2007
Telefonata e Pashpjegueshme
Prill 2007


Telefonata e Pashpjegueshme

E shtuna e 7 shkurtit 2004 më gjeti mua dhe gruan time në një hotel në Gijon, në veri të Spanjës, ku po shërbeja si president i misionit të Bilbaos, Spanjë. Pasi përfunduam së ngrëni darkë, kontrollova celularin për ndonjë mesazh që s’e kisha dëgjuar. Tregonte vërtet se një misionar kishte telefonuar. Pashë kush ishte dhe shtypa butonin e duhur për ta marrë në telefon.

Misionari iu përgjigj telefonatës dhe pas një përshëndetjeje të shkurtër, e pyeta se çfarë dëshironte. Ai u habit dhe m’u përgjigj se nuk më kishte telefonuar. Unë këmbëngulja dhe i thosha se telefoni im kishte regjistruar një telefonatë prej tij, por ai përsëriste se nuk kishte telefonuar.

Përfunduam bisedën tonë, por pas pesë minutash më mori sërish në telefon dhe më tha: “President, kam një problem që po më bën të ndihem vërtet i shqetësuar dhe jam shumë i merakosur për të. U luta dhe i kërkova Zotit ndihmë për të ditur se çfarë të bëja. Nuk e ndieja se duhej t’ju merrja, por ndërsa po i kërkoja Zotit se çfarë të bëja, ju telefonuat. U habita pasi nuk ju kisha telefonuar. E dija se Zoti po më thoshte se kisha nevojë të flisja me ju menjëherë.”

Biseduam pak dhe problemi i tij u zgjidh.

Kur fola me të dy ditë më vonë, e pyeta elderin sërish nëse më kishte telefonuar. “Jo, president”, u përgjigj ai, “ajo ishte punë e Zotit”. Më vërtetoi se telefoni i tij nuk tregonte se i kishte rënë numrit tim, as pa dashje.

Zoti tha: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua” (DeB 112:10). Alma, duke mësuar birin e tij Helamanin, tha: “Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë” (Alma 37:37). Ne duhet të bëjmë atë që Ati Qiellor dëshiron, në mënyrë që të ndiejmë paqen për të cilën kemi vazhdimisht nevojë. Ajo telefonatë e pashpjegueshme ishte padyshim përgjigjja e lutjes së një misionari të ri.