Mësime të Presidentëve
Kapitulli 9: Marrëdhëniet e Shenjta Familjare


Kapitulli 9

Marrëdhëniet e Shenjta Familjare

“Nëse jemi besnikë ne do të shoqërohemi me njëri-tjetrin në një gjendje të pavdekshme dhe të lavdishme. … Ato lidhje të formuara këtu, që janë të një natyre nga më të qëndrueshmet, do të ekzistojnë në përjetësi.”

Nga Jeta e Lorenco Snout

Duke pritur ditëlindjen e tij të 70-të, Lorenco Snou ftoi të gjithë fëmijët e tij dhe familjet e tyre të mblidheshin në Brigam-Siti të Jutas për një “ribashkim dhe festim përvjetori me madhështi”. Ai u mor me banimin dhe ushqimin dhe programet e tyre kështu që të gjithë, përfshirë fëmijët e vegjël, do të gëzonin. “Sa më shumë që mendoj mbi këtë temë [të ribashkimit të një familjeje]”, shkroi ai, “aq më të mëdha janë shqetësimet dhe dëshirat e mia për një grumbullim të familjes, që unë të mund t’ju shoh ju të gjithë një herë në jetën time dhe t’ju jap një bekim atëror.” Ai i nxiti ata të mos lejonin asgjë që ta pengonte pjesëmarrjen e tyre “përveç pengesave më të rënda dhe të pakapërcyeshme”1.

Familja Snou u mblodh nga 7 deri më 9 maj të 1884-ës dhe u kënaqën me muzikën, pjesët teatrale, fjalimet, poezinë, lojërat, ushqimin dhe bisedën miqësore.2 Motra e Presidentit Snou, Eliza, shënoi se gjatë gjithë ngjarjes, ai mori pjesë në “takime të ndryshme të familjes dhe, në cilësinë e Patriarkut, … u mor me dhënien e bekimeve për pjesëtarët” dhe me dhënien “e shumë këshillave atërore, udhëzimeve dhe qortimeve”. Ndërsa ribashkimit po i afrohej fundit, e gjithë familja u bashkua që ta dëgjonte atë të fliste. Sipas shënimeve të Elizës, ai shprehu “kënaqësinë dhe mirënjohjen e tij ndaj Perëndisë që tani ai gëzoi lumturinë e të parit të fytyrave të këndshme e të buzëqeshura të familjes së tij të madhe dhe të së mirës që parandiente se do të rridhte nga ky ribashkim”. Duke parë familjen e tij, Presidenti Snou thirri: “Zemra ime është mbushur plot me ndjenjat më të ngrohta të mirënjohjes për Atin tim Qiellor. … Fjalët janë të pafuqishme të shprehin ndjenjat e thella të zemrës sime për këtë mundësi të shenjtë e hyjnore në këtë festim të shtatëdhjetë vjetorit tim të lindjes, e të qenit këtu dhe e të parit të kësaj pamjeje frymëzuese të lavdishme dhe qiellore.”

Presidenti Snou vazhdoi: “Ky është ribashkimi i fundit familjar që kemi arsye të presim në këtë jetë. Na ndihmoftë Perëndia i etërve tanë të mbajmë ligjet e Tij, të jetojmë jetë të ndershme, të ruajmë të paprekur virtytin dhe integritetin tonë, t’i dëgjojmë pëshpëritjet e Shpirtit të Shenjtë dhe të kërkojmë me zell të pastrojmë veten, që asnjë anëtar i kësaj familjeje të mos humbasë duke dalë nga shtegu i ngushtë e i ngushtuar, por e tregofshim veten të gjithë të denjë për të dalë në mëngjesin e ringjalljes së parë, të kurorëzuar me lavdi, duke përjetësuar në pavdekësi bashkimin familjar e duke vazhduar të rritemi në pafundësinë e epokave të përjetësisë.”3 [Shih sugjerimin 1 në faqen 138.]

Mësime të Lorenco Snout

Marrëdhëniet familjare janë të shenjta dhe mund të bëhen më të forta në përjetësi.

Nxisni martesën … dhe rrënjosni [te të tjerët] shenjtërinë e kësaj marrëdhënieje dhe detyrimin që kanë për të zbatuar atë urdhërim të madh që u qe dhënë nga Perëndia prindërve tanë të parë, për t’u shumuar dhe mbushur tokën [shih Zanafilla 1:28]. Kjo është gjithnjë e më shumë e nevojshme përpara prirjes së tanishme në botë për ta shpërfillur atë ligj dhe për të mos e respektuar besëlidhjen e martesës. Është dëshpëruese të vëresh shpeshtësinë e prishjes së martesave në vend dhe rritjen e prirjes për t’i parë fëmijët si një barrë dhe jo si një trashëgimi e çmuar nga Zoti.4

[Zoti] na ka treguar se, nëse jemi besnikë, ne do të shoqërohemi me njëri-tjetrin në një gjendje të pavdekshme dhe të lavdishme; që ato lidhje të formuara këtu, që janë të një natyre nga më të qëndrueshmet, do të ekzistojnë në përjetësi.5

Shoqërimet që janë formuar këtu, do të vazhdohen nga [ne] në botët e përjetshme. Baballarët, nënat, motrat, vëllezërit – po, nënat që i shohin të dashurit e tyre të vdesin pranë tyre, e dinë se ata do të jenë fëmijët e tyre në botën e shpirtrave dhe se do t’i kenë ata ashtu siç qenë kur u larguan nga kjo jetë. Bashkëshortja kur sheh bashkëshortin të vdesë, kur jeta largohet prej tij, ajo e di se do ta ketë atë përsëri dhe gjen ngushëllim, shpëtim e gëzim, që jepet nga zbulesat e të Plotfuqishmit, në atë që do ta ketë bashkëshortin e saj në botët e përjetshme. Të njëjtat forma marrëdhëniesh këtu do të ekzistojnë përsëri përtej velit; lidhjet e formuara këtu do të vazhdojnë të forcohen në jetën tjetër që do të vijë. Dhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme ndiejnë një siguri, sepse Perëndia ua ka dhënë atyre këtë siguri.6 [Shih sugjerimin 2 në faqen 138.]

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme që nuk janë në gjendje të martohen apo të rrisin fëmijë në këtë jetë, do të jenë në gjendje të marrin të gjitha bekimet e ekzaltimit në jetën që vjen.

Një zonjë erdhi në zyrën tonë ditën e kaluar dhe kërkoi të më takonte për një çështje private. Ajo më tregoi se ndihej shumë keq, sepse mundësitë e saj për të gjetur një burrë nuk qenë të favorshme. … Ajo donte të dinte se si do të ishte gjendja e saj në jetën tjetër, nëse ajo nuk arrinte të gjente një bashkëshort në këtë jetë. Unë mendoj se kjo pyetje ngrihet në zemrën e të rinjve tanë. … Unë dëshiroj të jap një shpjegim të vogël për ngushëllimin dhe shpëtimin e njerëzve në këtë gjendje. Asnjë shenjtor i ditëve të mëvonshme, që vdes pasi ka jetuar një jetë besnike, nuk do të humbasë asgjë ngaqë nuk mundi të bëjë disa gjëra ndërkohë që atij apo asaj nuk iu dhanë mundësitë. Me fjalë të tjera, nëse një i ri apo e re nuk ka mundësi të martohet dhe jeton një jetë besnike deri në vdekjen e vet, ai apo ajo do të ketë të gjitha bekimet, ekzaltimin dhe lavdinë që mund të ketë një burrë apo grua që e pati këtë mundësi dhe e përmirësoi. Kjo është e sigurt dhe e vërtetë. …

Njerëzit që nuk kanë mundësi të martohen në këtë jetë, nëse vdesin besnikë ndaj Zotit, do t’u jepen mënyra me anë të të cilave mund të sigurojnë të gjitha bekimet e nevojshme për njerëzit në gjendjen e martesës. Zoti është i mëshirshëm dhe bujar dhe Ai nuk është i padrejtë. Nuk ka padrejtësi në Të; sidoqoftë ne zor se mund ta shohim si të drejtë kur një grua apo burrë vdes pa e pasur mundësinë e martesës, nëse kjo nuk do të ndreqej në jetën tjetër. Do të kishte padrejtësi në këtë gjë, dhe ne e dimë se Zoti nuk është qenie e padrejtë. Motra ime Eliza R. Snou, unë besoj, ishte po aq grua e mirë sa çdo grua shenjtore e ditëve të mëvonshme që ka jetuar ndonjëherë, dhe ajo jetoi e pamartuar derisa e humbi aftësinë për të pasur fëmijë. … Unë për asnjë çast nuk mund të përfytyroj se ajo do të humbasë qoftë edhe një gjë të vetme në atë plan. Kjo do të bëhet për të në jetën tjetër dhe ajo do të ketë një mbretëri po aq të madhe sa do ta kishte pasur nëse do të kishte pasur mundësinë në këtë jetë për të krijuar familje.7

Kur bashkëshorti dhe bashkëshortja gëzojnë një unitet ndjenjash, ata nxisin dashuri dhe shpirtmirësi në shtëpi.

Sigurohuni që keqkuptimet e vogla, të parëndësishme për shqetësimet shtëpiake të mos helmojnë lumturinë tuaj.8

Bashkëshorte, jini besnike ndaj bashkëshortëve. Unë e di se ju duhet të duroni shumë gjëra të pakëndshme dhe bashkëshortët tuaj duhet të durojnë disa gjëra gjithashtu. Padyshim ndonjëherë do të lodheni nga burrat tuaj, për shkak ndoshta të paditurisë së bashkëshortëve tuaj, ose ndonjëherë mbase nga vetë padituria juaj. …

… Unë thjesht po them që bashkëshortët tuaj janë të këqij – po aq sa ju jeni të këqija dhe ndoshta disa nga ata janë edhe më të këqij; por mos u mërzitni: përpiquni të duroni pakënaqësitë që krijohen herë pas here, dhe kur ta takoni njëri-tjetrin në jetën tjetër do të ndiheni të gëzuar që i duruat ato gjëra.

Bashkëshortëve u them: Shumë nga ju nuk i vlerësoni bashkëshortet siç duhet. … Jini të dashur me to. Kur ato dalin për në mbledhje, mbajeni fëmijën të paktën gjysmën e kohës. Kur foshnja ka nevojë të përkundet, dhe nuk keni shumë për të bërë, përkundeni. Jini të mirë kur herë pas here duhet të sakrifikoni pak për të qenë të mirë; ndihuni të mirë gjithsesi, pavarësisht nga lloji i sakrificës.9

Burrat duhet të jenë më atërorë në shtëpi, duke pasur ndjenja më delikate në lidhje me bashkëshortet dhe fëmijët, fqinjët dhe miqtë e tyre, më bujarë dhe më të perëndishëm. Kur shkoj në një familje, unë vërtet admiroj të shoh kreun e asaj familjeje ta administrojë atë si burrë i Perëndisë, i dashur dhe fisnik, i mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësinë e kuptimin e Qiellit.10

Nëse krijoni familje në Sion, nëse arrini një martesë çelestiale që është e nevojshme për të ekzistuar aty, ju duhet ta bashkoni atë familje në një dhe Shpirti i Zotit duhet të jetë në krye të asaj familjeje dhe ai duhet të ketë atë dritë dhe atë inteligjencë që, nëse zbatohet në jetën dhe sjelljen e përditshme të atyre individëve, do të sjellë shpëtimin e asaj familjeje, sepse ai burrë mban shpëtimin e tyre në duart e tij.

Babai përpiqet dhe i lidh ndjenjat dhe dhembshuritë e tij me ato të familjes, për aq sa është në fuqinë e tij, dhe përpiqet të sigurojë të gjitha ato gjëra që janë të nevojshme për ngushëllimin dhe mirëqenien e saj, dhe familja e tij nga ana tjetër duhet të përgjigjet e të shfaqë të njëjtën ndjenjë, të njëjtën shpirtmirësi e të njëjtën gatishmëri, dhe me zotësinë e saj më të mirë të shfaqë ndjenja mirënjohëse për bekimet që merr.

Kjo është e nevojshme që të mund të ekzistojë një unitet ndjenjash, ose unitet mendimi dhe një dashuri reciproke, që ata duke qenë një të mund të jenë lidhur së bashku në këtë mënyrë.11

Kur [burrat] luten në prani të bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre, ata duhet të jenë të frymëzuar nga dhurata e fuqisë së Frymës së Shenjtë, kështu që bashkëshorti të mund të jetë një burrë i tillë të cilin një bashkëshorte e mirë do ta nderonte, dhe që dhurata e fuqia e Perëndisë të mund të jetë vazhdimisht mbi ta. Ata duhet të jenë të bashkuar në familjet e tyre që Fryma e Shenjtë të mund të zbresë mbi ta, dhe duhet të jetojnë në mënyrë të tillë që bashkëshortja nëpërmjet lutjes të mund të shenjtërohet, që ajo të mund të shohë nevojën e shenjtërimit të vetes në praninë e bashkëshortit të saj dhe në praninë e fëmijëve të saj, që ata të mund të jenë një së bashku me qëllim që bashkëshortja dhe bashkëshorti të mund të jenë tërësisht të bashkuar, të përshtatshëm për të zënë një vend në institucionin dhe formacionin e mbretërisë së Perëndisë, që ata të mund të nxjerrin në pah një shpirt të pastër dhe t’u japin drejtim të pastër fëmijëve të tyre dhe fëmijëve të fëmijëve të tyre.12 [Shih sugjerimin 3 në faqen 138.]

Fëmijët e mësojnë në mënyrën më të mirë ungjillin kur prindërit e tyre kërkojnë frymëzim dhe bëhen shembuj të mirë.

Kjo nuk është puna jonë me të cilën po merremi, është punë e Perëndisë. Ne drejtohemi në lëvizjet tona nga një qenie eprore. … E ardhmja e kësaj mbretërie do të mbështetet te pasardhësit tanë; dhe fuqia e triumfi i saj përfundimtar te edukimi e trajnimi i tyre i përshtatshëm. Nëse duam të kemi një ndikim të përshtatshëm mbi familjen tonë, ne duhet t’u tregojmë atyre shembuj të mirë si dhe t’u japim atyre porosi të mira morale. Ne duhet të jemi në gjendje të themi, bëj siç bëj unë, si dhe të themi bëj siç them unë.13

Përpiquni t’i mësoni fëmijët tuaj në një mënyrë të tillë, edhe me shembull edhe me dhënie këshillash morale, që ata t’ju ndjekin pa ngurrim në shembullin tuaj dhe të bëhen po aq të guximshëm për të vërtetën sa keni qenë edhe ju.14

Burrat që dëshirojnë të ruajnë pozitën e tyre përpara Perëndisë në priftërinë e shenjtë, duhet të kenë shpirtin e profecisë dhe të jenë të kualifikuar për të administruar jetën dhe shpëtimin e njerëzve; dhe [madje] nëse nuk mund ta bëjnë atë për botën, duhet ta bëjnë atë në shtëpi, në familjet e tyre, në dyqanet e tyre dhe në rrugë që zemra e tyre të mund të frymëzohet me fjalët e jetës në mbrëmjet rreth vatrës, në dhënien mësim të ungjillit fëmijëve të tyre dhe fqinjëve të tyre po aq sa kur janë duke u folur vëllezërve të tyre nga kjo foltore. Ky veprim, i të pasurit pak nga Shpirti kur je në publik dhe pastaj lënia e tij mënjanë, nuk është i pranueshëm. Disa njerëz do t’u flasin njerëzve dhe pastaj do të shkojnë në shtëpi … , dhe në vend që të kenë fjalët e jetës në ta, ata bëhen shpirtërisht të vdekur, por kjo nuk do të pranohet më.

Ajo i bën baballarët e Izraelit të zgjohen dhe të bëhen shpëtimtarë të njerëzve, që të mund të jetojnë përpara Zotit në atë fuqi besimi dhe në atë dëshirë të vendosur që do t’i sigurojë se e kanë frymëzimin e të Plotfuqishmit për t’u dhënë mësim fjalët e jetës familjeve të tyre. …

Në këtë ne do të shohim një qëndrim vendosmërie që do të na aftësojë të bëhemi një, që të mund të mësojmë si ta duam njëri-tjetrin, dhe unë i lutem Zotit që ta vendosë në çdo zemër atë dashuri që vendosi te Jezusi, Biri i tij, dhe që do të vazhdojë të vendosë njohuri për atë që është e mirë.15

Është puna e atit që të kualifikohet për t’i mësuar e udhëzuar fëmijët e tij, dhe t’u mësojë parime, në mënyrë që, duke i zbatuar ato udhëzime, të mund të jenë aq të lumtur sa janë në gjendje të jenë si fëmijë, ndërsa njëkohësisht mësojnë parimet mbi të cilat mund të arrijnë gjithë lumturinë dhe gëzimin e mundshëm në një moshë [madhore].16

Fëmijët tanë, nëse ne jemi të zellshëm për të zhvilluar te vetja parimet e pastra të jetës dhe të shpëtimit, do të rriten në njohurinë e këtyre gjërave dhe do të jenë në gjendje që me lehtësi më të madhe se ne të nxisin zhvillimin e një shoqërie qiellore dhe të rrënjosin lumturi e paqe përreth tyre.17 [Shih sugjerimin 4 dhe 5 138.]

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni për të dhënë mësim, merrini parasysh këto ide. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet V-VII.

  1. Rilexoni ndjenjat e Presidentit Snou rreth mbledhjes së të gjithë familjes së tij së bashku (faqet 131–132). Cilat janë disa nga rezultatet e mira që mund të vijnë, kur ne i mbledhim familjet tona së bashku? Si mund t’i ndihmojmë familjet tona të qëndrojnë të bashkuara?

  2. Në çfarë mënyrash është aktual sot i tërë paragrafi i dytë në faqet 132-133? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar të rinjtë e Kishës të kuptojnë shenjtërinë e besëlidhjes së martesës? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar që të jenë të dëshiruar për t’u martuar dhe për t’u bërë prindër?

  3. Presidenti Snou tha: “Keqkuptimet e vogla, të parëndësishme” mund të “helmojnë lumturinë [tonë]” në shtëpi (faqe 134). Cilat janë disa ide të veçanta që mund të na ndihmojnë ta shmangim këtë “[helm]”? (Për disa shembuj, shih faqet 134–135).

  4. Studioni pjesën që fillon në faqen 136. Përse ju mendoni se prindërit duhet të jenë në gjendje të thonë “bëj siç bëj unë” përveç “bëj siç them unë”? Në çfarë mënyrash munden prindërit të japin mësim nëpërmjet shembullit? Cilat janë disa parime që keni mësuar si pasojë e shembullit të mirë të prindërve tuaj?

  5. Presidenti Snou shprehu shqetësim lidhur me prindërit që japin mësim me fuqi në kishë por jo në shtëpi (faqe 137). Mendoni rreth asaj që mund të bëni për të ndarë “fjalët e jetës” me familjen tuaj.

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 1 Nefi 8:10–12; Helamani 5:12; DeB 68:25–28; 93:40–50; 132:19–20

Ndihmë për Mësimdhënien: “Duhet të jeni të kujdesshëm që të mos flisni më shumë nga sa nevojitet apo ta shprehni opinionin tuaj tepër shpesh. Këto veprime mund të bëjnë që nxënësit të humbasin interesin. … Shqetësimi juaj kryesor duhet të jetë të ndihmoni të tjerët të mësojnë ungjillin, jo të bëni një paraqitje mbresëlënëse. Kjo përfshin dhënien e mundësive nxënësve që të mësojnë njëri-tjetrin” (Teaching, No Greater Call, f. 64).

Shënime

  1. Shih Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 453–454.

  2. Shih Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 461–483.

  3. Biography and Family Record of Lorenzo Snow, f. 484–486.

  4. Në “Prest. Snow to Relief Societies”, Deseret Evening News, 9 korrik 1901, f. 1; kjo bisedë qe mbajtur drejtpërdrejt për gratë në Shoqatën e Ndihmës.

  5. Deseret News, 11 prill 1888, f. 200; nga një parafrazim i hollësishëm i një ligjërate të Lorenzo Snow-t mbajtur në konferencën e përgjithshme të prillit të 1888-ës.

  6. Salt Lake Daily Herald, 11 tetor 1887, f. 2.

  7. Millennial Star, 31 gusht 1899, f. 547–548.

  8. Deseret News, 21 tetor 1857, f. 259.

  9. “The Grand Destiny of Man”, Deseret Evening News, 20 korrik 1901, f. 22.

  10. Deseret News: Semi-Weekly, 31 mars 1868, f. 2.

  11. Deseret News, 11 mars 1857, f. 3; në burimin origjinal faqja 3 është shënuar gabimisht si faqja 419.

  12. Deseret News, 14 janar 1857, f. 355.

  13. Deseret News, 26 korrik 1865, f. 338.

  14. Në “Scandinavians at Saltair”, Deseret Evening News, 17 gusht 1901, f. 8.

  15. Deseret News, 14 janar 1857, f. 355.

  16. Deseret News, 28 janar 1857, f. 371.

  17. Deseret News, 21 tetor 1857, f. 259.

Fëmijët janë “një trashëgimi e çmuar nga Zoti”.

Prindërit duhet të përpiqen t’i “bashko[jnë] … familje[t] [e tyre] në një”.