2022
Shpresë dhe Ngushëllim në Krisht
Shtator 2022


“Shpresë dhe Ngushëllim në Krisht”, Liahona, shtator 2022.

Shpresë dhe Ngushëllim në Krisht

Le të mbështetemi te premtimi që Zoti i mban mend dhe i shpërblen shenjtorët e Tij besnikë.

dorë nga statuja “Kristus”

Ne mund ta vendosim shpresën tonë përfundimtare te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij.

Fotografi e dorës nga statuja “Kristus” prej Scott Law

Jens dhe En Kathrin Anderseni kishin një dëshmi të thellë dhe të qëndrueshme për vërtetësinë e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Pavarësisht nga turmat e egërsuara dhe përndjekja nga komuniteti e famullia, ata u bashkuan me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në vitin 1861.

Në pranverën e vitit të ardhshëm ata iu përgjigjën thirrjes së Sionit, për të lëvizur 8 000 km larg drejt luginës së Solt-Lejkut. Mbledhja në Sion do të thoshte se do të linin pas jetën e tyre të mirë në Danimarkë, përfshirë miqtë, familjarët dhe një fermë të bukur që për breza të tërë kishte kaluar nga ati te biri më i madh. Me vendndodhje në fshatin e Vedumit, pranë Alborgut, në gadishullin pjellor të Jutlandit në Danimarkën Veriore, ferma ishte e madhe dhe frytdhënëse. Në fermë punësoheshin duzina njerëzish dhe ajo i sillte respekt dhe të ardhura financiare familjes Andersen.

Duke i ndarë ato të ardhura me të kthyer të tjerë në besim, Jensi dhe En Kathrina paguan shpenzimet e emigrimit për gati 60 shenjtorë të tjerë që po ndërmerrnin udhëtimin e tyre drejt Sionit. Më 6 prill 1862, çifti Andersen, me djalin e tyre 18‑vjeçar, Endrjun, u bashkuan me 400 shenjtorë të tjerë danezë në avulloren e vogël Albion dhe lundruan për në Hamburg të Gjermanisë. Kur mbërritën në Hamburg dy ditë më vonë, ata u bashkuan me shumë shenjtorë të tjerë të mbledhur në një anije më të madhe për të filluar rrugëtimin e tyre nëpër oqeanin Atlantik.

Gjithsesi, gëzimi i mbledhjes në Sion shpejt u kthye në hidhërim. Disa fëmijë që kishin hipur në anijen Albion u sëmurën me virusin e fruthit. Teksa sëmundja i pushtoi grupet e emigrantëve, 40 fëmijë e disa të rritur vdiqën dhe u varrosën në det. Mes tyre ishte 49‑vjeçari Jens Andersen, katragjyshi im.

Ëndrra e Jensit për të shkuar dhe ndërtuar Sionin me familjen e tij dhe bashkëshenjtorë të tjerë danezë mbaroi vetëm 10 ditë larg Hamburgut. Një historian shkroi: “Një çlirimtar që ashtu si Moisiu kurrë nuk vuri këmbë vetë në tokën e premtuar ishte Jens Anderseni i [Vedumit] të Alborgut, i cili kishte ndihmuar jo më pak se gjashtëdhjetë prej të tjerëve si ai që të emigronin; ai u takua me vdekjen në Detin e Veriut në vitin 1862 pak kohë pasi u largua nga [Gjermania]”1.

Sprova e Vdekshmërisë

A ia vlente sakrifica e familjes Andersen – largimi nga ferma e tyre e rehatshme dhe humbja e bashkëshortit dhe atit të tyre të dashur? Jam i sigurt që bota do të thoshte jo. Por botës i mungon besimi, largpamësia dhe “këndvështrimi i përjetshëm”2, të ofruara nga ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit.

Ai këndvështrim na ndihmon të kuptojmë jetën tonë në vdekshmëri dhe sprovat e saj të shumta. Ne përballemi me frikë, tradhti, tundim, mëkat, humbje dhe vetmi. Sëmundja, shkatërrimi, depresioni dhe vdekja i copëtojnë ëndrrat tona. Me raste barrët tona duken më të rënda nga çfarë mund të mbajmë.

“Ndonëse hollësitë do të ndryshojnë, tragjeditë, provat dhe sprovat e papritura, si fizike ashtu edhe shpirtërore, i vijnë secilit prej nesh sepse kjo është vdekshmëria”, – tha Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai shtoi: “Ne kërkojmë lumturinë. Jemi të dëshiruar për paqe. Shpresojmë për dashuri. Dhe Zoti na derdh një bollëk të mahnitshëm bekimesh. Por, pleksur me gëzimin dhe lumturinë, një gjë është e sigurt: do të ketë çaste, orë, ditë, nganjëherë vite kur shpirti ynë do të jetë i plagosur.”3

Ne e përballojmë me guxim të hidhurën që të mund të shijojmë ëmbëlsinë (shih Doktrina e Besëlidhje 29:39). Thënë me fjalët e profetit Isaia, ne jemi të gjithë të rafinuar – dhe të provuar – “në poçen e pikëllimit” (Isaia 48:10).

Premtimi i Shlyerjes

statuja “Kristus”

Fotografi e statujës “Kristus” nga Alan Brent Harder

Fatkeqësia është pjesë e “plani[t të] madh të [Atit për] lumturi[në]” (Alma 42:8; shih edhe 2 Nefi 2:11). Por qendrore në atë plan janë ngushëllimi dhe shpresa që vijnë nga “Shlyerja e madhe dhe e lavdishme”4. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti erdhi për të na shpëtuar. (Shih Alma 36:3.)

Shpëtimtari “zbriti nën gjithçka” (Doktrina e Besëlidhje 88:6) që Ai të mund të merrte mbi veten e Tij vështirësitë dhe gabimet tona. Ai e di se si të na shërbejë duke e kuptuar plotësisht se ku dhe përse kemi dhembje.

“Duke qenë se Shpëtimtari vuajti gjithçka dhe çdo gjë që ne mund të ndiejmë ose përjetojmë ndonjëherë, Ai mund ta ndihmojë të dobëtin të bëhet më i fortë”, – tha Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë. “Ai vetë i ka përjetuar ato të gjitha. Ai e kupton dhembjen tonë dhe do të ecë me ne edhe në orët tona më të zymta.”5

Ajo është arsyeja pse mund ta vendosim shpresën tonë përfundimtare tek Ai dhe Shlyerja e Tij.

“Bota jonë është një botë pesimiste dhe cinike – një botë që, në masë të madhe, nuk ka shpresë te Jezu Krishti as në planin e Perëndisë për lumturinë njerëzore”, – tha Presidenti Rasëll M. Nelson. “Përse kaq grindje dhe zymti mbarëbotërore? Arsyeja është e thjeshtë. Nuk ka shpresë në Krishtin, nuk ka pranim të një plani hyjnor për shëlbimin e njerëzimit. Pa atë njohuri, njerëzit gabimisht besojnë se ekzistenca sot pasohet nga zhdukja nesër, se lumturia dhe lidhjet familjare janë vetëm kalimtare.”6

Unë gjej shpresë dhe shërim te Jezu Krishti kur e frekuentoj tempullin dhe i dëgjoj fjalët e profetëve të gjallë. Gjej ngushëllim kur i studioj shkrimet e shenjta, të cilat dëshmojnë për Të dhe Shlyerjen e Tij. Kur vdekshmëria “paqen [tonë e] kërc’no[n] me shkat’rrim”7, kthehuni tek ato që unë i quaj “shkrime të shenjta të mbrojtjes”. Këtu janë disa nga shkrimet e mia të parapëlqyera:

Dhiata e Vjetër

  • “Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë” (Isaia 25:8).

  • “Megjithatë, ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona. … Ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar” (Isaia 53:4–5).

Dhiata e Re

  • “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mateu 11:28).

  • “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën” (Gjoni 16:33).

Libri i Mormonit

  • “Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12).

  • “Dhe për çfarë duhet të keni shpresë? Vini re, unë ju them juve se duhet të keni shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së ringjalljes së tij, që të ngriheni në jetën e përjetshme dhe kjo për shkak të besimit tuaj në të, sipas premtimit” (Moroni 7:41).

Doktrina e Besëlidhje

  • “Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah; dhe ju do të jepni dëshmi për mua, madje Jezu Krishtin, që jam Biri i Perëndisë së gjallë, që isha, që jam dhe që do të vij” (Doktrina e Besëlidhje 68:6).

  • “Si rrjedhim, mos kini frikë madje deri në vdekje; sepse në këtë botë gëzimi juaj nuk është i plotë, por në mua gëzimi juaj është i plotë” (Doktrina e Besëlidhje 101:36).

Këto vargje dhe një vëllim vargjesh të tjera dëshmojnë, sipas fjalëve të Presidentit Bojd K. Paker (1924–2015), President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, për “premtimin e shlyerjes së Krishtit”8.

Lutjet e një Profeti

Presidenti Rasëll M. Nelson

Kur e kuptojmë rolin e rëndësishëm që luan Shpëtimtari në lumturinë tonë tani dhe në botën që vjen, ne e kuptojmë përse Presidenti Nelson na përgjërohet që ta bëjmë Atë themelin shpirtëror të jetës sonë:

“Ju përgjërohem që të gjeni kohë për Zotin! Bëjeni themelin tuaj vetjak shpirtëror të fortë dhe të aftë për t’i qëndruar provës së kohës duke bërë ato gjëra që e lejojnë Frymën e Shenjtë të jetë me ju gjithmonë.” Të gjejmë kohë për Zotin, shtoi Presidenti Nelson, përfshin të gjejmë “kohë për Zotin në shtëpinë e Tij” nëpërmjet shërbimit dhe adhurimit në tempull.9

“Dhe secilit prej jush që ka bërë besëlidhje në tempull, i përgjërohem që të kërkojë – me lutje dhe vazhdimisht – t’i kuptojë besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit. …

… Sa herë që çfarëdo lloj trazire ndodh në jetën tuaj, vendi më i sigurt për të qenë shpirtërisht është të jetoni brenda besëlidhjeve tuaja të tempullit!

Ju lutem, më besoni kur them se, kur themeli juaj shpirtëror është ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme mbi Jezu Krishtin, nuk duhet të keni frikë.”10

Të Gdhendur në Pëllëmbët e Tij

familja

Endrju me pjesëtare të familjes së tij

Çfarë ndodhi me En Kathrinën dhe birin e saj, Endrjun? A u dëshpëruan dhe u kthyen në Danimarkë pas udhëtimit të tyre të trishtë prej gjashtë javësh për në Nju‑Jork‑Siti? Jo. Duke u mbështetur te dëshmia e tyre për Shpëtimtarin dhe planin e shpëtimit, si dhe duke mirëbesuar te Perëndia, ata e vazhduan udhëtimin me kurajë duke përdorur trenin, avulloren dhe varganin e karrocave. Ata mbërritën në luginën e Solt-Lejkut më 3 shtator 1862 dhe u përfshinë në ndërtimin e Sionit.

U vendosën në Ifrëm të Jutës, ku Endrju u martua dhe filloi të krijonte familjen e tij. Më vonë Endrju e shpërnguli familjen e vet, përfshirë nënën e tij, në Lihaj të Jutës, ku u bë një fermer, bankier dhe kryetar bashkie i suksesshëm. Ai shërbeu në një mision trevjeçar në mëmëdheun e vet, më shumë se dy dekada në peshkopata dhe më shumë se tri dekada në këshillin e lartë ose në kuorumin e priftërinjve të lartë. Tre prej bijve të tij shërbyen në misione në Danimarkë dhe Norvegji.

Me sytë e vdekshmërisë ne nuk mund ta shohim fundin e lavdishëm nga nisja e përlotur. Por me besim te Krishti, ne mund ta shohim të ardhmen me shpresë. Dhe mund të mbështetemi te premtimi që Zoti i mban mend dhe i shpërblen shenjtorët e Tij besnikë, përfshirë Jensin, En Kathrinën dhe Endrjun. Zoti i mbajti mend ata dhe Ai na mban mend ne. Ai ka premtuar:

“Unë nuk do të harroj.

Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia” (Isaia 49:15–16).

Shënime

  1. William Mulder, Homeward to Zion: The Mormon Migration from Scandinavia (1957), f. 149–150. Hollësitë shtesë për historinë e familjes Andersen vijnë nga Andrew B. Andersen, History of Andrew Rasmus Anderson, Pioneer of 1862 and Wife Nelsina M. Pederson, Pioneer of 1868, Daughters of the Utah Pioneers Biographical Collection; Jens Christensen, Rural Denmark, 1750–1980, përkth. Else Buchwald Christensen (1983); Hamilton Gardner, History of Lehi: Including a Biographical Section (1913); Fern Gray, Life Sketch of Andrew R. Anderson, Daughters of the Utah Pioneers Biographical Collection; Andrew Jenson, “Narratives of the Emigration from the Scandinavian Mission 1852–1868”, History of the Scandinavian Mission (1979).

  2. Shih Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 93.

  3. Nil L. Andersen, “Të Plagosur”, Liahona, nëntor 2018, f. 84.

  4. Neal A. Maxwell, “Testifying of the Great and Glorious Atonement”, Liahona, prill 2002, f. 12.

  5. James E. Faust, “The Atonement: Our Greatest Hope”, Liahona, janar 2002, f. 22.

  6. Russell M. Nelson,“A More Excellent Hope”, Ensign, shkurt 1997, f. 62.

  7. T’Falemi, Per’ndi për Profetin”, Himne, nr. 13.

  8. Boyd K. Packer, “The Brilliant Morning of Forgiveness”, Ensign, nëntor 1995, f. 20.

  9. Rasëll M. Nelson, “Gjeni Kohë për Zotin”, Liahona, nëntor 2021, f. 120, 121.

  10. Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 96.