Mësime të Presidentëve
Kapitulli 3


“Kapitulli 3: Shpirti Jep Jetë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 3”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 3

Shpirti Jep Jetë

“Ne mbajmë vesh për ta dëgjuar atë zë të qetë, të vogël. Kur ai flet, burrat dhe gratë e mençura binden. Nxitjet e Shpirtit nuk duhet të lihen për më vonë.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Presidenti Monson mësoi nëpërmjet përvojës që t’u mirëbesonte nxitjeve të Shpirtit të Shenjtë dhe të përgjigjej pa u vonuar. Plaku Xhefri R. Holland tregoi historinë në vijim:

“Njëzetetrevjeçari Tom Monsoni, peshkop relativisht i ri i Lagjes Gjashtë-Shtatë në Kunjin e Tempëll Vjuit, ishte jashtëzakonisht i shqetësuar ndërsa mbledhja e udhëheqjes së priftërisë në kunj vazhdonte. Ai pati mbresën e dallueshme që duhej të largohej nga mbledhja menjëherë dhe të shkonte me makinë në Spitalin e Veteranëve lart në bllokun Avenius në Solt-Lejk-Sitit. Përpara se të largohej nga shtëpia atë natë, ai pati marrë një telefonatë që e njoftoi se një anëtar i moshuar i lagjes së tij ishte i sëmurë dhe ishte shtruar në spital për kurim. A mund të gjente peshkopi, pyeti telefonuesi, një çast për të kaluar ndonjë moment nga spitali dhe për t’i dhënë një bekim? Udhëheqësi i ri në moshë mjaft i zënë me punë, shpjegoi se po shkonte në një mbledhje kunji, por sigurisht që do të kishte kënaqësi të kalonte nga spitali sapo të përfundonte mbledhja.

Tani nxitja ishte më e fortë se më parë: ‘Lëre mbledhjen dhe shko në spital menjëherë’. Por vetë presidenti i kunjit po fliste në foltore. Do të ishte shumë e pahijshme të ngrihej në mes të mesazhit të drejtuesit kryesues, të çante përmes një rreshti të tërë vëllezërish dhe më pas të dilte plotësisht nga ndërtesa. Plot dhembje, priti deri në çastet përfundimtare të mesazhit të presidentit të kunjit, pastaj u turr për nga dera madje përpara se të njoftohej lutja e mbylljes.

Duke vrapuar gjatë gjithë korridorit në katin e katërt të spitalit, peshkopi i ri pa një mori lëvizjesh jashtë dhomës së caktuar. Një infermiere e ndali dhe i tha: ‘A jeni Peshkopi Monson?’

‘Po’, – ishte përgjigjja tërë ankth.

‘Më vjen keq’, – tha ajo. ‘Pacienti po thërriste emrin tuaj pak përpara se të ndërronte jetë.’

Duke i përmbajtur lotët, Tomas S. Monsoni u kthye duke ecur nëpër natë. Që nga ai çast ai u betua se nuk do të dështonte më kurrë që të vepronte sipas një nxitjeje të marrë nga Zoti. Ai do t’i dallonte mbresat e Shpirtit kur ato të vinin, dhe do t’i ndiqte kudo që ta drejtonin, për të qenë përherë në ‘punën e Zotit’.”1

Dallimi dhe përgjigjja ndaj nxitjeve të Shpirtit u bënë tema qendrore në jetën dhe shërbesën e Tomas S. Monsonit. Siç shpalli vite më vonë:

“Gjatë përmbushjes së përgjegjësive tona kam mësuar se, kur ia vëmë veshin një nxitjeje të heshtur dhe veprojmë sipas saj pa vonesë, Ati ynë Qiellor do t’i drejtojë hapat tanë e do ta bekojë jetën tonë dhe jetën e të tjerëve. Nuk di ndonjë përvojë më të ëmbël ose ndjenjë më të çmuar sesa t’ia vesh veshin një nxitjeje për të zbuluar se Zoti i është përgjigjur lutjes së një njeriu tjetër nëpërmjet teje.”2

Pamja
Presidenti Monson që zgjatet për t’i dhënë dorën një të riu

Presidenti Monson i jep dorën një të riu në konferencën e përgjithshme të prillit 2008.

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Gjuha e Shpirtit është e qetë, lartësuese dhe qetësuese për shpirtin.

Kohët e fundit vizitova Qendrën e Trajnimit të Misionarëve në Provo të Jutës, ku misionarët që ishin thirrur për të shërbyer në të gjithë botën, po mësonin me përkushtim bazat e gjuhëve që fliteshin nga njerëzit të cilëve do t’u jepnin mësim dhe të cilëve do t’u dëshmonin.

Paksa të njohura për mua ishin bashkëbisedimet në spanjisht, frëngjisht, gjermanisht dhe suedisht. Totalisht e panjohur për mua, ose ndoshta për pjesën më të madhe të misionarëve, ishte fonetika e japonishtes, kinezishtes dhe finlandishtes. Njeriu mrekullohet nga përkushtimi dhe përqendrimi i plotë i këtyre të rinjve dhe të rejave ndërsa e shtrëngojnë të panjohurën dhe mësojnë vështirësinë. …

Ekziston një gjuhë … që është e përbashkët për çdo misionar/e – gjuha e Shpirtit. Ajo nuk mësohet nga tekstet e shkruara nga letrarët, as nuk fitohet nëpërmjet leximit dhe të mësuarit përmendsh. Gjuha e Shpirtit vjen tek ai që kërkon me gjithë zemër ta njohë Perëndinë dhe t’i zbatojë urdhërimet e Tij hyjnore. Zotësia në këtë gjuhë e lejon individin të thyejë barrierat, të kapërcejë pengesat dhe të prekë zemrën e njeriut.

Në letrën e tij të dytë drejtuar korintasve, Pali Apostulli, na nxit që të largohemi nga kufizimi i tepërt i zbatimit të ligjit fjalë për fjalë dhe të kërkojmë horizontin e gjerë të mundësive që Shpirti ofron. Më pëlqen shumë dhe e vlerësoj deklaratën e tij: “Shkronja vret, por Fryma jep jetë” (2 Korintasve 3:6).

Në kohë rreziku apo kohë sprove, një njohuri e tillë, një shpresë e tillë, një kuptueshmëri e tillë i sjell ngushëllim mendjes së trazuar dhe zemrës së pikëlluar. I gjithë mesazhi i Dhiatës së Re fryn një frymë zgjimi të shpirtit njerëzor. Hijet e dëshpërimit shpërndahen nga rrezet e shpresës, hidhërimi i nënshtrohet gëzimit dhe ndjenja e të qenit i humbur në turmën e jetës venitet nga njohuria e sigurt se Ati ynë Qiellor është i vetëdijshëm për secilin prej nesh.

Shpëtimtari ofroi siguri për këtë të vërtetë kur dha mësim se as edhe një harabel nuk do të bjerë në tokë pa u vënë re nga Ati ynë. Ai më pas e mbylli mendimin e bukur duke thënë:

“Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.

Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej” (shih te Mateu 10:29–32).

Ne jetojmë në një botë të ndërlikuar me sfida të përditshme. Ekziston prirja që të ndihemi të shkëputur, madje të izoluar, nga Dhënësi i çdo dhurate të mirë. Shqetësohemi se mos ecim të vetëm.

Nga shtrati i dhembjes, nga jastëku i lagur me lot vetmie, ne ngrihemi drejt qiellit prej asaj sigurie hyjnore dhe atij premtimi të çmuar: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Jozueut 1:5).

Një ngushëllim i tillë është i paçmuar ndërsa udhëtojmë përgjatë shtegut të vdekshmërisë, me degëzimet dhe kthesat e tij të shumta. Rrallëherë siguria komunikohet nëpërmjet një shenje vezulluese apo zëri të lartë. Përkundrazi, gjuha e Shpirtit është e butë, e qetë dhe lartësuese për zemrën dhe qetësuese për shpirtin.

Me raste, përgjigjet për pyetjet tona dhe përgjigjet për lutjet tona të përditshme na vijnë nëpërmjet nxitjeve në heshtje të Shpirtit. … Ne vëzhgojmë. Ne presim. Ne mbajmë vesh për ta dëgjuar atë zë të qetë, të vogël. Kur ai flet, burrat dhe gratë e mençura binden.3

Pamja
misionarë duke i dhënë mësim një familjeje

“Ekziston një gjuhë … që është e përbashkët për çdo misionar/e – gjuha e Shpirtit.”

2

Le ta mësojmë gjuhën e Shpirtit dhe të mos e shtyjmë asnjëherë një nxitje.

Steni, një miku im i shtrenjtë, ishte prekur nga kanceri. Ai kishte qenë me shëndet të fortë, trup atletik dhe aktiv në shumë veprimtari. Tani nuk ishte në gjendje të ecte apo të qëndronte në këmbë. Karroca e tij e invalidit ishte shtëpia e tij. Mjekët më të mirë ishin kujdesur për të dhe lutjet e familjes dhe miqve ishin ofruar me një shpirt shprese dhe mirëbesimi. Prapëseprapë, Steni vazhdoi të dergjej në shtratin e tij në Spitalin Universitar.

Një pasdite vonë po notoja në pishinën e palestrës Deseret, duke i ngulur sytë në tavan ndërsa notoja me shpinë nga skaji në skaj. Në heshtje, por kaq i qartë, më erdhi në mendje mendimi: “Ja ku ti noton kaq lehtësisht, ndërkohë që miku yt, Steni, nuk është në gjendje të lëvizë”. Ndjeva nxitjen: “Shko në spital dhe jepi atij një bekim”.

E ndërpreva notimin, u vesha dhe nxitova për te dhoma e Stenit në spital. Shtrati ishte bosh. Një infermiere më tha se ai ishte në karrocën e tij të invalidit te pishina, duke u përgatitur për terapi. Shkova me nxitim te pishina dhe ja ku ishte Steni, tërësisht vetëm, në buzë të pjesës më të thellë të pishinës. E përshëndetëm njëri-tjetrin dhe u kthyem te dhoma e tij, ku u dha një bekim priftërie.

Dalëngadalë, por në mënyrë të sigurt, forca dhe lëvizja iu kthyen këmbëve të Stenit. Fillimisht mund të qëndronte me këmbët që i lëkundeshin. Më pas mësoi të ecte përsëri, hap pas hapi. Askush nuk do ta dallonte që Steni kishte qenë kaq afër vdekjes dhe pa asnjë shpresë për shërim.

Më pas Steni foli në mbledhjet e Kishës dhe tregoi për mirësinë e Zotit ndaj tij. Disave ai u shfaqi mendimet e errëta të depresionit, të cilat e pushtuan atë pasdite kur u ul në karrocën e invalidit në buzë të pishinës, i dënuar, me sa dukej, për një jetë të dëshpëruar. Ai tregoi se si e mendoi si mundësi. Do të ishte kaq e lehtë ta shtynte karrocën e urryer të invalidit brenda ujit të heshtur të pishinës së thellë. Atëherë jeta do të mbaronte. Por pikërisht në atë çast ai më pa mua, mikun e tij. Atë ditë Steni mësoi me plot kuptimin e fjalës se ne nuk ecim të vetëm. Edhe unë mora një mësim atë ditë: kurrë, kurrë, kurrë mos e shtyni një nxitje.

Më vonë, kur djali më i vogël i Stenit u martua për gjithë përjetësinë dhe familja ishte mbledhur në tempullin e shenjtë të Zotit, ne u ndalëm dhe kujtuam mrekullinë që kishim dëshmuar. Fjalët nuk dolën lehtë nga zemrat e mbushura me emocione, por një kor i heshtur mirënjohjeje foli për ndjenjat që fjalët nuk ishin të mjaftueshme për t’i shprehur.

Ndërsa ndjekim rrugëtimet e jetës, le ta mësojmë gjuhën e Shpirtit. E kujtofshim përherë dhe iu përgjigjshim ftesës së butë të Mësuesit: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai” (Zbulesa 3:20). Kjo është gjuha e Shpirtit. Ai e foli atë. Ai e dha mësim atë. Ai e jetoi atë. Secili prej nesh bëftë të njëjtën gjë.4

3

Ne bekohemi kur jetojmë në mënyrë të tillë që të mund të marrim nxitjet dhe udhërrëfimin e Shpirtit.

Disa vjet më parë, mora një letër nga një mik i vjetër. Ai dha dëshminë e tij në atë letër. Do të doja t’ju tregoja pjesë të saj juve sonte, meqenëse ilustron forcën e priftërisë te dikush që mësoi atë që duhej të mësonte, që bëri atë që duhej të bënte dhe që gjithmonë u përpoq të ishte ai që duhej të ishte. Do të lexoj pjesë nga ajo letër prej mikut tim, Teron W. Borup, që ndërroi jetë tre vite më parë në moshën 90‑vjeçare:

“Në moshën tetë vjeç, kur u pagëzova dhe mora Frymën e Shenjtë, më la shumë mbresë të qenit i mirë dhe në gjendje për të marrë Frymën e Shenjtë që të ishte një ndihmë gjatë gjithë jetës sime. Më thanë se Fryma e Shenjtë ishte i pranishëm vetëm [në shoqëri të mirë] dhe se kur e liga hynte në jetën tonë, ai duhej të largohej. Pa e ditur se kur do të më duheshin nxitjet dhe udhëheqja i tij, u përpoqa të jetoja në atë mënyrë që të mos e humbisja atë dhuratë. Në një rast kjo më shpëtoi jetën.

Gjatë Luftës II Botërore, isha inxhinier artilierie në një aeroplan bombardues B-24 që luftonte në Paqësorin e Jugut. … Një ditë u bë një njoftim se do të tentohej fluturimi bombardues më i gjatë që ishte bërë ndonjëherë për të shkatërruar një rafineri nafte. Nxitjet e Shpirtit më thanë se do të caktohesha në atë fluturim, por se nuk do ta humbisja jetën. Në atë kohë unë isha presidenti i grupit shdm.

[Beteja] qe e egër ndërkohë që fluturuam mbi Borneo. Avioni ynë u godit nga avionë sulmues, shpejt shpërtheu në flakë dhe piloti na tha të përgatiteshim për t’u hedhur. Unë u hodha i fundit. Pilotët armiq na qëlluan ndërsa po pluskonim poshtë. Pata vështirësi për të fryrë dyshekun tim të shpëtimit. Duke u përplasur lart e poshtë [në] ujë, fillova të mbytem dhe humba ndjenjat. U përmenda përkohësisht dhe thirra: ‘Perëndi më shpëto!’ Përsëri u përpoqa të fryja dyshekun tim të shpëtimit dhe këtë herë ia dola. Me vetëm aq ajër sa të më mbante në pluskim, u rrokullisa sipër tij, tepër i rraskapitur sa nuk mund të lëvizja.

Për tri ditë ne pluskuam në territor armik me anije rreth e rrotull dhe avionë sipër kokës. [Arsyeja] përse ata nuk mundën të shihnin një grup dyshekësh shpëtimi të verdhë në ujin e kaltër është një [mister]”, – shkroi ai. “Mbërriti një stuhi dhe dallgët nëntë metra të larta gati [sa] nuk i shkatërruan dyshekët tonë. Kaluan tri ditë pa ushqim e pa ujë. Të tjerët më pyetën nëse isha lutur. Iu përgjigja se isha lutur dhe ne vërtet do të na shpëtonin. Atë mbrëmje pamë nëndetësen tonë që erdhi të na shpëtonte, por ajo nuk na vuri re. Mëngjesin tjetër ndodhi [e njëjta gjë. E dinim] se kjo ishte dita e fundit [që do të] qëndronte në atë zonë. Atëherë erdhën nxitjet e Frymës së Shenjtë. ‘Ti ke priftërinë. Urdhëroje nëndetësen t’ju marrë.’ Në heshtje u luta: ‘Në emrin e Jezu Krishtit dhe me fuqinë e priftërisë, kthehu dhe na merr.’ Pas disa minutash ata qenë pranë nesh. Kur hipëm në kuvertë, kapiteni … tha: ‘Nuk e di fare se si ju gjetëm, [sepse] ne as nuk po ju kërkonim’. Unë e dija.”5

4

Fryma e Shenjtë mund të na paralajmërojë për rreziqet dhe të na udhërrëfejë për të bërë zgjedhje të mira.

Kur shërbeva në Flotën Detare të Shteteve të Bashkuara, hidrolokatori ishte në fazat e hershme. … Hidrolokatori është pajisja që na paralajmëron për një mjet, anije, ose pengesë tjetër të afërt. Valët e zërit mbikëqyren. Operatori mësohet të dëgjojë një tingull të përsëritur. Kur ai nuk ndiqet nga modeli normal, ai e di se rreziku është afër dhe mund t’i paralajmërojë komandantët e anijes që të mund ta ndryshojnë drejtimin. …

Nëse njeriu mund të shpikë hidrolokatorin për të paralajmëruar për fatkeqësinë … a nuk do të dukej e arsyeshme që Zoti të vendoste një pajisje paralajmëruese brenda fëmijëve të Tij të çmuar, për t’i paralajmëruar kur kanë devijuar nga rruga e Tij? Ju jap dëshminë time sot se ne e kemi një dritë të tillë udhërrëfyese. Është e pagabueshme, nëse do ta përdorim vërtet. I referohem zërit të qetë e të vogël të Frymës së Shenjtë.6

Kur u konfirmuat anëtar i Kishës, ju morët të drejtën për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ai mund t’ju ndihmojë të bëni zgjedhje të mira. Kur sfidoheni ose tundoheni, s’ka nevojë të ndiheni vetëm. Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë të dini të drejtën nga e gabuara. “Sepse ata që janë të urtë … kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre.” (DeB 45:57.)7

Pamja
Krishti duke trokitur

“E kujtofshim përherë dhe iu përgjigjshim ftesës së butë të Mësuesit: ‘Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai’” (Zbulesa 3:20).

Bëni që çdo vendim që mendoni të merrni, të kalojë këtë provim: Si do të ndikojë kjo tek unë? Ç’do të më sjellë? Dhe mos lejoni që kodi i sjelljes suaj të theksojë: “Çfarë do të mendojnë të tjerët?” por përkundrazi “Çfarë do të mendoj unë për veten?” Ndikohuni nga ai zë i qetë dhe i ulët. Mbani mend se një mbajtës priftërie me autoritet vendosi duart në kokën tuaj në kohën kur u konfirmuat dhe tha: “Merre Frymën e Shenjtë”. Hapjani zemrat tuaja, madje shpirtrat tuaj, tingullit të atij zëri të veçantë që dëshmon për të vërtetën. [Ashtu siç] premtoi profeti Isaia: “Veshët e tu do të dëgjojnë … një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është rruga, ecni në të’” [Isaia 30:21].8

Unë shpresoj … se ne do t’ua vëmë veshin pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë. Ju premtoj se nëse e kemi njërin vesh të harmonizuar me Shpirtin e Shenjtë, nëse kemi dëshirë për drejtësi brenda zemrës sonë dhe sjellja jonë e pasqyron atë dëshirë, ne do të udhërrëfehemi nga ai Shpirt i Shenjtë.9

Ne lexojmë te 1 Korintasve: “Ka [kaq shumë] lloje zërash në botë” [1 Korintasve 14:10]. Ne rrethohemi nga zëra bindës, zëra mashtrues, zëra nënvleftësues, zëra ngatërrues dhe zëra pështjellues. Mund të shtoj që këta janë zëra të lartë. Ju këshilloj që ta ulni volumin dhe, në vend të kësaj, të ndikoheni nga ai zë i qetë dhe i ulët, i cili do t’ju rrëfejë udhën drejt sigurisë.10

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Çfarë do të thotë të mësosh “gjuhën e Shpirtit”? (Pjesa 1.) Çfarë mund të bëjmë që të bëhemi të zotë në këtë gjuhë? Çfarë keni mësuar nga përvojat tuaja vetjake për dallimin e komunikimeve nga Fryma e Shenjtë?

  • Te pjesa 2, Presidenti Monson tregoi se mësoi që ai “kurrë [nuk duhej ta] shtyn[te] një nxitje”. Si jeni bekuar nga dikush që ndoqi një nxitje nga Fryma e Shenjtë? Kur jeni bekuar ngaqë vepruat sipas një nxitjeje shpirtërore që ju erdhi?

  • Çfarë mund të mësojmë nga historia e Teron Borupit te pjesa 3?

  • Kur ka qenë zëri i qetë dhe i vogël i Frymës së Shenjtë “një pajisje paralajmëruese” në jetën tuaj? (Pjesa 4.) Çfarë përvojash keni pasur me Frymën e Shenjtë që ju ka urdhërrëfyer? Kur jeni ngushëlluar nga Fryma e Shenjtë? Cilat janë disa mënyra të tjera se si Fryma e Shenjtë ju ka ndihmuar?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Mbretërve 19:11–12; Gjoni 14:26; 1 Nefi 4:6; 10:17–19; 17:45; 2 Nefi 32:1–5; Doktrina e Besëlidhje 8:2–3; 11:12–14; 31:11

Ndihmë për Mësimdhënien

“Ndërsa përpiqeni ta jetoni ungjillin me denjësi, Fryma e Shenjtë do t’ju zbulojë vullnetin e Perëndisë. Ai do t’ju japë mendime, mbresa dhe ide krijuese rreth mënyrës se si t’i ndihmoni të tjerët të mësojnë. … Shpirti është mësuesi i vërtetë dhe, kur Shpirti është me ju, ju do të jepni mësim me fuqinë e Perëndisë dhe do të ndihmoni që të ndodhë mrekullia e kthimit në besim” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2015], f. 5).

Shënime

  1. Jeffrey R. Holland, “President Thomas S. Monson: Man of Action, Man of Faith, Always ‘on the Lord’s Errand’”, Ensign, shkurt 1986, f. 11.

  2. Peace, Be Still”, Ensign, nëntor 2002, f. 55.

  3. The Spirit Giveth Life”, Ensign, qershor 1997, f. 2–4.

  4. The Spirit Giveth Life”, f. 5.

  5. Të Mësojmë, të Bëjmë, të Jemi”, Liahona, nëntor 2008, f. 67–68.

  6. The Three R’s of Free Agency”, New Era, prill 1973, f. 4.

  7. Lighthouse of the Lord”, Ensign, nëntor 1990, f. 98.

  8. Bëhu Shembull”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, f. 136.

  9. Four Words to Guide You”, Liahona, gusht 2013, f. 49.

  10. Zbatojini Urdhërimet”, Liahona, nëntor 2015, f. 84.

Shtyp në Letër