“Ku Ke Qenë?”, Liahona, janar 2023.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Ku Ke Qenë?
M’u desh t’i pranoja kohën dhe qëllimet e Perëndisë ndërsa mësoja ta doja gjyshen time sikurse e duan atë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
“Ku ke qenë, biri im?” – më pyeti gjyshja kur iu përgjigj trokitjes sime në derën e saj. Sapo isha kthyer nga një mision kohëplotë në Salvador. Sytë e gjyshes ndritën nga gëzimi kur më panë sërish. Ndjeva krahët e saj të butë e të ngrohtë ndërsa ajo m’i hodhi në qafë.
Patëm një bashkëbisedim zbavitës ndërsa iu përgjigja pyetjeve të saj rreth misionit tim. U mallëngjeva ndërsa i tregoja rreth njerëzve, ushqimit, të punuarit fort dhe mrekullive të misionit tim. Pasi kisha mbaruar, ajo papritur heshti. Më pas pyeti: “Ku ke qenë, biri im?”
Me sa duket, ajo nuk e kishte pasur mendjen. Prandaj, e filluam bashkëbisedimin tonë sërish. As 20 minuta më vonë, ajo pyeti për të tretën herë: “Ku ke qenë, biri im?”
Diçka nuk shkonte. Shpejt zbulova se rreth një vit pasi isha larguar në misionin tim, gjyshja ime qe diagnostikuar me sëmundjen e Alzhaimerit.
Ndjeva një dëshirë të madhe për ta ndihmuar gjyshen. Për dy vjet, e kisha predikuar dashurinë që Perëndia ka për fëmijët e Tij. Tani kisha një mundësi për t’i jetuar ato mësime. Ndonëse e dija se do të ishte e vështirë, u ofrova të jetoja në shtëpinë e saj që të mund ta ndihmoja.
Muajt e parë ishin më të vështirët. Sikurse në terrenin e misionit, pasja e durimit dhe mbajtja nën kontroll e acarimit u bë një punë kohëplotë. Dhe sikurse gjatë misionit tim, m’u desh t’i pranoja kohën dhe qëllimet e Perëndisë ndërsa mësoja ta doja gjyshen time sikurse e duan atë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
Të jetuarit me gjyshen nganjëherë është si të jetuarit me tre njerëz të ndryshëm. Ndonjëherë ajo nuk duron të ketë dikë tjetër në shtëpi. Ndonjëherë ajo do kujdesin dhe vëmendjen time, e lumtur që nuk është vetëm. Ndonjëherë gjithçka mund të mendojë është se çfarë t’i gatuajë nipit i cili sapo u kthye nga misioni i tij. “Mos e bëj atë!” mund të bëhet shpejt “Pse nuk e bën atë?”
Gjyshja ime, megjithatë, ka qenë një bekim i madh për mua. E di se pavarësisht nga sëmundja e saj, gjithçka që ajo bën për mua, është ngaqë më do.
Fjalët më të ëmbla dhe më të sinqerta të gjyshes sime vijnë çdo herë që kthehem në shtëpi nga shkolla ose puna. Me një vështrim të dhimbsur, më përqafon, më puth në faqe dhe më pyet me dashuri: “Ku ke qenë, biri im?”