Pyetje e Përgjigje
“Një nga miqtë që kam në Kishë nuk po i vë në jetë disa standarde të ungjillit. Shqetësohem për të. Si të ndihmoj?”
-
Mos i ulni standardet për të ndihmuar mikun tuaj.
-
Lutuni që Fryma e Shenjtë t’ju ndihmojë të dini se ç’duhet të bëni dhe pastaj veproni!
-
Kini besim se Ati Qiellor do të veprojë nëpërmjet jush për të sjellë një ndryshim në jetën e mikut tuaj.
-
Ftojeni mikun tuaj për të marrë pjesë në aktivitete lartësuese në mënyrë që të ndiejë Shpirtin dhe të ketë dëshirë për të bërë zgjedhje të mira.
-
Jini një shembull se si mbajtja e urdhërimeve ju sjell juve lumturi.
Liahona
Mund të ndihmoni duke qenë një mik. Miku juaj mund të jetë duke u përpjekur të kuptojë se kush është dhe ku ndihet i pranuar. Ai ka nevojë për dikë me të cilin të flasë, me të cilin të shkojë në aktivitete të mira dhe dikë që mund ta shohë si një shembull. Pa treguar vetëkrenari ose pa kritikuar, gjeni mundësi për të folur me të në lidhje me ato herë kur keni jetuar standardet tuaja dhe jeni bekuar.
Mbajini standardet lart. Çfarëdo që të bëni, mos i ulni standardet në emër të ndihmës ndaj mikut tuaj. Qëndroni larg situatave ku Fryma e Shenjtë nuk do të jetë atje për t’ju nxitur. Pavarësisht nga miqësia dhe shqetësimi juaj, miku juaj mund të vendosë të vazhdojë të bëjë zgjedhje të gabuara. Mund t’ju duhet të shoqëroheni me njerëz të tjerë, në vend që edhe ju të ulni standardet tuaja.
Gjeni kohë për t’u lutur. Lutuni për mikun tuaj, por edhe për veten gjithashtu. Lutuni për të pasur mundësi për ta ndihmuar atë dhe lutuni që të arrini t’i dalloni ato mundësi dhe të udhëhiqeni se ç’duhet të bëni kur ato të vijnë. Lutuni që veprimet tuaja të motivohen nga një dashuri për mikun tuaj si ajo e Krishtit, jo vetëm nga një dëshirë për ta ndryshuar atë. Pastaj veproni!
Mos u dorëzoni. Miku juaj ka gjasa që të mos ndryshojë menjëherë. Kërkohet një përpjekje e vazhdueshme dhe e sinqertë. Në fakt, ndoshta nuk do ta dini kurrë se çfarë ndikimi po japin fjalët ose shembulli juaj, por nëse po i ofroni miqësi, po sillni një farë ndryshimi në jetën e tij. Jakobi, profeti i Librit të Mormonit, mund të ketë menduar se biri i tij Enosi nuk u vinte rëndësi mësimeve të tij, por një ditë Enosi kujtoi “fjalët që [kishte] dëgjuar shpesh atin [e tij] të fliste” dhe u pendua (shih Enosi 1:3–5). Fjalët dhe shembulli juaj do të kenë një ndikim, megjithëse mund të mos jetë tani.
Përfshijeni mikun tuaj. Kujtoni shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit në lidhje me bariun i cili la 99 delet për të gjetur atë që kishte humbur. Ai jo vetëm e gjeti delen e humbur dhe pastaj të kthehej tek tufa i vetëm. E mori atë dele me vete. (Shih Lluka 15:4–7). Ftojeni mikun tuaj në aktivitete me njerëz të cilët kanë standarde të larta. Këto përvoja do ta ndihmojnë atë të shohë bekimet e të jetuarit në drejtësi dhe të ndihet mirë me njerëz të cilët kanë standarde të larta. Shpresojmë që ai do të kuptojë se lumturia që ndien në këto aktivitete është më e mirë sesa kënaqësia e përkohshme që fiton nga mosbindja.
Ndërsa përpiqeni për ta ndihmuar mikun tuaj, mund të mbështeteni tek Zoti për t’ju ndihmuar sepse Ai gjithashtu do që miku juaj të bëjë zgjedhje të mira. Ndërsa Nefi udhëtonte duke ndihmuar njerëzit e tij, Zoti i tha atij: “Unë do të të bëj të fuqishëm në fjalë dhe në vepra” (Helamani 10:5; theksimi i shtuar)—dhe Ai e bëri. Ati Qiellor do të veprojë nëpërmjet jush, nëse i jepni Atij nga koha dhe përpjekjet tuaja.
Lexuesit
Kisha një shok i cili ishte aktiv për një kohë të gjatë në Kishë. Ai gjithmonë vinte vetëm sepse familja e tij kishte vendosur të mos vinte më. Më bënte përshtypje forca dhe kurajo e tij. Por një ditë dëgjova që ai nuk po vinte më në kishë. Pata një ndjenjë të fortë nga Shpriti që duhet të flisja me të. I thashë sa shumë më kishte bërë përshtypje fakti që ai kishte ardhur vetëm në kishë dhe i thashë të mos dorëzohej. Të dielën tjetër ai erdhi në mbledhjen e sakramentit dhe që atëherë ka vazhduar të vijë në kishë. Nëse jemi besnikë dhe jetojmë ungjillin, mund të jemi shembull për miqtë tanë dhe t’u japim dashurinë dhe mbështetjen që ata kanë nevojë.
Marina V., 18 vjeçe, Suedi
Vazhdoni të jeni miq! Miku juaj ju sheh si shembull dhe shikon gjërat që bëni. Ai ndoshta do gjërat që ju keni; thjesht nuk e di se si t’i ketë ato. Nuk është e nevojshme të bini dakord me të gjitha gjërat që thotë ose bën; thjesht bëjani të ditur që i gjendeni pranë kur të ketë nevojë për ju. Disa ditë mund të jetë e vështirë, por do t’ia vlejë. Kërkojini Zotit ndihmë dhe gjërat do të shkojnë siç duhet.
Stefani C., 16 vjeçe, SHBA
Mendoj se gjëja më e mirë është të flasim me të. Jini të hapur, por miqësor. Mendoj se kërkon kurajo dhe mendoj se do të ishte më mirë të bëhet pas lutjes, sepse mund të marrësh ndihmë. Edhe unë gjithashtu kam miq të tillë dhe, sepse dua të shkoj me ta në mbretërinë çelestiale, po përpiqem fort t’i udhëheq ata në një drejtim të mbarë. Mund t’ju duhet të ndryshoni vetveten për të pasur një ndikim tek dikush tjetër. Është e rëndësishme që të përpiqeni çdo ditë për t’u bërë një person më i mirë.
Eimi H., 17 vjeçe, Japoni
Duhet të jeni një shembull i mirë për shokun tuaj. Ftojeni atë të marrë pjesë në një aktivitet për rininë. Është më efikase nëse edhe ju shkoni me të. Ndani dëshminë tuaj rreth asaj që keni marrë kur keni ndjekur standardet e ungjillit.
Jared Q., 16 vjeç, Filipine
Kam një shok i cili nuk zbatonte disa nga standardet e Kishës dhe më vjen keq që nuk i thashë se si ndihesha rreth këtij fakti. Thuajini mikut tuaj se si ndiheni dhe lutuni për të. Vazhdoni të jeni miku i tij, për sa kohë që nuk përfundoni të bëni të njëjtat gjëra që po bën ai. Nëse është diçka serioze, flisni me peshkopin.
Deborah S., 14 vjeçe, SHBA
Me shokun tim do të përpiqesha të bëja aktivitete argëtuese dhe të shëndosha që nuk shmangen nga parimet e ungjillit. Në këtë mënyrë ai do të shihte se ka shumë mënyra për t’u argëtuar pa bërë gjëra që nuk janë të drejta. Nuk do ta mbështesja në gjëra që janë të gabuara, por do ta këshilloja dhe forcoja atë nëpërmjet shembullit tim. Do të ishte mirë të flisnit me të dhe t’i thoshit se ai është i rëndësishëm për ju dhe kujtojeni se dobësia e tij mund të kthehet në forcë (shih Ether 12:27). Bëjini të ditur se ai është personi që duhet të bëjë zgjedhjen, por ju i gjendeni për ta ndihmuar. Duhet të qëndroni i fortë dhe mos të lejoni që aktivitetet e shokut tuaj të ndikojnë në veprimet tuaja.
Xhorxh B., 17 vjeç, Ekuador
Shembulli është shumë i rëndësishëm në këto lloj situatash. Ne mund të lutemi vazhdimisht për miqtë tanë dhe të kërkojmë mënyra për t’i ndihmuar ata. Mund të agjërojmë dhe t’i kërkojmë Atit Qiellor për të na dhënë fjalët e sakta që duhet të themi për tndihmuar ata të kuptojnë se pse të jetuarit e ungjillit na bën të lumtur.
Virxhinia C., 17 vjeçe, Uruguai
Këto përgjigje jepen si ndihmë dhe si këndvështrime, jo si shprehje zyrtare të doktrinës së Kishës.
“Shumë nga të rinjtë tanë tërhiqen në drejtimin e gabuar dhe tundohen për të kryer mëkatet e botës. Me dëshirë të zjarrtë këta individë kërkojnë ndihmën e atyre që kanë aftësinë për të qëndruar të vendosur në të vërtetën. Nëpërmjet një jete të drejtë dhe duke shtrirë dorën e ndihmës dhe zemrën e ndjeshme, ju mund t’i sillni përsëri, ju mund t’i shpëtoni. Sa i madh do të jetë atëherë gëzimi juaj! Sa i përjetshëm do të jetë bekimi që do të keni dhënë!”
Presidenti Tomas S. Monson, Këshilltar i Parë në Presidencinë e Parë, “An Example of the Believers”, Ensign, nëntor 1992, fq. 98.