2022
A Jam Unë e Vetmja e Re në Moshë Madhore që po Lufton për të Gjetur Qëllimin e Vet?
Shtator 2022


“A Jam Unë e Vetmja e Re në Moshë Madhore që po Lufton për të Gjetur Qëllimin e Vet?”, Liahona, shtator 2022.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

A Jam Unë e Vetmja e Re në Moshë Madhore që po Lufton për të Gjetur Qëllimin e Vet?

U ndjeva sikur e kisha bërë lëmsh planin – planin tim për veten dhe planin e Perëndisë për mua.

Pamja
e re në moshë madhore duke u ngjitur nëpër blloqe

Në ditëlindjen time të 25‑të po rregulloja dhomën e gjumit. Dhoma ime nuk ishte në rregull dhe vazhdova të mendoja se as jeta ime nuk ishte në rregull. Nuk isha atje ku mendoja se do të isha në moshën 25 vjeçe. Nuk isha atje ku hamendësoja se do të isha.

Mendova për mënyrën se si u ndjeva kur isha adoleshente dhe mora bekimin tim patriarkal. Sa herë që lexoja rreth së ardhmes sime, përfytyroja dikë që ishte pothuajse e përsosur. Por e kuptova se nuk isha rritur sa të isha personi që imagjinoja. Dhe vrisja mendjen, nëse vetja ime më e re në moshë mund të shihte tani, a do të ishte e zhgënjyer ajo?

Papritur u gjenda me lot në sy. U ndjeva sikur e kisha bërë lëmsh planin e jetës sime. Nuk kisha bërë ndonjë gabim katastrofik, por gjithashtu u ndjeva sikur nuk kisha bërë asgjë që ta tregoja për jetën time. Nuk kisha qëllim. Kushdo tjetër e dinte se çfarë duhej të bënte në jetë dhe ja ku isha unë, duke qarë në dyshemenë e dhomës sime të gjumit, duke ndier se tërë jeta ime qe një humbje.

U ndjeva e vetmuar në pështjellimin dhe dëshpërimin tim. Por edhe në atë kohë e dija se nuk mund të isha e vetmja e re në moshë madhore që po luftonte për të gjetur udhën e vet. Ndërkohë që kam folur me njerëz të tjerë, kam zbuluar se jeta e shumë pak njerëzve përfundon saktësisht siç e planifikuan ata. Dhe kjo më ndihmon të ndihem më pak e vetmuar.

Gjithashtu më ndihmon t’i kujtoj vetes se Ati Qiellor nuk dëshiron që unë të ndihem si një dështim. Ai dëshiron që unë të “shko[j] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës” (2 Nefi 31:20). Ai beson në aftësinë time për të ndryshuar dhe për t’u rritur nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit. Vetëm Satani do të donte që t’i thosha vetes se e kam humbur mundësinë time për t’u bërë personi që Ati Qiellor e di se mund të jem.

Të Kuptuarit e Planit të Lumturisë

Nganjëherë shumë prej nesh ndihen të pashpresë për të ardhmen. Dhe kjo mund të jetë ngaqë e keqkuptojmë planin e Perëndisë për lumturinë. Ndoshta mendojmë se jeta jonë është si një lojë kompjuterike – një linjë e caktuar historie që duhet ta ndjekim me qëllim që të fitojmë. Por kjo nuk është mënyra se si funksionon. Çdo ditë ne po bëjmë zgjedhje, po ndryshojmë dhe po rritemi. Nuk ka asgjë të pandryshueshme ose fikse tek ajo. Zgjedhjet tona nuk do të jenë kurrë një e papritur për Atin Qiellor, por ato prapëseprapë janë zgjedhjet tona. Ne po e shkruajmë vetë historinë tonë, me Të, teksa ecim përpara.

Dhe nëse e lejojmë “Krishtin të jetë autori dhe plotësuesi i historisë [sonë]”1, ne gjithmonë mund të shohim me vetëbesim drejt një fundi të lumtur, të përjetshëm.

Nganjëherë bëjmë gabime ose e humbasim drejtimin, duke iu dorëzuar endjes përgjithmonë pa qëllim.

Por ky është një ungjill shprese. I gjërave të humbura që po gjenden. Është një ungjill mësimi. Faljeje. Përpjekjeje sërish. Siç dha mësim Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Pendimi nuk është plani rezervë; ai është plani”2.

Dashuria e Atit Qiellor për ne është e përsosur dhe plani i Tij për ne është gjithashtu i përsosur. Ai është një plan i përsosur për njerëz të papërsosur, i hartuar me kujdes dhe me kuptueshmëri për nevojat tona dhe potencialin tonë. Në planin e Tij ka vend për dështimet tona, gabimet tona të paqëllimshme, mëkatet tona kokëforta dhe endjet tona në vendin e shkretë. Dhe në planin e Tij ka vend për fitoret tona, që ne i sigurojmë çdo herë që shohim tek Ai dhe përpiqemi sërish.

Gjetja e Qëllimit Tuaj

Kam shpenzuar shumë kohë që nga ajo ditëlindje duke menduar rreth qëllimit tim. Ende nuk e kam kuptuar tamam gjithçka. Por nuk ndihem më kaq e shqetësuar. E di se Perëndia më njeh dhe se, në qoftë se i drejtohem Atij, Ai do të më ndihmojë të krijoj kuptim në rrethanat që jam tani.

Ndoshta dikush një ditë do të gjejë një kurë për kancerin ose do t’i japë fund urisë botërore apo do të arrijë paqe në botë. Por dikush sot do të ngushëllojë një mik ose mikeshë të pikëlluar apo do të ndihmojë një të panjohur ose të lutet për herë të parë pas shumë vitesh. Dhe mendoj se kjo do të thotë diçka – madje gjithçka.

E vërteta është që shumica prej nesh në këtë jetë nuk do të bëjmë gjëra të lavdishme që do ta tundin botën. Por kjo nuk do të thotë që nuk kemi qëllim. Qëllimi ynë përfundimtar si fëmijë të Perëndisë është që të bëhemi si Ai. Dhe ne rritemi në atë qëllim teksa bëjmë gjëra të vogla çdo ditë për ta ndjekur Jezu Krishtin.

Kam arritur të gëzohem me mësimin nga ungjilli se “nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen” (Alma 37:6). Ndërsa e hedh vështrimin pas në jetën time, nuk shoh ndonjë gjë madhështore. Por shoh vërtet shumë “gjëra të vogla dhe të thjeshta” që kanë sjellë ndryshim të madh. Dhe unë e di se nëpërmjet hirit të Shpëtimtarit, përpjekjet e mia të vogla e me besim po shtrojnë shtegun tim për t’u bërë si Ai.

Shtegu i askujt nuk do të duket tamam si i juaji. Por nëse përpiqeni të bëni më të mirën që mundeni për të hedhur hapa drejt Krishtit, shtegu juaj është një shteg i mirë. Krijuesi i Gjithëfuqishëm ka besim te ju, prandaj qëndroni plot guxim dhe kini besim te vetja. Perëndia ka ruajtur për ju gjëra mahnitëse dhe, edhe kur ndiheni të vegjël dhe të thjeshtë, Ai “do t’ju ndihmojë të bëheni diçka më e madhe nga ajo që e menduat ndonjëherë të mundur”3.

Shtyp në Letër