Miku Mikut
Ndikimi i një Nëne
“Mos i lër pas dore mësimet e nënës sate” (Fjalët e Urta 1:8).
Mamaja ime është një grua shumë e veçantë. Unë jam më i madhi nga tetë djem dhe kam gjithashtu shtatë motra. Me një familje kaq të madhe, mamaja ime ka pasur përgjegjësi të mëdha. Gjëja më e mirë që ime më ka bërë për ne është që u pagëzua në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo na dha mundësinë të mësojmë për ungjillin. Kjo mundësi ndryshoi jetën tonë.
Më kujtohet dita kur pritëm misionarët. Isha rreth 10 ose 11 vjeç. Misionarët ndanë një mesazh mbi Vegimin e Parë. Mamaja ime u kthye në besim menjëherë pasi dëgjoi mesazhin. Ajo besoi se Jozef Smithi pa Atin dhe Birin.
Filluam të shkonim në kishë. Në fillim nuk doja ta pranoja ungjillin, por misionarët më bindën të shihja një herë se për çfarë bëhej fjalë. Sapo e pashë, e adhurova. Jam shumë mirënjohës për mamanë time. Ajo mori një dëshmi gjatë vizitës së parë të misionarëve. Që nga pagëzimi i saj e deri sot, ajo nuk ka munguar në asnjë mbledhje të Kishës.
Mamaja ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për ne. Na i pastronte gjithmonë këmishat tona të bardha të shtunën, në mënyrë që t’i kishim gati për t’i veshur të dielën. Ne lustronim këpucët tona dhe këpucët e vëllezërve dhe motrave më të vogla. Jetonim në një lagje të varfër në Guatemala dhe fqinjët tanë qeshnin me ne të dielave, kur vishnim këmishët tona të bardha dhe kollaret për të shkuar në kishë.
Mamaja na nxiste gjithmonë për të bërë të drejtën. Për shkak të ndikimit të saj, ne ishim shumë aktivë në Kishë. Më kujtohet që një herë babai im shërbente si president i Shkollës së të Dielës, motra ime më e madhe shërbente si presidente e Fillores, mamaja shërbente si presidente e Shoqatës së Ndihmës dhe katër vëllezërit e mi përgatisnin, bekonin dhe shpërndanin sakramentin.
Për shkak të nevojave tona financiare, babai im priste që unë ta ndihmoja për të fituar para për familjen. Unë dëshiroja të shërbeja në mision, por kur mbusha 19 vjeç, ai më kërkoi që të prisja edhe një vit derisa të shërbeja në mision, në mënyrë që të vazhdoja të punoja e të ndihmoja familjen time. Kur mbusha 20 vjeç, më kërkoi të prisja edhe një vit tjetër për të shërbyer.
Pak para se të mbushja 21 vjeç donte të më kërkonte që të prisja edhe një vit më shumë. Por mamaja ime i tha: “Lëre të shkojë të shërbejë. Kështu do të na bekojë edhe ne.” Kjo ndodhi vërtet. Para misionit tim, vetëm unë dhe një vëllai im më i vogël punonim për të ndihmuar në mbështetjen e familjes. Menjëherë sapo fillova misionin, dy prej vëllezërve të mi dhe dy nga motrat e mia më të mëdha filluan të punonin, kështu që familja ime u përmirësua nga ana financiare.
Çdo bekim dhe thirrje që kam marrë në Kishë më ka bërë që ta admiroj më shumë mamanë time. Në çdo pjesë të jetës sime, më vjen ndërmend ndikimi dhe shembulli i saj i jashtëzakonshëm. Ime më kishte një arsimim bazë, por njohuria e saj për të vërtetat e ungjillit si dhe njohuria dhe kuptimi i saj praktik mbi jetën ia kalonin gjithçkaje.
Fëmijëria ime ishte e lumtur pasi gjithmonë në shtëpi kam pasur mamanë time që kujdesej për mua. Ajo kishte një ndjenjë humori të jashtëzakonshme dhe gjithmonë gjente mënyra për t’u argëtuar. Harxhonte orë e orë të tëra për të na treguar histori nga fëmijëria e saj si dhe për gjyshen, tezet, dajat dhe marrëdhëniet e saj me ta.
Besoj në urdhërimin për të nderuar prindërit tanë. Gjithçka që bëj, madje edhe sot, është rrjedhojë e ndikimit të mamasë sime.