2007
Bëhuni një Mjet në Duart e Perëndisë duke u Kujdesur për të Varfërit dhe Nevojtarët
Prill 2007


Mesazhi i Mësimit të Vizitave

Bëhuni një Mjet në Duart e Perëndisë duke u Kujdesur për të Varfërit dhe Nevojtarët

Me lutje, zgjidhni dhe lexoni nga ky mesazh shkrimet e shenjta dhe mësimet që plotësojnë nevojat e motrave që do të vizitoni. Jepni përvojat dhe dëshminë tuaj. Ftoni gratë që u jepni mësim të bëjnë të njëjtën gjë.

Çfarë Thotë Zoti në Lidhje me Kujdesin për të Varfërit dhe Nevojtarët?

Plaku Rasëll M. Nelson i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Ati ynë Qiellor është i shqetësuar për [të varfërit dhe nevojtarët]. Ata janë të gjithë fëmijët e tij… . Të varfërit—veçanërisht vejushat, jetimët dhe të huajt—për një kohë të gjatë kanë qenë shqetësimi i Perëndisë dhe i njerëzve të drejtë… . Atyre që kujdeseshin për të varfërit, bekime u premtoheshin” (“In the Lord’s Own Way”, Ensign, maj 1986, fq. 25).

Mateu 25:37–40: “Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: ‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?

Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?’

Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua’.”

Si Mund të Bëhem një Mjet për t’u Kujdesur për të Tjerët?

Mosia 4:26: “Jepni nga pasuria juaj të varfërve, çdo njeri sipas asaj që ka, në mënyrë që të ushqehen të uriturit, të vishen të zhveshurit, të vizitohen të sëmurët dhe t’u jepni ndihmë atyre qoftë shpirtërisht, ashtu edhe materialisht, sipas nevojave të tyre”.

Plaku Henri B. Ajring i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Nuk do t’i shoh kurrë më mësimet e shtëpisë ose mësimin e vizitave thjesht si programe… . Një punë e tillë është një mundësi, jo një barrë… . Çdo anëtar ka bërë një besëlidhje për të bërë vepra mirësie siç do të bënte Shpëtimtari. Kështu që, çdo thirrje për të ndarë dëshmi dhe për t’u kujdesur për të tjerët nuk është një kërkesë për shërbim shtesë; është një bekim i kompozuar nga një Atë i dashur Qiellor dhe nga Biri i Tij, Jezu Krishti… . Secila prej tyre është një mundësi për të provuar se çfarë bekimesh do të vijnë nga të qenit një popull i besëlidhjes dhe secila është një mundësi për të cilën ju ratë dakord për të qenë përgjegjës” (“Witnesses for God,” Ensign, nëntor 1996, 31).

Peshkopi H. Dejvid Bërton, Peshkop Kryesues i Kishës: “Profeti Jozef Smith tha se është përgjegjësia jonë të ‘ushqejmë të uriturit, të veshim të zhveshurit, të sigurojmë për vejushat, të thajmë lotët e jetimit, të ngushëllojmë të munduarit, si brenda kësaj kishe ose në një tjetër, ose jashtë ndonjë kishe, kudo që t’i gjejmë ata’ (Times and Seasons, 15 mars 1842, 732). Le të jemi bujarë me kohën tonë dhe jo dorështrënguar në dhurimet tona për kujdesin e atyre që vuajnë” (“Go, and Do Thou Likewise”, Ensign, maj 1997, fq. 77).

Boni D. Parkin, presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës: “Shtëpia e Ruajtjes e Zotit—ku ‘ka mjaft edhe për të kursyer’—është [në mënyrë simbolike] ajo që Zoti ka vendosur në secilën prej nesh (DeB 104:17). Është ndryshimi që sjell një grua për një tjetër. Është një motër që ofron të dëgjojë apo të flasë me një motër që mund të jetë e vetmuar. Është një motër që ndërton një miqësi të ngushtë me motrën që ajo e mëson në vizita. Jemi ju dhe unë me forcat tona, aftësitë tona dhe talentet tona duke bekuar jetën e dikujt tjetër” (“Welfare, the Crowning Principle of a Christian Life”, BYU Women’s Conference, 1 maj, 2003, fq. 3).