2007
Kori i Tabernakullit Nderohet me Titullin ‘Nënë Tereza’
Prill 2007


Kori i Tabernakullit Nderohet me Titullin “Nënë Tereza”

E ndjera Nënë Tereza njëherë tha: “Bota është e uritur jo vetëm për ushqim, por gjithashtu për bukuri”. Në nëntor të vitit 2006, Korit Mormon të Tabernakullit iu dha një titull i quajtur në nder të saj, duke vlerësuar “arritjet e atyre që zbukurojnë botën, veçanërisht në fushën e fesë, drejtësisë sociale dhe arteve”.

“Ky është i vetmi kor që ka prekur të gjithë botën me bukurinë e tij”, tha Den Paulos, drejtor i Institutit të Artit të Shenjtë “Shën Bernadet”, i cili jep Titullin “Nënë Tereza”. “Ka shumë kore nëpër botë, por asnjë kaq mbresëlënës. Është një dhuratë e Perëndisë dhe duhet të ndahet me botën”.

Pjesëtarë të korit u nderuan me një ceremoni të thjeshtë në vijim të transmetimit javor të programit “Muzika dhe Fjala” të dielën, më 19 nëntor 2006. Imzot Jozef Majër, Rektor i Katedrales së Madelinës, ia paraqiti titullin Mek Kristensenit, presidentit të korit dhe Kreg Xhesop, drejtorit muzikor, të cilët e pranuan atë në emër të korit.

“Jemi të nderuar të pranojmë këtë titull në emër të të gjithë vullnetarëve që formojnë korin tonë. Gjithashtu jemi të nderuar të kujtohemi nga një titull të quajtur sipas emrit të kësaj gruaje të shenjtë, Nënë Tereza”, vërejti Skot L. Barrik, administruesi i përgjithshëm i korit.

Instituti zhvilloi programin e dhënies së titullit për të “vlerësuar me të drejtë arritje shpirtërore në këtë botë laike”.

Statujëza është një përfaqësim modern i Nënë Terezës. Laureatët (fituesit e titullit) propozohen në masë nga publiku dhe zgjidhen nga Bordi i Drejtuesve të Titullit “Nënë Tereza”.

Kori i përbërë i gjithi nga vullnetarë, përbëhet nga 350 burra dhe gra që përfaqësojnë shumë formime, profesione dhe mosha të ndryshme. Kori është bërë me famë botërore nëpërmjet regjistrimeve, tureve të shumta dhe transmetimeve javore në radio dhe televizion.

Marrës të mëparshëm të këtij nderi janë edhe Papa Gjon Pali II, Maja Angelou, Nelson Mandela dhe Xhimi Karter.