2022
Lëreni Zotin ta Udhërrëfejë Jetën Tuaj
Shtator 2022


“Lëreni Zotin ta Udhërrëfejë Jetën Tuaj”, Liahona, shtator 2022.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Lëreni Zotin ta Udhërrëfejë Jetën Tuaj

Nuk mund ta kuptoja gjithmonë se si do të funksiononin gjërat, por kur veproja me besim, Zoti më bekonte.

burrë duke qëndruar në mal dhe duke parë perëndimin e diellit

Feja nuk ishte e mirëpritur në vatrën time familjare kur po rritesha – edhe pse prindërit e mi kishin qenë shumë fetarë për pjesën më të madhe të jetës së tyre, diagnoza e pashërueshme e babait tim mes sprovave të tjera, i bëri ta linin fenë me të cilën ishin rritur. Isha katër vjeç kur babai më vdiq nga kanceri dhe gjithashtu isha më i vogli i 13 fëmijëve dhe nëna ime e ve thjesht nuk mund ta besonte se Perëndia do të lejonte diçka si kjo që t’i ndodhte familjes sonë.

Por kur isha 14 vjeç, ndjeva se diçka po më mungonte në jetën time. Pyesja veten a kisha një qëllim më të madh për të cilin nuk isha i vetëdijshëm. U ndjeva si Jozef Smithi, teksa “mendja ime u nxit të mendonte seriozisht dhe nuk gjente rehati” (Joseph Smith – Historia 1:8). Ndonëse kurrë nuk kisha dëgjuar për Jozef Smithin në atë kohë, fillova një kërkim shumë të ngjashëm me të teksa frekuentoja shumë kisha me shpresën që do të gjeja të vërtetën.

Dhe e gjeta, një ditë, kur pashë dy të rinj të veshur me kostume duke shkuar te shtëpia e fqinjit tim. Isha kureshtar dhe i pyeta a mund të shkoja në takimin e tyre. Pasi mora miratimin e nënës ime, fillova diskutimet me misionarët dhe si përfundim u bashkova me Kishën.

Bashkimi me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më ndihmoi të gjeja qëllimin tim, veçanërisht në vitet kur isha një i ri në moshë madhore, kur më duhej të merrja shumë vendime me të cilat nuk binin dakord njerëzit përreth meje. Por edhe pse kisha një qëllim dhe drejtim, nuk isha gjithmonë i sigurt se si do të funksiononin gjërat.

Gjithsesi, ndërsa përballesha me gjëra të panjohura e të pasigurta dhe kaq shumë ndryshime, udhërrëfimi i Atit Qiellor ishte i vazhdueshëm kur i drejtohesha Atij. Mësova disa mënyra se si të mbështetesha tek Ai dhe tek besimi im, të cilat më ndihmuan të ecja përpara dhe të vazhdoja ta gjeja qëllimin tim.

Marrja e Vendimit për të Kryer një Mision

Në moshën kur shumica e bashkëmoshatarëve të mi po përgatiteshin të shkonin në kolegj, unë po vrisja mendjen se si do të shkoja në mision. Në Kili çdo njeri duhet të bëjë një provim përpara se të shkojë në universitet. Ofrohet vetëm një herë në vit, prandaj nëse shkoja në mision, jo vetëm që do ta vonoja arsimimin tim për dy vjet, por gjithashtu do të më duhej të prisja edhe një vit tjetër që të shkoja në shkollë pas misionit.

Familja ime, sidomos nëna ime, ishte kundër vajtjes në mision. Për të ishte shumë e rëndësishme që të merrja arsimimin në kolegj. Por unë besoja se Zoti do të më ndihmonte të bëja atë që ishte e nevojshme, prandaj plot lutje fillova të përgatitesha gjithsesi.

Kur peshkopi erdhi në shtëpinë time me dokumentet e përfunduara për misionin tim dhe i kërkoi nënës nënshkrimin e saj, ajo u habit; nuk i kisha thënë se po e vazhdoja procesin. U desh pak mund për ta bindur, por Zoti ia zbuti zemrën dhe e ndihmoi të kuptonte se unë dëshiroja të shërbeja.

Ungjilli më dha sigurinë se po bëja atë që duhej, por ishte vetëm duke shkuar përpara, hap pas hapi, me besim, madje me të gjitha pyetjet dhe pasiguritë e mia, që vazhdova të përparoja.

Ndjekja e Zbulesave Njëra pas Tjetrës

Kthimi në shtëpi nga misioni nënkuptonte gjithashtu kthimin drejt pasigurisë. Teksa kërkova udhërrëfim nga Ati Qiellor nëpërmjet lutjes e agjërimit, mora zbulesë se më nevojitej të shkoja në Shtetet e Bashkuara dhe të frekuentoja Universitetin “Brigam Jang”, gjë që dukej si një detyrë gati e pamundur.

Bëra më të mirën që munda dhe i hodha hapat më të mirë në vazhdim. Nganjëherë e ndieja se nuk po shkoja gjëkundi – po punoja sa më shumë që mundesha, por nuk e dija me siguri se përpjekjet e mia do të më ndihmonin të arrija synimet e mia. Sidoqoftë, synimi im kryesor ishte të ndiqja atë që Zoti dëshironte që unë të bëja dhe ai synim ishte i çmuar për mua.

Ndërkohë që i bëja ato përpjekje, një ditë u ndjeva i frymëzuar që t’i drejtohesha mikut tim të mirë që ishte nga Shtetet e Bashkuara dhe po jetonte në qytetin tim të lindjes. Nuk e dija se si do të përfundonin gjërat në atë kohë – iu drejtova thjesht sepse Shpirti më kishte udhëzuar ta bëja këtë gjë – por miku im dhe babai i tij arritën të ishin thelbësorë për të më ndihmuar që të dija se çfarë të bëja me kërkesën për të studiuar në UBJ dhe për vizën që më nevojitej. Me ndihmën e tyre dhe me sakrifica të jashtëzakonshme të bëra nga nëna ime për të më paguar udhëtimin, unë shkova atje. Ishte një mrekulli.

Jeta ime vazhdoi të përparonte në të njëjtën mënyrë. Do të bëja më të mirën dhe më pas merrja frymëzim, për gjërat një e nga një, se çfarë duhej të bëja më pas. Në atë mënyrë, gjeta punë në qendrën e trajnimit të misionarëve, gjeta mënyra për ta paguar shkollën time, vendosa se për çfarë të diplomohem, më së fundi u diplomova dhe u martova.

Përgjigjet që mora nuk ishin gjithmonë të menjëhershme dhe kurrë nuk pata një plan të hollësishëm në mënyrë të përsosur, por mora sigurinë se Zoti ishte i kënaqur me drejtimin ku po shkoja.

burrë duke vështruar jashtë nga dritarja

Kur Zbulesa Nuk Ka Kuptim

Pak vite më vonë mësova se si sakrifica thelbësore është të jetuarit e ungjillit. Nëse dëshirojmë që Zoti të na japë qëllim dhe drejtim, ne duhet të jemi të gatshëm ta pranojmë atë drejtim.

Pas shkollës, gjërat nuk shkuan sipas planit me kompaninë ku po punoja, prandaj unë dhe bashkëshortja ime kishim dy zgjedhje: të qëndronim në Shtetet e Bashkuara ose të ktheheshim në Kili. Që të dy e ndiem se na nevojitej të ktheheshim në Kili. Mund të dukej normale që të doja të kthehesha në shtëpi, por kjo ishte një kohë shumë e vështirë. Nuk kishte shumë vende pune në Kili. Po hasja vështirësi për ta shitur shtëpinë tonë. Nga ana financiare dhe logjistike nuk ishte gjëja më e mençur për t’u bërë; madje familjet tona menduan se po tregoheshim të pamend.

Çfarë të bësh kur zbulesa është në kundërshtim me logjikën e zakonshme? Ndonëse ishte e vështirë, unë dhe bashkëshortja ime e dinim se çfarë të bënim. Ia kujtuam vetes se ungjilli na kishte çuar deri aty ku ishim. Pa Zotin, unë nuk do ta kisha pasur frymëzimin që më ndihmoi të shërbeja në mision, të merrja arsimimin tim dhe të takoja bashkëshorten time. Thjesht na duhej të mirëbesonim se cilatdo të ishin arsyet, në Kili kishin nevojë për ne.

Ia lamë shtëpinë peshkopit tonë që të mund ta jepte me qira derisa të mund ta shiste dhe u shpërngulëm. Ishte e vështirë, por përjetuam aq shumë bekime dhe mrekulli kur ia vumë veshin thirrjes së Zotit. Zoti e di se ku kanë nevojë për ne dhe ku mund t’u shërbejmë më së miri qëllimeve të Tij dhe Ai do të na bekojë për bindjen tonë.

Gjetja e Zgjidhjeve Bashkë me Zotin

Shpresoj që të rinjtë në moshë madhore sot do të ndjekin shembullin e vëllait të Jaredit. Ndonëse jareditët e dinin se iu nevojitej të udhëtonin drejt tokës së premtuar, ata nuk ishin pikërisht të sigurt se si do të arrinin atje. Kur vëllai i Jaredit “thirri emrin e Zotit” (Ethëri 2:15), Ai i ofroi atij disa zgjidhje. Zoti i tha të ndërtonte barka dhe i dha udhëzim se si të siguronte ajër për njerëzit brenda barkave.

Por më pas Zoti i bëri vëllait të Jaredit këtë pyetje: “Ç’do që të bëj që të keni dritë në barkat tuaja?” (Ethëri 2:23.) Në vend që t’i thoshte vëllait të Jaredit saktësisht se çfarë të bënte, Zoti i kërkoi të shkonte dhe të gjente zgjidhjen e vet.

Kjo është mënyra se si ka funksionuar jeta ime. Nganjëherë Zoti më jep udhëzime të qarta. Herë të tjera Ai pret që unë të shkoj tek Ai me idetë e mia vetjake. Megjithatë, cilado qoftë mënyra, është thelbësore që ta përfshij Atë në këtë proces. Agjërimi, lutja dhe këshillimi me Zotin janë hapa të domosdoshëm për këdo që po përpiqet të marrë vendime rreth jetës së vet.

Për çdo të ri e të re në moshë madhore që po kërkon qëllim më të madh, unë ofroj këtë këshillë: Drejtojuni Zotit për zbulesë vetjake. Referojuni shpesh bekimit tuaj patriarkal. Dhe jini të gatshëm të sakrifikoni gjërat më pak të rëndësishme në jetën tuaj nëse Zoti ju thotë se Ai ka një qëllim më të madh për ju.

E dua Zotin. Ungjilli është gjithçka për mua. Unë e di se Zoti e sheh potencialin tuaj dhe dëshiron t’ju ndihmojë të arrini qëllimin tuaj hyjnor.