“Ditët Një e nga Një”, Liahona, shtator 2022.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Ditët Një e nga Një
Ne jemi mirënjohës për anëtarët e mrekullueshëm të lagjes sonë, të cilët na ndihmuan për birin tonë me autizëm.
Kur biri ynë, Xhoshua, ishte 18 muajsh, ne vumë re gjëra të çuditshme në sjelljen e tij. Xhoshi mund të përsëriste pothuajse çdo fjalë në secilën këngë në shfaqjet televizive që shihte, por ai po vonohej të fliste. Një ditë vjehrra ime tha se Xhoshi shfaqte shenja të autizmit. Specialistët na thanë të njëjtën gjë.
Gruaja ime, Elizabeta, u zhyt në literaturën për autizmin. Ajo gjithashtu e regjistroi Xhoshin në programe për ta ndihmuar atë. Ishte e vendosur që ai të kishte fillimin më të mirë të mundshëm në jetë që mund t’i jepnim.
Në ditët që unë shfaqja stres lidhur me të ardhmen, Elizabeta më qetësonte. Ajo më tha se na nevojitej t’i zgjidhnim gjërat duke i marrë ditët një e nga një.
“Kemi nevojë të vlerësojmë çdo gjë të re që Xhoshi mëson në vend që të përqendrohemi tek të gjitha të panjohurat e së ardhmes”, – tha ajo.
Ndërsa rritej, Xhoshi u bë i pashtruar në kishë. Për ta ndaluar të bënte zhurmë në Fillore ose të dëmtonte fëmijët, unë e mbaja në prehër. Ai përpiqej të çlirohej, më gërvishte dhe ndeshej me mua gjatë të tria orëve në kishë. Shpesh kthehesha në shtëpi i mavijosur dhe i rraskapitur.
“Pse nuk e lëmë në shtëpi pa e marrë në kishë dhe ta bëjmë me radhë qëndrimin në shtëpi me të?” – sugjerova unë.
“Nëse nuk vazhdojmë ta marrim”, – u përgjigj Elizabeta, “ai do të mësojë se nëse nuk mban qetësi, ai do të largohet nga kisha.” E dija se kishte të drejtë.
Një ditë nëna e një familjeje tjetër me një fëmijë me autizëm më tha: “Kur Xhoshi të bëhet tetë vjeç dhe të marrë Frymën e Shenjtë, ai menjëherë do të fillojë të ëmbëlsohet!”
Pata dyshim te fjalët e saj, por kur mbushi tetë vjeç, ai mori Frymën e Shenjtë dhe vërtet filloi të ëmbëlsohet – paksa.
Kur Xhoshi u rrit më shumë, ai mori priftërinë. Shpërndau sakramentin dhe mësoi rëndësinë e shërbimit. Anëtarët e kuorumit të tij të priftërisë mësuan me Xhoshin një vallëzim nga një material filmik me muzikë të viteve 1980 dhe e shfaqën në një festë të lagjes.
Lagjja jonë ishte e mrekullueshme me Xhoshin. Anëtarët i buzëqeshnin kur ai shpërndante sakramentin duke bërë disa lëvizje vallëzimi të viteve 80.
Tani Xhoshi është 17 vjeç. Ai është një muzikant i talentuar që shkruan këngë. I pëlqen shumë të jetë aktor dhe merr pjesë rregullisht në shfaqjet në shkollë dhe në teatrin e komunitetit.
Jemi mirënjohës që jemi prindërit e Xhoshit dhe marrim pjesë në udhëtimin e tij. Nuk jemi të sigurt se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por jemi të zotuar që ta jetojmë plotësisht çdo ditë me të.