Mësime të Presidentëve
Kapitulli 37: Dashuria Hyjnore, Dashuria e Pastër e Krishtit


Kapitulli 37

Dashuria Hyjnore, Dashuria e Pastër e Krishtit

“Dashuria është një prej karakteristikave kryesore të Hyjnisë dhe duhet të shfaqet prej atyre që dëshirojnë të jenë bij të Perëndisë.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në një zbulesë dhënë përmes Jozef Smithit në vitin 1841, Zoti përcaktoi kunjin në Navu të Ilinoisit një “gurthemeli [të] Sionit, i cili do të shkëlqehet me përpunimin që është sipas ngjashmërisë së një pallati” (DeB 124:2). Nën drejtimin e Profetit, Navuja u bë një qendër e lulëzuar tregtie, arsimi dhe artesh. Shumë njerëz punuan fermat e tyre, ndërsa ata që kishin 0,4 hektarë tokë në qytet kultivuan fruta dhe perime në kopshte shtëpiake. Kantiere sharrash, punishte tullash, zyra shtypshkrimi, mullinj për miell dhe furra buke u ndërtuan në qytet, si dhe dyqane për marangozë, poçarë, teneqepunues, argjendarë, farkëtarë dhe mobilierë. Në Navu, shenjtorët mund të kënaqeshin me teatrin, ballot dhe koncertet. Qindra nxënës u regjistruan në shkolla në gjithë komunitetin dhe po hartoheshin plane për një universitet.

Ndërsa Navuja po rritej me shpejtësi, disa punishte tullash prodhuan tullat e kuqe që u dhanë ndërtesave të Navusë pamjen e tyre karakteristike. Një prej këtyre ndërtesave ishte Dyqani me Tulla të Kuqe i Profetit. Dyqani ishte ndërtuar që të shërbente edhe si zyrë për Profetin dhe Presidencën e Parë, edhe si aktivitet tregtar për të ndihmuar Profetin që të mbante familjen e tij. Një episod që ndodhi në Dyqanin me Tulla të Kuqe tregon natyrën mirëbërëse që e bëri kaq të dashur Profetin.

Xhejms Liç ishte një anglez që kishte ardhur në Navu bashkë me motrën e tij të kthyer në besim dhe bashkëshortin e saj, Anjez dhe Henri Najtingejl. Pasi kërkuan punë pa sukses, Xhejmsi dhe Henri vendosën t’i kërkonin ndihmë Profetit. Xhejmsi kujtoi:

“Ne … e gjetëm [Profetin] në një dyqan të vogël duke i shitur disa mallra një zonje. Kjo qe hera e parë që pata një mundësi të isha pranë tij dhe ta shihja mirë atë. E ndjeva se në të kishte një shpirt më të lartë. Ai ishte ndryshe nga çdokush që kisha takuar më parë; dhe thashë në zemrën time: ‘Ai është vërtet një Profet i Perëndisë më të lartë’.

Meqë nuk isha anëtar i Kishës, dëshiroja që Henri t’i kërkonte punë atij, por ai nuk e bëri, prandaj m’u desh mua ta bëja. I thashë: ‘Z. Smith, nëse dëshironi, a keni ndonjë punë që mund të na jepni të dyve, që të mund të marrim ca furnizime [ushqimore]?’ Ai na pa me pamje gazmore dhe, me një ndjenjë të tillë mirësie, tha: ‘Mirë, djema, çfarë mund të bëni?’ I treguam se cili ishte punësimi ynë përpara se të linim vendlindjen tonë.

Ai tha: ‘A mund të hapni një kanal?’ Iu përgjigja se do të bënim gjithçka që mundeshim për këtë. ‘Në rregull djema’ dhe pasi mori një shirit metri, ai tha: ‘Ejani me mua’.

Na çoi pak metra larg dyqanit, më dha mua skajin me unazë të metrit dhe e hapi të gjithë atë prej rrotullës, dhe shënoi një vijë që ne të punonim sipas saj. ‘Tani djema’, tha ai, ‘a mund të hapni një kanal 90 cm të gjerë dhe 76 cm të thellë sipas kësaj vije?’

I thamë se do të bënim më të mirën që mundeshim dhe ai u largua. Filluam punën dhe, kur e mbaruam, shkova dhe i thashë atij se e kryem. Ai erdhi, e pa dhe tha: ‘Djema, edhe po ta kisha bërë vetë nuk do të mund ta kisha bërë më mirë. Tani ejani me mua.’

Na çoi përsëri tek dyqani i tij dhe na tha që të merrnim vetë proshutën apo copën e derrit më të mirë. Duke qenë disi i druajtur, i thashë se më mirë të na jepte ai diçka. Kështu ai mori dy copa nga më të mëdhatë e më të mirat e mishit dhe nga një thes miell për secilin prej nesh dhe na pyeti nëse kjo do të mjaftonte. I thamë se do të ishim të gatshëm të punonim më shumë për ato, por ai tha: ‘Nëse jeni të kënaqur ju, djema, edhe unë jam’.

E falënderuam mirësisht dhe shkuam rrugës në shtëpinë tonë duke u kënaqur me përzemërsinë e dashur të Profetit të Perëndisë tonë.”

Xhejmx Liç u pagëzua në po atë vit dhe shënoi se ai “shpesh pati privilegjin që të shihte fytyrën fisnike [të Profetit] të ndriçuar nga Shpirti dhe fuqia e Perëndisë”1.

Mësime të Jozef Smithit

Një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë është i dëshiruar të bekojë të tjerët.

“Dashuria është një prej karakteristikave kryesore të Hyjnisë dhe duhet të shfaqet prej atyre që dëshirojnë të jenë bij të Perëndisë. Një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë nuk kënaqet vetëm me bekimin e familjes së tij, por endet në të gjithë botën, i dëshiruar që të bekojë të gjithë racën njerëzore.”2

Lusi Meserv Smith shënoi sa vijon: “[Jozef Smithi] tha: ‘Vëllezër e motra, ta doni njëri-tjetrin; ta doni njëri-tjetrin dhe të jeni të mëshirshëm me armiqtë tuaj’. Ai i përsëriti këto fjalë me një ton zëri shumë të theksuar dhe një amen të fortë.”3

Në korrik 1839, Profeti i foli një grupi udhëheqësish të Kishës: “Unë pastaj iu drejtova atyre dhe dhashë shumë udhëzime … duke prekur shumë tema me rëndësi e vlerë për të gjithë ata që dëshirojnë të ecin përulësisht përpara Zotit dhe duke u mësuar atyre veçanërisht të zbatonin dashuri hyjnore, urtësi e mirëdashje, me dashuri njëri kundrejt tjetrit në të gjitha gjërat e në të gjitha rrethanat”4.

Ne kemi një detyrim të veçantë t’i duam e të kujdesemi për ata në nevojë.

“Është një detyrë që çdo shenjtor duhet t’ia japë lirisht vëllezërve të tij – t’i dojë ata gjithmonë dhe t’i ndihmojë ata përherë. Që të jemi të justifikuar përpara Perëndisë ne duhet ta duam njëri-tjetrin: ne duhet ta kapërcejmë të ligën; ne duhet të vizitojmë jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruajmë veten të pastër nga bota; sepse virtyte të tilla rrjedhin nga burimi i shkëlqyer i besimit të pastër [shih Jakobi (Bibla) 1:27].”5

“[Një anëtar i Kishës] duhet të ushqejë të uriturin, të veshë të zhveshurin, të sigurojë për të venë, të thajë lotët e jetimit, të ngushëllojë të pikëlluarin, qoftë në këtë kishë, apo në cilëndo tjetër, apo në asnjë kishë, kudo që t’i gjejë ata.”6

“I pasuri nuk mund të shpëtohet pa dashuri hyjnore, pa i dhënë ushqim të varfrit kurdoherë dhe si të kërkojë Perëndia.”7

“Mbani parasysh gjendjen e të pikëlluarve dhe përpiquni t’u lehtësoni vuajtjet; buka juaj le të ushqejë të uriturin dhe rrobat tuaja të mbulojnë të zhveshurin; bujaria juaj le të thajë lotët e jetimit dhe gëzojeni të venë e pangushëllueshme; lutjet, prania dhe mirësia juaj le të lehtësojnë dhembjet e të hidhëruarit dhe bujaria juaj të kontribuojë për nevojat e tyre; bëjuni mirë gjithë njerëzve, në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit, që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta. Mbani urdhërimet e Perëndisë – gjithçka që ai ka dhënë, jep, apo do të japë dhe një aureolë lavdie do t’ju ndriçojë rrugën; të varfrit do të ngrihen e do t’ju shpallin fatlumë; do të nderoheni e respektoheni nga gjithë njerëzit e mirë; dhe shtegu juaj do të jetë si ai i të drejtëve, që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të bëhet ditë e plotë [shih Fjalët e Urta 4:18].”8

“Shpirti i Shenjtë … do të derdhet mbi kokat tuaja gjithë kohën, kur ju ushtroni ato parime të drejtësisë që përputhen me mendjen e Perëndisë dhe keni dhembshurinë e duhur njëri kundrejt tjetrit, dhe jeni të kujdesshëm me të gjitha mënyrat që të kujtoni ata që janë në robëri, dhe në rëndesë, dhe në hidhërim të thellë për hirin tuaj. Dhe nëse ka ndonjë mes jush që dëshiron rritjen e vet dhe kërkon pasuri për vete, ndërkohë që vëllezërit e tij rënkojnë në varfëri e gjenden ndën sprova e tundime lënduese, ai nuk mund të përfitojë prej ndërhyrjes së Shpirtit të Shenjtë, që ndërhyn për ne ditë e natë me psherëtima të patregueshme [shih Romakëve 8:26].

Gjithherë duhet të jemi të kujdesshëm që një mendjemadhësi e tillë të mos zërë vend kurrë në zemrat tona; por të rrimë me të përunjurit dhe, me gjithë durimin, të mbajmë dobësitë e të dobëtëve.”9

Dashuria hyjnore është e durueshme, e mëshirshme dhe e mirë.

Eliza R. Snou raportoi për një fjalim të mbajtur nga Profeti: “Ai filloi të lexonte pastaj kapitullin e 13-të [të 1 Korintasve] – ‘Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon’; dhe tha: mos u kufizoni në këndvështrimet tuaja për sa i përket virtytit të fqinjit tuaj, por ruhuni prej vetëkënaqjes, dhe kufizohuni në vlerësimin e vetë virtyteve tuaja, dhe mos e mendoni veten më të drejtë se të tjerët; ju duhet t’i rritni ndjenjat tuaja kundrejt njëri-tjetrit, nëse do të bënit si Jezusi dhe do të çoni bashkëkrijesat tuaja në gji të Abrahamit. Ai tha se ai kishte shfaqur durueshmëri, vetëpërmbajtje dhe durim kundrejt Kishës dhe gjithashtu armiqve të tij; dhe ne duhet të durojmë të metat e njëri-tjetrit, ashtu si një prind i butë duron pikat e dobëta të fëmijëve të tij.

… Ndërsa rriteni në pafajësi dhe virtyt, ndërsa rriteni në mirësi, le të gufohen zemrat tuaja, le të rriten ato kundrejt të tjerëve; ju duhet të jeni të durueshëm dhe të duroni të metat e gabimet e njerëzimit. Sa të çmuar janë shpirtrat e njerëzve! …

… Mos i kini zili stolitë dhe paraqitjet e përkohshme të mëkatarëve, sepse ata janë në një gjendje të mjerë; por për aq sa mundeni, kini mëshirë për ta, sepse brenda një kohe të shkurtër Perëndia do t’i shkatërrojë ata, nëse nuk pendohen dhe nuk kthehen tek ai.”10

“Njerëzit e urtë duhet të kenë mjaft kuptueshmëri sa t’i fitojnë njerëzit me mirësi. ‘Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin’, thotë i urti [Fjalët e Urta 15:1]; dhe do të jetë shumë e lavdërueshme që shenjtorët e ditëve të mëvonshme ta tregojnë dashurinë për Perëndinë, duke trajtuar tani me mirësi ata që, në një çast të pandërgjegjshëm, mund të kenë bërë gabim; sepse vërtet Jezusi tha, lutuni për armiqtë tuaj [shih Mateu 5:44].”11

“Unë nuk ndalem tek të metat tuaja dhe ju mos u ndalni tek të miat. Dashuria hyjnore, që është dashuri, mbulon një shumicë mëkatesh [shih 1 Pjetri 4:8] dhe unë shpesh i kam mbuluar gjithë të metat mes jush; por gjëja më e këndshme është që të mos kemi fare të meta. Ne duhet të ushqejmë një shpirt të butë, të qetë dhe paqësor.”12

Eliza R. Snou raportoi për një fjalim tjetër të mbajtur nga Profeti: “Kur persona shfaqin mirësinë dhe dashurinë më të vogël ndaj meje, o çfarë fuqie ka kjo mbi mendjen time, ndonëse drejtimi i kundërt ka prirje të ngacmojë gjithë ndjenjat e vrazhda dhe të brengosë mendjen njerëzore.

Të vëmë re tkurrjen e ndjenjave të dhembshura dhe mungesën e dashurisë hyjnore në botë, është një provë që njerëzit nuk i njohin parimet e perëndishmërisë. Fuqia dhe lavdia e perëndishmërisë përhapet me anë të një parimi të gjerë për t’u veshur me mantelin e dashurisë hyjnore. Perëndia nuk e sheh mëkatin me lëshim, por kur njerëzit kanë mëkatuar, duhet të ketë lëshim që bëhet për ta. … Sa më pranë Atit tonë qiellor të shkojmë, aq më shumë jemi të prirur të shohim me dhembshuri shpirtrat që po prishen; ne ndiejmë që dëshirojmë t’i marrim ata mbi supet tanë dhe t’i hedhim mëkatet e tyre pas shpinës. …

… Sa shpesh burra e gra të urtë kanë kërkuar ta drejtojnë Vëllain Jozef duke thënë: ‘Oh, po të isha Vëllai Jozef, do të bëja këtë e atë’; por po të ishin në vend të Vëllait Jozef, do ta kuptonin se burrat apo gratë nuk mund të detyrohen të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë, por duhet të trajtohen me durueshmëri, dhe së fundi, ne do t’i shpëtojmë ata. Mënyra si t’i mbajmë së bashku gjithë shenjtorët dhe ta mbajmë punën në përparim, është të presim me gjithë durimin, derisa Perëndia t’i sjellë këta persona në drejtësi. Nuk duhet të ketë lejim për mëkatin, por mëshira duhet të shkojë krah për krah me qortimin.”13

Ne shprehim dashuri hyjnore përmes veprimeve të thjeshta të shërbimit e mirësisë.

“Unë jam shërbëtori juaj dhe është vetëm përmes Frymës së Shenjtë që unë mund t’ju bëj mirë. … Ne nuk paraqitemi para jush si asgjë tjetër përveçse shërbëtorët tuaj të përulur, të gatshëm të harxhojmë e të harxhohemi në shërbimin tuaj.”14

Eduin Holden kujtoi: “Në 1838-ën, Jozefi dhe disa të rinj po luanin disa lojëra në natyrë, midis të cilave ishte një lojë me top. Shpejt ata filluan të lodhen. Ai e vuri re këtë dhe, duke i thirrur së bashku, tha: ‘Le të ndërtojmë një kasolle me trarë’. Kështu ata filluan, Jozefi dhe të rinjtë, të ndërtonin një kasolle me trarë për një të ve. E tillë ishte mënyra e Jozefit, të ndihmonte gjithmonë në çfarëdo që mundej.”15

Lusi Mak Smith, nëna e Profetit Jozef Smith, tregoi për një kohë kur shenjtorët po vendoseshin së pari në Komers të Ilinoisit, të quajtur më vonë Navu: “Ndërkohë që stina po kalonte, vëllezërit që ishin vendosur këtu filluan të ndiejnë pasojat e vështirësive të tyre, të cilat, të bashkuara me klimën e pashëndetshme, i sëmurën me malarie dhe sëmundje të zorrëve në një masë të tillë saqë kishte disa familje të tëra në të cilat nuk kishte asnjë njeri në gjendje t’i jepte tjetrit një gotë ujë të ftohtë apo edhe të ndihmonte veten e vet. Familja e Hajrëmit ishte përgjithësisht e sëmurë. Vajza ime më e vogël, Lusi, ishte gjithashtu shumë e sëmurë dhe në fakt, vetëm pak prej banorëve të vendit ishin mirë.

Jozefi dhe Ema i morën të sëmurët në shtëpinë e tyre dhe u kujdesën për ata atje. Dhe ata vazhduan t’i merrnin sapo sëmureshin derisa shtëpia e tyre, që përbëhej nga katër dhoma, u mbush kaq shumë saqë ata patën nevojë të hapnin një tendë në oborr për ndenjjen e asaj pjesë të familjes që qëndronte ende në këmbë. Jozefi dhe Ema ia kushtuan gjithë kohën dhe kujdesin e tyre përkujdesjes për të sëmurët gjatë kësaj kohe shqetësimi.”16

Xhon L. Smith, kushëri i Profetit, kujtoi ngjarjen në vijim që ndodhi po në këtë periudhë kohe: “Profeti Jozef dhe kushëriri Hajrëm, vëllai i tij, na vizituan. Ne të gjithë ishim të sëmurë, përveç Mamasë, me ethe e malarie, dhe Babai ishte në kllapi pjesën më të madhe të kohës. Jozefi hoqi këpucët nga këmbët kur pa gjendjen tonë varfanjake dhe ia vendosi në këmbë Babait, meqenëse ai ishte zbathur, dhe iku nga shtëpia zbathur për vete. Ai dërgoi dhe e mori Babain në shtëpinë e tij, dhe i shpëtoi jetën, dhe na furnizoi me shumë pajisje kështu që u shëruam.”17

Elizabet En Uitni kujtoi: “Nga fillimi i pranverës së 1840-ës ne shkuam në Komers, si vazhdonte të quhej pjesa e sipërme e qytetit të Navusë. Ne morëm me qira një shtëpi që i përkiste Hiram Kimballit. … Aty ne u sëmurëm të gjithë me malarie, të dridhura e ethe dhe qemë në gjendje që vetëm mezi të zvarriteshim përreth e të kujdeseshim për njëri-tjetrin. Në këto kushte të vështira u lind fëmija im i nëntë. Jozefi, pasi na vizitoi dhe pa ndryshimin e rrethanave tona, na nxiti menjëherë të shkonim e të merrnim pjesë në strehimin e tij. E ndiem që klima, uji dhe mungesat që po duronim, nuk mund të duroheshin më gjatë; prandaj e pranuam këtë propozim dhe shkuam të jetonim në oborrin e Profetit Jozef, në një godinë të vogël; shpejt e rimorëm shëndetin dhe fëmijët filluan të kthehen në normalitet. Burri im u punësua në një dyqan që kishte ndërtuar Jozefi dhe u pajis me mallra të tilla siç u nevojiteshin aktualisht njerëzve.

Një ditë, ndërsa po dilja në oborr prej shtëpisë, kujtimi i një profecie që më kishte bërë Jozef Smithi, kur jetonte në shtëpinë tonë në Kirtland, më shkrepi në mendje si një goditje elektrike; ishte kjo: se madje ashtu si ne kishim vepruar ndaj tij, duke i hapur dyert tona atij dhe familjes së tij kur qe pa shtëpi; po ashtu në të ardhmen ai do të na priste në shtëpinë e tij.”18

Mosia L. Hankok raportoi përvojën që vijon, që ndodhi në Navu kur ai qe i ri: “Atë verë [1841] luajta lojën time të parë me top me Profetin. Ne gjuajtëm dhe ndoqëm topin me radhë dhe, kur loja mbaroi, Profeti tha: ‘Vëllezër, mbrehni kafshët tuaja’, gjë që e bëmë, dhe të gjithë shkuam në pyje. Unë ngava karron tonë me një kalë duke qëndruar në mbështetësen e përparme dhe Vëllai Jozef e babai udhëtuan mbi mbajtëset e pasme [mbështetësja dhe mbajtëset janë pjesë strukturore të një karroje]. Ishin 39 skuadra në grup dhe ne mblodhëm drurë derisa u ngarkuan karrot. Kur u ngarkua karroja jonë, Vëllai Jozef propozoi të luante tërheqje shkopi me cilindo – dhe ai i tërhoqi të gjithë, një e nga një – cilindo që dëshironte të konkurronte me të.

Pastaj, Profeti i dërgoi karrot në vende të ndryshme te njerëz që kishin nevojë për ndihmë; dhe u tha të prisnin drutë për shenjtorët të cilët kishin nevojë për këtë. Të gjithëve iu pëlqente të vepronin si u tha Profeti dhe, edhe pse ne ishim shëndetligë dhe vdekja qe kudo rreth nesh, njerëzit buzëqeshën dhe u përpoqën të gëzonin gjithkënd.”19

Më 5 janar 1842, Profeti shkroi sa vijon në një letër drejtuar Eduard Hanterit, që më vonë shërbeu si Peshkop Kryesues: “Asortimentet tona [tek Dyqani me Tulla të Kuqe] janë mjaft të mira – shumë të mira, duke pasur parasysh blerjet e ndryshme të bëra nga individë të ndryshëm në kohë të ndryshme dhe nën rrethana që në njëfarë mase përcaktuan zgjedhjen e tyre; por unë gëzoj se kemi qenë në gjendje të vepronim aq mirë sa edhe vepruam, sepse zemrat e shumë vëllezërve e motrave të varfra do të gëzohen me ato komoditete që tani janë të përballueshme për ta.

Dyqani ishte mbushur plot e përplot dhe unë kam ndenjur pas banakut gjithë ditën, duke shpërndarë mallra po aq vazhdueshëm sa çfarëdo shitës që keni parë ndonjëherë, për t’u shërbyer atyre që qenë shtrënguar ta kalonin pa gostitë e tyre të zakonshme të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, sepse u mungonte sheqeri, melasa, stafidhet etj. etj.; dhe për të kënaqur veten gjithashtu, sepse më pëlqen shumë të kujdesem për shenjtorët dhe të jem shërbëtor për të gjithë, duke shpresuar se mund të ekzaltohem në kohën e duhur të Zotit.”20

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Ndërsa rishihni ndodhitë në faqet 451–454 dhe faqet 457–461, meditoni për ndjenjat tuaja kundrejt Profetit Jozef Smith. Çfarë na mësojnë këto ndodhi për të? Si mendoni ju, në çfarë mënyrash veprimet e tij ndikuan njerëzit që kishte përreth? Në çfarë mënyrash është prekur jeta juaj nga mirësia e të tjerëve?

  • Rishihni paragrafin e dytë, të tretë dhe të katërt në faqen 454. Si mendoni ju, përse një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë dëshiron që të bekojë gjithë njerëzimin? Si mundet që veprimet tona të dashurisë e mirësisë të ndihmojnë për të bekuar gjithë njerëzit?

  • Cilat janë disa përgjegjësi që kemi në përkujdesjen për ata në nevojë? (Për disa shembuj, shihni faqet 454–455.) Si lidhen këto përgjegjësi me nevojat materiale të njerëzve? Si lidhen me nevojat shpirtërore? Çfarë shembujsh keni parë ju të njerëzve që kujdesen për ata në nevojë?

  • Lexoni paragrafin që fillon në fund të faqes 455. Çfarë mund të bëjmë për të rritur vlerësimin tonë për virtytet e të tjerëve? Si mendoni ju, përse ne duhet “[të ruhemi] prej vetëkënaqjes dhe [të kufizohemi] në vlerësimin e vetë virtyteve [tona]”?

  • Profeti Jozef shprehu shqetësim për “tkurrjen e ndjenjave të dhembshura … në botë” (faqe 457). Përkundrazi, ai tha se duhet “t’i [rritim] ndjenjat [tona] kundrejt njëri-tjetrit” dhe “le të gufohen zemrat [tona], le të rriten ato drejt të tjerëve” (faqe 456). Si mendoni ju, çfarë do të thotë të rritim ndjenjat e zemrat tona kundrejt njëri-tjetrit?

  • Lexoni paragrafin e fundit në faqen 456. Në çfarë mënyrash mund ta zbatojmë këtë mësim kur ndërveprojmë me pjesëtarët e familjes sonë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 1 Korintasve 13:1–13; Mosia 4:14–16, 26–27; Ethëri 12:33–34; Moroni 7:45–48; DeB 121:45–46

Shënime

  1. James Leach, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 1 mars 1892, f. 152–153; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  2. History of the Church, 4:227; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Të Dymbëdhjetëve, 15 dhjetor 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 janar 1841, f. 258; kjo letër është datuar pasaktësisht 19 tetor 1840, në History of the Church.

  3. Lucy Meserve Smith, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 1 gusht 1892, f. 471.

  4. History of the Church, 2:383; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 2 korrik 1839, Montrose, Iowa.

  5. History of the Church, 2:229; shënim në fund të faqes; nga “To the Saints Scattered Abroad”, Messenger and Advocate, qershor 1835, f. 137.

  6. Përgjigje e botuesit për një letër nga Richard Savary, Times and Seasons, 15 mars 1842, f. 732; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  7. History of the Church, 4:608; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 1 maj 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  8. “To the Saints of God”, një kryeartikull i botuar në Times and Seasons, 15 tetor 1842, f. 952; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  9. History of the Church, 3:299; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një letër e Joseph Smith dhe të tjerëve drejtuar Edward Partridge dhe Kishës, 20 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri.

  10. History of the Church, 4:606–607; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  11. History of the Church, 6:219; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “Pacific Innuendo”, një artikull i shkruar nën drejtimin e Joseph Smith-it, 17 shkurt 1844, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 shkurt 1844, f. 443; ky numër i Times and Seasons u botua me vonesë.

  12. History of the Church, 5:517; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 23 korrik 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  13. History of the Church, 5:24; është modernizuar drejtshkrimi; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 qershor 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  14. History of the Church, 5:355; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 13 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  15. Edwin Holden, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 1 mars 1892, f. 153; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit.

  16. Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1844–1845 manuscript, book 17, f. 7, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  17. John Lyman Smith, Autobiography and Diaries, 1846–1895, fotokopje, vëll. 1, shënim për Sept. 1839, Arkivat e Kishës.

  18. Elizabeth Ann Whitney, “A Leaf from an Autobiography”, Woman’s Exponent, 15 nëntor 1878, f. 91.

  19. Mosiah Lyman Hancock, Autobiography, daktilografim, f. 22, Arkivat e Kishës.

  20. History of the Church, 4:492; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Edward Hunter, 5 janar 1842, Nauvoo, Illinois.

Pamja
Red Brick Store

Dyqani me Tulla të Kuqe i rindërtuar në Navu. Ndërtesa shërbeu si zyrë për Profetin Jozef Smith dhe si aktivitet tregtar për ta ndihmuar atë që të mbante familjen e tij. Shumë mbledhje të Kishës dhe aktivitete shoqërore u mbajtën në dyqan.

Pamja
men building

“Ata filluan, Jozefi dhe të rinjtë, të ndërtonin një kasolle me trarë për një të ve. E tillë ishte mënyra e Jozefit, të ndihmonte gjithmonë në çfarëdo që mundej.”

Pamja
Emma caring for sick

Gjatë një periudhe sëmundshmërie të madhe në Komers të Ilinoisit, Jozefi dhe Ema i morën të sëmurët në shtëpinë e tyre dhe u kujdesën për ata atje.

Shtyp në Letër