2022
Zgjidhni të Keni një Mendje të Kontrolluar nga Fryma
Shtator 2022


“Zgjidhni të Keni një Mendje të Kontrolluar nga Fryma”, Liahona, shtator 2022.

Zgjidhni të Keni një Mendje të Kontrolluar nga Fryma

Ruajtja e përparimit tonë shpirtëror në shtegun e ungjillit është si ngarja e një biçiklete – që të dyja kërkojnë përpjekje të zellshme.

biçikletë

Ilustrimet nga Dilleen Marsh

Përballja me ndryshimin dhe të diturit se çfarë të bëjmë në kohë shqetësimi, është një nga bekimet e jashtëzakonshme të të qenit anëtar besnik i Kishës së Zotit. Dhurata e Frymës së Shenjtë është privilegji për të marrë udhërrëfim e frymëzim të vazhdueshëm kur qëndrojmë besnikë.

Jeta, Paqja, Udhërrëfimi dhe Mbrojtja

Apostulli Pal tha: “Mendja e kontrolluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe” (Romakëve 8:6; shih edhe vargun 5).

Zgjedhja që të keni mendje të kontrolluar nga fryma nëpërmjet të jetuarit të një jete të denjë që të keni bindjet e buta nga Fryma e Shenjtë, do t’ju sigurojë udhërrëfim në vendimet tuaja dhe mbrojtje nga rreziku si fizik ashtu edhe shpirtëror. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë ju mund të merrni dhurata të Shpirtit për përfitimin tuaj dhe për përfitimin e njerëzve që i doni dhe të cilëve u shërbeni. Komunikimi i Tij me shpirtin tuaj mban shumë më tepër siguri sesa ndonjë komunikim që mund ta merrni nëpërmjet shqisave tuaja natyrore.

Si mund të jetoni një jetë me një mendje të kontrolluar nga fryma dhe të keni udhërrëfim më të bollshëm nga Fryma e Shenjtë?

1. Jini në harmoni me Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin.

Kur jemi në harmoni me Atin Qiellor, ne kemi shoqërimin e Shpirtit të Tij. Kur e bëjmë atë harmoni një përparësi në jetën tonë, ne afrohemi më shumë tek Ai dhe Biri i Tij, “Jezu Krishti, të cilin ai e ka dërguar” (Doktrina e Besëlidhje 132:24).

2. Duajeni Perëndinë.

Dashuria për Atin tonë Qiellor dhe kultivimi i një marrëdhënieje me Të në lutje, do ta mbajnë Atë në mendjet dhe zemrat tona.

Apostulli Gjon, me dëshminë e tij për dashurinë e Perëndisë ndaj nesh dhe me dëshminë e tij vetjake për Jezu Krishtin, përgënjeshtroi bindjen e rreme se shpëtimi mund të arrihet nëpërmjet mënyrave të tjera në vend të besimit te Jezu Krishti. Gjoni i ftoi lexuesit e tij që të përjetonin gëzimin e të qenit në harmoni me Atin dhe Birin (shih 1 Gjon 1:3). Ai shtoi:

“Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të. …

Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë” (1 Gjon 2:15, 17).

Në këtë jetë ne mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë nëpërmjet shoqërimit të Shpirtit të Tij. Kur e bëjmë vullnetin e Atit tonë në Qiell dhe përpiqemi fort të qëndrojmë në shtegun që na çon tek Ai, Fryma e Shenjtë mund të na udhërrëfejë.1

3. Mbajeni mend atë që Shpëtimtari bëri për ne.

i ri duke shpërndarë sakramentin

Premtimi në të dyja lutjet e sakramentit është “që ata [që e marrin] të mund të … kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta” (Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79). Ne e marrim sakramentin çdo javë sepse dëshirojmë ta ruajmë dhe ushqejmë shpirtshmërinë tonë.

Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, dha mësim: “Kur largohemi më shumë nga të qenit si bota, ne ndihemi më pranë Atit tonë në Qiell dhe më të aftë që të udhërrëfehemi nga Shpirti i Tij. Ne e quajmë këtë cilësi të jetës shpirtshmëri.” Presidenti Ouks shtoi: “Mënyra se si e interpretojmë përvojën tonë është gjithashtu një funksion i shkallës sonë të shpirtshmërisë. … Ne që kemi dëshmi për ungjillin e Jezu Krishtit duhet t’i interpretojmë përvojat tona sipas njohurisë sonë për qëllimin e jetës, misionin e Shpëtimtarit tonë dhe fatin e përjetshëm të fëmijëve të Perëndisë.”2

4. Dallojini gjërat shpirtërore.

Unë dëshmoj se shpirtshmëria është një bekim i përpjekjes së vazhdueshme nga ana jonë. Kur përpiqemi të mësojmë dhe të ndjekim nxitjet e Shpirtit, ne mund t’i dallojmë më me lehtësi gjërat e Perëndisë nga gjërat e botës.

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Ashtu siç përsëritja dhe përpjekjet këmbëngulëse nevojiten për të fituar një aftësi fizike apo mendore, po kjo është e vërtetë në çështjet shpirtërore”3.

Zhvillojeni Shpirtshmërinë Tuaj

Falë largpamësisë së udhëheqësve të Kishës ne kemi shumë mjete të shkëlqyera për të na ndihmuar në forcimin e shpirtshmërisë sonë. Mendoni rreth zhvillimit të programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] që e lejon fuqinë e shkrimeve të shenjta dhe studimin e ungjillit të jenë vërtet në xhepin tuaj gjatë gjithë kohës. Mendoni për ndryshimet që lidhen me dhënien e shërbesës të cilat e nxitin përdorimin e teknologjisë teksa i ndihmojmë të tjerët. Merrni parasysh metodën e përqendruar te shtëpia, të përkrahur nga Kisha të të mësuarit dhe programin mësimor Eja, Më Ndiq, të cilat mund ta përmirësojnë shpirtshmërinë tonë kudo që jemi.

Nuk ka pse të jemi në një karantinë shpirtërore kur kemi gjithë këto burime në dispozicion. Ne mund të punojmë së bashku, duke zgjedhur çdo mundësi për të pasur një mendje të kontrolluar nga fryma, duke nxitur jetë e paqe dhe duke e bërë në mënyrë të vetëdijshme shpirtshmërinë një pjesë përbërëse të jetës sonë. Shkrimi i shenjtë na mëson: “Fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia [dhe] vetëkontrolli” (Galatasve 5:22–23).

Bëni dhe Mbani Synime Shpirtërore

Një person me një mendje të kontrolluar nga fryma orvatet që ta forcojë shpirtshmërinë e vet dhe, kur cakton synime, bën pyetjen: “A po i kushtojnë synimet e mia vëmendjen e duhur nevojave të mia shpirtërore?”

Një person me një mendje të kontrolluar nga fryma përpiqet të dijë se si t’i ndjekë nxitjet shpirtërore dhe më pas të veprojë sipas atyre nxitjeve. Si rrjedhojë, është thelbësor caktimi i synimeve për rritjen shpirtërore.

Eni, mbesa jonë pesëvjeçare, caktoi si synim që të mësonte të ngiste biçikletën. Ajo u ushtrua dhe e mësoi shpejt, prandaj prindërit e morën në një shëtitje me biçikletë si familje.

Teksa ngisnin biçikletat, nëna e Enit shprehu habinë se sa mirë Eni e ngjiti me biçikletë një kodër dhe kaloi nëpër një urë. Eni tregoi të fshehtën e suksesit të saj: “Thjesht mbahem fort, mami, dhe vazhdoj pedalimin”.

Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Është nëpërmjet pedalimit që mund ta ruajmë drejtpeshimin tonë. Veprimet e thjeshta, të përditshme të lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe ndjekjes së këshillës profetike e mbajnë shpirtshmërinë tonë në lëvizje përpara, pavarësisht nga kodrat, pandemitë dhe ndryshimet e jetës.

familje duke parë shkrimet e shenjta së bashku

Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Kur dëshira juaj më e madhe është ta lejoni Perëndinë të triumfojë, të jeni pjesë e Izraelit, kaq shumë vendime bëhen më të lehta. Kaq shumë gjëra me rëndësi bëhen pa rëndësi! … E dini se çfarë dëshironi të përmbushni. E dini se çfarë njeriu dëshironi vërtet të bëheni.”4

Kur përqendroheni në atë që ka vërtet rëndësi, do ta shihni se procesi i forcimit të shpirtshmërisë suaj dhe i bërjes me një mendje të kontrolluar nga fryma mund të jetë i thjeshtë, edhe pse kërkon përpjekje dhe zell. Prandaj mbahuni fort dhe vazhdoni pedalimin!

Kultivojeni Liahonën Tuaj Shpirtërore

Ju shtyheni, nxiteni dhe tërhiqeni në kaq shumë drejtime nëpërmjet zërave të shumtë të kësaj bote, që me raste mund të ndiheni ngurrues se në cilin drejtim duhet të shkoni. Mbani mend se Liahona juaj shpirtërore funksionon më së miri kur e veçoni zërin e Shpirtit nga zërat e botës.

Fryma e Shenjtë është i qetë, i qartë e ngushëllues. Ai jep udhërrëfim të veçantë për t’ju sjellë paqe dhe shpresë. Ai funksionon në unitet të përsosur me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, duke përmbushur disa role që ju ndihmojnë të jetoni me drejtësi dhe të merrni bekimet e ungjillit.

“Burimi themelor i fuqisë shpirtërore është Perëndia, Ati ynë”, – tha Presidenti Nelson. “Lajmëtari i kësaj fuqie është Fryma e Shenjtë. Kjo fuqi ndryshon nga fuqia elektrike. Një pajisje elektrike konsumon fuqi. Përdorimi i fuqisë së Tij shpirtërore e rimbush fuqinë tonë. Ndërkohë që fuqia elektrike mund të përdoret vetëm për periudha të caktuara kohore, fuqia shpirtërore mund të përdoret për kohën dhe përjetësinë!”5

Që të keni një mendje të kontrolluar nga fryma, mbahuni fort, vazhdoni pedalimin dhe caktoni synime shpirtërore. Përdorini burimet e shumta në dispozicion që ta forconi shpirtin tuaj.

Unë dëshmoj se të kemi një mendje të kontrolluar nga fryma është me të vërtetë të kemi jetë e paqe (shih 2 Nefi 9:39), se cilësia jonë e jetës përmirësohet kur jemi në harmoni me Atin e Birin, se Perëndia na do dhe është i vetëdijshëm për ne dhe nevojat tona.

Nga një bisedë në një takim shpirtëror, “To Be Spiritually Minded Is Life and Peace”, e dhënë në Universitetin “Brigam Jang” më 9 shkurt 2021. Për bisedën e plotë, shkoni te speeches.byu.edu.

Shënime

  1. Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985) dha mësim: “Të kesh shoqërim me Zotin në këtë jetë është të gëzosh shoqërimin e Shpirtit të Tij të Shenjtë” (Doctrinal New Testament Commentary [1973], 3:374).

  2. Dallin H. Oaks, “Spirituality”, Ensign, nëntor 1985, f. 61.

  3. Kuentin L. Kuk, “Themelet e Besimit”, Liahona, maj 2017, f. 129.

  4. Rasëll M. Nelson “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 94.

  5. Russell M. Nelson, “Protect the Spiritual Power Line”, Ensign, nëntor 1984, f. 31.