2022
Ne Mund t’i Ndihmojmë të Tjerët ta Ndiejnë se i Duan dhe i Përfshijnë
Shtator 2022


“Ne Mund t’i Ndihmojmë të Tjerët ta Ndiejnë se i Duan dhe i Përfshijnë”, Liahona, shtator 2022.

Parimet e Dhënies së Shërbesës

Ne Mund t’i Ndihmojmë të Tjerët ta Ndiejnë se i Duan dhe i Përfshijnë

Shpëtimtari përjetoi refuzim dhe na mësoi se si t’u ofrojmë ndihmë të tjerëve.

korrëse bari

Sasha është një e re beqare në një lagje familjare, gjë që nuk është gjithmonë e lehtë. Ajo ndihet e lumtur dhe e përmbushur, por shpesh tepër e ndryshme, dhe paska e dallueshme, kur është me anëtarë të tjerë të lagjes. Si shumica prej nesh, ajo ka shumë dëshirë për pranim e përkatësi.

Tomasi, një burrë i moshuar në lagje, u caktua si vëllai i saj shërbestar dhe një ditë i shkoi për vizitë me bashkëshorten e tij që të njiheshin me Sashën. Vizita ishte disi e sikletshme ngaqë bashkëbisedimi u orientua te statusi i saj si beqare. Por teksa flisnin, Sasha mund të kuptonte se Tomasi dhe bashkëshortja e tij thjesht po përpiqeshin ta kuptonin situatën e saj dhe se si mund të ndihmonin.

Në një pikë Tomasi tha: “Vura re që oborri yt mund të ketë nevojë për pak dashuri. Do të doja të të ndihmoja për këtë gjë.”

Profesioni i Sashës e mban atë kaq të zënë me punë sa përkujdesja për oborrin nuk është një nga përparësitë e saj kryesore. Dhe përveç kësaj, ajo gjë nuk i pëlqen. Ajo e di se si të bëjë punë në oborr dhe e di se mund ta bëjë atë gjë. Por kjo nuk e ndryshon faktin që e ka shumë zët atë gjë.

Ishte një kohë kur pyetja e tij mund t’ia kishte lënduar ndjenjat. Por Tomasi përmendi se kishte qenë në ushtri dhe e kuptonte se çfarë i duhet të bëjë vetë një gruaje kur bashkëshorti i saj nuk është i pranishëm. Ajo e kuptoi se Tomasi thjesht po kërkonte një mënyrë për ta thelluar miqësinë e tyre. Ai po përpiqej të ndërthurte përvojën e jetës së tij me të sajën dhe të gjente gjëra të përbashkëta.

Të dyja palët e kësaj marrëdhënieje shërbestare mësuan ta donin dhe ta pranonin njëri‑tjetrin ashtu siç ishin dhe një miqësi e ngushtë, e çiltër u zhvillua.

Dhe oborri i Sashës nuk ishte dukur kurrë më mirë se aq.

Shembulli i Përsosur i Përfshirjes

Në Dhiatën e Vjetër, Isaia profetizoi se Jezu Krishti do të dinte me saktësi se si është të jesh i ndryshëm. Ai e përjetoi të qenit i përjashtuar dhe i keqtrajtuar. “I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes” (Isaia 53:3). Nëpërmjet dashurisë së Tij të përsosur, Ai e di se si ndihemi dhe e di se si të na ndihmojë (shih Alma 7:12). Ai është shembulli i përsosur i mënyrës se si mund t’u afrohemi të tjerëve me dashuri për t’i përfshirë, pavarësisht nga rrethanat ose paraqitja e tyre e jashtme.

Parime për t’u Marrë Parasysh

Teksa kërkoni mënyra për t’i ndihmuar të tjerët të ndihen se përkasin, merrini parasysh këto parime që i dha mësim dhe i jetoi Shpëtimtari:

  • Jini të gatshëm të njihni njerëz të tjerë përveç atyre që tashmë i njihni (shih Mateu 5:43–48).

  • Mos kini frikë të shoqëroheni me ata që mund të jetojnë ose besojnë ndryshe nga ju, në qoftë se kjo nuk do të thotë që të vini në rrezik mësimet e Shpëtimtarit (shih Marku 2:14–17; Lluka 7:38–50).

  • Çdo njeri duhet të ndiejë se ne dëshirojmë që ata të jenë në kishë (shih 3 Nefi 18:22–32). Qenia atje ku mund të mësojnë ungjillin e Shpëtimtarit dhe të ndiejnë dashurinë e Tij mund ta ndryshojë këdo.

  • Shpëtimtari e di se çfarë na nevojitet, pjesërisht ngaqë Ai e di se si ndihemi (shih Alma 7:11–12). Ne mund të tregojmë dashuri duke u përpjekur t’i kuptojmë përvojat e të tjerëve dhe duke e vënë veten në situatën e tyre.

  • Shpëtimtari shpenzoi kohë që të ishte i pranishëm në përgjigje të nevojave të njerëzve përreth Tij. Ai u ndal të kujdesej për të tjerët edhe kur kishte plane për të qenë diku tjetër (shih Marku 5:22–43).

Çfarë Mund të Bëjmë Ne?

dy gra

Mos i lejoni dallimet që t’ju frenojnë t’i njihni njerëzit, të cilëve u jepni shërbesë. Pavarësisht nga dallimet tona, ka pika të përbashkëta që mund të zbulohen.