Liria për të Kërcyer
Balerina kërcen përmes skenës—duke u rrotulluar, duke u vërtitur dhe duke u hedhur më pas në ajër me aq lehtësi, sikur forca e gravitetit të mos ekzistonte. Në çdo lëvizje, ajo është shprehje dinamike e lirisë.
Si shumë vajza të vogla, kur Maria Viktoria Rojas Rivera nga Kili—Mavi për shoqet e saj—ishte katër vjeç, ajo vendosi të bëhej balerinë. Dhe si të gjitha ato vajza të tjera të vogla, ajo shpejt zbuloi se hijeshia dhe liria që shihte në skenë erdhën me një çmim mjaft të lartë. Përpjekja dhe disiplina që kërkohet për t’u bërë një balerinë profesioniste janë të jashtëzakonshme për shumë ëndërrimtare të reja.
Kosto e Ëndrrave
“Kur je e vogël, nuk i kupton sakrificat që kërkohen”, thotë Mavi. “Kur fillova të studioja në moshën 10 vjeçare, mësueset tona na thanë se gjysma e jetës do të na kalonte duke kërcyer. Do të na duhej të hiqnim dorë nga shumë gjëra.”
Të tilla gjëra si koha e lirë dhe disa ushqime. Mavit do t’i duhej të harxhonte shumë kohë dhe përpjekje duke u ushtruar dhe praktikuar. Duhet të kishte shumë kujdes në ushqimet që hante. Madje edhe pas shkollës dhe kërcimit, nuk do të kishte shumë kohë për miqtë.
Mavi vendosi se ëndrra e saj ishte aq e rëndësishme për të sa donte ta provonte.
“Vitet e adoleshencës mund të jenë një periudhë e komplikuar”, thotë ajo. “Miqtë e mi nuk e kuptonin gjithmonë pse nuk haja disa gjëra ose pse nuk qëndroja vonë jashtë me ta”.
Çmimi i Lirisë
Mavi mësoi herët se ato që dukeshin sikur ishin kufizime për lirinë e saj, në të vërtetë ishin mënyra e vetme që ajo mund ta lironte vetveten nga gjëra që mund ta pengonin për të arritur qëllimin e saj.
“Zgjodha të mos qëndroja vonë jashtë dhe zgjodha ta kaloja kohën duke u ushtruar, në vend që të shkoja nëpër dyqane me shoqet e mia”, thotë Mavi. “Nëse ndihesha e lodhur pasi kisha qëndruar jashtë shumë vonë, ose nëse nuk dija hapat pasi nuk isha praktikuar, nuk mund të kërceja.”
Ajo lloj disipline nuk është e lehtë, por Mavi thotë se ia vlen.
“Çdokush ka çaste kur do të dorëzohet”, shprehet Mavi, “por ti ke fuqinë për të zgjedhur. Disiplina mund të duket kufizuese, por vetëdisiplina është një zgjedhje. Dhe unë zgjodha ta pranoja këtë mënyrë jetese për të kërcyer.”
Një Qëllim Më Afatgjatë
Në një moment, gjatë përpjekjes së saj për t’u bërë balerinë, Mavi kuptoi se kërcimi nuk ishte qëllimi i vetëm që ajo kishte ose gjëja e vetme me vlerë për të cilën duhet të sakrifikonte.
Gjatë jetës, ajo fitoi dëshirën për të ndjekur Jezu Krishtin dhe kuptoi se çka baleti i kishte mësuar për disiplinën, gjen zbatim gjithashtu edhe në të qenit dishepull i ungjillit. Ashtu si miqtë e saj u habitën përse duhet të bënte atë që bëri për kërcimin, ata e pyetën gjithashtu përse jetonte sipas parimeve kaq kufizuese të ungjillit.
“U shpjegova se ne kemi lirinë për të zgjedhur dhe unë zgjedh ta pranoj këtë jetë, në mënyrë që të jem e lirë nga mëkati dhe që të kem Frymën e Shenjtë me vete”, thotë ajo.
Ose siç e tha Shpëtimtari, një dishepull duhet të “marrë kryqin e tij”, që do të thotë t’ia mohojë vetes të gjithë paperëndishmërinë e çdo lakmi të botës dhe të zbatojë urdhërimet e Perëndisë (shih Përkthim i Jozef Smithit 16:26). Një vetëdisiplinë e tillë na çon drejt “[lirisë] dhe [jetës së] përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh”, ndërsa kur nuk jetojmë sipas urdhërimeve, shkojmë drejt “[robërisë] dhe [vdekjes], sipas robërisë dhe fuqisë së djallit” (2 Nefi 2:27).
“Bindja sjell liri dhe paqe më të madhe se çdo gjë tjetër”, thotë Mavi. “Qëllimet e mia nuk kufizohen vetëm për këtë jetë tokësore, por kanë të bëjnë me përjetësinë.”
Sakrifica ia Vlen
Mavi kërcen në skenë si një gjethe që e merr puhiza, duke u zgjatur e duke kaluar nga një lëvizje në tjetrën—develop dhe piruet, glisad dhe grand zheté.
Një balerinë mund ta lëvizë trupin e saj në mënyra që shumë të tjerë do të lëndoheshin. Kjo liri lëvizjeje është thelbësore për të komunikuar me publikun. Por edhe pse një balerinë e mirë bën që çdo lëvizje në skenë të duket e pamundimshme, ajo është munduar shumë jashtë skene.
Pas tetë vitesh sakrifice dhe orësh të tëra të ushtruari pothuajse çdo ditë, ajo po jetonte ëndrrën e saj në skenë—dhe në ungjill.
“Njerëzit mendojnë se duket diçka e bukur dhe e hirshme”, thotë Mavi. “Por lëvizjet janë shumë të kontrolluara. Duhet shumë forcë për ta mbajtur veten nën kontroll në atë mënyrë.”
Paralelizmi me ungjillin është i rëndësishëm. Të ndjekësh Krishtin kërkon fuqi. Dhe shpërblimi është i ëmbël.
“Shpërblimi i kaq shumë sakrificave është se unë mund të kërcej”, thotë Mavi. “Ndihem e fortë dhe ndiej udhëheqjen e Frymës së Shenjtë në çdo hap që hedh—në skenë dhe jashtë saj.”
Pa Mbaruar me Kërcimin
Sipas Nefit, pasi të kemi ndierë dëshirën për të ndjekur Krishtin dhe pasi të jemi pagëzuar dhe konfirmuar, ne duhet të vazhdojmë të durojmë deri në fund (shih 2 Nefi 31:19–20). Për Mavin, baleti kërkon përkushtim të ngjashëm.
Pasi kërceu në Paraguaj, ajo u kthye në Vinja de Mar, Kili, për të dhënë mësim për disa vite. Tani ajo do që kërcimin e saj ta çojë në një nivel më të lartë. Ka vënë qëllime të reja që e kanë çuar në Argjentinë, Gjermani, Irlandë dhe në Spanjë për të studiuar dhe për të bërë prova me kompani të ndryshme baleti.
Ajo e di se duhet të vazhdojë të përpiqet, si në skenë ashtu edhe në ungjill. Duhet të vazhdojë me disiplinë, nëse kërkon lirinë për të kërcyer. Dhe duhet të vazhdojë me besim, nëse kërkon lirinë që vjen nga të qenit dishepull. “Nëse do të qëndroni në fjalën time”, mësoi Jezusi, “jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gjoni 8:31–32).
Të kërcesh me urtësi
Mavi duhet të përpiqet shumë jashtë skene, për të qëndruar e shëndetshme dhe në formë. Përveç kontrollit të të ngrënit dhe pasjes së një pushimi të mjaftueshëm, Mavi ushtrohet shumë dhe kërcen të paktën pesë orë pothuajse çdo ditë. Por ajo nuk kujdeset për veten vetëm se është kërcimtare.
“Si anëtare e Kishës, unë e kuptoj se trupi im është tempulli i shpirtit tim. Si artiste, unë kam nevojë që çdo pjesë e trupit tim të funksionojë siç duhet, prandaj e mbroj sa më shumë të mundem. Por si anëtare, unë tashmë e dija se duhet të veproja kështu.”
Dëshmia e saj mbi natyrën e frymëzuar të Fjalës së Urtësisë është forcuar nga përvoja e saj me baletin. “E dallon ndryshimin kur e trajton trupin ashtu siç duhet”, thotë ajo.
Që të jesh balerinë, duhet të kujdesesh për veten tënde, por Mavi thotë: “Të gjithë ne duhet të kujdesemi për trupin tonë, edhe nëse nuk jemi kërcimtarë. Nuk e zgjedhim trupin tonë, por të gjithë duhet të jemi mirënjohës dhe të kujdesemi për atë që na është dhënë. Ai është dhuratë nga Perëndia dhe secilit prej nesh trupi i është dhënë për një qëllim.”