2007
Pragjet e Qiellit
Prill 2007


Pragjet e Qiellit

Punën time të parë e fillova kur isha rreth 13 vjeç. Isha shpërndarës gazetash. Ende më kujtohet kur çdo mbrëmje ngisja biçikletën përreth lagjes sime në qytetin e Solt Lejkut dhe hidhja gazetat në shkallët e shtëpive të fqinjëve të mi. Nuk nxirrja shumë para nga kjo punë, por çdo muaj, kur merrja pagesën time, ishte e padiskutushme që do ta paguaja të dhjetën. Prindërit më kishin treguar shembullin e pagimit të së dhjetës dhe unë e dija se ishte një urdhërim nga Zoti (shih DeB 119: 3–4).

Më kujtohet që kur isha i vogël, merrja pjesë në dhënien llogari për të dhjetën me mamanë dhe babain tim. Për mua ishte diçka shumë e natyrshme të takoja pershkopin dhe ta deklaroja veten si një pagues i plotë i së dhjetës. Edhe kur u rrita e fillova të fitoja më shumë para, gjithmonë e dhjeta ishte gjëja e parë që paguaja.

Kur u bëra prind, për mua ishte e rëndësishme që secili prej fëmijëve të mi të takohej personalisht me peshkopin në dhënien llogari për të dhjetën. Gruaja ime dhe unë u munduam t’i mësonim herët që të paguanin të dhjetën me ato pak para që ne u jepnin atyre, në mënyrë që kur të rriteshin t’i kishin njohur tashmë bekimet prej saj dhe të dinin se duhet ta paguanin.

Bekimet Do të Vijnë

Kur motra Riçards dhe unë u martuam, shkonim në shkollë dhe kishim shumë pak të ardhura për të plotësuar shpenzimet tona. Pagimi i së dhjetës sonë ishte një sakrificë e madhe. Por motrës Riçards nuk i shkoi asnjëherë në mendje që ta përdorte të dhjetën tonë për gjëra të tjera për të cilat kishim aq shumë nevojë, si për shembull, për ushqim ose qera. Ajo këmbëngulte që ta paguanim të dhjetën të parën dhe kështu vepronim gjithmonë. Ndonjëherë na dukej sikur, pasi kishim plotësuar të gjitha detyrimet tona, na mbetej vetëm një qindarkë, por gjithmonë na dukej sikur kishim mjaftueshëm për t’i plotësuar ato. Ky ishte një bekim që kishte ardhur pasi ne ushtruam besim tek pagimi i së dhjetës.

Një bekim që besoj se ka ardhur nga pagimi i së dhjetës është se, gjatë vazhdës së karrierës sime, nuk ka patur asnjë rast kur të kem mbetur pa punë për një kohë të gjatë. Një herë, në fillimet e karrierës sime, më pushuan nga puna dhe brenda dy javësh kisha një punë tjetër ku nxirrja më shumë para se tek e para. Gjatë 25 vjetëve në një kompani, u hasa në shumë periudha në të cilat punonjësit pushoheshin, ndërsa unë jo. Besoj se Zoti më ka bekuar sepse kam paguar të dhjetën.

Vëllezërit dhe motrat e mia të reja, nëse do të ushtroni besimin e nevojshëm për të paguar të dhjetën, ju premtoj se do të bekoheni. Nuk ka rëndësi se sa i vogël mund t’ju duket kontributi juaj, paguani pa ngurruar. Bëjeni pagesën e parë që jepni, kur fitoni disa para. Do të zhvilloni besimin për të bërë gjëra që në rast të kundërt mund të mendoni se nuk keni aftësinë për t’i realizuar. Do të bëheni më të mençur për mënyrën se si i menaxhoni paratë tuaja dhe do të fitoni sigurinë e ëmbël që vjen kur di se po bëni atë që Zoti kërkon prej jush. Kjo do të jetë një burim force dhe ju do të jeni në gjendje të mbështeteni në atë forcë edhe në të ardhmen.

Unë e di se motra Riçards dhe unë morëm shumë bekime si rrjedhojë e pagimit të së dhjetës. Kam parë gjithashtu bollëkun me bekime që u ka ardhur shenjtorëve besnikë të ditëve të mëvonshme në vende të largëta të botës, pasi janë treguar të gatshëm për të paguar të dhjetën.

Kisha në Indi

Një ndodhi në veçanti më ka bërë shumë përshtypje. Në vitin 2000 kisha mundësinë të merrja pjesë në ceremoninë e inagurimit për ndërtesën e parë të mbledhjes për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, që do të ndërtohej krejtësisht e re në Indi. Vendi i kësaj kishe ishte në Raxhamandri, një qytet në bregdetin lindor të vendit. Ai është një qytet relativisht i vogël për Indinë, edhe pse aty jetojnë rreth tre milion njerëz.

Udhëtova për në Raxhamandri me gruan time, presidentin e misionit, Ebenezer Solomon, dhe me gruan e tij. Kur arritëm në stacionin e trenit në Raxhamandri, i cili ishte mbushur me njerëz, ndjeva keqardhje kur pashë që aq shumë njerëz jetonin në varfëri ekstreme. Kishte shumë njerëz që flinin mbi dysheme, kudo që gjenin një hapësirë boshe. Kur arritëm në vendin e inaugurimit, vura re një kontrast të madh midis mjerimit që sapo kisha parë dhe gëzimit që shihja në fytyrën e anëtarëve që ishin mbledhur për të na përshëndetur. Ndërsa afroheshim, ata po na buzëqeshnin dhe na përshëndesnin me dorë. Ndiheshin shumë të lumtur dhe të emocionuar. Edhe pse jetonin në gjendje të varfër deri në njëfarë niveli, nuk shihje shenjë dëshpërimi apo zbrazëtie.

Kuptova menjëherë pse ky vend ishte zgjedhur për një kishë. E pranoj se ndihesha disi i pasigurt kur mendoja se përse burimet e Kishës ishin përqendruar në këtë vend të largët. Por, pasi takova për disa çaste shenjtorët në Raxhamandri, të gjitha pyetjet e mia morën përgjigje. Këta shenjtorë të ditëve të mëvonshme ishin shumë besnikë dhe të gëzuar që do të kishin ndërtesën e tyre të mbledhjes.

Oferta e së Vesë

Pas ceremonisë së inaugurimit, Presidenti Solomon më prezantoi me katër vejusha të cilat ishin pagëzuar disa vite më parë. Të katra ishin rreth 70 deri 80 vjeç. Presidenti Solomon më informoi se këto gra kishin qenë të katërta paguese të plota të së dhjetës që kur u pagëzuan. Më bëri përshtypje që në një zonë ku nevoja ishte aq e madhe, këto motra besnike nuk kishin lënë asnjë rast pa paguar të dhjetën e tyre, edhe pse jam i sigurt se ishte një sakrificë për to.

E pyeta presidentin Solomon se sa paguante për të dhjetën çdo muaj secila motër. Ai më tha një numër në rupje, monedha e përdorur në Indi. Nuk e mora vesh sasinë e parave, kështu që e pyeta se sa ishin në dollarë amerikanë. Nuk do ta harroj kurrë përgjigjen e tij: “Ato paguanin zakonisht midis një qindarkë e gjysëm deri në dy”. M’u kujtua sërish se pagimi i së dhjetës nuk është çështje parash, por kërkon besim! Ndjeva një ndjenjë përulësie kur kuptova se bekimet e një kishe kishin ardhur tek këta shenjtorë për shkak të gatishmërisë së tyre për të sakrifikuar duke paguar të dhjetën—edhe pse bëhej fjalë vetëm për qindarka. Jam i sigurt se Zoti i shndërron këto qindarka në miliona dollarë.

E dhjeta nuk është një urdhërim parash—është një parim besimi. Zoti kërkon 10 përqind nga të ardhurat tona dhe pret të shohë nëse ne do të ushtrojmë besim tek Ai për ta bërë atë sakrificë. Shenjtorët në Raxhamandri e kishin atë besim.

Më bëri përshtypje kur arritëm në vendin e ndërtesës dhe pashë një tapet të kuq të shtruar nga rruga deri në tendën ku ishin mbledhur shenjtorët. Ishte rreth 30 metra i gjatë. Nën tendë ndodheshin karrike të veshura me kadife të kuqe. Ishin të mëdha dhe mbresëlënëse. Qilimi dhe karriket ishin të vjetra, por ishin maksimumi që këta shenjtorë mund të ofronin. Ata nuk mund të jepnin më pak se më të mirën e tyre. Ishte një përvojë përulëse për mua. Ata shenjtorë në Raxhamandri dhanë shembullin e dhënies besnikërisht Zotit, pavarësisht nëse kishte të bënte me pagimin e së dhjetës së tyre, apo me krijimin e kushteve më të mira për udhëheqësit e Kishës që i vizitonin.

Mund t’ju duket se 10 përqind nga të ardhurat tuaja, pak apo shumë, nuk mund të sjellin ndonjë gjë të madhe ose se nuk është e rëndësishme. Ju premtoj se është e rëndësishme. Është e rëndësishme që ta jetoni ligjin e së dhjetës sot, pasi do t’ju forcojë besimin dhe do t’ju përgatisë për sprovat në të ardhmen.

Zoti na bëri një premtim, se nëse do t’i bindeshim urdhërimeve të Tij, ai është i lidhur të na japë bekimin e premtuar (shih DeB 82:10; 130:21). Unë e pashë atë bekim në jetën e shenjtorëve në Raxhamandri dhe ju mund ta shihni atë bekim në vetë jetën tuaj, nëse do të jeni besnik në pagimin e së dhjetës.