“Drita e Jetës”, Liahona, janar 2023.
Drita e Jetës
Shpëtimtari Jezu Krisht është drita jonë, jeta jonë dhe udha jonë – dje, sot dhe përgjithmonë.
Ndërsa dielli po perëndonte një të diel tjetër në vitin 1948, e gjeta veten duke ecur teposhtë buzë lumit Trent në Notingam të Anglisë. Si misionar 20‑vjeçar që isha, sapo isha thirrur si president i distriktit. Kishte qenë një ditë e gjatë, rraskapitëse e mbushur me mbledhje dhe dhënie shërbese, por isha i lumtur dhe i kënaqur nga puna.
Teksa ecja përgjatë lumit, bëra një lutje në zemër. Me shpresën se do të ndieja udhërrëfim nga Zoti, e pyeta: “A po bëj atë që do Ti?”
Më pushtoi një ndjenjë e plotë paqeje dhe kuptueshmërie. Pikërisht në atë çast, arrita të kuptoja se Jezu Krishti më njihte dhe më donte. Nuk pashë as vegim dhe as dëgjova ndonjë zë, por nuk do të mund ta kisha ditur me më shumë fuqi realitetin dhe hyjninë e Krishtit edhe po të kishte qëndruar para meje dhe të thërriste emrin tim.
Kjo përvojë e ëmbël dhe e përzemërt i ka dhënë trajtë jetës sime. Nga ajo ditë e deri më sot, çdo vendim i rëndësishëm që kam marrë, është ndikuar nga njohuria ime për Shpëtimtarin. Me kalimin e viteve dhe pothuajse në të gjithë botën mbarë, kam dëshmuar se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, Drita e Botës. Është një privilegj për ne që të vijmë tek Ai, ta ndjekim Atë dhe të ndiejmë dritën e Tij në jetën tonë.
Drita e Botës
Një natë, shumë vjet pas asaj përvoje të paharrueshme si misionar, bashkëshortja ime, Barbara, dhe unë, po vështronim qiellin. Ndërsa e bënim këtë, ngrita sytë i mahnitur drejt miliona yjeve, që dukeshin veçanërisht të ndritshëm dhe të bukur atë natë. Mendimet e mia u drejtuan me habi te fjalët e Zotit drejtuar Moisiut: “Dhe botë pa numër kam krijuar; dhe unë gjithashtu i krijova ato për qëllimin tim; dhe me anë të Birit i krijova ato, që është i Vetëmlinduri im” (Moisiu 1:33).
Nga Shpëtimtari erdhi fuqia që i krijoi dhe që i ndriçon diellin, hënën, yjet dhe tokën (shih te Doktrina e Besëlidhje 88:7–10). Ai mund të shpallë me të drejtë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12; shih edhe te Gjoni 9:5).
Me fjalët e Presidentit Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë: “Jezu Krishti është drita e botës sepse ai është burimi i dritës që ‘vjen nga prania e Perëndisë për të mbushur pafundësinë e hapësirës’ [Doktrina e Besëlidhje 88:12]”. Drita e Shpëtimtarit është “drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri që vjen në botë” (Doktrina e Besëlidhje 93:2; shih edhe 84:46). Me këtë dritë, ne mund të dimë si të gjykojmë “të mirën nga e keqja” (Moroni 7:16). Kjo dritë universale njihet si “drita e së vërtetës”, “drita e Krishtit” dhe “Shpirti i Krishtit” (Doktrina e Besëlidhje 88:6; 88:7; Moroni 7:16).1
Apostulli Gjon tha: “Drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi” (Gjoni 1:5). Në kohën tonë, Satani po punon me orë shtesë për t’i udhëhequr fëmijët e Perëndisë në errësirë, duke e penguar “drit[ën] dhe jet[ën], dhe [të] vërtet[ën] e botës (Ethëri 4:12).
Ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht, ose ta vlerësojmë plotësisht, Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij kur e humbasim dritën dhe të vërtetën e Tij. Por ndërsa pendohemi dhe bindemi, i shërbejmë dhe e adhurojmë Atë, ne e mposhtim errësirën. Drita e Tij kthehet dhe i largon hijet e botës nga mesi ynë dhe nga mendja jonë.
Të Bekuar nga Drita
Ndërsa bota bëhet më e errët dhe më e paqëndrueshme, mund të na duket si një sfidë që ta ndiejmë dritën e Zotit në jetën tonë. Por Presidenti Rasëll M. Nelson na ka kujtuar: “Errësira në rritje që e shoqëron fatkeqësinë, bën që drita e Jezu Krishtit të ndriçojë përherë më e shkëlqyeshme”2.
Kam zbuluar se drita e Tij ndriçon më fort në shpirtin tim kur gjej kohë për gjërat e Shpirtit gjatë çasteve të qeta, në heshtje si atë natë me Barbarën. Atëherë është koha kur na vijnë mbresat shpirtërore, udhërrëfimi dhe drita. Atëherë është koha kur arrijmë ta kuptojmë se sa të bekuar jemi vërtet që kemi një Shpëtimtar.
Si Drita e Botës, Shpëtimtari e ndriçon shtegun e rrugëtimit tonë në vdekshmëri me shembullin dhe mësimet e Tij (shih te Gjoni 8:12). Ai na e lehtëson barrën me dashurinë dhe dhembshurinë e Tij (shih te Mateu 11:28–30). Ai i ndriçon zemrat tona me shpresë dhe shërim nëpërmjet Shlyerjes së Tij (shih te Moroni 7:41). Dhe Ai na e ndriçon mendjen me “Shpirti[n e] së vërtetës” (Doktrina e Besëlidhje 6:15; shih edhe 11:13).
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka thënë: “Në çdo stinë të jetës sonë, në të gjitha rrethanat që mund të hasim dhe në secilën sfidë me të cilën mund të përballemi, Jezu Krishti është drita që e shpërbën frikën, jep siguri e drejtim dhe shkakton paqe e gëzim jetëgjatë”3.
Mbajeni Lart Dritën Tuaj
Privilegji i shpërndarjes së dritës së Shpëtimtarit tek të tjerët dhe i ftesës ndaj tyre që të vijnë tek Ai dhe ta ndiejnë dashurinë e Tij për ta ka qenë gjithnjë i veçantë për mua. Më pëlqente shumë të isha misionar në Angli. Më pëlqente shumë të isha president misioni në Kanada. Dhe më pëlqen pa masë thirrja ime aktuale si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Thirrja ime më jep mundësi të dëshmoj për Jezu Krishtin dhe ta shpërndaj mesazhin e Rivendosjes anembanë botës.
Në lashtësi, Shpëtimtari u tha dishepujve të Tij:
“Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. …
Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:14,16).
Popullit të Nefit , Ai i tha: “Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart – atë që më keni parë duke bërë”. Ai shtoi: “Ju i dini gjërat që duhet të bëni në kishën time; pasi veprat që më keni parë të bëj, duhet t’i bëni edhe ju” (3 Nefi 18:24; 27:21).
Në kohën tonë, Shpëtimtari po njësoj pret që dishepujt e Tij ta përdorin dritën e Tij për ta “larg[uar] errësirën nga mesi [ynë]” (Doktrina e Besëlidhje 50:25). Drita jonë shkëlqen ndërsa duam sikurse deshi Jezusi. Drita jonë shkëlqen ndërsa japim dëshminë tonë për Rivendosjen dhe shpresën tonë te Krishti. Drita jonë shkëlqen ndërsa e ngremë zërin në mbrojtje të së vërtetës. Dhe ndërsa drita jonë shkëlqen, ne tërheqim të tjerë te burimi i asaj drite.
Jepni shërbim vetëmohues dhe do ta ndieni dritën e Tij në zemrën tuaj. Lutuni përulësisht për mundësi që ta shpërndani ungjillin dhe do të udhërrëfeheni tek ata që janë gati për ta pranuar dritën e Tij. Duajini të tjerët në mënyra të vogla e të mëdha dhe do ta bëni këtë botë më të mirë e më të ndritur.
Një Dritë që Është pa Mbarim
Jam përjetësisht mirënjohës për përvojën që pata ndërsa isha një i ri misionar në Angli kur arrita ta kuptoja vetë se Jezusi është Krishti. E di këtë më me siguri sot, ndërsa e kam përjetuar jetën me të gjitha sprovat dhe gëzimet e saj.
Shërbimi im në Kishë më ka bekuar me përvoja të jashtëzakonshme dhe të veçanta shpirtërore tepër të panumërta dhe disa tepër të shenjta për t’u diskutuar. Nuk ka dhuratë më të rëndësishme dhe më të çmuar që mund t’u jap fëmijëve, nipërve e mbesave, stërnipërve dhe stërmbesave të mia, dhe juve, miqve të mi në të gjithë botën, sesa dëshmia ime e sigurt që Jezusi është Krishti, Biri i Atit tonë të Përjetshëm, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i të gjithë njerëzimit.
Bashkëshortja ime e çmuar, Barbara, ndërroi jetë në vitin 2018. Sa mirënjohës jam që e di se për shkak të vulosjes sonë në tempull dhe për shkak të Jezu Krishtit, ne do të jemi bashkë përsëri, me familjen tonë, për gjithë përjetësinë.
Nganjëherë, më bie fuqia. Në ato çaste, ndalem dhe vështroj një pikturë të Shpëtimtarit. Mendoj për Të në Gjetseman dhe atëherë, papritur, nuk jam më i lodhur. E di në zemrën time që për shkak se Ai e mposhti botën, “errësira po shkon dhe tashmë po ndrit drita e vërtetë” (1 Gjon 2:8).
Unë e di që Jezu Krishti jeton. “Ai është … një dritë që është pa mbarim që nuk mund të errësohet kurrë” (Mosia 16:9). Ai është drita jonë, jeta jonë dhe udha jonë – dje, sot dhe përgjithmonë. Qofshim të patundur në ndjekjen e Tij dhe në shkëlqimin e dritës së Tij përpara botës.