“Një Model i Fuqishëm për Prindërimin”, Liahona, shtator 2022.
Një Model i Fuqishëm për Prindërimin
Nisur nga parimet e ungjillit dhe kërkimi shkencor përkrahës, ky model për prindërimin mund të ndihmojë për t’ju udhërrëfyer në krijimin e marrëdhënieve domethënëse, kultivimin e besimit dhe të rritjes, si dhe ndërtimin e unitetit dhe të ripërtëritjes brenda familjes suaj.
Të qenit prind ka qëllim të përjetshëm dhe mund të jetë shpërblyes, ndriçues dhe i gëzueshëm. Por ngaqë familjet janë në forma e përmasa nga më të ndryshmet dhe përballen me sfidat e tyre të pashoqe vetjake, edhe rritja e fëmijëve mund të duket nganjëherë mbingarkuese ose rraskapitëse.
Fatmirësisht nuk na duhet ta bëjmë të vetëm.
Me udhërrëfimin e Atit tonë Qiellor, përkrahjen e Shpëtimtarit dhe ungjillin e Tij, si dhe zbatimin plot lutje të këshillës së frymëzuar, ne mund të gjejmë ndihmë dhe shpresë për udhëtimin tonë prindëror.
Një Model i Përkrahur nga Ungjilli për Prindërimin
Duke nxjerrë mësime nga ungjilli i Jezu Krishtit dhe kërkimi shkencor përkrahës lidhur me prindërimin, ne kemi përcaktuar tri parime udhërrëfyese për kultivimin e zhvillimit emocional e shpirtëror të një fëmije. Të bashkuara këto tri fusha të ndërthurura të theksimit formojnë një model të fuqishëm që mund t’i ndihmojë familjet përreth botës.
Ky model është i fuqishëm ngaqë ndërthur të vërtetat e ungjillit me koncepte kyç nga kërkimi shkencor për prindërimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Kërkimi i zbulesës vetjake për mënyrën se si t’i zbatoni parimet në këtë model, mund t’ju ndihmojë të zhvilloni ripërtëritjen e familjes suaj dhe të ngrini një vatër familjare të përqendruar te Jezu Krishti.
Tri parimet udhërrëfyese janë:
-
Krijoni marrëdhënie të dashura familjare
-
Kultivoni të mësuarit dhe rritjen
-
Ndërtoni unitet dhe forcë nëpërmjet shërbimit
Ky model na ndihmon të përqendrohemi te gjërat që kanë rëndësinë më të madhe. Secila pjesë e modelit është një përbërës i rëndësishëm që i forcon familjet tuaja. Duke bashkëvepruar, ato nxitin marrëdhënie dhe përvoja pozitive, i ndihmojnë familjet tona që të përballen me fatkeqësinë dhe të ndërtojnë aftësi e ripërtëritje.
Teksa zhvillohemi si prindër, ky model mund të shërbejë si një strukturë e dobishme për të zbuluar se si ta mësojmë më së miri secilin fëmijë dhe ta kultivojmë më së miri rritjen e tyre.
Më poshtë është një përmbledhje e shkurtër e secilës pjesë të modelit dhe një shembull nga jeta e Shpëtimtarit për të na udhërrëfyer në zbatimin e këtij modeli në jetën tonë. Më shumë informacion për prindërimin, disa këshilla praktike dhe përgjigje ndaj pyetjeve të rëndomta për prindërimin janë në dispozicion te family.ChurchofJesusChrist.org.
1. Krijoni Marrëdhënie të Dashura Familjare
Ky parim na kujton se si t’u japim përparësi marrëdhënieve të dashura me Atin Qiellor, Shpëtimtarin, bashkëshortin/en dhe fëmijët tanë. Këto marrëdhënie familjare janë themeltare. Identiteti i përjetshëm dhe marrëdhëniet e fëmijëve tanë rriten prej së vërtetës thelbësore që “secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor”1.
Ne mund t’i nxitim që të arrijnë t’i njohin Perëndinë dhe Jezu Krishtin nëpërmjet besimit, lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe zbulesës vetjake nga Fryma e Shenjtë (shih Gjoni 17:3). Ne mund ta shtojmë besimin duke i ushqyer “dëshir[at e fëmijëve tanë që] të beso[jnë]” (Alma 32:27) dhe duke i ndihmuar të ndiejnë dashurinë e Perëndisë. Është e rëndësishme për fëmijët tanë që të dinë se Ati Qiellor dhe Shpëtimtari i kuptojnë ata tërësisht, i duan në mënyrë të përsosur dhe dëshirojnë t’i ndihmojnë që t’ia dalin me sukses (shih Romakëve 8:38–39).2
Si prindër është e rëndësishme të krijojmë një marrëdhënie dashurie me secilin fëmijë, marrëdhënie që është e mbushur me ngrohtësi e dhembshuri. Të kuptuarit e këndvështrimeve të fëmijëve tanë dhe dëgjimi plot respekt i asaj që thonë, farkëton një marrëdhënie të sigurt dhe plot dashuri. Fëmijët tanë kanë nevojë të dinë se ne tregojmë interes për ta, kujdesemi për mënyrën se si ndihen dhe jemi pranë tyre për t’i ndihmuar. Ndërveprimet tona përkujdesëse me fëmijët tanë i ndihmojnë ata që të zhvillojnë një pikëpamje pozitive ndaj vetvetes, të dallojnë vlerën e tyre të përjetshme dhe të formojnë marrëdhënie mirëbesimi me Perëndinë dhe Jezu Krishtin.
Përveç kësaj, pjesëtarët e familjes mund të jenë një përkrahje e jashtëzakonshme për njëri‑tjetrin. Ne mund të ushqejmë marrëdhënie familjare teksa mblidhemi së bashku për të krijuar lidhje, për t’u lutur, këshilluar dhe argëtuar.
Shihni te Krishti
Jezu Krishti e shfaq dashurinë e Tij, me secilin një e nga një, nëpërmjet një marrëdhënieje që ofron përkatësi, shpresë dhe shërim. Pasi Shpëtimtari kishte mbaruar së foluri nefitëve, Ai plot dhembshuri iu afrua atyre dhe u dha shërbesë personalisht për të shëruar e bekuar çdo njeri. Me dashuri Ai “i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta” (3 Nefi 17:21).
Si prind, ju mund t’i bekoni fëmijët tuaj duke krijuar një marrëdhënie plot dashuri me ta – një lidhje kuptimplote një e nga një.
Ide për Krijimin e Marrëdhënieve të Dashura Familjare
-
Komunikoni me fëmijët tuaj duke i dëgjuar me kujdes, duke u përgjigjur me dashuri dhe duke i ndjekur sugjerimet e tyre për t’i plotësuar nevojat e tyre.
-
Kultivoni besim tek Ati Qiellor e Jezu Krishti dhe nxitni lutje e zbulesë vetjake për t’i forcuar këto marrëdhënie hyjnore.
-
Kujdesuni për veten tuaj dhe martesën tuaj. Kjo do t’ju ndihmojë që të lidheni më mirë me fëmijët tuaj dhe të jeni prindër së bashku me bashkëshortin/en tuaj në unitet e dashuri, si bashkëpjesëmarrës të barabartë. Nëse jeni prind i vetëm, udhëhiqeni familjen tuaj me besim te Perëndia dhe te vetja. Kërkoni përkrahje shtesë nga njerëz, të cilëve u mirëbesoni.
-
Nxitni siguri, përkatësi dhe gëzim në shtëpinë tuaj.
2. Kultivoni të Mësuarit dhe Rritjen
Kultivojeni rritjen e fëmijëve tuaj duke i vlerësuar individualitetet e tyre të pashoqe, duke iu ofruar atyre dashuri të palëkundshme dhe duke i përkrahur përpjekjet e tyre. Zbuloni se ku janë fëmijët tuaj në zhvillimin e tyre dhe përshtateni përkrahjen tuaj që t’i plotësojë nevojat e tyre të veçanta. Shembulli, udhëzimi, udhërrëfimi dhe inkurajimi juaj janë jetikë për të kultivuar zotësitë dhe vetëbesimin e fëmijës suaj. Jini kureshtarë dhe plot dhembshuri teksa fëmijët tuaj mësojnë nëpërmjet përvojës.
Prindërit që rritin fëmijë, gjithashtu shmangin të qenit tepër kërkues, tepër lejues ose tepër mundësues. Krijimi i kufijve të duhur, rutinave të rregullta dhe përvojave të arsyeshme do ta nxitin rritjen e fëmijës suaj. Si Ati ynë Qiellor, prindërit duhet të përqendrohen më shumë që ta lehtësojnë rritjen e fëmijëve të tyre sesa te rehatia e tyre (shih 2 Nefi 28:30; Doktrina e Besëlidhje 50:24, 40).
Drejtojini e udhërrëfejini fëmijët tuaj dhe u rrini pranë teksa mësojnë ta ndjekin Jezu Krishtin.3 Mësojuni se si të drejtohen te Shpëtimtari dhe të mbështeten te Shlyerja e Tij për t’i ndihmuar që të rriten. Fëmijët tuaj dalëngadalë do të zbulojnë nga shembulli juaj dhe nga vetë përvoja juaj se ata “mund të bëj[në] gjithçka me anë të Krishtit”, i cili i fal dhe i forcon (Filipianëve 4:13). Rritja dhe ndryshimi mund të jenë të vështirë dhe mund të kërkojnë shumë ushtrim. Prindërit e drejtë dhe plot qëllim përpiqen fort t’u mësojnë fëmijëve të tyre jo vetëm se si “të ecin në udhët e së vërtetës” (Mosia 4:15) por edhe përse duhet ta bëjnë këtë gjë. Kultivojeni të kuptuarit e tyre dhe përkraheni përdorimin e drejtë nga ana e tyre të lirisë së zgjedhjes në secilin hap që hedhin.
Shihni te Krishti
Jezu Krishti e fuqizon rritjen tuaj duke i parë dëshirat e drejta të zemrës suaj dhe duke ju ndihmuar t’i plotësoni ato (shih 1 Samuelit 16:7; Enosi 1:12). Zoti i pyeti dishepujt e Tij “një nga një … : Çfarë dëshironi nga unë?” (3 Nefi 28:1; shih edhe 1 Nefi 11:1–3.) Meditimi për këtë pyetje mund t’ju ndihmojë të zbuloni dhe zhvilloni atë që e vlerësoni më së shumti. Merrni parasysh se si Shpëtimtari e kultivoi të mësuarit dhe rritjen me vëllanë e Jaredit duke e respektuar lirinë e tij të zgjedhjes dhe duke e pyetur: “Ç’do që të bëj?” (Ethëri 2:23.) Zoti e përkrahu duke i dhënë udhëzime të veçanta kur nevojitej, por edhe duke e nxitur t’i zbulojë disa gjëra vetë. Shpëtimtari nuk ju detyron ose kontrollon, por përkundrazi ju mëson dhe nxit ta përdorni për mirë lirinë tuaj të zgjedhjes individuale (shih Doktrina e Besëlidhje 58:26–28).
Nxiteni rritjen e fëmijëve tuaj duke i përkrahur dëshirat e drejta të zemrave të tyre – duke bërë një e nga një pyetje që nxitin ide.
Ide për Kultivimin e të Mësuarit dhe të Rritjes
-
Drejtojini fëmijët tuaj te Jezu Krishti dhe mësojuni atyre se si ta përdorin fuqinë e Shlyerjes së Tij.
-
Ndiqni shembullin e Jezu Krishtit duke dhënë dashuri, udhërrëfim, përkrahje e dhembshuri teksa fëmijët tuaj mësojnë se si ta ndjekin Atë.
-
Kultivoni rritje duke përkrahur të kuptuarit, zotësitë, lirinë e zgjedhjes dhe vetëbesimin e fëmijës suaj.
-
Ejani te Krishti nëpërmjet të mësuarit të ungjillit të Tij dhe ushtroni të jetuarit e ungjillit së bashku teksa përparoni përgjatë shtegut të besëlidhjeve.
3. Ndërtoni Unitet dhe Forcë nëpërmjet Shërbimit
Jezu Krishti u dha mësim dishepujve të tij: “Ta doni njëri‑tjetrin; sikurse unë ju kam dashur” (Gjoni 13:34). Teksa ngushëlloni, lartësoni shpirtërisht dhe i shërbeni njëri‑tjetrit, ju po përhapni dashurinë e pastër të Krishtit dhe po bëheni më shumë si Ai. Perëndia gjithashtu siguron shumë mundësi të vlefshme për fëmijët tuaj që të mësojnë e rriten duke u bashkuar në veprën e Tij dhe duke përmbushur premtimet e tyre për t’u shërbyer të tjerëve (shih Moisiu 1:39; Mosia 18:7–11). Përhapja e dashurisë së Krishtit dhe rrezatimi i dritës së Tij i shndërrojnë ata dhe njerëzit, të cilëve u shërbejnë.
Familja juaj gjithashtu përfiton nga përkatësia në një lagje ose degë, ku fëmijët tuaj japin e marrin dashuri dhe përkrahje. Ndërthurja e zemrave tuaja “në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri‑tjetrit” (Mosia 18:21) krijon një rrjet marrëdhëniesh përkrahëse dhe përvojash pozitive që e forcojnë familjen tuaj. Kur u shërbeni të tjerëve me dashuri si të Krishtit, ju mund të ndihmoni për të ngritur Sionin në familjen tuaj dhe në shoqërinë në tërësi (shih Mosiu 7:18).
Mësojuni fëmijëve se shërbimi mund të jetë një praktikë e përditshme në vend të një projekti të izoluar. Përpjekja fort për t’i shërbyer njëri‑tjetrit do t’i ndihmojë fëmijët dhe rininë që të gjejnë një jetë më përmbushëse ndërkohë që shohin përtej nevojave të tyre vetjake drejt nevojave të të tjerëve. Është mahnitëse se si ndërtimi i Sionit ndërton një popull Sioni.
Shihni te Krishti
Shpëtimtari e ftoi secilin prej nesh për t’i dashur të tjerët dhe për t’u shërbyer atyre (shih Gjoni 13:34–35). Pjesëmarrja në punën e Atit tonë Qiellor për shpëtimin na forcon e na ndryshon. Marrja “me punët e Atit [të Tij]” (Lluka 2:49) ishte pjesë e rritjes që përjetoi Jezusi në rininë e Tij teksa Ai “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52).
Familja juaj përfshihet në punën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin duke e jetuar ungjillin e Jezu Krishtit, duke u kujdesur për njerëzit nevojtarë, duke i ftuar të gjithë që ta pranojnë ungjillin dhe duke i lidhur familjet së bashku për përjetësinë.4
Kultivojeni rritjen e fëmijëve tuaj duke qenë të bashkuar në “vepr[ën e] madhe” (Doktrina e Besëlidhje 64:33) të Perëndisë – duke kryer veprime shërbimi plot dashuri një e nga një.
Ide për Ndërtimin e Unitetit dhe të Forcës nëpërmjet Shërbimit
-
Tregojeni dashurinë tuaj për Perëndinë dhe arrini ta njihni Atë më mirë duke i dashur fëmijët e Tij dhe duke u shërbyer atyre.
-
Duajeni njëri‑tjetrin nëpërmjet dhënies së shërbesës ndaj njerëzve përreth jush dhe përkujdesjes për njerëzit nevojtarë.
-
Mblidheni Izraelin duke e përhapur ungjillin, duke bërë kërkim për historinë tuaj familjare, duke shërbyer në tempull dhe duke i ndihmuar të tjerët të bëjnë e të mbajnë besëlidhje të shenjta.
-
Ndërtoni unitet dhe forcë kolektive duke ofruar dashuri, duke krijuar një ndjesi përkatësie dhe duke e përkrahur njëri‑tjetrin.
Zbatimi i Modelit në Shtëpinë Tuaj
Këto parime udhërrëfyese mund të ndihmojnë për ta përqendruar prindërimin tuaj çdo ditë. Për shembull, sot mund të merrni parasysh se si mund ta krijoni qëllimisht një marrëdhënie me më shumë dashuri, të kultivoni të mësuarit dhe t’i ndërtoni moralisht të tjerët. Vënia në jetë e këtij modeli mund ta rritë të mësuarit e ungjillit, ta kultivojë rritjen vetjake të fëmijës suaj dhe të nxitë përqendrim më të shkëlqyer ndaj të tjerëve që do ta lartësojë e bekojë familjen tuaj. Vënia në jetë e këtyre parimeve gjithashtu mund ta përmirësojë përdorimin tuaj të burimeve të Kishës të përqendruara te shtëpia, si programi Eja, Më Ndiq dhe programi Fëmijët dhe Rinia.
Ka shumë mënyra për t’i vënë në jetë parimet e këtij modeli. Jini të aftë për të ndryshuar dhe kërkoni zbulesë vetjake për t’i përshtatur ato ndaj nevojave të familjes suaj. Modeli “krijoni, kultivoni, ndërtoni” nuk është domosdoshmërisht rreth bërjes më shumë. Ndërkohë që mund të ketë gjëra që ju ndiheni të frymëzuar t’ia shtoni asaj që po bëni tashmë, modeli ka si qëllim t’ju ndihmojë ta shfrytëzoni sa më mirë kohën që keni së bashku.
Kur bëni ndonjë gjë që të krijoni marrëdhënie plot dashuri, të kultivoni të mësuarit dhe rritjen apo të ndërtoni unitet e forcë nëpërmjet shërbimit, ju po ngrini një themel të fortë për gjithçka që bëni në shtëpinë tuaj.
Prindërit e Mirë Janë të Besueshëm, Jo të Përsosur
Është e rëndësishme të mbani mend se nuk keni nevojë të jeni të përsosur që të jeni një prind i mirë. Përkundrazi, përpiquni të jeni një burim i besueshëm dashurie dhe përkrahjeje për fëmijët tuaj. Thjesht përfshirja me fëmijën tuaj në mënyra të vogla mund të sjellë ndryshim të madh.
Kur të qenit prind ju duket diçka shkurajuese, mbani mend të merrni frymë, ta lejoni veten tuaj të bëni pushim dhe të vazhdoni të përpiqeni. Mund të shkoni përpara me besim duke e ditur që Shpëtimtari interesohet thellësisht për ju e për fëmijët tuaj dhe do t’i lartësojë përpjekjet tuaja të sinqerta dhe dëshirat tuaja të drejta.
Shpresa te Krishti
Kur përpiqeni fort të jeni të patundur në bërjen e gjithçkaje që mundeni për të dashur, kultivuar e forcuar çdo fëmijë, një e nga një, ju dhe familja juaj mund të keni shpresë te Krishti për shkak të premtimit të Tij të përjetshëm për ju: “Mos kini frikë, fëmijë të vegjël, sepse ju jeni të mitë dhe unë e kam mundur botën” (Doktrina e Besëlidhje 50:41).