Presidencia e Parë Përqendrohet tek Krishti në Takimin Shpirtëror
“Nga të gjitha stinët e vitit, nuk ka asnjë aq të bukur sa Krishtlindja”, tha Presidenti Gordon B. Hinkli gjatë Takimit Shpirtëror të Përvitshëm të Krishtlindjes të Presidencisë së Parë të mbajtur në Qendrën e Konferencës në Solt Lejk Siti dhe të transmetuar nëpër të gjithë botën.
“Zemrat tona drejtohen tek ata në nevojë. Dashuria mund urrejtjen. … Dashuria bëhet pak më e fortë; zemrat janë pak më bujare. Ne jemi më të prirur për të forcuar gjunjët e këputur dhe të ngremë duart që varen poshtë. Zemrat e fëmijëve gëzohen. Një ndjesi magjike i shtohet ajrit. Ka një rrymë lumturie që rrjedh në thellësi.”
Pasi tregoi për humbjen e nënës së tij pak pas Krishtlindjes së vitit 1930 dhe humbjen e vështirë të gruas së tij më 2004, Presidenti Hinkli tha: “Duke rrezatuar nëpër të gjithë errësirën është figura sublime e Birit të Perëndisë, i cili dha jetën e Tij që ne të jetojmë. Ky është kuptimi i vërtetë i Krishtlindjes, realiteti i Shlyerjes, i kryer nga Shëlbuesi i botës”.
Presidenti Hinkli dëshmoi se Shpëtimtari ofron shpresën e shpëtimit për të gjithë, madje edhe në këtë kohë lufte, konflikti dhe problemesh të vështira.
Presidenti Tomas S. Monson, Këshilltar i Parë në Presidencinë e Parë, tha se Krishtlindja është “një kohë për familjet; një kohë për të kujtuar; një kohë për mirënjohje.
Shpirti i Krishtlindjes është shpirti i dashurisë, bujarisë dhe i mirësisë. … Shpirti i Krishtlindjes është diçka që shpresojmë ta kemi të gjithë në zemrën dhe jetën tonë jo vetëm në këtë stinë të veçantë, por përgjatë gjithë vitit”.
Presidenti Monson tha se kur mbajmë shpirtin e Krishtlindjes, ne mbajmë Shpirtin e Krishtit.
“Përshëndetja me fjalët ‘s’ka vend’ nuk u dëgjua vetëm nga Jozefi dhe Maria para lindjes së Jezusit, por u dëgjua edhe nga Ai në shumë raste gjatë shërbesës së Tij”, tha Presidenti Monson.
“Në shtëpitë tona sot kemi vend për të ngrënë, vend për të fjetur, vend për t’u argëtuar. A kemi vend për Krishtin? Ne gjejmë kohë për … aktivitete që janë pjesë e jetës së përditshme. A kemi kohë për Krishtin?”
Presidenti Xhejms E. Faust, Këshilltar i Dytë në Presidencinë e Parë, tha se: “në këtë kohë të vitit, kur përkujtojmë lindjen [e Shpëtimtarit], gjithashtu duhet të gjejmë kohë për të medituar me nderim të thellë vdekjen e Tij dhe shenjtërinë e mrekullueshme të Ringjalljes”.
Në fjalët e tij, Presidenti Faust u përqendrua në një nga “mësimet e mëdha dhe të thella të Shpëtimtarit … : të bësh për të tjerët atë që ata nuk mund ta bëjnë për veten e tyre”.
Dhënia anonime reflekton dashurinë e Shpëtimtarit, tha Presidenti Faust. “Dua të shpreh vlerësim dhe falenderim për të gjithë ata që hapin zemrat dhe u japin të tjerëve.
Ata nga ne që kontribuojnë në mënyrë anonime kanë ndjenja të brendshme të ëmbla të Shpirtit që fryhen brenda kur bëjmë diçka për të tjerët që nuk lë gjurmët tona. Dhënia në mënyrë anonime i jep dhuratës një formë më të lartë shenjtërimi”.