“Plaku Ezra Taft Benson Duke Vizituar Shenjtorët në Poloni”, Liahona, shtator 2022.
Histori nga Saints [Shenjtorët], Vëllimi 3
Plaku Ezra Taft Benson Duke Vizituar Shenjtorët në Poloni
Në një mbrëmje të freskët të diele, në verën e vitit 1946, Ezra Taft Bensoni dhe dy shoqërues udhëtimi nganë makinën përgjatë rrugëve tmerrësisht të qeta të Celvagit në Poloni. Rrugët e pashtruara dhe shirat e rrëmbyeshëm i kishin bezdisur udhëtarët gjatë gjithë ditës, por moti i keq më së fundi ishte larguar teksa burrat iu afruan vendmbërritjes së tyre.
Dikur Celvagi kishte qenë pjesë e Gjermanisë dhe njihej me emrin Zelbongen. Gjithsesi, kufijtë shtetërorë kishin ndryshuar pas luftës dhe pjesa më e madhe e Europës Qendrore dhe Lindore kishte rënë nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1929, dega plot anëtarë në Zelbongen kishte ndërtuar shtëpinë e parë të mbledhjeve për shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Gjermani. Por pas gjashtë vjetësh lufte, shenjtorët në atë fshat mezi po mbijetonin.1
Fakti që Plaku Benson ishte vërtet në Poloni u duk si një mrekulli. Pa linja telefonike që punonin në Poloni, ai dhe shoqëruesit e tij e kishin pasur të vështirë të viheshin në kontakt me zyrtarë që mund t’i ndihmonin për të siguruar dokumentet që të hynin në atë shtet. Vetëm pas shumë lutjesh dhe kontakti të përsëritur me qeverinë polake, apostulli ishte në gjendje të merrte vizat e nevojshme.2
Teksa xhipi iu afrua shtëpisë së vjetër të mbledhjeve në Celvagi, shumica e njerëzve në rrugë u shpërndanë dhe u fshehën. Plaku Benson dhe ata që e shoqëronin e ndaluan makinën përpara godinës dhe zbritën. Ata i thanë se kush ishin një gruaje aty pranë dhe e pyetën a e kishin gjetur godinën kishtare të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Sytë e gruas u mbushën me lot lehtësimi. “Vëllezërit janë këtu!” – thirri ajo në gjermanisht.
Menjëherë njerëz dolën nga prapa dyerve të mbyllura, duke qarë e duke qeshur me gëzim. Shenjtorët e Celvagit nuk kishin pasur kontakt me udhëheqësit e përgjithshëm të Kishës për tre vjet dhe atë mëngjes shumë prej tyre kishin qenë duke agjëruar dhe duke u lutur për një vizitë nga një misionar ose një udhëheqës i Kishës. Brenda pak orësh rreth njëqind shenjtorë u mblodhën për të dëgjuar apostullin që t’u fliste.
Ndërkohë që Plaku Benson u fliste shenjtorëve, dy ushtarë të armatosur polakë hynë në sallën e mbledhjes. Bashkësia ngriu nga frika, por apostulli u bëri shenjë ushtarëve të uleshin pranë kreut të dhomës. Në bisedën e tij ai theksoi rëndësinë e lirisë. Ushtarët dëgjuan me vëmendje, qëndruan të ulur në vendet e tyre për këngën e mbylljes dhe u larguan pa asnjë incident. Më pas, Plaku Benson u takua me presidentin e degës dhe la ushqime e para për shenjtorët, duke i siguruar se po vinte më shumë ndihmë.3
Pak kohë më vonë, Plaku Benson i shkroi Presidencës së Parë. Ai mori zemër kur pa që ndihma e Kishës po arrinte te shenjtorët në Europë, por shqetësohej rreth vështirësive me të cilat ende përballeshin shenjtorët.
“Ndoshta përfitimet e shumta të programit të shkëlqyer të Kishës për mirëqenien nuk do t’u bëhen të njohura këtyre shenjtorëve si dhe shenjtorëve tanë të tjerë në Europë”, – shkroi ai, “por pa dyshim janë kursyer shumë jetë dhe u forcua jashtëzakonisht besimi dhe guximi i shumë prej anëtarëve tanë të devotshëm.”4