2007
Gëzimi i Pendimit
Prill 2007


Mësime nga Dhjata e Re

Gëzimi i Pendimit

Përgjatë gjithë shërbesës së Tij të vdekshme, Shpëtimtari tregoi dashuri të madhe për çdo bir dhe bijë të Perëndisë—veçanërisht për ata që kishin mëkatuar. Në shëmbëlltyrat e deleve të humbura, monedhës së argjendit të humbur dhe djalit plangprishës, Zoti theksoi rëndësinë e shtrirjes së dorës ndaj atyre që largohen dhe humbin dhe gëzimin që ndihet kur ata kthehen (shih Lluka 15). Për shembull, Ai tha: “në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen” (Lluka 15:7).

Dëshiroj të përqendrohem në gëzimin e madh që u vjen atyre që pendohen dhe ndjenjat e gëzimit që përjetojmë kur ndihmojmë të tjerët përgjatë procesit të pendimit.

“Njerëzit Janë, Që Ata Të Mund Të Kenë Gëzim”

Gëzimi është shumë më i thellë sesa thjesht momente kalimtare kënaqësie ose ndjenjash lumturie. Gëzimi i vërtetë, ose “gëzim … [i] përhershëm” (2 Nefi 8:11), vjen nëpërmjet përjetimit të fuqisë së Shlyerjes, nëpërmjet pendimit të sinqertë dhe nëpërmjet një konfirmimi shpirtëror që ne mund të shëlbehemi nga mëkati nëpërmjet Zotit Jezu Krisht dhe të trashëgojmë jetë të përjetshme.

Profeti Lehi mësoi se plani i Atit Qiellor për secilin nga ne është që “mund të [kemi] gëzim” (2 Nefi 2:25) dhe se e vetmja rrugë e sigurt për të gjetur gëzim të përhershëm është nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Megjithëse nuk mund të marrim një plotësi të gëzimit në këtë jetë (shih DeB 93:33–34), ne mund të marrim manifestime të përditshme të gëzimit ndërsa jetojmë ungjillin. Mormoni mësoi modelin e gjetjes së gëzimit kur tha për Nefitët besnikë: “Ata agjëruan dhe u lutën shpesh dhe u bënë gjithnjë e më të fortë në përulësinë e tyre dhe gjithnjë e më të vendosur në besimin e Krishtit, në mbushjen e shpirtrave të tyre me gëzim dhe ngushëllim, po, madje në pastrimin dhe në shenjtërimin e zemrave të tyre, shenjtërim që vjen për shkak të dhënies së zemrave të tyre Perëndisë” (Helamani 3:35).

Të Mbushur me Gëzim nëpërmjet Frymës së Shenjtë

Në shumë shkrime të shenjta profetët flasin për ndjesinë e gëzimit dhe të Frymës së Shenjtë në terma të ngjashme. Për shembull, në librin e Veprave të Apostujve mësojmë se “dishepujt ishin mbushur me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë” (Veprat e Apostujve 13:52). Dhe Zoti u premton atyre që e ndjekin Atë: “unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim” (DeB 11:13).

Kur e kuptojmë se të mbushesh me dashuri do të thotë të jesh i mbushur me Frymën e Shenjtë, e kuptojmë se lumturia e vërtetë vjen nëpërmjet pendimit për mëkatet tona dhe të jetuarit të denjë për Shpirtin. Përveç kësaj, kur ndiejmë Shpirtin, mund të gjejmë një gëzim të madh nga njohuria se po shenjtërohemi përpara Perëndisë.

Gëzimi që vjen nga pendimi është i dukshëm në shumë mënyra. Së pari, është gëzimi dhe ngushëllimi që i vjen zemrës së një shpirti të penduar ndërsa barra e mëkatit hiqet. Së dyti, janë ndjenjat e forta të gëzimit dhe dashurisë që u vijnë atyre që ndihmojnë të tjerët përgjatë procesit të pendimit. Dhe së fundi, janë ndjenjat e gëzueshme të Shpëtimtarit të dashur ndërsa Ai na sheh ne të ndjekim këshillat e Tij dhe të mbështetemi në fuqinë shëruese të sakrificës së Tij shlyese.

Ndërsa vëmë në zbatim Shlyerjen në jetën tonë, duhet të meditojmë për Shpëtimtarin dhe dhuratën e Tij të pafundme për ne, të ushtrojmë besim tek Ai dhe të kërkojmë një konfirmim shpirtëror që Ai mund dhe do të na shëlbejë nga të gjitha mëkatet dhe dobësitë tona. Kështu, do të ndiejmë gëzimin dhe paqen që mund të na manifestohen vetëm nëpërmjet Shpirtit të Tij të Shenjtë. Përvoja jonë do të jetë si e njerëzve në Zarahemla: “Shpirti i Zotit erdhi mbi ta dhe ata u mbushën me gëzim, pasi kishin marrë një heqje të mëkateve të tyre dhe pasi kishin paqe të ndërgjegjes, për shkak të besimit të jashtëzakonshëm që ata kishin në Jezu Krishtin, i cili do të vinte” (Mosia 4:3).

“Që Të Sjell Shpirtra në Pendim”

Pasi të kemi ndier gëzimin që vjen nëpërmjet bekimeve të Shlyerjes, ne gjithashtu mund të gjejmë gëzim të madh duke i ftuar të tjerët të vijnë tek Krishti. Ndërsa po mësonte birin e tij, Helamanin, Alma tha: “Unë kam punuar pa pushim që të sjell shpirtra në pendim; që të mund t’i sjell të shijojnë prej gëzimit të jashtëzakonshëm të cilin unë shijova; që edhe ata të lindin nga Perëndia dhe të mbushen me Frymën e Shenjtë.

Po, dhe tani vër re, O biri im, Zoti më jep një gëzim jashtëzakonisht të madh në frytin e punëve të mia” (Alma 36:24–25).

Vetë Shpëtimtari mësoi: “Nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!

Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë … , sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!” (DeB 18:15–16).

“Sa i Madh Është Gëzimi i Tij për Shpirtin Që Pendohet!”

Së fundi, nuk mund të mos imagjinoj ndjenjën e përmbushjes që Shpëtimtari duhet të ndiejë çdo herë që pendohemi për mëkatet tona dhe vëmë në zbatim sakrificën e Tij shlyese në jetën tonë. Sigurisht që Gjoni i bëri jehonë ndjenjave të Shpëtimtarit kur deklaroi: “Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën” (3 Gjonit 1:4). Krishti, duke folur për Veten, tha: “Sa i madh është gëzimi i tij për shpirtin që pendohet” (DeB 18:13).

Pasi i mësoi Nefitët në lidhje me Shlyerjen e Tij dhe për gjërat që ata duhet të bënin për të qëndruar pa njollë përpara Tij, Jezusi u shprehu atyre ndjenjat e Tij duke thënë: “Gëzimi im është i madh, madje në tërësi, për shkakun tuaj … ; po, madje edhe Ati gëzohet, si edhe të gjithë engjëjt e shenjtë, për shkakun tuaj dhe të këtij brezi; pasi asnjë prej tyre nuk është i humbur… . Në ta unë kam gëzim të plotë” (3 Nefi 27:30–31).

Unë dëshmoj se ne gjithashtu mund të gjejmë gëzim në këtë jetë dhe një plotësi gëzimi në jetën tjetër “duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë” (Hebrenjve 12:2; theksimi i shtuar).

Gëzimi i një shpirti të penduar

Mund të mësojmë shumë rreth gëzimit që ndjek pendimin e vërtetë duke studiuar përvojat e Apostullit Pal dhe Alma të Riut, megjithëse përvojat tona nuk mund të jenë aq dramatike (shih Veprat e Apostujve 8:1–3; 9:1–31; Mosia 27:8–31; Alma 36:5–24). Pali dhe Alma ishin njerëz me rëndësi të cilët shkuan andej-këtej duke persekutuar shenjtorët. Ndërsa ishin duke kryer veprimet e tyre shkatërruese, të dy këtyre burrave iu shfaqën vizitorë qiellorë. Një engjëll i Zotit iu shfaq Almës, kurse Vetë Jezusi i foli Palit, duke e pyetur: “Përse më përndjek?“ (Veprat e Apostujve 9:4).

Të dy këta burra ranë në tokë për shkak të gjërave që panë dhe dëgjuan. Alma u bë memec dhe Pali u verbua. Më e rëndësishme, të dy këta burra u shëruan në mënyrë të ngjashme nga gjendja e tyre e ligë dhe mëkatare. Pali thjesht pyeti: “Zot, ç’don ti të bëj unë?’’ (Veprat e Apostujve 9:6). Ai menjëherë ia dha jetën Shpëtimtarit dhe ndoqi udhëzimet e Zotit me saktësi. Alma përshkruan pendimin e tij:

“Ndërsa isha ashtu i torturuar me mundim pasi isha ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia të shumta, vini re, m’u kujtua se kisha dëgjuar atin tim duke u profetizuar njerëzve në lidhje me ardhjen e një Jezu Krishti, një Biri të Perëndisë, për të shlyer mëkatet e botës.

Tani, ndërsa mendja ime po më përqendrohej në këtë mendim, thirra brenda zemrës sime: O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua që jam në vrerin e hidhësirës dhe që jam rrethuar nga zinxhirët e përjetshëm të vdekjes.

Dhe tani vini re, kur mendova këtë nuk munda t’i kujtoj më dhembjet e mia; po, nuk isha më i ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia.

Dhe oh, çfarë gëzimi dhe çfarë drite të mrekullueshme pashë; po, shpirti im më ishte mbushur me një gëzim po aq të madh, sa kishte qenë dhembja ime!” (Alma 36:17–20; theksimi i shtuar).

Plaku Kreig C. Kristensen i Shtatëdhjetëshes.