“Bukuria e Mplakjes”, Liahona, shtator 2022.
Mplakja me Besnikëri
Bukuria e Mplakjes
Do të parapëlqeja të kisha një fytyrë që i tregon vijat e së qeshurës dhe të lotëve.
Më kujtohet kur isha fëmijë e shihja faqet plot rrudha të gjyshes sime. Vijat i rrudhosnin cepat e syve të saj dhe vija të vockla i jepnin hir buzës së saj të sipërme. E pyeta se çfarë të bëja që të mos kisha rrudha.
“Mos buzëqesh”, – tha ajo. “Dhe mos qaj.”
E ndoqa këshillën e saj – për një ditë. Më pas u dorëzova. Si mund të jetojë një njeri pa buzëqeshur ose pa qarë? Vendosa që do të parapëlqeja të kisha një fytyrë që i tregon vijat e së qeshurës dhe të lotëve.
Në Librin e Mormonit Lehi i mësoi birit të tij, Jakobit, se ne jemi këtu në vdekshmëri që të kemi gëzim (shih 2 Nefi 2:25). Por ai gjithashtu i mësoi se që të njohim gëzimin, ne duhet të përjetojmë hidhërimin (shih 2 Nefi 2:22–23). Kam arritur të shoh prova të gëzimit dhe të hidhërimit, teksa gdhenden në fytyrat e atyre njerëzve që e kanë jetuar jetën. Fytyrat e tyre mbartin historitë e jetës së tyre.
Jam dakord me personin që tha: “Njerëzit e bukur, të moshuar janë vepra arti”1. Disa njerëz zhvillojnë një karakter me kalimin e moshës që i bën të mrekullueshëm. Për shembull, kam vështruar në sytë e punonjëseve të thinjura, me veshje të bardha të tempujve dhe jam befasuar nga drita e pabesueshme që shkëlqen në sytë e tyre dhe ndriçon në fytyrat e tyre plot buzëqeshje.
Tani që po bëhem vetë një grua e moshuar, po mësoj se ka gëzime të caktuara që vijnë me plakjen. Për shembull, kam arritur të ndihem më rehat me trupin tim. Jam thjesht mirënjohëse që akoma funksionon. Mund të ec më ngadalë dhe të flas më ngadalë se sa ecja ose flisja dikur. Mund të kem vënë ca bark dhe krahët më janë bërë më të buta nga shtimi në peshë. Por më pëlqen të mendoj se edhe prekja ime është më e butë.
E di se unë akoma mund të vazhdoj të përparoj e mësoj, se “çfarëdo parimi inteligjence që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihet me ne në ringjallje” (Doktrina e Besëlidhje 130:18). Dhe kështu mezi i pres mësimet që ende mund t’i mësoj. Për më tepër, unë mund të ndihmoj njerëz të tjerë, si p.sh., nipërit e mbesat e mia, që të mësojnë nga historitë e jetës sime të cilat mund t’ua tregoj atyre.
Bashkëshorti im dhe unë jemi madje më në gjendje që ta pranojmë njëri‑tjetrin dhe të dimë se ne, gjithashtu, akoma mund të mësojmë dhe të rritemi së bashku. Martesa jonë është pasuruar më shumë për shkak të stuhive që i kemi duruar së bashku. Fëmijët tanë janë rritur dhe na kanë bërë krenarë ose na kanë shqetësuar, në varësi të ditës. Nipërit dhe mbesat na sjellin vërtet gëzim e ngazëllim.
Dhe me mplakjen vjen ndërgjegjësimi se jeta në vdekshmëri nuk zgjat përgjithmonë. Tani është koha për të bërë ato gjëra që kam pasur si qëllim t’i bëj. Nëse jo tani, atëherë kur? “Vini re, dita e kësaj jete është dita për njerëzit që të kryejnë punët e tyre” (Alma 34:32). Me shpresë, me mplakjen e kuptojmë se tani është koha për të thënë fjalët e pathëna, për të shëruar marrëdhëniet dhe për të përmbushur synimet e mbetura.
Teksa mplakem, mendoj rreth trashëgimisë që do t’u lë pasardhësve të mi. Shpresoj se pjesë e saj do të jetë që ndërsa përjetova gëzim e hidhërim, unë gjeta urtësi. Dhe për shkak të saj, gjeta bukuri te mplakja.
Autorja jeton në Kaliforni, SHBA.