“Thjesht Provojeni Sërish”, Liahona, shtator 2022.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Thjesht Provojeni Sërish
Isha shumë e zënë duke bërë gjëra të mira, por marrëdhënia ime me Zotin çalonte ngaqë kisha lënë pas dore diçka shumë më të rëndësishme.
Kur mbarova misionin në janar 2019, isha e sigurt se do ta vazhdoja me lehtësi studimin tim të përditshëm të shkrimeve të shenjta. Në fillim, kjo ishte e vërtetë. Pas pune kthehesha në shtëpi dhe i lexoja shkrimet e shenjta me përpikëri. Isha e lumtur që ende i përkushtohesha leximit të shkrimeve të shenjta dhe mësimit rreth Shpëtimtarit.
Kjo gjë ndryshoi në qershor 2019 kur i dashuri im u kthye nga misioni i vet. Filluam të dilnim në takime menjëherë dhe u fejuam gjashtë javë më vonë.
Në gjendjen e zënë me planifikimin e dasmës, punën, vajtjen në kolegj dhe shpenzimin e kohës me të fejuarin tim, studimi im i shkrimeve të shenjta shpejt u pakësua deri në dy herë në javë. Ngaqë isha shpërqendruar nga gjëra të mira, unë padashur e lashë pas dore marrëdhënien time me Zotin.
Bashkëshorti im dhe unë u martuam në nëntor 2019. Pas festave u përpoqa ta filloja atje ku i kisha lënë shkrimet e shenjta. Për pak muaj unë dhe bashkëshorti im i studiuam me sukses shkrimet e shenjta së bashku. Çdo mëngjes, për pak minuta i lexonim shkrimet e shenjta dhe diskutonim një mësim nga programi Eja, Më Ndiq përpara se të dilnim nga dera për në punë ose shkollë.
Më pas goditi pandemia e COVID-19. Me oraret rigoroze të shkollës dhe të punës ne e humbëm rutinën tonë të studimit të shkrimeve të shenjta në mëngjes. Studionim vetëm hera‑herës dhe marrëdhënia jonë me Zotin çalonte. Edhe pasi kufizimet u larguan dhe u kthyem në kishë, ne ende hasnim vështirësi me studimin.
Anëtarët e Kishës shpesh kanë periudha kur e kanë të vështirë t’i lexojnë shkrimet e shenjta rregullisht. Jeta jonë është e ngarkuar dhe ne përballemi me sfida çdo ditë. Por nuk është kurrë shumë vonë për të filluar përsëri.
“Zoti nuk pret përsosuri prej nesh në këtë pikë të përparimit tonë të përjetshëm”, – tha Presidenti Rasëll M. Nelson. Por ai shtoi: “Ne të gjithë mund të bëjmë më mirë dhe të jemi më të mirë”1.
Unë dhe bashkëshorti im kohët e fundit u zotuam sërish ndaj leximit të shkrimeve tona të shenjta. Ende nuk jemi të përsosur në këtë gjë, por përpiqemi çdo ditë që t’i forcojmë dëshmitë tona. Jam mirënjohëse për mundësitë e shumta që Zoti na i jep për t’u penduar, për të bërë më mirë dhe për të qenë më të mirë.