2022
Një Model për ta Shmangur Ndjesinë se Keni Ngecur në Vend
Shtator 2022


“Një Model për ta Shmangur Ndjesinë se Keni Ngecur në Vend”, Liahona, shtator 2022.

Një Model për ta Shmangur Ndjesinë se Keni Ngecur në Vend

“Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52) dhe kështu mund të rritemi edhe ne.

burrë me vështrimin të ngulur te një perëndim dielli

Fotografia nga Judith Ann Beck

Ndjesia se Keni Ngecur në Vend

Teksa përpiqemi fort të jetojmë ungjillin si një i ri ose e re në moshë madhore beqare, mund të jetë e vështirë të mos përqendrohemi në fusha të caktuara të jetës sonë që do të donim të ishin ndryshe. Nganjëherë duket sikur arrijmë një gjendje amullie në përparimin tonë. Mua ato ndjesi se kam ngecur në vend në fusha të caktuara më duken si baticë e zbaticë dhe mund të më shoqërojnë për ditë, muaj dhe dalëngadalë madje vite. Gjithmonë kam pasur shumë arsye që të jem i lumtur dhe të ndihem mirë për jetën, por në një çast, kjo ndjenjë se kam ngecur në vend më dha një goditje të rëndë.

Gjatë asaj kohe nipi im adoleshent kërkoi që të kalonte kohë me mua. Ai dalloi një nevojë për synime në jetën e vet dhe më kërkoi këshillë. Nuk e ndjeva domosdoshmërisht se isha në gjendjen e duhur për të ofruar urtësi të madhe, por ia vura veshin. E dija se mund t’i “përgjëro[hesha]” Perëndisë për ndihmë (shih Alma 34:17–27) dhe u luta që të isha në gjendje të thosha diçka domethënëse për të. Si përgjigje, m’u kujtua Lluka 2:52: “Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”.

Teksa u përpoqa fort të përqendrohesha te nevojat e nipit tim në vend të nevojave të mia, diçka filloi të ndryshonte brenda meje. Nipi im dhe unë folëm rreth mënyrës se si Krishti u rrit nga ana shpirtërore, shoqërore, fizike e intelektuale dhe po ashtu mund të rriteshim edhe ne. Ndonëse nevojat e nipit tim ishin të ndryshme nga të miat, këto katër fusha rritjeje na përkitnin që të dyve. Ndërkohë që flisnim për këtë shkrim të shenjtë, e kuptova se ai shkrim po u jepte përgjigje pyetjeve të mia vetjake rreth mënyrës se si të mos ngecja në vend.

Ndryshimi i Përqendrimit Tim, Veprimi sipas Planeve

Kur u përpoqa fort të rritesha siç u rrit Shpëtimtari, përqendrimi im ndryshoi dhe ai ndryshim solli bekime shtesë. Siç tha Presidenti Rasëll M. Nelson: “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë”1. Përpjekjet e mia për t’u rritur më shumë si Jezu Krishti më ndihmuan ta largoja vëmendjen nga rrethanat që e kishin konsumuar përqendrimin tim dhe ta ridrejtoja atë te fusha ku mund të punoja në mënyrë frytdhënëse. Isha në gjendje të kaloja nga të menduarit për veten te veprimi për të tjerët.

Mora parasysh plot zell se si mund të rritesha në secilën nga fushat e përmendura te Lluka 2:52, nga frekuentimi më i vazhdueshëm i tempullit deri te përfundimi i një gare të gjatë me biçikletë.

Tempulli i Memfisit, Tenesi

Fotografia e Tempullit të Memfisit në Tenesi nga James Whitney Young

Në secilën nga fushat e synimeve të mia bëra disa vëzhgime:

  1. Ndërkohë që punoja për një synim, shpesh e ndieja Krishtin të më forconte nga ana shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale, të gjitha brenda atij synimi të vetëm.

  2. Rrallë, në mos fare, ndodhte që ndonjë synim të ishte i veçuar nga fushat e tjera të rritjes – ata dukej se po ndikonin dhe ndërtonin mbi njëri‑tjetrin. Përmirësimi në një fushë çonte në përmirësim në të gjitha fushat e tjera. Po ashtu lënia pas dore e cilësdo fushe ndikonte tek të gjitha fushat e tjera. E kuptova që secila fushë meriton vëmendje.

  3. Pothuajse çdo synim përfshinte njerëz të tjerë, qoftë të mësuarit prej tyre apo shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave me ta, dhe i thelloi marrëdhëniet tona.

Gjetja dhe Përhapja e Gëzimit në Krishtin

Unë vazhdimisht kam mundësinë të shoh dhe të frymëzohem nga përparimi i njerëzve të tjerë dhe shpresoj se mund të bëj të njëjtën gjë për ta. Kohët e fundit fola me një mik beqar i cili ndihet sikur ka ngecur në vend dhe i dëshpëruar me disa rrethana të jetës. E dëgjova me kujdes që ta kuptoja dhe më pas isha në gjendje të tregoja përvoja që më ndihmuan mua dhe gjithashtu i tregova se si secila prej fushave të rritjes lidhej me Shpëtimtarin.

Ndërkohë që nuk kanë ndryshuar të gjitha fushat e jetës që më kishin lënë të ndihesha sikur kisha ngecur në vend vite më parë, unë kam ndryshuar teksa kam mësuar të përqendrohem më shumë te Shpëtimtari dhe të përpiqem fort që të rritem si Ai. Siç tregoi Presidenti Nelson: “Ka shumë gjëra që ne mund t’i kontrollojmë. Ne i vendosim përparësitë tona vetjake dhe përcaktojmë se si i përdorim energjinë, kohën dhe mjetet tona. … Ne i zgjedhim ata të cilëve do t’u drejtohemi për të vërtetën dhe udhërrëfimin.”2 Cilatdo qofshin rrethanat tona, fushat e rritjes te Lluka 2:52 mund të na ndihmojnë që ta ndryshojmë përqendrimin tonë dhe të gjejmë gëzim e përparim shtesë nëpërmjet Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit.

Autori jeton në Tenesi, SHBA.