2007
Skautisti Rekordmen i Qytetit Kejp
Prill 2007


Skautisti Rekordmen i Qytetit Kejp

Ai është skautisti i tretë në historinë e Afrikës së Jugut që bëhet tre herë Springbok Scout (titulli më i lartë në skautizëm në Afrikën e Jugut), por i pari që ka fituar gjithashtu Shpërblimin e Detyrës ndaj Perëndisë.

Në çfarëdo vendi që të jetosh, kërkon shumë përpjekje për të marrë titullin më të lartë në skautizëm. Kështu që imagjinoni përpjekjet që kërkohen për ta fituar titullin tre herë. Roko du Plesis është i pari skautist Springbok në historinë 26 vjeçare të Skuadrës së Parë Tokësore në Afrikën e Jugut. Kështu që, të bëhesh tre herë skautist Springbok është një arritje e madhe.

Megjithatë, ka një shpërblim tjetër që Roko fitoi vitin e kaluar, po aq të rëndësishëm për të. “Fitimi i Detyrës ndaj Perëndisë më ka ndihmuar të arrij akoma më shumë për rritjen time personale dhe shpirtërore”, tha ai. “Ka të bëjë me marrëdhënien time me Atin Qiellor”.

“Programi skautist këtu është shumë kërkues”, thotë Roko, i cili është anëtar i Lagjes Panorama në Kunjin e Qytetit Kejp të Afrikës së Jugut. Është e vështirë të fitosh titullin Springbok. Sigurisht që udhëheqësit e skautizmit janë atje për të të ndihmuar. Por, megjithatë është e vështirë. “Nëse nuk punon fort, nëse nuk bën pjesën që të takon, nuk arrin ta marrësh atë”, shton Roko. Shumë kohë, planifikim dhe përpjekje nevojitet për çdo titull ndërsa përparon në programin skautist, i cili në Afrikën e Jugut nuk sponsorizohet nga Kisha.

Për Shpërblimin e Detyrës ndaj Perëndisë, Roko thotë që mbështetja e prindërve të tij dhe e udhëheqësve të Të Rinjve ka pasur një ndikim të madh. “Ata duan që ta fitosh Detyrën ndaj Perëndisë”, thotë ai “dhe shumë nga kërkesat janë gjëra që tashmë po i bëjmë çdo ditë”. Pra, është thjesht çështja që të bashkëpunosh me prindërit dhe udhëheqësit për të regjistruar përparimin tënd në ato fusha. “Shumica e aspekteve normale mormone të jetës përmbushin kërkesat e Detyrës ndaj Perëndisë—nëse i bën ato”. Me fjalë të tjera, nëse një i ri frekuenton mbledhjet e Kishës, lutet rregullisht, studion shkrimet e shenjta dhe përmbush përgjegjësitë e tij të priftërisë, ai është në rrugën e duhur.

Të Bëhesh një Skautist Springbok

Vetëm rreth një ose dy përqind e të gjithë skautistëve në rang kombëtar fitojnë titullin më të lartë të skautizmit në Afrikën e Jugut. Dhe pastaj, vetëm rreth një ose dy përqind e këtyre skautistëve Springbok përmbushin më shumë se një nga tre sfidat e mundshme të Eksplorimit. Roko i plotësoi të tre kërkesat sfiduese, duke u bërë i treti skautist në historinë e Afrikës së Jugut që arriti të përmbushë këtë akt madhor.

Një skautist në Afrikën e Jugut përparon në program nga Pathfinder (Zbulues Shtigjesh) në Adventurer (Përballues Rreziku), pastaj në First Class (Klasi i Parë) dhe pastaj në Explorer (Eksplorues). Stema e Eksploruesit është e ndarë në tre seksione të ndryshme: Land Scouts (Skautist Tokësor), Air Scouts (Skautist Ajror), dhe Sea Scouts (Skautist Detar). Zakonisht një skautist zgjedh një nga këto ndarje për t’u përqendruar ndërsa punon drejt arritjes përfundimtare—Springbok-ut. Roko u përqendrua tek të treja.

Përveç kërkesave dhe stemave të tjera, ka stema të nevojshme të veçanta për çdo tip Eksploruesi: Eksploruesi i Tokës fiton stemat e Backwoodsman (një njeri që arrin të mbijetojë duke jetuar në një zonë të pabanuar) dhe Mapping (Përdorues i Hartës). Eksploruesi Ajror fiton stemat e Navigimit Ajror dhe Rregullimit të Trafikut Ajror. Dhe Eksploruesi Detar fiton stemat e Timonierit e të Lundërtarit për lundrim dhe vozitje.

Roko shpjegon që zakonisht duhet të frekuentosh kurset e stemave për dy fundjava për të fituar secilin titull. Ka stema të bardha—për anën teorike të një aftësie. Ka edhe stema jeshile—zbatimi praktik i aftësisë. Për shembull, për të fituar stemën Backwoodsman, së pari duhet të mësosh gjëra si mbijetesa në shkretëtirë, të drejtohesh me anë të yjeve dhe të bësh zjarr pa shkrepëse. Pastaj vjen edhe zbatimi praktik. Të lënë në pyll për 48 orë dhe atje je vetëm.

Kështu që Roko deri tani ka qenë shumë i zënë me Skautizmin për disa vite me rradhë. Nga shkurti deri në dhjetor të vitit të kaluar, për shembull, gjatë shumë fundjavave ai nuk gjendej në shtëpi. “Dukej se isha i ikur vazhdimisht nëpër kurset e stemave”, thotë ai. Gjithashtu, gjatë pesë viteve të fundit, Roko ka qenë udhëheqësi i skuadrës. Kjo do të thotë se ai ka qenë i ngarkuar për të organizuar të gjitha kampet e skuadrës. I është dashur të planifikojë vakte, të blejë gjërat e nevojshme, të bashkërendojë takimet e skuadrës, të shtypë letra miratimi për skautistët e tjerë, që duhen firmosur nga prindërit e tyre, dhe të mbikqyrë të gjitha kampingjet.

Një tipar të vlefshëm që Roko ka mësuar përgjatë rrugës është këmbëngulja. “Të paktën gjysmën e stemave nuk i mora që me provën e parë”, thotë ai. “Brenda gjashtë muajve mund të shkosh dhe ta provosh përsëri, ose një i rritur, i cili e ka marrë atë stemë, mund të të kalojë në provë”. Për shembull, një nga kërkesat e Ndihmës së Parë është të lidhësh me fasho. “Nuk arrita të fashoja sepse një pjesë e nyjes në një nga fashot e mia u zgidh”, thotë Roko. “Kështu që m’u desh të përsërisja pjesën e fashimit në mënyrë që të fitoja nivelin e dytë të Ndihmës së Parë”.

Përveç marrjes së stemave, ka edhe projekte të tjera që një skautist duhet të plotësojë për të fituar titullin Springbok. Një nga këto është një projekt ndërtimi. Roko zgjodhi të ndërtonte një urë. Së pari ai duhet ta projektonte dhe të ndërtonte një maket të urës. Pastaj, bashkë me një ekip prej gjashtë skautistësh të tjerë, Roko duhet të ndërtonte një urë me përmasa të konsiderueshme, rreth 6 metra të lartë dhe 9 metra të gjatë. U deshën rreth nëntë orë për ta ndërtuar urën dhe për ta çmontuar atë.

Duhet bërë gjithashtu shërbim në komunitet, e cila është një pjesë e rëndësishme për të fituar titullin Springbok dhe Shpërblimin e Detyrës ndaj Perëndisë. Për shërbimin e kërkuar në lidhje me titullin Springbok, Roko vizitoi më shumë se 40 shtëpi të moshuarish për t’i ndihmuar ata me punë dhe riparime të ndryshme. “E vetmja gjë e përbashkët për të dy titujt, ishte shërbimi prej 40 orësh të cilët i përdora si për skautizmin edhe për Shpërblimin e Detyrës ndaj Perëndisë”, thotë Roko.

Nga të gjitha kërkesat që Roko ka përmbushur për të fituar titujt e tij të ndryshëm, ai i referohet njërit në veçanti si më i vlefshmi për rritjen e tij personale: “Leximi i Librit të Mormonit”, thotë Roko pa hezitim. “Ajo ishte sfida më e madhe dhe më shpërblyese”.

Duke u Bërë Një Misionar

“E kisha lexuar Librin e Mormonit tashmë një herë, rreth një viti më parë, por po e lexoja thjesht për ta mbaruar”, shpjegon Roko. “Kur fillova ta lexoja përsëri, me të vërtetë doja të mësoja dhe të fitoja një dëshmi për të.” Ai filloi ta lexonte Librin e Mormonit në një mënyrë krejt të ndryshme herën e dytë. “Çdo herë që lexoj tani, lutem përpara për të kërkuar Shpirtin e Atit Qiellor që të jetë me mua ndërsa lexoj”.

Roko tashmë ka filluar projektin e tij tjetër të madh—për të ndarë më aktivisht dëshminë e tij me të tjerët ndërsa përgatitet për të shërbyer një mision me kohë të plotë. Përvojat e tij në skautizëm dhe fitimi i Shpërblimit të Detyrës ndaj Perëndisë e kanë ndihmuar në zhvillimin e tij individual dhe në bërjen një misionar. “Për të ndarë ungjillin me të tjerët, më duhej të dija se çfarë ka në Librin e Mormonit dhe më duhej të dija që është i vërtetë”, thotë ai. “Pasi e lexova Librin e Mormonit për herën e dytë, fitova një dëshmi për të.”

Edhe sikur të mos kishte një Shpërblim të Detyrës ndaj Perëndisë për të fituar, Roko thotë se do ta kishte përmbushur shumicën e kërkesave thjesht sepse donte të përgatitej për shërbimin misionar. Frekuentimi i kishës, leximi i shkrimeve të shenjta, lutja e përditshme dhe dhënia e shërbimit janë thjesht pjesë e personalitetit të Rokos, e të qenit ashtu si duhet të jetë një shenjtor i ditëve të mëvonshme.

Tashti që ai ka marrë thirrjen për të shërbyer si një misionar me kohë të plotë, dëshmia që Elder du Plesis ka ndërtuar ka provuar të jetë shumë më e nevojshme sesa ura prej trarësh e litarësh që ai ndërtoi për projektin e ndërtimit për titullin Springbok. Megjithatë, disa nga aftësitë e mbijetesës që ka mësuar si një skautist mund t’i bëjnë punë ndërsa shërben në Zimbabve, Zambia dhe Malavi.