“Vërtetoje që Keni Lidhje Familjare”, Liahona, shtator 2022.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Vërtetoje që Keni Lidhje Familjare
Mendova se Zoti po kërkonte të pamundurën, por e kisha gabim.
Fqinja ime e moshuar dhe biri i saj jetonin disa dyer më poshtë se apartamenti i familjes sime. Ajo u bë e dashur për mua. Pasi i biri ndërroi jetë, ajo u sëmur dhe nuk lëvizte më nga shtrati. Ne u kujdesëm për të derisa ndërroi jetë tre muaj më pas.
Pas vdekjeve të tyre, doja që të kryheshin ordinancat e tempullit për këtë familje. Por ngaqë nuk kishim lidhje familjare, kjo nuk ishte e mundur. Një ditë më erdhi në mendje një mendim i qartë: “Vërtetoje që keni lidhje familjare dhe mund të shkosh në tempull për të bërë punën për ta”1. Mendova që Zoti po kërkonte të pamundurën, por fjala vërtetoje vazhdonte të më vinte në mendje.
Familjarët e fqinjës sime filluan të transferonin pronësinë e apartamentit të saj, por u mungonin dokumente që të vërtetonin lidhjen e tyre, edhe pasi kërkuam në arkivat qeveritarë.
Shpirti më tha se po na shpëtonte diçka. Me miratimin e këtyre familjarëve kërkova nëpër apartamentin e saj për dokumente. Në një cep të apartamentit gjeta disa çanta të mbushura me letra të vjetruara. Pata ndjenjën që çantat ishin të rëndësishme.
Kërkova nëpër dy çanta dhe më pas fillova të kërkoja te një e tretë. Kisha arritur pothuajse në fund të çantës kur ndjeva kapakun e një blloku shënimesh. Brenda xhepit të kapakut të bllokut të shënimeve gjeta pesë certifikata të rëndësishme: certifikatën e lindjes së fqinjës sime, certifikatën e vdekjes dhe të martesës së nënës së saj, certifikatën e vdekjes së gjyshes së saj dhe certifikatën e varrimit të babait të saj.
Kur unë dhe familjarët e fqinjës sonë i shqyrtuam dokumentet, dy fjalë më ranë në sy: “Distrikti Vgajski”, në Siberinë Perëndimore. Befas ndjeva se duhej të shihja në vetë pemën time familjare. Kur e pashë, zbulova se Vagajski shfaqej në degët e largëta të pemës familjare të babait tim. Hetimi i mëtejshëm tregoi se unë dhe fqinja e vdekur kishim lidhje familjare!
Zoti nuk kërkoi të pamundurën prej meje në fund të fundit. Nuk mund ta shpreh gëzimin që pata ngaqë mësova se fqinja ime ishte pjesë e familjes sime. Kjo lidhje do të më lejojë të sigurohem që ordinancat e saj të tempullit të kryhen në të ardhmen.
Zoti i do fëmijët e Tij. Ai e përgatiti planin e shpëtimit për të gjithë, përfshirë fqinjën time dhe birin e saj.