Kapitulli 7
Pagëzimi dhe Dhurata e Frymës së Shenjtë
“Pagëzimi me ujë, pa pagëzimin me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë që e pasojnë atë, është i kotë; ata janë të lidhur në mënyrë të domosdoshme dhe të pandashme.”
Nga Jeta e Jozef Smithit
Në kohën e Jozef Smithit, lumi Suskuehana rridhte me kthesa të mëdha e gjarpëruese nëpër pyje pemësh druforta dhe pishash, të rrethuara nga kodrina të njëpasnjëshme dhe fusha me grurë. Si lumi më i madh në Pensilvani, ai ishte pjesë qendrore e peizazhit përreth Harmonisë në Pensilvani. Meqenëse lumi ishte pranë shtëpisë së tij dhe ofronte vende të qeta e të veçuara, Profeti disa herë u tërhoq atje për t’u menduar dhe për t’u lutur.
Pikërisht në brigjet e këtij lumi shkuan Profeti dhe Oliver Kaudri më 15 maj 1829, që të luteshin për rëndësinë e pagëzimit. Në përgjigje të lutjes së tyre, atyre iu shfaq Gjon Pagëzori, që u dha Priftërinë Aarone dhe i urdhëroi të pagëzonin njëri-tjetrin. Bekimi që ata kishin kërkuar, tashmë mund të kryhej në mënyrën e duhur dhe me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë. Duke u zhytur në lumë, ata pagëzuan njëri-tjetrin, ku Jozefi pagëzoi së pari Oliverin, siç kishte udhëzuar Gjoni. Pastaj Jozefi vendosi duart e tij mbi kokën e Oliverit dhe e shuguroi atë në Priftërinë Aarone dhe Oliveri bëri të njëjtën gjë për Jozefin. Profeti kujtoi:
“Ne provuam bekimet e mëdha dhe të lavdishme nga Ati ynë Qiellor. Menjëherë sapo e kisha pagëzuar Oliver Cowdery-n, Fryma e Shenjtë ra mbi të dhe ai u ngrit e profetizoi shumë gjëra që do të ndodhnin pak kohë më pas. Dhe përsëri, sapo isha pagëzuar prej tij, edhe unë pata shpirtin e profecisë, kur, duke qëndruar në këmbë, profetizova lidhur me ngritjen e kësaj Kishe dhe me këtë brez të fëmijëve të njerëzve. Ne u mbushëm me Frymën e Shenjtë dhe u gëzuam në Perëndinë e shpëtimit tonë” (Joseph Smith—Historia 1:73).
Bekimet e pagëzimit shpejt u shtrinë tek besimtarë të tjerë. Më vonë në muajin maj, Samueli, vëlla më i vogël i Profetit, erdhi të vizitonte Jozefin dhe Oliverin në Harmoni. “Ne … punuam që ta bindnim atë në lidhje me Ungjillin e Jezu Krishtit, që tani ishte gati të zbulohej në plotësinë e tij”, pohoi Profeti. Samueli mori një dëshmi të veprës dhe Oliver Kaudri e pagëzoi atë dhe pas kësaj, Samueli “u kthye në shtëpinë e babait të tij, duke e përlëvduar dhe duke i thurur lavde Perëndisë, duke qenë i mbushur me Shpirtin e Shenjtë”1. Në qershor, Profeti pagëzoi vëllanë e tij më të madh, Hajrëmin, që prej kohësh kishte qenë një besimtar i patundur i mesazhit të Profetit. “Që nga kjo kohë e më pas shumë u bënë besimtarë”, shënoi Jozefi “dhe disa u pagëzuan ndërsa ne vazhduam të udhëzonim dhe të bindnim.”2
Profeti qe veçanërisht mirënjohës kur pa të pagëzohej atin e tij, Jozef Smith Plakun. Profeti kishte një dashuri të thellë për atin e tij, i cili qe i pari që e besoi mesazhin e tij pasi u vizitua së pari nga Moroni. Jozef Smith Plaku u pagëzua më 6 prill 1830, ditën kur u organizua Kisha. Nëna e Profetit, Lusi Mak Smith, kujtoi: “Jozefi qëndroi në këmbë në breg kur ati i tij doli nga uji dhe, ndërsa e kapi për dore, thirri: ‘… Unë jetova sa ta shoh atin tim të pagëzohet në kishën e vërtetë të Jezu Krishtit’, dhe e ngjeshi fytyrën në gjirin e të atit dhe qau me zë të lartë nga gëzimi ashtu si dhe Jozefi i lashtësisë kur pa atin e tij që po vinte në tokën e Egjiptit.”3
Ditën kur u organizua Kisha, shumë shenjtorë që ishin pagëzuar më parë, morën dhuratën e Frymës së Shenjtë me anë të fuqisë së Priftërisë Melkizedeke. Profeti Jozef Smith u mësoi me forcë nevojën për të dyja, edhe për pagëzimin, edhe për vënien e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë. “Pagëzimi me ujë, pa pagëzimin me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë që e pasojnë atë, është i kotë”, deklaroi ai. “Ata janë të lidhur në mënyrë të domosdoshme dhe të pandashme. Një individ duhet të lindet nga uji dhe shpirti, me qëllim që të arrijë në mbretërinë e Perëndisë.”4
Mësime të Jozef Smithit
Ordinanca e pagëzimit është e domosdoshme për ekzaltimin.
“Perëndia ka vendosur shumë shenja në tokë, si dhe në qiell; për shembull, lisi i pyllit, fruti i pemës, bari i fushës – të gjithë shfaqin një shenjë se fara është mbjellë atje; sepse është një dekret i Zotit që çdo pemë, bimë dhe bar që mbartin farë duhet të lindin llojin e tyre dhe nuk mund të lindin sipas ndonjë ligji ose parimi tjetër.
Sipas të njëjtit parim unë deklaroj se pagëzimi është një shenjë e shuguruar nga Perëndia, që besimtari tek Krishti duhet ta marrë mbi vete në mënyrë që të hyjë në mbretërinë e Perëndisë, ‘se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë’ tha Shpëtimtari [shih Gjoni 3:5]. Ai është një shenjë dhe një urdhërim që Perëndia e ka vendosur për njeriun që të hyjë në mbretërinë e Tij. Ata që kërkojnë të hyjnë në çfarëdo mënyre tjetër do të kërkojnë më kot; sepse Perëndia nuk do t’i presë ata, as engjëjt nuk do ta njohin veprën e tyre si të pranuar, sepse ata nuk u janë bindur ordinancave, as nuk u kanë kushtuar vëmendje shenjave që Perëndia ka shuguruar për shpëtimin e njeriut, për ta përgatitur atë dhe për t’i dhënë atij të drejtën për lavdinë çelestiale; dhe Perëndia ka dekretuar se të gjithë ata që nuk do t’i binden zërit të Tij, nuk do t’i shpëtojnë mallkimit të ferrit. Cili është mallkimi i ferrit? Të bashkohen me ata njerëz që nuk u janë bindur urdhërimeve të Tij.
Pagëzimi është një shenjë për Perëndinë, për engjëjt dhe për qiellin që ne bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe nuk ka udhë tjetër nën qiell që Perëndia ka shuguruar për njeriun që të vijë tek Ai që të shpëtohet, dhe të hyjë në mbretërinë e Perëndisë, përveç besimit tek Jezu Krishti, pendimit dhe pagëzimit për heqjen e mëkateve, dhe çfarëdo udhë tjetër është e kotë; atëherë ju keni premtimin e dhuratës së Frymës së Shenjtë.”5
“Kur shqyrtojmë faqet e shenjta të Biblës, duke kërkuar tek profetët dhe thëniet e apostujve, ne nuk gjejmë temë kaq të lidhur ngushtë me shpëtimin, sa ajo e pagëzimit. … Le të kuptojmë se fjala pagëzim rrjedh nga folja në greqisht baptiso dhe do të thotë të zhytesh. …
… Nuk do të ishte gabim të paraqitnim porositë dhe urdhërimet e vetë Jezusit për këtë temë. – Ai u tha të dymbëdhjetëve, ose më mirë njëmbëdhjetë në atë kohë: ‘Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.’ Kështu shënohet nga Mateu [Mateu 28:19–20]. Tek Marku kemi këto fjalë të rëndësishme: ‘Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar’ [Marku 16:15–16]. …
… ‘Nikodem, një krer i Judenjve … erdhi natën te Jezusi dhe i tha: “Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të”. Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë”. Nikodemi i tha: “Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?” Jezusi u përgjigj: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”’ [Gjoni 3:1–5].
Kjo përgjigje e fortë dhe pohuese e Jezusit në lidhje me pagëzimin me ujë, i përgjigjet pyetjes: Nëse Perëndia është i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë; nuk është çudi që ai është kaq pohues në deklaratën e madhe: ‘Ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar.’ [Marku 16:16.] Nuk kishte asnjë emër tjetër të dhënë nën qiell, as nuk pranohej ndonjë ordinancë tjetër, nëpërmjet të cilave njeriu mund të shpëtohej: Nuk është çudi që Apostulli tha duke qenë ‘të varrosur bashkë në të në pagëzim’ ju do të ringjalleni prej së vdekurish! [Kolosianëve 2:12.] Nuk është çudi që Palit iu desh të ngrihej dhe të pagëzohej dhe të lante mëkatet e tij [shih Veprat e Apostujve 9:17–18].”6
Në të gjitha periudhat ungjillore, shenjtorët janë pagëzuar në emrin e Jezu Krishtit.
“Të lashtët që ishin në të vërtetë etërit e kishës në epoka të ndryshme, kur kisha lulëzonte në tokë, … inicioheshin në mbretëri me anë të pagëzimit, sepse është e vetëkuptueshme në shkrimin e shenjtë – Perëndia nuk ndryshon. Apostulli thotë se ungjilli është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson; dhe gjithashtu na informon se jeta dhe pavdekësia u nxorën në dritë me anë të ungjillit [shih Romakëve 1:16; 2 Timoteut 1:10]. …
Tani, duke pranuar se shkrimet e shenjta japin kuptimin që kanë për qëllim të japin dhe kanë kuptim atë që përmbajnë, ne kemi shkaqe të mjaftueshme të vazhdojmë e të provojmë nga Bibla se ungjilli ka qenë gjithmonë i njëjtë; ordinancat për të plotësuar kërkesat e tij, të njëjta; dhe shërbestarët për të vepruar, të njëjtë; dhe shenjat dhe frytet që rrjedhin nga premtimet, të njëjta: Prandaj, përderisa Noeu ishte predikues i drejtësisë, ai duhet të ketë qenë pagëzuar dhe shuguruar në priftëri me anë të vënies së duarve etj. Sepse askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, por ai që thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni [shih Hebrenjve 5:4]. …
… Do të shihet dhe pranohet se, nëse kishte mëkat mes njerëzve, pendimi do të ishte po aq i domosdoshëm në një kohë ose epokë të botës sa dhe në një tjetër – dhe se asnjë njeri nuk mund të vendosë themel tjetër përveç atij që është vendosur, që është Jezu Krishti. Prandaj, nëse Abeli ishte një burrë i drejtë ai duhet të bëhej i tillë duke mbajtur urdhërimet; nëse Enoku ishte aq i drejtë sa të vinte në praninë e Perëndisë dhe të ecte me të, ai duhet të ishte bërë i tillë duke mbajtur urdhërimet e tij dhe po kështu për secilin njeri të drejtë, qoftë nëse qe Noeu, një predikues i drejtësisë; Abrahami, ati i besimtarëve; Jakobi, fitimtari bashkë me Perëndinë; Moisiu, njeriu që shkroi për Krishtin dhe solli ligjin me anë të urdhërimit, si një mësues për të sjellë njerëzit tek Krishti; apo nëse ishte vetë Jezu Krishti, që nuk kishte nevojë për pendim, pasi nuk kishte bërë asnjë mëkat; sipas deklaratës së tij solemne drejtuar Gjonit: – lejomë të pagëzohem, sepse asnjë njeri nuk mund të hyjë në mbretëri pa iu bindur kësaj ordinance, sepse është e përshtatshme për ne të përmbushim çdo drejtësi [shih Përkthimi i Jozef Smithit, Mateu 3:43]. Sigurisht, atëherë, nëse ishte e përshtatshme për Gjonin dhe Jezu Krishtin, Shpëtimtarin, të pagëzoheshin që të plotësonin çdo drejtësi – po kaq sigurisht, atëherë, është e përshtatshme për çdo person tjetër që kërkon mbretërinë e qiellit të shkojë e të veprojë po ashtu; sepse ai është dera dhe nëse ndonjë person ngjitet në çfarëdo anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar! [Shih Gjoni 10:1–2.]
Në epokat e mëparshme të botës, përpara se Shpëtimtari të vinte në mish ‘shenjtorët’ pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit që do të vinte, sepse kurrë nuk ka pasur një emër tjetër nëpërmjet të cilit njerëzit të mund të shpëtoheshin; dhe pasi ai erdhi në mish dhe u kryqëzua, atëherë shenjtorët u pagëzuan në emrin e Jezu Krishtit, të kryqëzuar, të ringjallur nga vdekja dhe të ngjitur në qiell, që ata të mund të varrosen në pagëzim si ai dhe të ngrihen në lavdi si ai, që ashtu si ishte një Zot i vetëm, një besim, një pagëzim dhe një Perëndi e atë për të gjithë ne [shih Efesianëve 4:5–6], po ashtu ka vetëm një derë për në banesat e gëzimit qiellor.”7
Fëmijët që vdesin para moshës së përgjegjshmërisë nuk kanë nevojë të pagëzohen; ata shëlbohen me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
“Pagëzimi është për heqjen e mëkateve. Fëmijët nuk kanë mëkate. Jezusi i bekoi ata dhe tha: ‘Bëni atë që më keni parë të bëj.’ Fëmijët të gjithë bëhen të gjallë në Krisht dhe ata më të mëdhenj në moshë nëpërmjet besimit dhe pendimit.”8
“Doktrina e pagëzimit të fëmijëve, apo e spërkatjes së tyre, se përndryshe ata do të duhet të vuajnë në ferr, është një doktrinë jo e vërtetë, që nuk mbështetet në Shkrimin e Shenjtë dhe nuk përputhet me karakterin e Perëndisë. Të gjithë fëmijët shëlbohen nëpërmjet gjakut të Jezu Krishtit dhe në çastin kur fëmijët e lënë këtë botë, ata merren në gji të Abrahamit.”9
Profeti Jozef Smith përshkroi sa vijon si pjesë e një vegimi që ai mori më 21 janar 1836, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 137:1, 10: “Qiejt u hapën mbi ne dhe unë pashë mbretërinë çelestiale të Perëndisë dhe lavdinë e saj. … Dhe unë gjithashtu vura re se të gjithë fëmijët që vdesin përpara se të arrinin vitet e përgjegjshmërisë së tyre, shpëtohen në mbretërinë çelestiale të qiellit.”10
Pas pagëzimit me ujë, ne marrim Frymën e Shenjtë, nëpërmjet vënies së duarve.
“Ungjilli kërkon pagëzimin duke u zhytur për heqjen e mëkateve, që është dhe kuptimi i fjalës në gjuhën në origjinal – domethënë, të varrosesh ose zhytesh në ujë…. Unë më tej besoj në dhuratën e Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, [siç tregohet] nga predikimi i Pjetrit në ditën e Rrëshajëve, Veprat e Apostujve 2:38. Ju do të mund të pagëzonit njëlloj një thes me rërë në vend të një njeriu dhe do të kishte të njëjtën pasojë, nëse nuk do të bëhej nga pikëpamja e heqjes së mëkateve dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë. Shpëtimtari thotë: ‘Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.’ [Gjoni 3:5.]”11
Daniel Tajlër kujtoi një predikim që dha Profeti në Springfilld të Pensilvanisë, më 1833: “Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër ai predikoi tek banesa e babait tim, një kasolle e përulur prej trarësh. Ai lexoi kapitullin e 3-të të Gjonit…. Duke shpjeguar vargun e 5-të ai tha: “‘Të lindësh nga uji dhe nga Fryma’ donte të thoshte, të zhyteshe në ujë për të hequr mëkatet dhe për të marrë pas kësaj dhuratën e Frymës së Shenjtë. Kjo jepej me anë të vënies së duarve nga dikush që kishte autoritetin që i ishte dhënë nga Perëndia.””12
“Të lindesh përsëri vjen nga Shpirti i Perëndisë nëpërmjet ordinancave.”13
“Pagëzimi është një ordinancë e shenjtë përgatitore për marrjen e Frymës së Shenjtë; është kanali dhe çelësi nga ku do të administrohet Fryma e Shenjtë. Dhurata e Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, nuk mund të merret nëpërmjet asnjë parimi tjetër përveç parimit të drejtësisë.”14
“Po nëse ne do të përpiqeshim ta merrnim dhuratën e Frymës së Shenjtë me anë të ndonjë mjeti tjetër të ndryshëm nga shenjat ose mënyra që Perëndia ka caktuar – a do ta merrnim atë? Sigurisht që jo; të gjitha mjetet e tjera do të dështonin. Zoti thotë bëj këtë e këtë dhe unë do të të bekoj.
Ka disa fjalë kyçe dhe shenja që i përkasin Priftërisë dhe që duhet të respektohen me qëllim që të merret bekimi përkatës. Shenja [që na mësoi] Pjetri ishte të pendohemi dhe të pagëzohemi për faljen e mëkateve, me premtimin e dhuratës së Frymës së Shenjtë; dhe në asnjë mënyrë tjetër nuk merret dhurata e Frymës së Shenjtë [shih Veprat e Apostujve 2:38].
Ka ndryshim midis Frymës së Shenjtë dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë. Korneli e mori Frymën e Shenjtë përpara se të pagëzohej, që ishte fuqia bindëse e Perëndisë mbi të për vërtetësinë e Ungjillit, por ai nuk mund të merrte dhuratën e Frymës së Shenjtë deri pasi u pagëzua. Nëse ai nuk do të kishte marrë mbi vete këtë shenjë ose ordinancë, Fryma e Shenjtë që e bindi atë për vërtetësinë e Ungjillit, do ta kishte braktisur. [Shih Veprat e Apostujve 10:1–48.] Derisa ai iu bind këtyre ordinancave dhe mori dhuratën e Frymës së Shenjtë, me anë të vënies së duarve, sipas urdhrit të Perëndisë, ai nuk do të kishte mundur të shëronte të sëmurët apo të urdhëronte një frymë të ligë të dilte jashtë një njeriu dhe ajo t’i bindej atij; sepse fryma do të mund t’i thoshte atij, siç u tha bijve të Skevit: ‘Unë e njoh Jezusin dhe e di kush është Pali, po ju cilët jeni?’ [Shih Veprat e Apostujve 19:13–15.]”15
Në dhjetor 1839, ndërkohë që ishin në Uashington D.C., për të kërkuar korrigjim për padrejtësitë e bëra kundrejt shenjtorëve të Misurit, Jozef Smithi dhe Elias Higbi i shkruan sa vijon Hajrëm Smithit: “Në intervistën tonë me Presidentin [e Shteteve të Bashkuara], ai na pyeti se ku ndryshonte besimi ynë nga besimet e tjera të kohës. Vëllai Jozef tha se ne ndryshonim në mënyrën e pagëzimit dhe të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve. Ne besonim se të gjitha ndryshimet e tjera ishin pjesë e dhuratës së Frymës së Shenjtë.”16
Dhurata e Frymës së Shenjtë sjell paqe, gëzim, udhërrëfim hyjnor dhe dhurata të tjera në jetën tonë.
“Ne besojmë që dhurata e Frymës së Shenjtë gëzohet tani, po aq sa edhe në kohët e Apostujve; ne besojmë se ajo [dhurata e Frymës së Shenjtë] është e domosdoshme për të bërë dhe organizuar Priftërinë, se asnjë njeri nuk mund të thirret për të përmbushur çfarëdo detyre në shërbesë pa të; ne gjithashtu besojmë në dhuratën e profecisë, të gjuhëve, vegimeve, zbulesës, në dhuntitë dhe në shërimin; dhe se këto gjëra nuk mund të gëzohen pa dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ne besojmë se njerëzit e shenjtë të lashtësisë kanë folur të shtyrë nga Fryma e Shenjtë dhe se njerëzit e shenjtë të kohës së sotme flasin sipas të njëjtit parim; ne besojmë se ai është një ngushëllues dhe dhënës dëshmie, se ai na kujton gjëra të kaluara, na udhëheq tek e gjithë e vërteta dhe na tregon gjërat që do të vijnë; ne besojmë se ‘asnjë nuk mund të thotë: ‘Jezusi është Zot’, veç se në Frymën e Shenjtë’. [Shih 1 Korintasve 12:3.] Ne besojmë tek ajo [kjo dhuratë e Frymës së Shenjtë] në të gjithë plotësinë dhe fuqinë, dhe madhështinë, dhe lavdinë e saj.”17
Në shkurt 1847, afërsisht tre vjet pasi Profeti Jozef Smith ishte martirizuar, ai iu shfaq në ëndërr Presidentit Brigam Jang dhe i dha këtë mesazh: “Thuaju njerëzve të jenë të përulur dhe besnikë, dhe të sigurt për të mbajtur Shpirtin e Zotit dhe ai do t’i udhëheqë në të drejtë. Kini kujdes dhe mos e largoni zërin e qetë e të ulët; ai do t’ju mësojë [çfarë] të bëni dhe ku të shkoni; ai do të japë frutat e mbretërisë. Thuaju vëllezërve t’i mbajnë zemrat të hapura që të mbeten të gatshëm për të qenë të bindur për të vërtetën, kështu që kur t’u vijë Fryma e Shenjtë, zemra e tyre do të jetë gati për ta marrë atë. Ata mund ta dallojnë Shpirtin e Zotit nga gjithë shpirtrat e tjerë. Ai do t’u pëshpërisë paqe e gëzim shpirtrave të tyre dhe ai do të heqë keqdashjen, urrejtjen, zilinë, grindjen dhe gjithë të ligën nga zemra e tyre; dhe e gjithë dëshira e tyre do të jetë për të bërë mirë, për të sjellë drejtësinë dhe për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Thuaju vëllezërve se, nëse do të ndjekin Shpirtin e Zotit, ata do të jenë krejt në rregull.”18
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.
Rishihni faqet 93–94, në të cilat Profeti Jozef Smith shprehu ndjenjat që pati kur ai dhe Oliver Kaudri u pagëzuan dhe kur babai i tij u pagëzua. Çfarë kujtimesh keni nga pagëzimi juaj ose pagëzimet e pjesëtarëve të familjes dhe miqve? Merrni parasysh t’i shënoni këto kujtime në ditarin tuaj ose historinë e jetës tuaj.
Deklaratat në faqet 95–98 janë marrë nga mesazhe që Jozef Smithi u dha njerëzve që ishin pagëzuar tashmë. Si mendoni ju, përse anëtarëve të pagëzuar të Kishës duhet që t’ua kujtojnë këto të vërteta? Çfarë idesh të reja keni fituar kur i studiuat këto mësime?
Çfarë mund t’i thoni një miku që beson se pagëzimi nuk është i nevojshëm? Çfarë mund t’i thoni një miku që beson se fëmijët e vegjël duhet të pagëzohen? (Për disa shembuj, shih faqen 99.)
Lexoni paragrafin e fundit në faqen 99. Përse pagëzimi “nuk vlen për asgjë” pa dhuratën e Frymës së Shenjtë? Jozef Smithi tha: “Ka ndryshim midis Frymës së Shenjtë dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë” (faqe 101). Nga përvoja juaj, cilat janë disa nga bekimet që mund të vijnë në jetën tonë kur ne kemi dhuratën e Frymës së Shenjtë?
Rishihni paragrafin e fundit në faqen 101. Përse mënyra e pagëzimit përbën një ndryshim thelbësor midis Kishës së rivendosur dhe kishave të tjera? Përse dhurata e Frymës së Shenjtë përbën një ndryshim thelbësor? Në ç’mënyrë janë “të gjitha ndryshimet e tjera … pjesë e dhuratës së Frymës së Shenjtë”?
Studioni paragrafin e fundit në kapitull (faqe 102). Mendoni se si mund të jetoni për të qenë të denjë për të marrë dhe dalluar nxitjet e Frymës së Shenjtë.
Shkrime të Shenjta Përkatëse: Gjoni 15:26; Romakëve 6:3–6; 2 Nefi 31:13; 3 Nefi 11:18–41; Moroni 8:1–23