2007
Ide të Tjera për Kohën e Ndarjes, Prill 2007
Prill 2007


Ide të Tjera për Kohën e Ndarjes, Prill 2007

Më poshtë janë ide shtesë që udhëheqësit e Fillores mund të përdorin me Kohën e Ndarjes të shtypur në “Liahonën” e prillit, 2007. Për mësimin, udhëzimet dhe aktivitetin që korrespondon me këto ide, shih “Ai Jeton!” në faqet M4 dhe M5 në seksionin e fëmijëve të këtij botimi.

  1. Shkruani në dërrasë fjalën “gabim”. Thuajuni fëmijëve se kur pendohen ata bëjnë ç’është e drejtë duke e rregulluar gabimin. U kërkoni fëmijëve t’ju ndihmojnë ta ktheni fjalën “gabim” në “e drejtë” duke u përpjekur të zbulojnë se ç’duhet të bëjnë për t’u penduar. Përdorni tre shembuj të jetës së përditshme (shih “Case Studies” në Teaching, No Greater Call [1999], 161–162) që u japin fëmijëve situata ku ata duhet të pendohen. Pas shembullit të parë, këndoni një këngë ose himn rreth pendimit dhe shpjegoni se pendimi është parimi i dytë i ungjillit. Pas shembullit të dytë, këndoni një këngë ose himn rreth pendimit. Pas shembullit të tretë, këndoni një këngë ose himn rreth faljes dhe shpjegoni se duhet të falim të tjerët që pendohen. Fshini fjalën “gabim” në dërrasë dhe shkruani fjalën “e drejtë”. Përsërisni nga Standardet e Mia të Ungjillit pjesën: “Unë do të zgjedh të drejtën. Unë e di që mund të pendohem kur bëj një gabim”. Jepni dëshminë tuaj për pendimin dhe shlyerjen e Jezu Krishtit.

  2. Shpjegoni se profeti ynë i gjallë mban të gjitha çelësat dhe autoritetin e priftërisë në Kishë sot. Mbani lart në duar një fotografi të profetit. Megjithatë, shpjegoni se ai e drejton Kishën nën drejtimin e dikujt tjetër. Pyetini fëmijët se kush është ai person (Jezu Krishti). Mbani lart në duar një pikturë të Jezu Krishtit dhe vendoseni mbi fotografinë e profetit, që tregon se profeti vepron nën drejtimin e Tij. Tregojuni fëmijëve botimin më të fundit të Liahona-s me bisedat e konferencës. Shpjegoni se kur profeti ynë na flet në konferencën e përgjithshme, ai po na mëson atë çfarë Jezu Krishti do që ne të dëgjojmë dhe të bëjmë. Me kujdes zgjidhni katër fjali nga mesazhet e fundit të profetit dhe ftoni fëmijë me moshë më të madhe për t’i lexuar ato. Renditni katër gjëra që fëmijët mund të bëjnë për të ndjekur fjalët e profetit. Për shembull, ju mund të renditni “paguaj të dhjetën”, “fal të tjerët më shumë” ose “lexo shkrimet e shenjta”. Ftoni fëmijët të bëjnë një vizatim të njërës prej ideve se si duan të përpiqen për ta ndjekur më mirë profetin (shih “Drawing Activities”, në Teaching, No Greater Call, 166–67). Zgjidhni një këngë ose himn që të përshtatet me secilin nga të katër parimet për të cilat ka folur profeti kohët e fundit. Ftoni fëmijët të cilët vizatuan atë parim të caktuar të qëndrojnë në krye të dhomës dhe të mbajnë lart vizatimet e tyre ndërsa Fillorja e këndon atë këngë. Jepni dëshminë tuaj mbi rëndësinë e priftërisë.

  3. Prezantimi i këngës: “Një Engjëll Shkoi tek Jozef Smithi” (ky botim, fq. M13). Përpara se t’ua mësoni fëmijëve këtë këngë, ushtrohuni në drejtimin e ritmit të saj të veçantë. Ritmi ndryshon nga 3/4 në 2/4 në një nga ndarjet e secilit rresht.

    Vendosini shiritat e letrave me fjalët e mëposhtme në mënyrë jo të rregullt—“Moroni”, “Kodra Kumorah”, “Nefitët” dhe “Libri i Mormonit”. Thuajuni fëmijëve se kjo këngë bën fjalë për këto katër gjëra. Kërkojuni atyre t’ju ndihmojnë t’i renditni shiritat me fjalë në të njëjtin rregull me të cilin renditen edhe në këngë. Këndojeni këngën për ta dhe pastaj pyetini se cili shirit duhet vendosur i pari. Për shkak se vargu i parë është “një engjëll shkoi tek Jozef Smithi”, shiriti i saktë është “Moroni”. Kërkojuni fëmijëve ta këndojnë atë varg me ju. Këndoni këngën tre herë të tjera, duke vendosur çdo herë një shirit sipas rradhës. Shpjegoni se Jozef Smithi i mori fletët e arta nga Kodra Kumorah, se fletët janë një anal i nefitëve dhe se libri i çmuar e i shenjtë është Libri i Mormonit. Për shkak se kënga është e shkurtër, këndojeni komplet këngën çdo herë që bëni një pyetje. Kjo do t’i ndihmojë fëmijët të familjarizohen me fjalët dhe ritmin interesant. Nxitini fëmijët t’ia tregojnë historinë e Librit të Mormonit familjes së tyre duke ia kënduar këtë këngë. Jepni dëshmi se historia në këtë këngë është e vërtetë.