“Fuqia e Shembullit”, Liahona, janar 2023.
Portrete Besimi
Fuqia e Shembullit
E dija se e vetmja mënyrë se si mund ta sillja bashkëshorten time në Kishë, qe nëpërmjet shembullit tim. Kur e ndryshova sjelljen time, ajo filloi të ndiente Shpirtin e Perëndisë.
Një ditë rrugës për në punë, pashë dy të rinj duke predikuar fjalën e Perëndisë në rrugë. Ata më ndaluan dhe më pyetën nëse doja të dija më shumë rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në atë kohë, nuk e dija se çfarë drejtimi do të ndiqte familja ime. Nuk kishim busull shpirtërore për ta gjetur udhën tonë.
Kisha pirë alkool atë mëngjes, ndaj nuk më kujtohet shumë nga ato që më thanë misionarët. Por ata më dhanë një Libër Mormoni dhe një pamflet rreth profetit Jozef Smith, së bashku me numrin e tyre të telefonit. Më vonë gjatë asaj dite, nisa të lexoja. Diçka ma preku shpirtin kur e lexova Librin e Mormonit dhe u mahnita se si një djalosh 14‑vjeçar mund të kishte marrë një vegim kaq të madh.
Po kërkoja të vërtetën, ndaj nisa të takohesha me misionarët. Pasi mora pjesën më të madhe të mësimeve, e dija se duhej të pagëzohesha. Por ndërkohë që dita e pagëzimit tim afrohej, ne zhvilluam një mësim që për mua qe e vështirë ta dëgjoja. Mësimi ishte për Fjalën e Urtësisë.
Ai mësim ishte i vështirë për mua sepse pija shumë. Mjedisi i punës sime ishte i ashpër. Gjithkush me të cilin punoja, pinte dhe kështu bëja edhe unë. Shpesh dilja për të pirë pas pune dhe vija në shtëpi vonë në mbrëmje.
Por misionarët bënë një punë të shkëlqyer. Ende i dua për këtë. Ata më mësuan se Perëndia dëshiron që ne të jemi të fortë dhe që Ai na e dha Fjalën e Urtësisë për të na bekuar. Bindja ndaj këtij ligji ishte vërtet e vështirë për mua, por dalëngadalë, fillova ta mbaja. Më kujtohet se u telefonoja misionarëve çdo ditë, duke i përditësuar për përparimin tim dhe duke u thënë se nuk kisha pirë atë ditë. Ata ishin të lumtur sa më s’ka me përparimin tim.
Me ndihmën e tyre, u pagëzova dhe hyra në vathën e Jezu Krishtit. E ndjeva Shpirtin në atë ditë të bukur! Por isha i vetëm kur u bashkova me Kishën. Doja që familja ime të ishte me mua.
Kur fola me bashkëshorten time, Çlirimen, rreth Kishës, ajo fillimisht nuk donte të dëgjonte. Gjyshi i saj i përkiste një feje tjetër dhe ajo vriste mendjen madje pse Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kishte ardhur në Shqipëri. E dija se e vetmja mënyrë se si mund ta sillja bashkëshorten time në ungjill, qe nëpërmjet shembullit tim. Nëpërmjet veprimeve tona, njerëzit mund ta shohin se cilët jemi në të vërtetë.
Çlirimja vuri re ndryshime tek unë kur hoqa dorë nga alkooli dhe fillova të vija herët në shtëpi pas pune. Për shkak të ndryshimeve që po bëja, ajo nisi të ndiente Shpirtin e Perëndisë kur i tregoja rreth Kishës. Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën e lumturisë që pata kur ajo më tha se një ditë edhe ajo do të pagëzohej. Shpejt ajo filloi të merrte mësime me misionarët, mësime në të cilat i ndihmova dhe unë misionarët. U lumturova në mënyrë të veçantë kur ajo caktoi një datë për pagëzimin, gjashtë muaj pasi u pagëzova unë.
Me pagëzimin e saj dhe pagëzimin e dy fëmijëve tanë kur secili prej tyre mbushi 8 vjeç, ndjeva se mund të bëheshim një familje e përjetshme. Por pagëzimi ishte vetëm fillimi. Për t’u përgatitur që të shkonim në tempull, e dinim se duhej ta ndiqnim Perëndinë deri në fund të jetës, duke i mbajtur urdhërimet, duke shkuar në kishë, duke marrë sakramentin, duke shërbyer në thirrje, duke i lexuar shkrimet e shenjta dhe duke mësuar më shumë rreth besëlidhjeve dhe planit të shpëtimit.
Dita që u vulosëm si familje në Tempullin e Frankfurtit në Gjermani, qe një ditë tjetër e bukur. Në tempull, arrita të kuptoja më shumë rreth planit të lumturisë që Perëndia ka për ne, dhe e ndjeva dashurinë e Tij.
Ende më kujtohen premtimet që Çlirimja dhe unë bëmë në tempull. Sa herë që diçka shkon keq ose sa herë që kalojmë një periudhë të vështirë, mendja ime kthehet tek ato premtime.
Si familje, përpiqemi të jetojmë në harmoni me njëri-tjetrin për shkak se kjo është ajo që ndiem në tempull. Çdo herë që mendoj për tempullin, ndihem i lumtur dhe i bekuar. E di se Perëndia është i vërtetë dhe se Ai na do dhe dëshiron që të jemi të lumtur.