Mesazhi i Presidencisë Së Parë
Pasurimi i Martesës Tuaj
Shumë vite më parë, kur po krijoja përvojë në fushën juridike, me mua po këshillohej një grua që kërkonte divorc nga bashkëshorti i saj mbi baza të justifikuara, për mendimin tim. Pasi divorci përfundoi, nuk e pashë më atë grua për shumë vite. Në një rast, kur e takova në rrugë, vura re se vitet e vetmisë dhe të shkurajimit ishin të dukshme në fytyrën e saj që dikur ishte aq e bukur.
Pasi shkëmbyem disa fjalë xhentilese, ajo menjëherë më tha se jeta për të nuk kishte qenë e begatë dhe shpërblyese dhe se ndihej e lodhur duke u përballur me këtë luftë e vetme. Më pas më befasoi duke më thënë: “Edhe pse e keqe, nëse do t’i kthehesha sërish dhe nëse do të kisha ditur atëherë atë që di tani, nuk do ta kisha kërkuar divorcin. Kjo është një gjendje akoma më e keqe.”
Sipas statistikave, është e vështirë ta shmangësh divorcin. Ekspertët parashikojnë se rreth gjysma e grave në Shtetet e Bashkuara do të kenë një prishje martese një herë në jetën e tyre. Divorci po rritet gjithashtu edhe në shumë vende të tjera. Nëse ritmi i sotëm i divorceve në rritje nuk bie, fundi tragjik do t’u vijë akoma më shumë martesave.
Divorci mund të justifikohet vetëm në rrethanat më të rralla. Sipas mendimit tim, “shkak i vetëm” për divorc nuk duhet të jetë asgjë tjetër më pak serioze se një marrëdhënie e tejzgjatur dhe në dukje e pandreqshme, e cila shkatërron dinjitetin e një personi si qenie njerëzore. Shpesh divorci shkatërron jetën e njerëzve dhe prish lumturinë familjare. Shpeshherë në divorc palët më shumë humbasin, se sa fitojnë.
Përvoja traumatike që dikush kalon gjatë një divorci duket sikur nuk kuptohet mirë dhe ndoshta nuk vlerësohet mjaft. Sigurisht që duhet të tregohet më tepër keqardhje dhe mirëkuptim ndaj atyre që kanë përjetuar këtë tragjedi të madhe dhe jeta e të cilëve nuk mund të jetë siç ishte. Megjithatë, ata të cilët janë të divorcuar kanë shumë për të shpresuar dhe shumë për të pritur përsa i përket arritjes dhe lumturisë në jetë, veçanërisht përsa i përket harrimit të vetvetes dhe shërbimit ndaj të tjerëve.
Pyetje të Vështira
Përse lumturia në martesë është aq e brishtë dhe momentale për shumë vetë, ndërsa për të tjerë aq e begatë? Përse duhet të jetë kaq e gjatë pasoja e lëndimit dhe e vuajtjes dhe përse duhet që kaq shumë njerëz të pafajshëm ta përjetojnë atë?
Cilët janë përbërësit pasurues që mungojnë në kaq shumë martesa, të cilat fillojnë me lumturi të madhe dhe me aq shumë shpresa të mëdha?
Jam menduar shumë mbi këto pyetje të vështira. Për shkak se kam kaluar pothuajse gjithë jetën duke u marrë me përvojat njerëzore, i njoh pak a shumë problemet e martesave jo të lumtura, të divorceve dhe të familjeve të dëshpëruara. Mund të flas gjithashtu edhe për lumturi të jashtëzakonshme pasi, falë Ruthit tim të dashur, unë kam gjetur në martesë plotësimin më të madh të përvojës njerëzore.
Arsyet për Divorc
Nuk ka përgjigje të thjeshta dhe të lehta për pyetjet sfiduese dhe të ndërlikuara mbi lumturinë në martesë. Midis arsyeve të shumta për divorc janë problemet serioze të egoizmit, papjekurisë, mungesës së përkushtimit, komunikimit të mangët dhe jobesnikërisë.
Sipas përvojës sime, ka edhe një arsye tjetër të dështimit në martesë, e cila nuk është aq e dukshme, por që paraprin dhe ka lidhje me gjitha të tjerat. Është mungesa e një pasurimi të vazhdueshëm të martesës, mungesa e diçkaje ekstra, e cila e bën të çmuar, të veçantë dhe të mrekullueshme dhe pa të cilën martesa bëhet e vrazhdë, e vështirë ose madje edhe e mërzitshme.
Pasurimi i Martesës
Mund të pyesni veten: “Si mund të pasurohet vazhdimisht martesa?” Ne e ndërtojmë martesën tonë me miqësi, besim, e integritet të pafundëm dhe gjithashtu duke i shërbyer dhe duke e mbështetur njëri-tjetrin në vështirësitë tona. Adami, duke folur për Evën, tha: “Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim” (Zanafilla 2:23). Ka disa pyetje të thjeshta të përshtatshme që çdo njeri, qoftë i martuar apo duke menduar për t’u martuar, duhet t’ia bëjë vetvetes me ndershmëri gjatë përpjekjes për t’u bërë “një mish i vetëm”. Këto janë:
Së pari, a jam në gjendje të mendoj për interesat e martesës dhe bashkëshortit tim, para se të mendoj për dëshirat e mia?
Së dyti, sa i thellë është përkushtimi im ndaj partnerit/ partneres, duke lënë mënjanë interesat e tjera?
Së treti, a është ai/ajo shoku ose shoqja im/e më i/e mirë?
Së katërti, a kam respekt për dinjitetin e bashkëshortit/ tes tim/e si një person me vlerë?
Së pesti, a grindemi për para? Duket se vetë paraja nuk e bën një çift të lumtur dhe domosdoshmërisht, as mungesa e saj nuk e bën atë të palumtur. Grindja për para shpesh është simbol i egoizmit.
Së gjashti, a ka midis nesh një lidhje që na shenjtëron shpirtërisht?
Ndërtimi i Urave të Pasurimit
Për pasurimin e një martese mund të kontribuojnë disa praktika kyçe.
Lutja. Marrëdhëniet martesore mund të pasurohen nëpërmjet komunikimit më të mirë. Një mënyrë e rëndësishme është duke u lutur së bashku. Kjo do të zgjidhë shumë mospajtime midis çiftit, nësa ka, para se ata të bien të flenë. Nuk dua të mbitheksoj dallimet e opinionit apo karakterit midis çiftit, por ato janë të vërteta dhe i bëjnë gjërat interesante. Besoj se dallimet tona janë kokrrizat e vogla të kripës, të cilat mund të bëjnë që martesa të duket më e shijshme.
Ne komunikojmë në mijëra mënyra, si me një buzëqeshje, një përkëdhelje flokësh, një prekje të lehtë. Nuk duhet të harrojmë asnjë ditë pa thënë “Të dua”. Burri duhet t’i thotë gruas së tij “Ti je e bukur”. Kur është e nevojshme, disa fjalë të tjera të rëndësishme që si burri dhe gruaja duhet të thonë janë “Më fal”. Edhe dëgjimi është gjithashtu një formë e shkëlqyer e komunikimit.
Besimi. Besimi i plotë tek njëri-tjetri është një prej faktorëve që e pasurojnë më shumë martesën. Asgjë tjetër si pabesia nuk e shkatërron thelbin e besimit reciprok, i cili është aq i nevojshëm për të ruajtur një marrëdhënie plotësuese. Asnjëherë nuk ka justifikim për tradhtinë bashkëshortore. Pavarësisht nga kjo përvojë shkatërruese, ka raste kur martesat shpëtohen dhe familjet ruhen. Për ta arritur këtë kërkohet që pala e lënduar të jetë në gjendje të dhurojë dashuri të pakufishme, aq sa të falë dhe të harrojë. Kjo kërkon që pala që ka gabuar të kërkojë me gjithë zemër të pendohet dhe si rrjedhojë, ta braktisë të ligën.
Besnikëria ndaj partnerit tonë të përjetshëm nuk duhet të jetë vetëm fizike, por mendore dhe shpirtërore njëkohësisht. Përderisa pas martesës nuk ekzistojnë flirtimet e padëmshme dhe nuk ka vend për xhelozi, gjëja më e mirë është të mënjanohet shfaqja e anës së ligë, duke shmangur ndonjë kontakt të diskutueshëm me dikë tjetër, me të cilin nuk jemi martuar.
Virtyti. Virtyti është forca ngjitëse që mban gjithçka të bashkuar. Zoti tha: “Duaje bashkëshorten tënde me gjithë zemër dhe do të kapesh pas saj e pas askujt tjetër” (DeB 42:22).
Prania Hyjnore. Ndër të gjithë elementët që mund të bekojnë martesën, një element i veçantë pasurues që qëndron mbi të tjerët do të ndihmojë në bashkimin e burrit dhe gruas në një kuptim shumë të vërtetë, të shenjtë dhe shpirtëror. Është prania e hyjnores në martesë. Shekspiri, duke folur për mbretëreshën Izabel tek “Mbreti Henri i 5-të”, tha: “Perëndia, krijuesi më i mirë i të gjitha martesave, / i bashkoftë zemrat tuaja në një” (akti 5, skena 2, vargjet 67–68). Perëndia është gjithashtu ruajtësi më i mirë i martesave.
Ka shumë gjëra që ndihmojnë në pasurimin e martesës, por vetëm disa prej tyre duket sikur janë thelbi i marrëdhënies. Pasja e partneritetit dhe gëzimi i fruteve të një pranie të shenjtë dhe hyjnore bëhen thelbi i një lumturie të jashtëzakonshme në martesë. Uniteti shpirtëror është spiranca. Problemet e vogla, përsa i përket aspektit shpirtëror të martesës, shpesh bëjnë që martesa të dështojë.
Besoj se divorcet janë në rritje, pasi në shumë raste, në bashkim mungon bekimi shenjtërues që vjen nga mbajtja e urdhërimeve të Perëndisë. Martesa mund të vdesë nga mungesa e ushqimit shpirtëror.
E dhjeta. Duke shërbyer pothuajse për 20 vjet si peshkop dhe si president kunji, kam mësuar se një siguri e jashtëzakonshme kundra divorcit është pagimi i së dhjetës. Pagimi i së dhjetës ndihmon në ruajtjen e anës tonë shpirtërore në mënyrë që të përballojmë periudhat kur nuk ndihemi shpirtërorë.
Nuk ka asnjë muzikë të mrekullueshme apo madhështore e cila dhuron gjithmonë harmoninë e dashurisë së madhe. Muzika më e përsosur është shkrirja e dy zërave në një këngë të vetme shpirtërore. Martesa është mënyra që Perëndia ka krijuar për përmbushjen e nevojave më të mëdha njerëzore, bazuar në respektin reciprok, pjekurinë, joegoizmin, mirësjelljen, përkushtimin dhe ndershmërinë. Lumturia që ndihet kur je në martesë dhe kur bëhesh prind ia kalon me mijëra herë çdo lumturie tjetër.
Të Jesh Prind. Shpirti i martesës pasurohet shumë dhe procesi shpirtëror në rritje forcohet shumë kur një çift bëhet prind. Për çiftet që mund të kenë fëmijë, të qenit prind duhet të sjellë lumturinë më të madhe nga të gjitha. Burrat rriten pasi, si baballarë, ata duhet të kujdesen për familjen e tyre. Gratë lulëzojnë pasi, si nëna, ato duhet të harrojnë vetveten. Ne e kuptojmë më mirë kuptimin e plotë të dashurisë kur bëhemi prindër. Megjithatë, nëse nuk mund të bëjnë fëmijë, prindërit që gjithsesi janë të përgatitur për t’i pritur ata, do të nderohen dhe do të bekohen nga Zoti për besnikërinë e tyre. Shtëpia jonë duhet të jetë ndër më të shenjtat nga të gjitha vendet e shenjta tokësore.
Gjatë pasurimit të martesës, gjërat e rëndësishme janë ato të voglat. Duhet të ekzistojë vlerësim i vazhdueshëm për njëri-tjetrin dhe shfaqje kuptimplote e mirënjohjes. Një çift duhet të nxitë dhe të ndihmojë njëri-tjetrin që të rriten. Martesa është një kërkim i përbashkët për të mirën, të bukurën dhe hyjnoren.
Shpëtimtari ka thënë: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua” (Zbulesa 3:20).
Qoftë prania e Perëndisë duke pasuruar dhe bekuar të gjitha martesat dhe shtëpitë, sidomos ato të shenjtorëve të Tij, si pjesë e planit të Tij të përjetshëm.
Ide për mësuesit e shtëpisë
Pasi ta studioni mesazhin me lutje, tregojeni duke përdorur një metodë që nxit pjesëmarrjen e atyre që mësoni. Më poshtë janë disa shembuj:
-
Bëni top dy masa plasteline me ngjyra të ndryshme. Shpjegoni se secila ngjyrë përfaqëson një partner në martesë. Bashkojini të dy topat në një top të vetëm. Kërkojini një pjesëtari të familjes të ndajë dy ngjyrat nga njëra-tjetra. Diskutoni gjashtë pyetjet e Presidentit Faust që njerëzit duhet të bëjnë kur janë të martuar apo mendojnë të martohen. Dëshmoni për rëndësinë e të qenit të bashkuar në martesë.
-
Ftojeni familjen të qëndrojë në rreth. Kërkojini çdo personi të përfaqësojë një praktikë kyçe për pasurimin e martesës. Ndërsa diskutoni për praktikën që përfaqësojnë, u kërkoni të hedhin krahët apo të mbajnë duart e personave që kanë në krah. Shpjegoni se lidhja do të prishej nëse një pjesëtar i familjes do të largohej nga rrethi. Dëshmoni mbi rëndësinë e ruajtjes fort të martesës.
-
Sillni një kripore. Shpjegoni se si kripa i shton shijen ushqimit. Lexoni fjalinë ku Presidenti Faust krahason mosmarrëveshjet në martesë me kokrrizat e kripës dhe diskutoni se si mosmarrëveshjet mund ta pjekin martesën. Nëse po u jepni mësim një çifti të martuar, pyetini se çfarë kanë bërë për të rritur vlerësimin e tyre për njëri-tjetrin.