Kapitulli 45
Ndjenjat e Jozef Smithit për Misionin e Tij Profetik
“Nuk kam dëshirë tjetër përveç t’u bëjë mirë gjithë njerëzve.”
Nga Jeta e Jozef Smithit
Që nga fillimi i shërbesës së Profetit Jozef Smith, jeta e tij qe shpesh në rrezik. Ndonëse Zoti e kishte çliruar shumë herë prej armiqve të tij, Profeti e dinte se sapo të kishte plotësuar misionin e tij tokësor, ai mund të vdiste. “Disa kanë supozuar se Vëllai Jozef nuk mund të vdesë”, tha ai në një funeral në Navu në vitin 1842, “por ky është gabim: është e vërtetë se ka pasur kohëra kur kam pasur premtimin për ruajtjen e jetës time për të përmbushur këtë apo atë gjë, por, pasi tani i kam përmbushur ato gjëra, aktualisht nuk kam ndonjë premtim për jetën time. Jam po aq i rrezikuar të vdes sa dhe njerëzit e tjerë.”1
Profeti ishte shumë i vetëdijshëm se ai dhe të gjithë shenjtorët që jetonin në Navu ndodheshin në një situatë gjithmonë e më të rrezikshme. Ndërsa Navuja rritej, disa prej njerëzve që jetonin në atë zonë filluan të kishin frikë nga fuqia politike e ekonomike në rritje e shenjtorëve dhe turmat filluan t’i trazonin përsëri ata. Profeti qe në rrezik të veçantë, sepse autoritetet nga Misuri bënë përpjekje të përsëritura për ta kapur dhe braktisës të Kishës u bënë gjithmonë e më armiqësorë në përpjekjet e tyre për ta shkatërruar atë. Më 6 gusht 1842, Profeti deklaroi se do të vinte koha kur anëtarët e Kishës do të detyroheshin ta braktisnin Navunë:
“Unë profetizova se shenjtorët do të vazhdonin të vuanin shumë të këqija e do të detyroheshin të shkonin në Malet Shkëmbore, shumë do të braktisnin kishën, të tjerë do të vriteshin nga përndjekësit tanë apo do të humbnin jetën si pasojë e kushteve të këqija ose sëmundjes dhe disa prej jush do të jetoni sa të shkoni e të ndihmoni në ngritjen e kolonive dhe të ndërtoni qytete e të shihni shenjtorët të bëhen një popull i fuqishëm mes Maleve Shkëmbore.”2
Në predikimet dhe shkrimet e pak viteve të fundit të jetës së Profetit, ka një ndjesi urgjence në fjalët e tij. Duke e ditur se i kishte mbetur pak kohë, ai punoi me zell për t’u mësuar shenjtorëve gjërat që Perëndia i kishte zbuluar atij dhe i nxiti ata të përgatiteshin për të marrë këto të vërteta. Ai shprehu gjithashtu dashurinë e tij të madhe për shenjtorët, duke deklaruar madje se ishte i gatshëm të jepte jetën e vet për ta: “Jam gati të ofrohem si sakrificë në atë mënyrë që mund të sjellë përfitimin dhe të mirën më të madhe”3.
Është e mrekullueshme se ndërsa Profeti po duronte kaq shumë përndjekje dhe ishte i shtrënguar nga kërkesat e vazhdueshme të Kishës në rritje, ai gjeti kohë të tregonte se përkujdesej për secilin anëtar të Kishës si individ. Shumë shenjtorë kujtuan në vite të mëvonshme dashurinë e mirësinë që u shfaqi atyre Profeti Jozef.
Aroet L. Hejl kujtoi: “Profeti … shpesh e kishte zakon të dilte nga Mensën [Hauz] dhe të luante me top me ne djemtë, biri i tij Jozefi qe gati në moshën time. [Profeti] Jozef gjithmonë do t’u përmbahej rregullave. Ai do të rrokte [topin] derisa t’i vinte radha për të marrë shkopin, pastaj, duke qenë burrë shumë i fortë [i fuqishëm], do ta qëllonte topin aq larg saqë ne e kishim zakon t’i thërrisnim djaloshit që po shkonte të gjente topin, që të merrte drekën me vete. Kjo e bënte për të qeshur Profetin. Jozefi qe gjithmonë me karakter të mirë dhe plot dëfrim.”4
Margaret Mek-Intair Bërxhes kujtoi një tjetër përvojë me Profetin në Navu: “Vëllai im më i madh dhe unë po shkonim në shkollë, pranë ndërtesës që njihej si dyqani me tulla i Jozefit. Ditën e mëparshme kishte rënë shi, duke bërë që toka të ishte shumë me baltë, veçanërisht përgjatë rrugës. Vëllai im Uollis dhe unë, që të dy ngecëm në baltë dhe nuk mund të dilnim, dhe sigurisht, si fëmijë, filluam të qanim, se menduam që do të na duhej të qëndronim atje. Por duke ngritur sytë, pashë mikun e dashur të fëmijëve, Profetin Jozef, që po vinte drejt nesh. Shpejt ai na nxori në vend më të lartë e më të thatë. Pastaj ai u përkul dhe hoqi baltën prej këpucëve tona të vogla e të ngarkuara plot, nxori shaminë e tij nga xhepi dhe na fshiu faqet me njolla lotësh. Na tha fjalë të mira e të gëzueshme dhe na çoi në rrugën tonë për në shkollë të gëzuar. A ishte çudi që unë e doja atë njeri të shkëlqyer, të mirë e fisnik të Perëndisë?”5
Mësime të Jozef Smithit
Profetët japin mësim atë që Perëndia u zbulon atyre; ne përpiqemi shumë të kuptojmë e t’ua vëmë veshin fjalëve të tyre.
“Meditimi im gjithë ditën, dhe më shumë se kënaqësi për mua, është të di se si do t’i bëj shenjtorët e Perëndisë të kuptojnë vegimet që rrokullisen si valë vërshuese para mendjes sime. Oh, sa kënaqësi kam t’ju nxjerr përpara gjëra për të cilat nuk keni menduar kurrë! Por varfëria dhe kujdesjet e botës më pengojnë. …
Hosana, hosana, hosana Perëndisë së Plotfuqishëm, që drita qiellore fillon të shpërthejë mbi ne madje dhe tani. Nuk mund të gjej fjalë me të cilat të shprehem. Nuk jam i mësuar, por kam po aq ndjenja të mira sa cilido njeri. Oh, sikur të kisha gjuhën e kryeengjëllit që t’ua shprehja njëherë ndjenjat e mia miqve të mi! Por nuk e pres kurrë në këtë jetë.”6
“Ka qenë vështirësi e madhe që t’i fus ndonjë gjë në kokë këtij brezi. Ka qenë sikur të çaja nyjat e degëve të kokotës me një çyrek misri [një cope buke misri] për pykë dhe një kungull për tokmak [çekiç druri]. Edhe shenjtorët mezi kuptojnë.
Jam përpjekur për një numër vitesh të përgatis mendjet e shenjtorëve për të marrë gjërat e Perëndisë; por shpesh ne i shohim disa prej tyre, pasi kanë vuajtur gjithçka që duhej për punën e Perëndisë, të thyhen në copa si qelq sapo vjen diçka që është në kundërshtim me traditat e tyre: ata nuk mund ta durojnë fare zjarrin pastrues. Sa do të jenë në gjendje të pajtohen me një ligj çelestial dhe të shkojnë deri në fund e të marrin ekzaltimin e tyre, nuk jam në gjendje ta them, pasi shumë thirren, por pak zgjidhen [shih DeB 121:40].”7
“Unë nuk jam si njerëzit e tjerë. Mendja ime është vazhdimisht e zënë me punën e ditës dhe unë duhet të mbështetem plotësisht tek Perëndia i gjallë për gjithçka që them në raste të tilla si ky [një funeral]. …
Po të kisha frymëzim, zbulesë dhe mushkëri që të komunikoja atë që ka kundruar shpirti im në kohë të kaluara, nuk ka asnjë shpirt në këtë kongregacion që nuk do të shkonte në shtëpinë e vet dhe të mbyllte gojën në heshtje të përjetshme mbi fenë derisa të kishte mësuar diçka.
Pse jeni kaq të sigurt se i kuptoni gjërat e Perëndisë, kur gjithë gjërat me ju janë kaq të pasigurta? Jeni të mirëpritur për gjithë dijen dhe inteligjencën që mund t’ju jap juve.”8
“Disa njerëz thonë se jam një Profet i rënë, sepse nuk sjell më tej nga fjala e Zotit. Përse nuk e bëj këtë? A jemi të aftë ta marrim atë? Jo, asnjë në këtë dhomë!”9
“Herë pas here do t’ju zbuloj temat që më zbulon mua Fryma e Shenjtë. Gjithë gënjeshtrat që janë kurdisur tani kundër meje janë prej djallit dhe ndikimi i djallit e i shërbëtorëve të tij do të përdoret kundër mbretërisë së Perëndisë. Shërbëtorët e Perëndisë nuk mësojnë mbi asgjë tjetër përveç parimeve të jetës së përjetshme, ju do t’i njihni ata nga punët e tyre. Një njeri i mirë do të thotë gjëra të mira e parime të shenjta dhe një njeri i lig, gjëra të liga. Unë ndiej, në emrin e Zotit, të qortoj gjithë këto parime të tilla të këqija, gënjeshtarët etj. dhe ju paralajmëroj të gjithëve të kini kujdes se kujt i shkoni pas. Unë ju këshilloj t’ua vini veshin gjithë virtytit dhe mësimeve që unë ju kam dhënë. …
Ju këshilloj të merrni parasysh – shtojini besimit tuaj virtyt, dashuri etj. Unë them, në emrin e Zotit, nëse këto gjëra gjenden në ju, ju do të jeni të frytshëm [shih 2 Pjetri 1:5–8]. Unë dëshmoj se asnjë njeri nuk ka fuqi t’i zbulojë ato përveç meje – gjëra në qiell, në tokë e në ferr. … Unë ju lëvdoj ju të gjithëve tek Perëndia, që ju të mund të trashëgoni të gjitha gjërat; dhe Perëndia i shtoftë bekimet e Tij.”10
Edhe pse profetët janë njerëz me dobësi njerëzore, ata janë thirrur nga Perëndia për ta mësuar e udhëhequr popullin e Tij.
Ditari i Profetit për datën 6 nëntor 1835, regjistron: “Unë u njoha këtë mëngjes me një burrë nga lindja. Pasi dëgjoi emrin tim, ai vërejti se unë s’isha gjë tjetër përveçse një njeri, duke treguar me këtë shprehje se ai kishte supozuar se një person, të cilin Zoti e shihte të përshtatshëm për t’i zbuluar vullnetin e Tij, duhet të ishte diçka më shumë se një njeri. Duket se ai e kishte harruar thënien që doli nga buzët e shën Jakobit, se [Elia] ishte një njeri me të njëjtat pasionet tona, përsëri ai kishte një fuqi të tillë me Perëndinë, saqë Ai, në përgjigje të lutjeve të tij, mbylli qiejt sa ata nuk dhanë shi për një periudhë prej tre vjetësh e gjashtë muajsh; dhe përsëri, në përgjigje të lutjes së tij, qiejt dhanë shi dhe dheu dha fryt [shih Jakobi (Bibël) 5:17–18]. Vërtet, e tillë është errësira dhe padituria e këtij brezi, saqë ata e shohin si të pabesueshme që një njeri duhet të ketë ndonjë [marrëdhënie] me Krijuesin e tij.”11
“Kur kam dhënë mësim ndonjë gjë të gabuar nga ky vend? Kur u ngatërrova ndonjëherë? Unë dua të triumfoj në Izrael përpara se të nisem që këtu dhe të mos shihem më. Kurrë nuk ju thashë se jam i përsosur, por nuk ka gabim në zbulesat që ju kam mësuar. A duhet atëherë, që të më hedhin tej, si një gjë pa vlerë?”12
“Edhe pse bëj gabime, nuk bëj gabimet që më akuzojnë se kam bërë: gabimi që bëj vjen përmes dobësisë së natyrës njerëzore, si njerëzit e tjerë. Asnjë njeri nuk jeton pa të meta. A mendoni se madje Jezusi, po të ishte këtu, do të ishte pa të meta në sytë tuaj? Armiqtë e Tij thanë të liga të çdo lloji kundër Tij – ata të gjithë kërkuan padrejtësi tek Ai.”13
Ditari i Jozef Smithit për datën 29 tetor 1842, regjistron: “Unë … shkova matanë në dyqan [në Navu të Ilinoisit], ku ishin mbledhur një numër vëllezërish e motrash, që kishin arritur këtë mëngjes nga rrethinat e Nju-Jorkut. … Unë u thashë atyre se isha veçse një njeri dhe ata nuk duhet të prisnin që të isha i përsosur; nëse ata do të prisnin përsosuri prej meje, edhe unë do ta prisja prej tyre; por nëse ata do të duronin cenet e mia dhe cenet e vëllezërve, njëlloj dhe unë do të duroja cenet e tyre.”14
Me gjithë kundërshtinë, profetët përmbushin misionet që u jep Perëndia.
“Jam i lumtur e mirënjohës për privilegjin që të jem i pranishëm në këtë rast. Përpjekje të mëdha janë bërë nga ana e armiqve tanë për të më çuar në Misuri e për të shkatërruar jetën time; por Zoti e ka penguar udhën e tyre dhe ata ende nuk e kanë përmbushur qëllimin e tyre. Perëndia më ka dhënë mundësi të mos bie në duart e tyre. E bëra luftimin e mirë. …
Do të triumfoj mbi armiqtë e mi: Kam filluar të triumfoj mbi ta në shtëpi dhe do ta bëj atë jashtë vendit. Të gjithë ata që ngrihen kundër meje, sigurisht do ta ndiejnë peshën e paudhësive të tyre mbi vetë kokën e tyre.”15
“Unë flas me guxim dhe me besnikëri, dhe me autoritet. … E di se çfarë them, e kuptoj misionin dhe punën time. Perëndia i Plotfuqishëm është mburoja ime; dhe çfarë mund të bëjë njeriu nëse Perëndia është miku im? Unë nuk do të sakrifikohem derisa të vijë ora ime; atëherë do të ofrohem lirisht. … E falënderoj Perëndinë që më ruan nga armiqtë e mi; unë s’kam armiq përveçse për hir të së vërtetës. Nuk kam dëshirë tjetër përveç t’u bëjë mirë gjithë njerëzve. Ndiej që të lutem për të gjithë njerëzit.”16
“Nëse nuk do të isha futur faktikisht në këtë punë dhe të mos isha thirrur nga Perëndia, do të isha tërhequr. Por unë nuk mund të tërhiqem: nuk kam dyshim për të vërtetën.”17
“Unë jam një gur i papërpunuar. Tingulli i çekiçit dhe daltës nuk ishte dëgjuar kurrë mbi mua derisa më mori Zoti në dorë. Unë dëshiroj vetëm mësimin dhe urtësinë e qiellit.”18
“Unë profetizoj dhe jap dëshmi këtë mëngjes se gjithë forcat e ndërthurura të tokës e ferrit nuk do ta përmbysin dhe nuk do mund ta përmbysin apo mposhtin ndonjëherë këtë djalosh, sepse unë kam një premtim nga Perëndia i përjetshëm. Nëse kam mëkatuar, kam mëkatuar së jashtmi; por sigurisht që kam kundruar gjërat e Perëndisë.”19
“Kur njerëzit dalin e ndërtojnë mbi themelet e njerëzve të tjerë, ata e bëjnë atë nën përgjegjësinë e tyre, pa autoritet nga Perëndia; dhe kur vijnë përmbytjet dhe fryjnë erërat, themelet e tyre do të shihen se janë rërë dhe gjithë struktura e tyre do të bëhet pluhur e hi.
A ndërtova unë mbi themelin e ndonjë njeriu tjetër? Unë kam marrë gjithë të vërtetën që zotëronte bota e krishterë dhe një zbulesë të pavarur veç kësaj, dhe Perëndia do të më nxjerrë triumfues.”20
Profetët i duan ata që u shërbejnë dhe dëshirojnë t’i udhëheqin mirë, edhe nëse bërja e kësaj kërkon që t’i qortojnë ata.
“Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij [shih Gjoni 15:13]. Kam zbuluar qindra e mijëra prej vëllezërve të mi gati të sakrifikojnë jetën e tyre për mua.
Barrët që bien mbi mua janë shumë të mëdha. Përndjekësit nuk më lënë pushim dhe gjej se mes punës e shqetësimeve fryma është gati, por mishi është i dobët. Edhe pse u thirra nga Ati im Qiellor për të hedhur themelin e kësaj pune e mbretërie të shkëlqyer në këtë periudhë ungjillore dhe për t’ia dëshmuar Izraelit të shpërndarë vullnetin e zbuluar të Tij, jam subjekt pasionesh të ngjashme sikurse njerëzit e tjerë, ashtu si profetët e kohëve të vjetra. …
Nuk shoh të meta tek Kisha, prandaj le të ringjallem me shenjtorët, qoftë nëse ngjitem në qiell, apo zbres në ferr, apo shkoj në ndonjë vend tjetër. Dhe nëse shkojmë në ferr, do t’i nxjerrim djajtë jashtë dyerve dhe do ta bëjmë atë një qiell. Atje ku janë këta njerëz, ka shoqëri të mirë.”21
“Shenjtorët nuk duhet të mendojnë, meqë jam i afrueshëm me ta, shakatar dhe i gëzueshëm, se jam i paditur për çfarë po ndodh. Paudhësi të asnjë lloji nuk mund të mbështeten në Kishë dhe ato nuk do t’ia kalojnë mirë aty ku jam unë; sepse jam i vendosur që ndërsa e udhëheq Kishën, ta udhëheq drejt atë.”22
“Nëse jam kaq me fat sa të jem njeriu që kupton Perëndinë dhe i shpjegon apo i përçon parimet në zemrat tuaja, që Shpirti t’i vulosë ato tek ju, atëherë paskëtaj çdo burrë e grua le të qëndrojë në heshtje, të vërë duart në gojë dhe të mos i ngrejë kurrë duart apo zërin, apo të thotë ndonjë gjë përsëri kundër njeriut të Perëndisë apo shërbëtorëve të Perëndisë. … Nëse po ju sjell tek një njohuri për Të, gjithë përndjekjet kundër meje duhet të marrin fund. Atëherë ju do ta dini se unë jam shërbëtori i Tij; sepse flas si një që ka autoritet. …
… Unë mund të shijoj parimet e jetës së përjetshme dhe po ashtu edhe ju. Ato më janë dhënë mua me anë të zbulesave të Jezu Krishtit; dhe e di se kur ju them këto fjalë të jetës së përjetshme ashtu si më jepen mua, ju i shijoni ato dhe unë e di se ju i besoni ato. Ju thoni se mjalti është i ëmbël dhe po kështu edhe unë. Unë mund të shijoj gjithashtu shpirtin e jetës së përjetshme. E di se është i mirë; dhe kur ju them këto gjëra që më janë dhënë nga frymëzimi i Shpirtit të Shenjtë, ju jeni të bindur që i merrni ato si të ëmbla dhe gëzoheni gjithmonë e më shumë. …
Unë i nënkuptoj vërejtjet e mia për të gjithë, të pasur dhe të varfër, të lirë dhe skllevër, të mëdhenj e të vegjël. Nuk kam ndonjë armiqësi kundrejt ndonjë njeriu. Ju dua të gjithëve; por i urrej disa prej veprimeve tuaja. Jam miku juaj më i mirë dhe nëse njerëzit nuk e arrijnë qëllimin e tyre, është faji i atyre vetë. Nëse unë qortoj një njeri, dhe ai më urren, ai është budalla; sepse unë i dua gjithë njerëzit, veçanërisht këta vëllezër e motra të mia.
… Ju nuk më njihni; ju kurrë nuk e njohët zemrën time. Askush nuk e di historinë time. Unë nuk mund ta tregoj: kurrë nuk do ta ndërmarr këtë. Nuk i vë faj askujt se nuk e beson historinë time. Në qoftë se nuk do ta kisha përjetuar atë që provova, nuk do ta kisha besuar as vetë. Nuk i kam bërë keq askujt që kur u linda në botë. Zëri im është gjithmonë për paqe.
Nuk mund të shtrihem derisa e gjithë puna ime të përfundojë. Kurrë nuk mendoj ndonjë të ligë, as nuk bëj ndonjë gjë në dëm të bashkënjeriut tim. Kur të thirrem nga boria e kryeengjëllit dhe të peshohem në peshoret, ju të gjithë do të më njihni atëherë. Nuk shtoj gjë tjetër. Perëndia ju bekoftë të gjithëve.”23
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.
Në faqen 551, lexoni për përndjekjen që hasi Jozef Smithi në Navu. Pastaj shkoni tek faqet 553–554 dhe lexoni ndodhitë e tij duke u shërbyer e duke luajtur me fëmijët në Navu. Si mendoni ju, përse ai qe i aftë të mbante një qëndrim të tillë të gëzueshëm, përkujdesës? Mendoni se çfarë mund të bëni për të mbetur të lumtur e të dashur gjatë kohëve të sprovës.
Lexoni paragrafin e parafundit dhe të fundit në faqen 554, duke vënë re zhgënjimin e Profetit Jozef kur shenjtorët nuk qenë gati të merrnin gjithçka që ai donte t’u mësonte atyre (shih faqet 554–555). Çfarë mund të bjerë ndesh me aftësinë tonë për të marrë më shumë të vërtetë? Çfarë mund të bëjmë ne që të jemi “[të përgatitur] për të marrë gjërat e Perëndisë”?
Rishihni paragrafin e parë në faqen 556 dhe dy paragrafët vijues. Çfarë këshille mund t’i jepni dikujt që kundërshton të ndjekë një udhëheqës të Kishës sepse udhëheqësi ka ndonjë farë të mete në karakter? Lexoni paragrafin e fundit në faqen 556 dhe mendoni se si ky deklarim zbatohet në të gjitha marrëdhëniet tona.
Jozef Smithi shprehu besim se Perëndia do ta mbronte atë dhe do t’i jepte mundësi të përmbushte misionin e tij në jetë (faqet 557–558). Çfarë përvojash keni pasur juve në të cilat Perëndia ju ka ndihmuar të përmbushni përgjegjësitë tuaja në familjen tuaj apo në një thirrje në Kishë?
Studioni paragrafin e parë të plotë të faqes 559 dhe tjetrin pas tij. Kur e keni shijuar ëmbëlsinë e së vërtetës? Si mund të gëzohemi me fjalët e një profeti apo udhëheqësi tjetër të Kishës edhe kur ai na qorton për prapësitë tona?
Rishihni shpejt të gjithë kapitullin, duke kërkuar një apo dy deklarime që janë veçanërisht të dobishme për ju. Çfarë vlerësoni për deklarimet që keni zgjedhur? Si e ka ndikuar dëshminë tuaj për Profetin Jozef Smith ky kapitull?
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Danieli 2:44–45; 2 Timoteut 4:6–8; Jakobi [Bibël] 1:17–19; Mosia 2:9–11; Mormoni 9:31