Edhe Biri Im Jeton Gjithashtu
Një grua në lagjen time më dha një mësim të paçmuar mbi paqen e qetë që vjen nga një besim i sigurt tek Jezu Krishti dhe tek Shlyerja e Tij.
Bekimi patriarkal i kishte premtuar kësaj gruaje lumturinë që vjen nga të qenit nënë. Por vitet kalonin, ndërsa ajo dhe bashkëshorti i saj luteshin dhe prisnin fëmijë. Më në fund, lutjet e tyre morën përgjigje. Për nëntë muaj jeta e tyre ishte mbushur me përgatitje gjithë gëzim. Lyen një dhomë të veçantë, blenë mobiljet, rrobat dhe pajisje të tjera për bebe, si dhe bënë shumë lutje. Mjekët thanë se ajo nuk do të ishte më në gjendje të kishte fëmijë tjetër pas këtij, kështu që ëndrrat e saj ishin përqendruar te kjo foshnjë.
Erdhi dita kur kjo motër lindi dhe dëgjoi të qarat e fëmijës së saj.
“Është një djalë i bukur”, tha mamia.
Nëna mbylli sytë dhe bëri një lutje falenderimi. Katër minuta më vonë, foshnja vdiq.
E pashë në mbledhjen e sakramentit dy javë më vonë. Si drejtuese e muzikës, ajo eci për në krye të kishës dhe zuri vend pranë organos. Nën drejtimin e saj ne kënduam “E Di se Rron Shëlbuesi Im” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, faqe 38). U ngrit dhe qëndroi drejt, fytyra e saj shkëlqente dhe dëshmia e saj rrezatonte. Ndonjëherë fjalët i dilnin me shumë vështirësi. Ajo gëlltitej dhe shtrëngonte buzët me njëra-tjetrën. Më pas ndaloi këngën, por krahu i saj vazhdonte të lëvizte, duke na drejtuar ndërsa këndonim.
Më vonë, me lotët që rridhnin nëpër faqe, kjo motër dha dëshminë e saj me këto fjalë të thjeshta: “E di se rron Shëlbuesi im. Unë e di se Ai është i drejtë dhe se Ai na do. Dhe për shkak se Ai jeton, edhe biri im jeton gjithashtu.”
Në besimin e saj pashë sigurinë e realitetit të Shëlbuesit tonë, Shlyerja e të cilit bëri të mundshme për ne pavdekësinë dhe jetën e përjetshme. Biri i saj ishte marrë, por ajo e dinte se ai do t’i rikthehej asaj një ditë.