Tre Mesazhe për të Rinjtë e Rritur
Miqtë e mi të rinj të rritur, ju jetoni në një kohë premtimi të madh. Kurrë në historinë e botës nuk ka patur kaq shumë mundësi për zgjedhje dhe sukses.
Kam tre mesazhe për ju ndërsa i jepni rrugë jetës tuaj: jini një anëtar aktiv i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, përgatituni sot për jetën nesër dhe jini të gatshëm të pranoni përgjegjësitë e martesës.
Jini Aktivë në Kishë
Ndërsa siguroni një arsimim cilësor, filloni punë dhe përgatiteni për martesë, gjithmonë duhet të mbani parasysh aktivitetin tuaj në Kishë.
Të rinjtë e rritur janë një grup në lëvizje të shpeshtë. Ju ndryshoni shpesh adresat dhe numrat e telefonit. Si udhëheqës të Kishës, ne trishtohemi kur humbasim kontakt me ju. Kur kjo ndodh, nuk mund t’ju kontaktojmë për t’ju ftuar të pranoni një thirrje në Kishë dhe për të përfituar nga të gjitha bekimet e anëtarësisë në Kishë.
Një nga shqetësimet tona më të mëdha është që shumë nga të rinjtë tanë të rritur nuk janë vendosur në një njësi ku të kenë një peshkop dhe ku peshkopi t’i njohë ata. Çdo anëtar i Kishës duhet të njihet nga një peshkop ose president dege dhe të jetë përgjegjës ndaj tyre. Kjo marrëdhënie do t’ju japë mundësinë të merrni pjesë në ordinancat e priftërisë, të keni intervista, të merrni rekomandime tempulli kur është e përshtatshme dhe të merrni thirrje në Kishë.
Duhet të ketë një lidhje të përcaktuar me dikë që mban çelësa priftërie. Nëse keni dy peshkopë, nuk keni asnjë peshkop. Nëse dokumenti juaj i anëtarësisë nuk është në lagjen të cilën frekuentoni dhe nuk jeni në një pozitë për të pranuar një thirrje, shumë shpejt mund të ndodhë që të bëheni i panjohur nga udhëheqësit tuaj.
Një thirrje në Kishë është një nga bekimet më të mrekullueshme që mund të gëzoni në këtë fazë të jetës. Keni kaq shumë për të kontribuar në lagjen apo degën ku jetoni. Talentet dhe aftësitë tuaja janë të nevojshme për një Kishë në rritje. Nëse jeni një misionar i kthyer, mund të ndikoni tek anëtarët e tjerë me entuziazmin dhe dëshminë tuaj. Një thirrje është gjithashtu e rëndësishme edhe nëse akoma nuk keni shërbyer një mision.
Nëse nuk jeni vendosur në një lagje apo degë dhe nuk njiheni nga peshkopi apo presidenti juaj i degës, a do të pranoni ftesën time personale për ta ndrequr menjëherë këtë gjë? Bëhuni përgjegjës ndaj udhëheqësve tuaj të priftërisë. Motra, njihuni me anëtaret e Shoqatës së Ndihmës në zonën tuaj. Përfshihuni në organizatën e Shoqatës së Ndihmës. Të rinj, jini të denjë për të marrë përgjegjësitë në rritje dhe bëni besëlidhjet e shenjta që janë pjesë e përparimit nga Priftëria Aarone në Priftërinë Melkizedeke. Vendoseni veten në kuorumin vendor të pleqve dhe bëhuni një pjesëmarrës aktiv.
Nëse jeni vendosur në një lagje apo degë, ju ftoj të mendoni për miq ose të njohur në kishë të cilët nuk njihen nga udhëheqësit e tyre të priftërisë. Nxitini këta miq të rivendosen në ungjill dhe të bëhen anëtarë pjesëmarrës të Kishës.
Përgatituni Sot për Jetën Nesër
Mesazhi i dytë që ju sjell është të bëni zgjedhje të drejta për t’u përgatitur për të ardhmen.
Jam shoqëruar me mijëra studentë të rinj. Me ndershmëri mund të them se ajo çfarë vendosni të bëni në lidhje me arsimin, punën, përgatitjen për martesë dhe aktivitetin në Kishë në këtë kohë të jetës do t’i japë drejtimin të ardhmes tuaj.
Nëse do të vendosni gjërat e Perëndisë të parat, do bëni zgjedhje të drejta. Është shumë e lehtë të bësh një zgjedhje që duket tërheqëse për çastin por që, në përfundim, do t’ju çojë larg nga mbretëria e Perëndisë. Asgjë tjetër në përjetësi nuk ka rëndësi nëse nuk kualifikoheni sot për t’u kthyer të jetoni me Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.
Në shkrimet e shenjta gjejmë disa thënie që mund t’ju ndihmojnë. Jezu Krishti tha: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Mateu 6:33).
Në një rast tjetër Ai tha: “Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri” (Mateu 10:39). A e kuptoni se të humbësh jetën në shërbim të të tjerëve të lejon të gjesh identitetin tënd të vërtetë si një fëmijë i Perëndisë? E kundërta—të jesh i përqendruar tek vetja dhe të mos i shërbesh Perëndisë ose të tjerëve—ka si pasojë humbjen e jetës në një kuptim të përjetshëm.
Ndërsa përgatiteni për të ardhmen, shërbimi dhe shoqëria juaj në rrethin e Kishës kanë më shumë rëndësi se gjithçka.
Siguroni një Arsimim të Mirë
Ju nxisim të fitoni një arsimim të mirë dhe të fitoni aftësitë e nevojshme për të zënë punë me sukses, për të mbajtur një familje dhe për të qenë një pjesëtar kontribues i shoqërisë.
Arsimimi dhe trajnimi për një zanat mund të jetë i kushtueshëm. Mësoni si të kurseni para dhe përdorni me mençuri fondet që keni në dispozicion. Kjo do t’ju ndihmojë të minimizoni borxhin që mund të keni kur të mbaroni arsimimin tuaj.
Nëse po fitoni një arsimim ndërsa jeni të martuar, do të kërkojë që ju dhe bashkëshorti/ja juaj të ushtroni aftësi të mira vendim-marrjeje, ndërsa sakrifikoni për t’u kujdesur për familjen. Duhet të siguroheni që nevojat e familjes tuaj, puna dhe arsimi nuk vihen në rrezik.
Beqarë apo të martuar, ata nga ju të cilët janë të punësuar duhet të zhvillojnë një etikë të mirë pune. Jini produktivë; rrisni aftësitë tuaja profesionale. Jini besnikë ndaj punëdhënësit. Kërkoni mundësi për përparim dhe për përgjegjësi shtesë. Paguani të dhjetat dhe ofertat tuaja. Kurseni një pjesë të të ardhurave tuaja dhe zhvilloni zakonin e nikoqirllëkut dhe të mbështetjes tek vetja.
Njihni Vlerën e Vërtetë të Parasë
Një nga sfidat e mëdha të kësaj faze të jetës tuaj është të dish si të bësh zgjedhje në lidhje me shpenzimin e parave.
Presidenti Brigam Jang mësoi: “Nëse shpresoni të pasuroheni, kurseni ato që fitoni. Një budalla mund të fitojë para; por një i mençur arrin të kursejë dhe t’i përdorë për dobinë e tij”1.
Ka kaq shumë produkte joshëse dhe interesante të cilat janë të disponueshme në shoqërinë tonë. Ato sigurojnë kënaqësi dhe shlodhje. Janë intriguese dhe duken të nevojshme.
Megjithatë Shpëtimtari tha:
“Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin,
përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin.
Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj” (Mateu 6:19–21).
Ruhuni që të mos e rrethoni veten në mënyrë të pamatur me sende fizike, argëtuese e të përkohshme që ndoshta nuk janë të nevojshme në këtë fazë të jetës tuaj. Mos mendoni se duhet të siguroni menjëherë për veten ato gjëra që prindërit tuaj kishin kur ju u larguat nga shtëpia e tyre. Në shumicën e rasteve prindërve tuaj iu deshën dekada të tëra për të siguruar komoditetin e një shtëpie bashkëkohore dhe thjesht nuk është praktike të kërkosh t’i sigurosh ato tani, ndërsa ndërtoni shtëpinë e familjes tuaj të re.
Mund t’ju dëshmoj personalisht se disa nga kujtimet më të bukura që bashkëshortja ime dhe unë kemi, janë nga koha kur familja jonë e re jetonte në një apartament të vogël ndërsa unë po përfundoja shkollën për drejtësi. Kishim pak nga lukset e jetës. Por nuk e dinim që ishim të varfër, sepse kishim njëri-tjetrin dhe bekimet e ungjillit. Këto bekime e bënë plotësisht të parëndësishme mungesën e zotërimeve tona materiale.
Jini të Gatshëm për të Pranuar Përgjegjësitë e Martesës
Mesazhi i tretë që do të dëshiroja të diskutoja me ju—dhe ka lidhje me dy mesazhet e mëparshme—është të jesh i gatshëm të pranosh përgjegjësitë e martesës.
Vëllezërit e Kishës kanë një shqetësim të thellë dhe të vazhdueshëm që të rinjtë tanë të rritur të pamartuar të dinë doktrinën e Kishës në lidhje me martesën. Doktrina e Kishës në lidhje me familjen e përjetshme është e qartë. Më lejoni të citoj nga Doktrina e Besëlidhje:
“Si rrjedhim, në qoftë se një burrë martohet me një grua në botë dhe ai nuk martohet me të as prej meje, as prej fjalës sime, dhe lidh besën me të për aq sa ai është në botë, dhe ajo me të, besëlidhja dhe martesa e tyre nuk kanë vlerë kur ata të vdesin dhe kur ata të jenë jashtë kësaj bote; si rrjedhim, ata nuk lidhen me anë të ndonjë ligji kur të jenë jashtë botës.
Si rrjedhim, kur të jenë jashtë botës, ata as nuk martohen, as nuk jepen në martesë; por caktohen engjëj në qiell, engjëj të cilët janë shërbëtorë shërbestarë, për të shërbyer për ata që janë të denjë për një peshë më të madhe dhe të pamasë e të përjetshme lavdie” (DeB 132:15–16).
Me një gjuhë të thjeshtë dhe të qartë, martesa për kohën dhe gjithë përjetësinë është thelbësore për ekzaltim.
Sfida Që Mund të Shtyjnë Martesën
Me këtë shkrim të shenjtë në mendje, më lejoni të përmend disa nga faktorët që mund ta shtyjnë martesën.
-
Për disa, mund të duket se ka më pak nxitje që misionarët e kthyer të martohen. Nëse kjo është ajo që mendoni, keni supozuar gabim. Të gjithë misionarët e kthyer duhet të nxiten, kur të kthehen në shtëpi, që të qëndrojnë aktivë në Kishë, të sigurojnë një arsimim, të fitojnë aftësi pune dhe të punojnë në drejtim të gjetjes së një shoku/shoqeje të përjetshme.
-
Disa djem të rinj mendojnë se nuk mund t’i përmbushin pretendimet e disa vajzave të reja. Shprehja “me shumë pretendime” shpesh përdoret për të përshkruar ata që të japin përshtypjen se kërkojnë më shumë se sa bashkëshorti mund të sigurojë. Nëpërmjet komunikimit të duhur mund të shqyrtohet kjo pasiguri.
-
Theksimi ndaj arsimit dhe karierës mund ta vendosë martesën në hije. Martesa, arsimi dhe kariera mund të funksionojnë së bashku. Një karierë pa familje, kur familja është e mundur, është një tragjedi.
-
Mos lejoni që jeta juaj të jetë thjesht një ekzistencë egoiste ose argëtuese. Jeta është më shumë sesa thjesht zbavitje. Mos u jepni tërësisht pas zotërimeve materiale. Pranoni përgjegjësi.
-
Një perceptim negativ në lidhje me martesën si rezultat i njoftimeve të mediave ose të përvojave familjare ose të miqve, mund ta frenojë dikë të martohet. Disa thonë: “Pse të martohesh kur ka kaq shumë divorce?” Ekzistenca e divorcit nuk do të thotë se nuk mund të keni një martesë të lumtur dhe të suksesshme. Mos lejoni që veprimet e të tjerëve të përcaktojnë vendimet tuaja. Vendosni që martesa juaj nuk do të jetë një dështim.
-
Disa e shtyjnë martesën për arsye financiare. Të shtysh martesën deri sa paratë të jenë të mjaftueshme për të patur një jetë elegante, nuk është urtësi. Shumë nga jeta e përbashkët—përpjekjet, përshtatja dhe përballja me sfidat e jetës—humbet kur kjo ndodh.
Këto dhe shumë shqetësime të tjera mund ta shtyjnë martesën. Nuk është qëllimi im të jap përgjigje të kënaqshme për ju ndaj të gjitha këtyre kundërshtimeve. Unë thjesht deklaroj doktrinën e Kishës në lidhje me martesën dhe ju nxis të keni besimin e mjaftueshëm të shkoni përpara në lidhje me këtë vendim, që është më i rëndësishmi i jetës suaj.
Frika
Nëse do të zgjidhja një fjalë që do ta përshkruante më mirë shumicën e arsyeve për shtyrjen e martesës, do të ishte frika—frikë për të ardhmen, frikë ndaj dështimit dhe kështu me radhë. Nuk është e pazakontë të kesh frikë. Frika mund të kapërcehet nëpërmjet përgatitjes dhe besimit.
Kur Apostujt e hershëm u frikësuan se mos anija e tyre do të mbytej nga një stuhi e madhe, Krishti “u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ‘Pusho dhe fashitu!’. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.
Atëherë u tha atyre: ‘Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?’”. (Marku 4:39–40).
Apostulli Pal mësoi: “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie” (2 Timoteut 1:7).
Mund të them me ndershmëri se në brezin tim, kur shfaqej mundësia për t’u martuar me personin e duhur, sfidat e vazhdimit të arsimit kalonin në dorë të dytë përpara vendimit më të rëndësishëm, martesës me personin e duhur. Shumë nga ju të rinj të rritur tashmë e kanë marrë atë vendim dhe po ecni përpara me jetën tuaj, megjithëse nuk i keni të gjitha komoditetet që mund të kishit nëse do të kishit vepruar ndryshe. Por ju po ecni përpara në përputhje me planin e përjetshëm dhe sipas një modeli hyjnor që kjo Kishë u ofron të gjithë anëtarëve.
Familja
Pak kohë më parë, Motra Tingi dhe unë, që tani kemi 4 fëmijë dhe 21 nipër e mbesa, patëm mbesat tona në shtëpinë tonë gjatë një nate. Pesë nga mbesat tona, të moshës 6 deri 14 vjeçe, erdhën. Ato jo vetëm që janë kushërira, por janë edhe shoqet më të ngushta për njëra-tjetrën.
Hëngrëm një vakt të mrekullueshëm të përgatitur nga Motra Tingi. Pastaj mbesat bënë disa punë dore, gjithashtu të përgatitura nga Motra Tingi. Pastaj luajtëm lojërat e tyre të preferuara dhe më pas ato paraqitën një shfaqje të vogël talentesh për gjyshen dhe gjyshin e tyre. Gjatë shfaqjes së talenteve, ato kënduan disa këngë të preferuara të Fillores të përshtatura për gjyshin/gjyshen, përfshirë sa më poshtë:
Jam shumë i lumtur kur [gjyshi] vjen në shtëpi,
I lumtur sa s’ka;
Përplas duart dhe thërras nga gëzimi,
Pastaj hipi në prehërin e tij,
Duart rreth qafës i hedh,
E përqafoj fort, ja kështu,
I përkëdhel faqet, dhe pasat e dini çfarë?
Një puthje të madhe i jap2.
Pesë mbesat ishin mbi prehërin tim ndërsa kënduan këtë këngë, me duart rreth qafës time, duke më përkëdhelur faqet dhe duke më dhënë puthje të mëdha.
Për këtë e kam fjalën. Kjo është familja. Ky është ungjilli. Ajo lë mënjanë plotësisht çdo zotërim material dhe çdo gjë që blihet me para.
Nëse nuk e kuptoni se çfarë mund të dhurojë e ardhmja juaj në lidhje me familjen, do të jetë e vështirë që të bëni zgjedhje të urta që do të ndikojnë të ardhmen tuaj. Familja është gjithçka. Ajo çon në plan të dytë çdo marrëdhënie dhe vendim tjetër.
Jo të Gjithë Do të Martohen
Tani, e di se jo të gjithë ata që dëshirojnë të martohen do arrijnë ta bëjnë atë në këtë jetë. Plani i Zotit kujdeset për këtë.
Tregimi i mrekullueshëm i Ruthit në Dhjatën e Vjetër është një tregim i një gruaje e cila humbi bashkëshortin e saj dhe pastaj zgjodhi që të mos ndiqte vetëm qëllimet e saj individuale. Ruthi ishte beqare, por ajo qëndroi e përkushtuar ndaj familjes dhe Perëndisë.
Kur vjehrra e saj, Naomi, e nxiti atë të shikonte jetën e saj, Ruthi bëri një deklaratë fisnike besimi: “Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe të mos të të ndjek më, sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im”(Ruthi 1:16).
Siç mund ta kujtoni, më vonë në jetën e saj Ruthi u takua me Boazin dhe ata u martuan e u bënë një hallkë në zinxhirin e origjinës së Jezu Krishtit. Të gjitha bekimet e premtuara ndaj ndjekësve besnikë të Zotit u bënë të sajat.
Familja është zemra dhe shpirti i ungjillit. Nëpërmjet saj ne përparojmë në përjetësi. Për një martesë dhe familje të përjetshme, ia vlejnë të gjitha vështirësitë.
Ju lutem, meditojini këto mendime që kam ndarë me ju. Lutuni në lidhje me to. Dijeni se Ati juaj Qiellor do t’ju bekojë dhe do t’ju ndihmojë të zëvendësoni frikën me besimin nëse i luteni Atij.
Me përulësi jap dëshminë time që po të jeni aktivë në Kishë, të përgatiteni mirë për të ardhmen dhe të vuloseni me bashkëshortin/en për kohën dhe gjithë përjetësinë, mund t’ju ndihmojë të zbuloni gëzimin që është premtimi i ungjillit të Jezu Krishtit.
Nga biseda e një mbrëmjeje të Sistemit Arsimor të Kishës dhënë në Institutin e Fesë, Ogden, Juta, më 2 maj 2004.