmerrshme. I lidhur me zinxhirë dhe pa asnjë armë; i qetë, gjakftohtë dhe madhështor si një engjëll, ai vështroi rojet e trembura, armët e të cilëve ishin ulur ose të hedhura përtokë; gjunjët e të cilëve dridheshin dhe të cilët, të zmbrapsur në një qosh, ose të kruspullosur tek këmbët e tij, i kërkuan falje dhe ndenjën të heshtur derisa u ndërruan rojet.”4

Mësime të Jozef Smithit

Të guximshmit bëjnë me gëzim gjithçka që munden, edhe në kohë vështirësish.

Në shtator 1839, kur shenjtorët po fillonin punën e vështirë të ndërtimit të qytetit të Navusë në Ilinois, Profeti i shkroi një anëtari të Kishës në Kirtland të Ohajos: “Për sa i përket gjendjes së Kishës këtu, gjërat shkojnë aq mirë sa mund të pritet në mënyrë të arsyeshme. … Këtu janë mbledhur tashmë një numër i madh familjesh; dhe ne presim edhe më në vazhdimësi, veçanërisht pasi, sipas kërkimeve, ne kemi gjetur se ne këtu nuk kemi një shkallë më të lartë sëmundshmërie se [e zakonshmja], pavarësisht sprovave që kemi pasur dhe vuajtjeve që kemi kaluar. Duke u mbështetur ashtu si bëjmë, tek mëshira dhe fuqia e Perëndisë në emrin tonë, ne shpresojmë të këmbëngulim në çdo punë të mirë dhe të dobishme, madje deri në fund, që kur të peshohemi në peshore të mos gjendet se na mungon diçka.”5

Në shtator 1842, Profeti shkroi sa vijon në një letër drejtuar Kishës, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 128:19, 22: “Tani, çfarë dëgjojmë në ungjillin që kemi marrë? Një zë kënaqësie! Një zë mëshire nga qielli; dhe një zë të vërtete nga toka; lajme të gëzuara për të vdekurit; një zë gëzimi për të gjallët dhe të vdekurit; lajme të gëzuara të gëzimit të madh. … Vëllezër, a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajë, vëllezër; dhe përpara, përpara drejt fitores! Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara.”6

Profeti tha për përparimin e Kishës në vitin 1831: “Ishte e dallueshme qartë se Zoti na dha fuqi, në përpjesëtim me punën që duhej të bëhej, dhe forcë, sipas garës që ishte para nesh, dhe hir e ndihmë, siç e kërkonin nevojat tona”7.

Të guximshmit e duan kauzën e Krishtit dhe përpiqen të zhvillojnë cilësi si të Krishtit.

“Jam një dashurues i kauzës së Krishtit dhe i virtytit, dëlirësisë, dhe i një mënyre të përpiktë e të rregullt sjelljeje, dhe i një mënyre të shenjtë jetese.”8

“Unë besoj në bërjen e një jete të virtytshme, të drejtë dhe të shenjtë para Perëndisë dhe e ndiej si detyrën time të bind gjithë njerëzit brenda fuqisë sime që të bëjnë të njëjtën gjë, që të pushojnë së bëri të ligën dhe të mësojnë të bëjnë mirë, dhe t’u japin fund mëkateve me anë të drejtësisë.”9

“Duke forcuar besimin tonë përmes shtimit të çdo cilësie të mirë që i zbukuron fëmijët e Jezusit të bekuar, ne mund të lutemi në stinën e lutjes; ne mund të duam të afërmin tonë porsi veten dhe të jemi besnikë në shqetësime, duke e ditur që shpërblimi i të tillëve është më i madh në mbretërinë e qiellit. Çfarë ngushëllimi! Çfarë gëzimi! Më lini të jetoj jetën e të drejtit dhe shpërblimi im le të jetë si i tiji!

… Drejtësia duhet të jetë qëllimi i shenjtorëve në të gjitha gjërat dhe kur [Doktrina e Besëlidhje] të botohet, ata do të mësojnë se gjëra të mëdha duhet të priten prej tyre. Bëni mirë e veproni me drejtësi, me syrin drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë dhe ju do të korrni shpërblimin tuaj kur Zoti ta paguaj secilin sipas veprës së tij…. Në emrin e Jezu Krishtit, ne ju përgjërohemi që të jetoni të denjë për bekimet që do të vijojnë pas shumë fatkeqësish, për të ngopur shpirtrat e atyre që qëndrojnë besnikë deri në fund.”10

“Paskëtaj, e vërteta dhe drejtësia le të triumfojnë e të gëlojnë tek ju; dhe në të gjitha gjërat të jeni të përmbajtur; përmbahuni nga dehja dhe zënia be, si dhe nga gjithë i foluri përdhosës, dhe prej gjithçkaje që është e padrejtë apo mëkatare; gjithashtu prej armiqësisë dhe urrejtjes, dhe lakmisë, dhe prej çdo dëshire mëkatare. Jini të ndershëm njëri me tjetrin, sepse duket se disa nuk i kanë bërë këto gjëra, dhe disa kanë qenë të ashpër, dhe kanë shfaqur babëzi. … Karaktere të tilla Perëndia i urren – dhe ata do të kenë radhën e tyre të hidhërimit gjatë rrokullisjes para të rrotës së madhe të planit, sepse ajo rrotullohet dhe askush nuk mund ta pengojë. Sioni do të jetojë përsëri, ndonëse duket sikur është i vdekur.”11

“Si dikush që e dëshiron fort shpëtimin e njerëzve, më lejoni t’ju kujtoj të gjithëve që të përpiqeni me zell të perëndishëm për virtyt, shenjtëri dhe urdhërimet e Zotit. Jini të mirë, jini të mençur, jini të drejtë, jini bujarë; dhe mbi të gjitha, jini mirëbërës, gjithmonë plot me vepra të mira. Dhe shëndeti, paqja, dhe dashuria e Perëndisë, Atit tonë, dhe hiri i Jezu Krishtit, Zotit tonë, qofshin e banofshin me ju të gjithë, kjo është lutja e sinqertë e vëllait dhe mikut tuaj të përkushtuar në Ungjillin e përjetshëm.”12

“Jini të duruar dhe të përulur, të drejtë dhe të pastër; shpërbleni me të mirë të keqen. … Jini të përulur dhe të duruar në të gjitha rrethanat e jetës; atëherë ne do të triumfojmë më lavdishëm.”13

“Ne ndiejmë t’i këshillojmë vëllezërit tanë me guxim, që të jenë të përulur dhe plot lutje, të ecin vërtet si bij të dritës dhe të ditës, që të mund të kenë hir që t’i bëjnë ballë çdo tundimi dhe të kapërcejnë çdo të ligë në emrin e denjë të Zotit tonë Jezu Krishtit.”14

Të guximshmit përpiqen të përmirësohen ndërsa janë në këtë jetë.

“Mendimi se secili do të marrë sipas zellit dhe këmbënguljes së vet ndërkohë që është në vresht, duhet ta frymëzojë gjithsecilin që është thirrur të jetë një shërbestar i këtyre lajmeve të gëzuara, ta përmirësojë kështu talentin e tij që të mund të fitojë talente të tjera, që kur Mësuesi të ulet për të marrë parasysh sjelljen e shërbëtorëve të Tij, të mund të thuhet: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd’ [Mateu 25:21]. …

… Asgjë, çfarëdo qoftë, nuk duhet të na frenojë që të paraqitemi të miratuar në vështrimin e Perëndisë, sipas kërkesës së Tij hyjnore. Shpesh njerëzit harrojnë që varen prej qiellit për çdo bekim që u lejohet ta gëzojnë dhe se për çdo mundësi që u jepet atyre, ata duhet të japin llogari. Ju e dini, vëllezër, se, kur zoti në shëmbëlltyrën e administruesve të talentave të Shpëtimtarit i thirri shërbëtorët e tij para tij, ai u dha atyre disa talenta që t’i shtonin ndërkohë që ai do të vonohej jashtë për një stinë të shkurtër dhe kur u kthye ai i thirri për t’i dhënë llogari [shih Mateu 25:14–30]. Po kështu është tani. Zoti ynë mungon vetëm për një stinë të shkurtër dhe në fund të saj, Ai do të thërrasë secilin për të dhënë llogari; dhe aty ku janë dhuruar pesë talenta, dhjetë do të kërkohen; dhe ai që nuk ka bërë përmirësim do të flaket si një shërbëtor i pavlefshëm, ndërsa besniku do të gëzojë nderime të përjetshme. Prandaj ne përgjërohemi me zell që hiri i Atit tonë të qëndrojë mbi ju, përmes Jezu Krishtit, Birit të Tij, që ju të mos ligështoheni në orën e tundimit, as të mos mposhteni në kohën e përndjekjes.”15

“Pas këtij udhëzimi, ju do të jeni përgjegjës për mëkatet tuaja vetjake; është një nder i dëshirueshëm që ju duhet të jetoni në atë mënyrë përpara Atit tonë qiellor që të shpëtoni veten; ne të gjithë jemi përgjegjës para Perëndisë për mënyrën si përmirësojmë dritën dhe urtësinë e dhënë nga Zoti ynë që të na mundësojë që të shpëtojmë veten.”16

Të guximshmit durojnë besnikërisht deri në fund dhe do të marrin një kurorë lavdie çelestiale.

“Mirëbesimi ynë është tek Perëndia dhe ne jemi të vendosur, hiri i Tij na ndihmoftë, ta ruajmë kauzën dhe të qëndrojmë besnikë deri në fund, që ne të mund të kurorëzohemi me kurorat e lavdisë çelestiale dhe të hyjmë në prehjen që është përgatitur për fëmijët e Perëndisë.”17

“Luftoni luftën e mirë të besimit që të mund të fitoni kurorën që është ruajtur për ata që durojnë besnikë deri në fund të provës së tyre [shih 2 Timoteut 4:7–8]. Prandaj mbani fort atë që keni marrë kaq bujarisht nga dora e Perëndisë, që kur të vijnë kohët e flladit ju të mos keni punuar më kot, por që të mund të preheni prej të gjitha punëve tuaja dhe të keni plotësinë e gëzimit në mbretërinë e Perëndisë.”18

“Ju nuk mund të jeni tepër të mirë. Durimi është qiellor, bindja është fisnike, falja është e mëshirshme dhe ekzaltimi është i perëndishëm; dhe ai që qëndron besnik deri në fund nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij. Një njeri i mirë do t’i durojë të gjitha gjërat për të nderuar Krishtin, dhe madje të heqë dorë nga gjithë bota dhe gjithçka në të, që të shpëtojë shpirtin e tij.”19

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Lexoni ndodhinë kur Jozef Smithi qorton rojet, në faqet 375–376. Si ndikon kjo ndodhi në ndjenjat tuaja për Jozef Smithin?

  • Jozef Smithi tha se ungjilli është një “zë kënaqësie” dhe deklaroi: “Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara” (faqe 376). Në çfarë mënyrash dija jonë për ungjillin mund të na ndihmojë të gëzojmë dhe të jemi “tepër të [gëzuar]” madje dhe gjatë kohëve të mundimeve?

  • Lexoni paragrafin e fundit në faqen 376. Si mendoni ju, çfarë do të thotë të marrësh “fuqi, në përpjesëtim me punën që duhe[t] të bëhe[t]”? Çfarë shembujsh mund të kujtoni që ilustrojnë këtë të vërtetë?

  • Lexoni paragrafin e parë në faqen 377. Cilat janë disa karakteristika që do të prisnit tek dikush që thotë se është “një dashurues i kauzës së Krishtit”? (Për disa shembuj, shihni faqet 377–378.)

  • Ndërsa studioni këshillën e Profetit Jozef në faqet 378–380, mendoni për diçka në jetën tuaj që ka nevojë të përmirësohet. Përcaktoni se çfarë do të bëni që të merrni përgjegjësi për atë përmirësim.

  • Rishikoni dy paragrafët e fundit të kapitullit (faqe 380). Cilat janë disa nga shpërblimet e atyre që “[luftojnë] luftën e mirë të besimit”? Në çfarë mënyrash disa njerëz përpiqen të na bindin që të mos jemi “tepër të mirë”? Si mund t’u përgjigjemi presioneve të tilla?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Ligji i Përtërirë 31:6; 2 Timoteut 1:7–8; 2 Nefi 31:19–20; Mosia 5:15; DeB 59:23

Shënime

  1. Lilburn W. Boggs, cituar në History of the Church, 3:175; nga urdhra dhënë John B. Clark-ut, 27 tetor 1838, Jefferson City, Missouri.

  2. History of the Church, 3:193; nga “Extract, from the Private Journal of Joseph Smith Jr.”, Times and Seasons, nëntor 1839, f. 6.

  3. Letër nga Joseph Smith-i drejtuar Emma Smith-it, 12 nëntor 1838, Richmond, Missouri; Community of Christ Archives, Independence, Missouri.

  4. Parley P. Pratt, Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. (1938), f. 210–211; janë fshirë germat e pjerrëta.

  5. History of the Church, 4:8–9; fjalët në kllapa në origjinal; është modernizuar gramatika; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Isaac Galland-it, 11 shtator 1839, Commerce, Illinois.

  6. Doktrina e Besëlidhje 128:19, 22; një letër e Joseph Smith-it drejtuar shenjtorëve, 6 shtator 1842, Nauvoo, Illinois.

  7. History of the Church, 1:176; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 118, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  8. Letër nga Joseph Smith-i drejtuar William W. Phelps-it, 31 korrik 1832, Hiram, Ohio; Joseph Smith, Collection, Arkivat e Kishës.

  9. Letër e Joseph Smith-it drejtuar botuesit të Chester County Register and Examiner, 22 janar 1840, Brandywine, Pennsylvania; origjinali ndodhet në zotërim privat; letra u botua në gazetë më 11 shkurt 1840.

  10. History of the Church, 2:229–230; shënim në fund të faqes; nga “To the Saints Scattered Abroad”, Messenger and Advocate, qershor 1835, f. 137–138.

  11. History of the Church, 3:233; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar anëtarëve të Kishës në Caldwell County, Missouri, 16 dhjetor 1838, Liberty Jail, Liberty, Missouri.

  12. History of the Church, 5:417; nga një letër rekomandimi lëshuar prej Joseph Smith-it drejtuar Brigham Young-ut, 1 qershor 1843, Nauvoo, Illinois.

  13. History of the Church, 6:411; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 26 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  14. Letër nga Joseph Smith dhe priftërinj të lartë drejtuar vëllezërve në Geneseo, New York, 23 nëntor 1833, Kirtland, Ohio, Arkivat e Kishës.

  15. History of the Church, 2:6, 23–24; nga “The Elders of the Church in Kirtland, to Their Brethren Abroad”, 22 janar 1834, botuar në Evening and Morning Star, shkurt 1834, f. 135; prill 1834, f. 152.

  16. History of the Church, 4:606; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  17. History of the Church, 1:450; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Edward Partridge dhe të tjerëve, 5 dhjetor 1833, Kirtland, Ohio.

  18. Letër nga Joseph Smith dhe John Whitmer drejtuar shenjtorëve në Colesville, New York, 20 gusht 1830, Harmony, Pennsylvania, në Newel Knight, Autobiography and Journal, rreth viteve 1846–1847, f. 129–130, Arkivat e Kishës.

  19. History of the Church, 6:427; nga një letër e Joseph Smith-it dhe Hyrum Smith-it drejtuar Abijah Tewksbury, 4 qershor 1844, Nauvoo, Illinois; mbiemri i Abijah Tewksbury shkruhet pasaktësisht “Tewkesbury” në History of the Church.

Joseph rebuking guards

Në Riçmond të Misurit, një grup i burgosur udhëheqësish të Kishës dëgjuan me orë të tëra ndërsa rojet e tyre mburreshin për sulmet mbi shenjtorët. Befas Jozef Smithi u ngrit dhe tha: “Në emrin e Jezu Krishtit unë ju qortoj dhe ju urdhëroj të heshtni”.

servant burying talent

“Ai që nuk ka bërë përmirësim do të flaket si një shërbëtor i pavlefshëm, ndërsa besniku do të gëzojë nderime të përjetshme.”