2007
Ai Do T’ju Jap Çlodhje
Prill 2007


Ai Do T’ju Jap Çlodhje

Zemra ime vuajti me të. Doja aq shumë ta ndihmoja, sepse ndieva se pendimi dhe dëshira e saj për të bërë të drejtën ishte e sinqertë.

Po shërbeja si misionar kur takova Suzin (emri është ndryshuar). Asaj bashkë me familjen iu mësua ungjilli nga dy misionarë të cilët punonin në zyrën e misionit me mua. Ata kishin marrë të gjitha mësimet dhe kishin pranuar ftesën për t’u pagëzuar dhe konfirmuar. Ishte privilegji im të intervistoja këtë familje të mrekullueshme prej katër vetësh: nëna, babai, vëllai i vogël dhe Suzi.

Kisha mbaruar intervistat e pagëzimit për tre pjesëtarët e tjerë të familjes dhe i gjeta ata plotësisht të përgatitur dhe të gëzuar për të qenë pjesë e mbretërisë së Zotit. Por kur Suzi hyri në dhomë, dukej e heshtur dhe paksa ngurruese për të folur me mua.

Fillova t’i bëja pyetje në lidhje me ato që kishte mësuar. Ajo e dinte historinë e Profetit Jozef Smith dhe e besonte atë; kishte lexuar Librin e Mormonit dhe e dinte që ishte i vërtetë dhe ajo e pranonte Kishën si e vetmja Kishë e vërtetë dhe e gjallë mbi tokë dhe donte të ishte pjesë e saj. E pyeta Suzin në lidhje me gatishmërinë e saj për të zbatuar ligjin e së dhjetës, Fjalën e Urtësisë dhe urdhërime të tjera. Ajo tha që i kuptonte dhe ishte e gatshme t’i zbatonte ato përgjatë gjithë jetës së saj. Me të vërtetë, intervista ishte shumë e ngjashme me ato që pata me pjesën tjetër të familjes së saj.

Pastaj e pyeta: “A mund të më thuash se çfarë është ligji i dëlirësisë?” Pamja e saj ndryshoi menjëherë. E kuptova menjëherë se kjo ishte arsyeja që ajo dukej se ngurronte për të folur me mua. Përpara se unë mund të thoja ndonjë gjë, ajo mbuloi fytyrën e saj me të dyja duart, vendosi fytyrën dhe duart mbi prehër dhe filloi të qante me dënesë.

Qëndruam ashtu për disa minuta. Nuk isha i sigurt se çfarë duhet të thoja dhe Suzi nuk mund të pushonte së qari. U luta për ndihmën e Zotit dhe e pyeta Suzin se çfarë nuk shkonte. Më në fund ajo ngriti kokën dhe më tha se disa javë përpara se të takohej me misionarët, ajo dhe i dashuri i saj kishin bërë gjëra që misionarët i kishin mësuar se ishin të gabuara sipas ligjit të Zotit. Ajo tashmë i kishte thënë të dashurit gjërat që kishte mësuar dhe se nuk do të përfshihej më në një marrëdhënie të tillë. Ajo madje i kishte sugjeruar atij që të takohej me misionarët dhe të dëgjonte atë që ajo tani dinte se ishte e vërtetë. Megjithatë, ndjenja e fajit për përfshirjen në ato gjëra rëndonin mbi shpirtin e saj.

Zemra ime vuajti me të. Doja aq shumë ta ndihmoja, sepse ndieva se pendimi dhe dëshira e saj për të bërë të drejtën ishte e sinqertë. Në atë moment, përgjigjja ndaj lutjes sime erdhi në mënyrë të qartë. E pyeta: “Suzi, a dëshiron të çlirohesh nga ndjenja e fajit dhe dhimbja e këtij mëkati?” Përsëri ajo uli kokën dhe mbuloi fytyrën me duar. Tha vetëm një fjalë: “Po”. Lotët e saj rrodhën akoma më lirisht, ndërsa unë e ngushëllova duke i folur në lidhje me Shlyerjen dhe sesi mund ta zbatonte në jetën e saj. I shpjegova se një arsye për t’u pagëzuar dhe konfirmuar është për të shëruar shpirtin e atyre që janë të sinqertë deri në pendim dhe padyshim, unë mendoja se ajo ishte e sinqertë.

E mbaruam intervistën me një lutje. Ishte e qartë që Shpirti i Zotit ishte i pranishëm, me më fuqi sesa e kisha ndier ndonjëherë në një intervistë.

Kolegu im dhe unë arritëm në ndërtesën e kishës pak para se pagëzimi të fillonte. Nuk kishte kohë të flisnim me Suzin ose familjen e saj përpara shërbesës. Pas këngës dhe bisedave, ata u pagëzuan—së pari nëna, pastaj babai, vëllai dhe në fund Suzi. Ajo zbriti shkallët e vaskës së pagëzimit dhe buzëqeshja e saj zbuloi gjithçka—balsami shërues i Mësuesit po vepronte në zemrën e saj. Ndërsa doli nga uji, kishte lot në sytë e saj dhe në sytë e mi. Buzëqeshja e saj ishte edhe më e madhe se përpara dhe pamja e saj rrezatonte. E kuptova në atë çast pse Shpëtimtari mësoi: “Ejani tek unë, o ju të gjithë … të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mateu 11:28).

Folëm vetëm pak pas shërbesës. I urova mirëseardhjen familjes si anëtarë të rinj të mbretërisë së Zotit. Ndërsa i shtrëngova dorën Suzit, desha t’i thoja se sa shumë rëndësi kjo përvojë kishte patur për mua. Isha penduar në jetën time dhe kisha ndier fuqinë e Shlyerjes, por isha mirënjohës që e ndieva më fuqishëm se përpara për shkak të takimit me të.

Bashkimi me Kishën është një sfidë më vete. Bashkimi me Kishën në rrethana personale kaq të tensionuara duhet të ketë qenë një sfidë akoma më e madhe për Suzin, siç është për shumë anëtarë të rinj. Por Shlyerja e Jezu Krishtit e bëri këtë sfidë të kapërcyeshme dhe e çoi këtë bijë të mrekullueshme të Perëndisë tek kthimi në besim dhe në shërimin e shpirtit të saj. Gjithashtu i mësoi një misionari të ri dhe të ndjeshëm një mësim të rëndësishëm në lidhje me vënien në zbatim të Shlyerjes në vetë jetën e tij.